Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mësova të kem besim të plotë te Jehovai

Mësova të kem besim të plotë te Jehovai

Jetëshkrim

Mësova të kem besim të plotë te Jehovai

Treguar nga Obri Bakster

Në vitin 1940, një të shtunë në mbrëmje, dy burra më sulmuan dhe më goditën kaq fort, saqë u rrëzova përtokë. Dy policë që ishin aty afër, në vend që të më ndihmonin, më shanë dhe i lavdëruan ata njerëz të dhunshëm. Rrjedha e ngjarjeve që çoi në këtë trajtim mizor kishte nisur pesë vjet më parë kur punoja në një minierë qymyrguri. Ja si ndodhi.

LINDA në vitin 1913 në Suonsi, një qytet bregdetar në Uellsin e Ri Jugor, Australi. Isha i treti nga katër djemtë e familjes. Kur isha pesë vjeç, e gjithë familja ime u sëmur nga gripi i tmerrshëm spanjoll, i cili ua mori jetën miliona njerëzve anembanë botës. Por ne shpëtuam të gjithë. Megjithatë në vitin 1933, në familje na ndodhi një fatkeqësi: mamaja vdiq në moshën 47-vjeçare. Ajo ishte mjaft fetare dhe i kishin rënë në dorë 2 vëllimet e librit Dritë (në anglisht), që i shpërndanin Dëshmitarët e Jehovait si mjete ndihmëse për studimin e Biblës.

Në atë kohë punoja në një minierë qymyrguri. Meqë puna herë ishte e vrullshme, herë kishte periudha të qeta, i merrja me vete librat dhe i lexoja nën dritën e llambës me karbit që kisha në kaskën e minatorit. E kuptova shpejt që kisha gjetur të vërtetën. Veç kësaj nisa të dëgjoja mësimet biblike që transmetonin në radio Dëshmitarët e Jehovait. U gëzova edhe më shumë kur babai dhe vëllezërit e mi nisën të interesoheshin për të vërtetën biblike.

Më 1935 në familje na ndodhi përsëri një fatkeqësi kur vëllai i vogël, Billi, u sëmur nga pneumonia dhe vdiq. Ishte vetëm 16 vjeç. Por kësaj here, familjen tonë e ngushëlloi shpresa e ringjalljes. (Veprat 24:15) Me kalimin e kohës, babai dhe vëllezërit e mi më të mëdhenj, Verneri dhe Haroldi, bashkë me gratë e tyre ia kushtuan jetën Perëndisë. Nga familja vetëm unë jam ende gjallë. Megjithatë, gruaja e dytë e Vernerit, Marxhoria, dhe gruaja e Haroldit, Elizabeta, ende i shërbejnë aktivisht Jehovait.

Mësoj të kem besim te Jehovai

Hera e parë që fola drejtpërdrejt me Dëshmitarët e Jehovait ishte në vitin 1935, kur një zonjë ukrainase që ngiste një biçikletë, trokiti në derën tonë. Të dielën tjetër shkova për herë të parë në një mbledhje të krishterë dhe pas një jave, u bashkova me grupin për të predikuar. Dëshmitari që drejtonte mbledhjen për predikimin më dha disa broshura. Sa u habita kur më caktoi të predikoja vetëm! Te dera e parë, kisha një ankth kaq të madh, saqë doja të hapej toka dhe të më përpinte. Por i zoti i shtëpisë ishte i sjellshëm, e madje pranoi edhe literaturë.

Shkrime të tilla, si Eklisiastiu 12:1 dhe Mateu 28:19, 20 më prekën kaq shumë saqë doja të bëhesha pionier ose predikues në kohë të plotë. Babai ma përkrahu vendimin. Edhe pse nuk isha pagëzuar ende, vendosa të filloja si pionier më 15 korrik 1936. Atë ditë shkova në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Sidnei ku më ftuan të punoja me një grup prej 12 pionierësh në periferinë e Sidneit, në Dëlixh-Hill. Ata më treguan si të përdorja një mulli gruri që rrotullohej me dorë, që në atë kohë pionierët e përdornin për të bërë miell, e kështu u dilte më lirë.

