Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Argjendi është imi dhe ari është imi»

«Argjendi është imi dhe ari është imi»

«Argjendi është imi dhe ari është imi»

NË SHEKULLIN e gjashtë p.e.s., mbreti Kir i Persisë i çliroi judenjtë, popullin e Perëndisë, nga robëria në Babiloni. Mijëra prej tyre u kthyen në Jerusalem për të rindërtuar tempullin e Jehovait, që kishte mbetur gërmadhë. Gjendja ekonomike e atyre që u kthyen ishte e vështirë dhe, sikur të mos mjaftonte, fqinjët dashakeqë ishin kundër rindërtimit të tempullit. Kjo i bëri disa nga ndërtuesit të dyshonin nëse do të përfundonte ndonjëherë ky projekt i një rëndësie të madhe.

Nëpërmjet profetit Hage, Jehovai i siguroi ndërtuesit se kishin mbështetjen e tij. «Do të lëkund gjithë kombet dhe gjërat e dëshirueshme të të gjitha kombeve kanë për të ardhur; unë do ta mbush këtë shtëpi me lavdi»,—tha Perëndia. Veç kësaj, Hageu u dha këtë mesazh ndërtuesve që ishin në merak për anën ekonomike: «‘Argjendi është imi dhe ari është imi’,—thotë Jehovai i ushtrive.» (Hageu 2:7-9) Pa kaluar pesë vjet nga koha kur Hageu tha këto fjalë inkurajuese, projekti përfundoi.​—Ezdra 6:13-15.

Që nga ajo kohë e deri më sot, fjalët e Hageut kanë qenë një nxitje për shërbëtorët e Perëndisë në projektet e mëdha lidhur me adhurimin e Jehovait. Në vitin 1879, kur klasa e skllavit të besueshëm dhe të matur nisi botimin e kësaj reviste, që asokohe quhej Kulla e Rojës e Sionit dhe Shpallësja e pranisë së Krishtit, në të gjendej ky pohim: «Kemi bindjen se Kulla e Rojës e Sionit ka mbështetjen e JEHOVAIT dhe, përderisa është kështu, as do të kërkojë e as do të lypë mbështetjen e njerëzve. Kur Ai që thotë ‘tërë ari dhe argjendi i maleve është imi’, të mos sigurojë më fondet e nevojshme, do ta kuptojmë se ka ardhur ora që botimi i saj të ndërpritet.»

Dhe në fakt, botimi i saj nuk është ndërprerë asnjëherë. Numri i parë u shtyp në 6.000 kopje vetëm në anglisht. Sot çdo numër i saj shtypet mesatarisht në 28.578.000 kopje në 161 gjuhë. * Zgjohuni!, revista shoqëruese e Kullës së Rojës, ka pasur një tirazh mesatar prej 34.267.000 kopjesh në 80 gjuhë.

Dëshmitarët e Jehovait ndërmarrin shumë projekte që kanë të njëjtin synim si Kulla e Rojës, domethënë të lartësojnë Jehovain si Zotërinë Sovran të universit dhe të shpallin lajmin e mirë për Mbretërinë e tij. (Mateu 24:14; Zbulesa 4:11) Sot Dëshmitarët e Jehovait janë po aq të bindur për fjalët që u shprehën në këtë revistë në vitin 1879. Ata besojnë se Perëndia e mbështet veprën e tyre dhe se nuk do të mungojnë fondet për ato projekte që kanë bekimin e tij. Por, konkretisht, si financohet aktiviteti i Dëshmitarëve të Jehovait? Ç’projekte po ndërmarrin për të predikuar lajmin e mirë në çdo cep të botës?

Si financohet vepra?