Predikoj në djerrina

Më vonë po atë vit u pagëzova dhe pas pagëzimit më caktuan në Kuinslandin Qendror bashkë me dy pionierë: Obri Uillsin dhe Klajv Shejdin. Kishim gjithsej këto gjëra: furgonin e Obrit, disa biçikleta, një gramafon portativ për të transmetuar mësime biblike, një tendë që u bë shtëpia jonë për tri vitet pasuese, tri shtretër, një tavolinë dhe një tenxhere hekuri për të gatuar. Një mbrëmje, kur kisha radhën e gatimit, mendova se kisha përgatitur një darkë speciale me perime dhe qull gruri. Por asnjëri nga ne nuk e hëngri dot. Aty afër rastisi një kalë, kështu që ia dhashë atij. Por, pasi e nuhati, tundi kokën dhe iku. Me kaq i dhashë fund eksperimenteve të mia në kuzhinë.

Me kalimin e kohës, vendosëm ta mbaronim më shpejt territorin, prandaj e ndamë në tri pjesë dhe secili predikonte te njëra pjesë. Shpesh, në fund të ditës më qëllonte të isha tepër larg vendit ku kishim fushuar, kështu që ndonjëherë e kaloja natën te fshatarët mikpritës. Një herë fjeta në një shtrat luksoz në dhomën e pritjes në një fermë, kurse të nesërmen u shtriva në dyshemenë e pistë të kasolles së një gjuetari kangurësh, i rrethuar nga pirgje gëzofësh që kutërbonin. Shpesh flija jashtë në djerrinë. Një herë më rrethuan nga larg disa dingo (qen të egër) dhe dëgjoja kuisjet e tyre rrëqethëse që mbushnin terrin. Pas një nate pa gjumë, zbulova se nuk u interesoja unë, por disa të përbrendshme kafshësh që ishin hedhur aty pranë.

Predikoj me një makinë me altoparlant

Që të predikonim për Mbretërinë e Perëndisë, përdornim shumë një makinë me altoparlant. Në qytetin e Taunsvillit, në Kuinslandin Verior, policia na lejoi të predikonim në qendër të qytetit. Mirëpo, fjalimi i regjistruar ua ndezi tërbimin disa pjesëtarëve të Ushtrisë së Shpëtimit, një organizatë evangjeliste, të cilët na thanë të largoheshim. Kur nuk pranuam, pesë prej tyre shkundën furgonin. Merreni me mend që në atë çast unë isha brenda furgonit duke u marrë me pajisjen akustike! Nuk na u duk gjë e mençur të këmbëngulnim për të drejtat tona, prandaj, kur ata burra e lanë furgonin, u larguam.

Në Bandaberg, një burrë që kishte interes për Biblën na dha hua një varkë, kështu që mund të transmetonim fjalime nga lumi Bërnet që rrjedh përmes qytetit. Obri dhe Klajvi u nisën me varkën ku kishin pajisjet akustike, kurse unë qëndrova në sallën që kishim marrë me qira. Atë mbrëmje, në mbarë Bandabergun, nga altoparlanti ushtoi zëri i fuqishëm i Xhozef Radhërfordit, që shërbente në selinë qendrore të Dëshmitarëve të Jehovait. Shpallte një mesazh biblik të fuqishëm. Faktikisht ato kohë ishin emocionuese dhe kërkonin që populli i Perëndisë të tregonte guxim dhe besim.

Lufta sjell vështirësi të tjera

Sapo nisi Lufta II Botërore në shtator të vitit 1939, në Kullën e Rojës të 1 nëntorit u trajtua tema se ç’do të thoshte për një të krishterë të ishte asnjanës ndaj politikës dhe luftës. U ndjeva i lumtur më vonë kur ai material në kohën e duhur që kisha studiuar më hyri shumë në punë. Ndërkohë, pasi kishim qëndruar tre vjet bashkë, Obri, Klajvi dhe unë u caktuam në vende të ndryshme e kështu u ndamë. Më caktuan si mbikëqyrës udhëtues në Kuinslandin Verior, caktim ky që do të më vinte shpesh në provë besimin te Jehovai.