S’është e pazakontë që gjatë predikimit të tyre, Dëshmitarët e Jehovait të dëgjojnë pyetjen: «A paguheni?» Përgjigjja është jo, nuk paguhen për kohën që i kushtojnë vullnetarisht kësaj vepre. Nga mirënjohja, këta predikues kalojnë shumë orë duke folur me të tjerët për Jehovain dhe për premtimin e Biblës për një të ardhme më të mirë. Ata e çmojnë atë që ka bërë Perëndia për ta dhe përmirësimin e madh që ka sjellë lajmi i mirë në jetën dhe në botëkuptimin e tyre. Ndaj duan të flasin për këto gjëra të mira edhe me të tjerët. Në këtë mënyrë ndjekin parimin që dha Jezui: «Falas morët, falas jepni.» (Mateu 10:8) Pra, dëshira për të dëshmuar për Jehovain dhe për Jezuin i nxit që me shpenzimet e tyre të shkojnë t’u flasin njerëzve për bindjet që kanë, madje edhe atyre që jetojnë mjaft larg.​—Isaia 43:10; Veprat 1:8.

Përhapja e kësaj vepre predikimi dhe mjetet e përdorura për ta kryer atë—shtypshkronjat, zyrat, sallat e asambleve, shtëpitë misionare, e kështu me radhë—kërkojnë harxhime të mëdha. Nga vijnë këto para? Të gjitha vijnë nga kontributet vullnetare. Dëshmitarët e Jehovait nuk u kërkojnë pjesëtarëve të kongregacionit të japin para për të mbështetur aktivitetet e organizatës dhe as u vënë çmim botimeve që shpërndajnë. Nëse dikush dëshiron të japë kontribut për të mbështetur veprën e tyre të arsimimit, Dëshmitarët e Jehovait e pranojnë me kënaqësi. Le të shohim se çfarë përfshihet vetëm në një nga aspektet që bëjnë të mundur predikimin e lajmit të mirë në mbarë botën—përkthimin.

Botime në 437 gjuhë

Ka dekada që botimet e Dëshmitarëve të Jehovait janë nga më të përkthyerat në botë. Janë përkthyer fletushka, broshura, revista dhe libra në 437 gjuhë. Natyrisht, përkthimi, njësoj si aktivitetet e tjera që kanë të bëjnë me predikimin e lajmit të mirë, kërkon fonde të konsiderueshme. Por, çfarë përfshin procesi i përkthimit?

Kur botuesit e literaturës së Dëshmitarëve të Jehovait përfundojnë artikujt në anglisht, teksti u dërgohet në të gjithë botën në rrugë elektronike skuadrave me përkthyes të stërvitur. Çdo skuadër përkthimi është përgjegjëse për gjuhën në të cilën përkthen. Këto skuadra formohen nga rreth 5 deri në 25 anëtarë, në varësi të projekteve që kanë në dorë dhe në varësi të vështirësisë së gjuhës në të cilën përkthejnë.

Pasi përkthehet, teksti kontrollohet për saktësinë dhe redaktohet. Qëllimi i përkthimit është t’i përçojë idetë e origjinalit sa më saktë dhe sa më qartë. Kjo është një detyrë e vështirë për një sërë arsyesh. Herë pas here përkthyesve dhe redaktorëve u duhet të punojnë me tekste të një fushe të veçantë. Në këto raste ata bëjnë shumë kërkime në gjuhën origjinale (në anglisht ose në ndonjë gjuhë tjetër që përdorin si burim përkthimi, si frëngjisht, rusisht ose spanjisht), si dhe në gjuhën në të cilën përkthejnë, për t’u siguruar për saktësinë. Për shembull, kur një artikull i revistës Zgjohuni! trajton një temë teknike ose historike, përkthyesit duhet të bëjnë shumë kërkime.

Shumë përkthyes shërbejnë në zyrat e degëve të Dëshmitarëve të Jehovait në kohë të plotë ose me orar të kufizuar. Përveç atyre që punojnë në Degë, ka të tjerë që punojnë atje ku flitet gjuha në të cilën përkthejnë. Ata nuk paguhen për punën që bëjnë. Përkthyesve që shërbejnë në kohë të plotë thjesht u sigurohet strehim dhe ushqim, si dhe një ndihmë financiare modeste për nevojat bazë. Në mbarë botën ka rreth 2.800 Dëshmitarë që punojnë në përkthim. Së fundmi, 98 zyra dege të Dëshmitarëve të Jehovait kanë skuadra përkthimi ose mbikëqyrin skuadra në vende të tjera. Për shembull, dega e Rusisë mbikëqyr punën e më shumë se 230 përkthyesve që shërbejnë në kohë të plotë ose jo, të cilët përkthejnë në më shumë se 30 gjuhë. Disa prej tyre nuk njihen gjerësisht jashtë vendit, si gjuha çuvashe, osetiane dhe ujgure.

Përmirësim në cilësinë e përkthimit

Kushdo që është munduar të mësojë një gjuhë të huaj e di sa e vështirë është të japësh idenë e saktë kur përkthen fjali të ndërlikuara. Synimi i përkthimit është të paraqitë me saktësi faktet dhe idetë e gjuhës origjinale, dhe njëherazi teksti të rrjedhë natyrshëm, sikur të ishte shkruar në gjuhën amtare. Ky është art më vete. Përkthyesve të rinj u duhen vite ta zotërojnë artin e përkthimit dhe Dëshmitarët e Jehovait u sigurojnë një program arsimimi të vazhdueshëm. Dëshmitarë të Jehovait që janë instruktorë të aftë në këtë fushë vizitojnë herë pas here skuadrat për të ndihmuar përkthyesit të përmirësojnë aftësitë e tyre dhe të përdorin programet kompjuterike.

Ky program trajnimi po sjell rezultate shumë të mira. Për shembull, nga dega e Dëshmitarëve të Jehovait në Nikaragua vjen ky raport: «Ishte hera e parë që përkthyesit tanë të gjuhës miskito u trajnuan në procedurat dhe teknikat e përkthimit nga një instruktor nga dega e Meksikës. Kjo ka sjellë një përmirësim shumë të madh në punën e përkthyesve. Cilësia e përkthimit është rritur dukshëm.»

Fjalë që prekin zemrën

Synimi i përkthimit të Biblës dhe botimeve biblike në gjuhët amtare është që t’u prekë zemrën njerëzve, dhe pikërisht kështu po ndodh. Në vitin 2006, Dëshmitarët e Jehovait në Bullgari u emocionuan shumë kur morën Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në bullgarisht. Dega e Bullgarisë thotë se mirënjohja për këtë ishte shumë e madhe. Pjesëtarët e kongregacioneve thonë se «tani Bibla u prek zemrën dhe jo vetëm mendjen». Një i moshuar nga Sofja u shpreh: «Kam vite që e lexoj Biblën, por asnjëherë nuk kam lexuar një përkthim kaq të kuptueshëm dhe që shkon drejt e në zemër.» Po njësoj, në Shqipëri, pasi mori një kopje të plotë të Përkthimit Bota e Re në shqip, një Dëshmitare tha: «Sa bukur tingëllon Fjala e Perëndisë në shqip! Sa privilegj i madh është që Jehovai na flet në gjuhën tonë!»

Një skuadre përkthimi mund t’i duhen disa vjet që të përkthejë gjithë Biblën. Por, a nuk ia vlen gjithë kjo përpjekje, kur mendon që miliona njerëz mund ta kuptojnë për herë të parë në jetën e tyre Fjalën e Perëndisë?

«Jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë»

Pa dyshim, përkthimi është vetëm një nga aktivitetet e shumta që nevojiten për të predikuar me efektshmëri lajmin e mirë. Shkrimi, shtypja dhe dërgimi i botimeve biblike, si dhe shumë aktivitete të tjera që bëjnë degët, qarqet dhe kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait, kërkojnë përpjekje dhe shpenzime të konsiderueshme. Megjithatë, populli i Perëndisë «paraqitet vullnetarisht» për ta çuar deri në fund këtë vepër. (Psalmi 110:3) Për ta është privilegj të japin kontributin e tyre dhe e kanë për nder që, falë kësaj, Jehovai i quan «bashkëpunëtorë».​—1 Korintasve 3:5-9.

Është më se e vërtetë se ai që thotë «argjendi është imi dhe ari është imi», nuk ka nevojë për mbështetjen tonë financiare që të kryejë veprën e tij. Megjithatë, Jehovai i ka nderuar shërbëtorët e vet me privilegjin që të marrin pjesë në shenjtërimin e emrit të tij duke dhënë kontribute monetare për predikimin e të vërtetave jetëshpëtuese në «të gjitha kombet». (Mateu 24:14; 28:19, 20) A nuk na nxit kjo të bëjmë sa të mundemi për të mbështetur këtë vepër që s’do të përsëritet më kurrë?!

[Shënimi]

^ par. 5 Për listën e gjuhëve në të cilat botohet Kulla e Rojës, shihni faqen 2 të kësaj reviste.

[Kutia në faqen 18]

«NA BËJNË T’I MARRIM GJËRAT SERIOZISHT»

Një 14-vjeçare i shkroi degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Kamerun: «Pasi bleva gjërat e shkollës për këtë vit, shita dy nga librat shkollorë të vitit të kaluar për 2.500 franga [5$]. Këtë sasi parash plus 910 franga [1,82$] nga kursimet e mia, po i jap si kontribut. Dua t’ju nxis që ta vazhdoni këtë punë të mirë që po bëni. Faleminderit për revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! Ato na bëjnë t’i marrim gjërat seriozisht.»

[Kutia dhe figura në faqen 18]

NJË KONTRIBUT I VEÇANT

Zyra e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Meksikë mori këtë letër mirënjohjeje nga Manueli, një 6-vjeçar nga shteti i Çiapas. Ai nuk ka mësuar ende të shkruajë, ndaj një shok e ndihmoi ta shkruante. Manueli thotë: «Gjyshja më dha një dosë. Kur lindën derrkucat, zgjodha më të mirin dhe e rrita me ndihmën e vëllezërve në kongregacion. Ato që fitova nga shitja e tij po jua dërgoj si kontribut me shumë dashuri. Ai peshonte 100 kilogramë dhe fitova 1.250 pesos [110$]. Po jua dërgoj që t’i përdorni për Jehovain!»

[Kutia në faqen 19]

‘PËRDORINI PËR TË PËRKTHYER BIBLËN’

Në kongresin krahinor të Dëshmitarëve të Jehovait për vitin 2005 në Ukrainë, dolën në gjuhën ukrainase Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re. Të nesërmen, në një kuti kontributesh u gjet një letër ku shkruhej: «Jam nëntë vjeç. Shumë faleminderit për Shkrimet Greke. Mamaja na i jepte këto para mua dhe vëllait të vogël që të shkonim në shkollë me autobus. Por, kur nuk binte shi, ne shkonim në shkollë më këmbë dhe kursyem këto 50 hrivnia [10$]. Unë dhe vëllai duam t’jua japim që t’i përdorni për të përkthyer gjithë Biblën në gjuhën ukrainase.»

[Kutia në faqet 20, 21]

MËNYRA QË ZGJEDHIN DISA PËR TË DHËNË

KONTRIBUTE PËR VEPRËN MBARËBOTËRORE

Shumë veta lënë mënjanë ose grumbullojnë një sasi parash, të cilën e hedhin në kuti kontributesh me etiketën «Kontribute për veprën mbarëbotërore​—Mateu 24:14».

Çdo muaj, kongregacionet ia dërgojnë këtë sasi parash zyrës së Dëshmitarëve të Jehovait që shërben në vendin e tyre. Gjithashtu dhuratat vullnetare në para mund të dërgohen drejtpërdrejt në adresën: Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania, Attention Treasurer’s Office, 25 Columbia Heights, Brooklyn, New York 11201-2483, ose në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait që shërben në vendin tuaj. Çeqet që dërgohen në adresën e mësipërme duhet t’i bëhen të pagueshme Shoqatës «Watch Tower». Mund të dhurohen, gjithashtu, bizhuteri ose gjëra të tjera të çmuara. Këto kontribute duhet të shoqërohen me një letër të shkurtër ku thuhet se këto janë dhurata pa kusht.

RREGULLIMI PËR PARATË E LËNA NË MIRËBESIM ME KUSHT

Paratë mund t’i lihen në mirëbesim Shoqatës Watch Tower për t’i përdorur në mbarë botën. Megjithatë, me kërkesë të dhuruesit, fondet do t’i kthehen atij. Për më shumë informacion, ju lutemi të kontaktoni Zyrën e Thesarit në adresën e treguar më sipër.

DHËNIE E PLANIFIKUAR

Përveç dhurimeve pa kusht në para, ka edhe metoda të tjera dhënieje për ta çuar përpara shërbimin e Mbretërisë në të gjithë botën. Këto përfshijnë:

Sigurimet: Shoqata Watch Tower mund të emërohet si përfituesja e një police sigurimi për jetën ose i një plan pensioni.

Llogaritë bankare: Llogaritë bankare, certifikatat e depozitave ose llogaritë individuale të pensioneve, mund t’i lihen në mirëbesim ose t’i bëhen të pagueshme pas vdekjes Shoqatës Watch Tower, sipas kërkesave bankare vendëse.

Aksionet dhe obligacionet: Aksionet dhe obligacionet mund t’i dhurohen Shoqatës Watch Tower si një dhuratë pa kusht.

Pronat e paluajtshme: Pronat e paluajtshme që mund të shiten, mund të dhurohen ose duke bërë një dhuratë pa kusht, ose në rastin e një prone banimi, duke i rezervuar një pronë dhuruesit, i cili mund të vazhdojë të jetojë aty gjatë jetës së tij ose të saj. Kontaktoni zyrën e degës në vendin tuaj, para se të kaloni një pronë të paluajtshme.

Dhurimi i të ardhurave duke pasur një pagesë vjetore: Dhurimi të ardhurave duke pasur një pagesë vjetore është një rregullim ku dikush i transferon para ose sigurime një korporate të caktuar që përdoret nga Dëshmitarët e Jehovait. Si shkëmbim, dhuruesi ose dikush i caktuar nga dhuruesi, merr një pagesë vjetore të përcaktuar, për çdo vit të jetës. Për vitin në të cilin është bërë dhurimi i të ardhurave, dhuruesi mund të ketë lehtësime në tatimin mbi të ardhurat.

Testamente dhe lënie në mirëbesim: Pronat ose paratë mund t’i lihen në trashëgimi Shoqatës Watch Tower and Tract Society of Pennsylvania me anë të një testamenti të bërë ligjërisht ose Shoqata Watch Tower and Tract Society of Pennsylvania mund të emërohet si përfituesja e një marrëveshjeje mirëbesimi. Një marrëveshje mirëbesimi në dobi të një organizate fetare mund të sjellë disa lehtësime nga taksat.

Siç nënkuptohet nga termi «dhënie e planifikuar», këto lloj dhurimesh kërkojnë në mënyrë të veçantë disa planifikime nga ana e dhuruesit. Për t’i ndihmuar individët që dëshirojnë të përkrahin veprën mbarëbotërore të Dëshmitarëve të Jehovait me anë të ndonjë forme të dhënies së planifikuar, është përgatitur në gjuhën angleze dhe spanjolle një broshurë e titulluar Dhënie e planifikuar në dobi të shërbimit të Mbretërisë në mbarë botën. Broshura u shkrua për të dhënë informacione për disa mënyra dhurimesh, që mund të bëhen tani ose që mund të lihen në trashëgimi pas vdekjes. Pas leximit të broshurës dhe këshillimit me këshilltarët e tyre ligjorë a fiskalë, shumë veta kanë mundur të mbështetin veprimtaritë fetare e humanitare të Dëshmitarëve të Jehovait në të gjithë botën e ndërkohë të kenë më shumë lehtësime nga taksat. Kjo broshurë mund të merret duke i kërkuar një kopje drejtpërdrejt Zyrës së Dhënies së Planifikuar.

Për më tepër informacione mund të kontaktoni Zyrën e Dhënies së Planifikuar, qoftë me shkrim, qoftë me telefon, në adresën e treguar më poshtë, ose mund të kontaktoni zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në vendin tuaj.

Charitable Planning Office

Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania

100 Watchtower Drive

Patterson, New York 12563-9204

Telefon: (845) 306-0707

[Figurat në faqen 19]

Përkthyesit e gjuhës miskito në degën e Nikaraguas