Në gusht të vitit 1940 po shërbeja në kongregacionin e Taunsvillit, ku kishte katër pionierë: Persi e Ilma Izlobi * dhe Norman e Beatrisa Beloti që ishin vëlla e motër. Gjashtë vjet më vonë, Beatrisa u bë gruaja ime. Një të shtunë në mbrëmje, pasi një grup prej nesh kishte predikuar në rrugë, ndodhi sulmi i përmendur në fillim. Megjithatë, kjo padrejtësi vetëm sa më dha zemër që të vazhdoja t’i shërbeja Jehovait.

Dy pioniere, Juna dhe Merla Kilpatrik po bënin një punë të shkëlqyer në veri. Kalova një ditë të këndshme me to në shërbim. Më pas ato më kërkuan t’i çoja me varkë në anën tjetër të lumit te një familje që kishte interes për Biblën. Kjo do të thoshte që të shkoja me not te një varkë që ishte ankoruar në anën tjetër, të kthehesha me varkën dhe t’i merrja motrat. Por, kur shkova te varka, mungonin rremat. Më vonë morëm vesh se i kishte fshehur një kundërshtar. Sidoqoftë, taktika e tij nuk na ndali. Kisha qenë roje plazhi për disa vjet dhe isha ende një notar i fuqishëm. Kështu e lidha litarin e ankorimit rreth belit, e çova varkën me not te motrat dhe i tërhoqa përsëri në anën tjetër të lumit. Jehovai i bekoi përpjekjet tona, sepse me kalimin e kohës pjesëtarët e asaj familjeje u bënë Dëshmitarë.

Nën krahët mbrojtës të Jehovait

Për arsye sigurie ushtria ngriti një postbllok në dalje të qytezës së Inisfejlit. Meqë banoja në atë zonë, mund të merrja leje kalimi, dhe kjo më vlejti shumë në ato raste kur vinin për vizitë përfaqësues nga zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait. Për t’i kaluar ata në postbllok, i fshihja në një hapësirë që ndodhej poshtë ndenjëses së pasme të makinës sime.

Në atë kohë karburanti ishte me racion dhe shumë automjete kishin një impiant për të prodhuar gaz. Për të furnizuar motorin, ky impiant prodhonte gaz të djegshëm nga qymyri i drurit. Udhëtoja natën dhe thasët e qymyrit i vija pirg në hapësirën ku fshihej vëllai. Kur ndaloja në një postbllok, i shpërqendroja rojat duke e rritur shpejtësinë e motorit, dhe si pasojë koshi me qymyr ishte flakë i nxehtë. Një natë u thashë me zë të lartë rojave: «Po ta ndaloj motorin, përzierja gaz-ajër do të ketë probleme dhe do të jetë e vështirë ta nis përsëri makinën.» Të bezdisur nga nxehtësia, zhurma dhe bloza, rojat i hodhën një sy shpejt e shpejt makinës dhe më lanë të ikja.

Ato ditë më caktuan të organizoja një kongres në Taunsvill për Dëshmitarët e atjeshëm. Ushqimi ishte me racion dhe për të marrë gjërat që nevojiteshin, kërkohej miratim nga gjykatësi i atij vendi. Në atë kohë vëllezërit i futnin në burg për shkak të qëndrimit asnjanës. Prandaj, kur mora takim për të folur me gjykatësin, mendova: ‘A po veproj me mençuri apo po ngacmoj një tigër?’ Prapëseprapë, shkova ta takoja, siç kisha marrë edhe udhëzime.

Gjykatësi, i cili qëndronte pas një tryeze madhështore, më tha të ulesha. Kur i shpjegova qëllimin e vizitës, ai ngriu në vend dhe më vështroi ftohtë për një kohë të gjatë. Pastaj u qetësua dhe tha: «Sa ushqim doni?» I dorëzova një listë me gjërat minimale të nevojshme. E shikoi dhe më tha: «Duket e pamjaftueshme. Më mirë ta dyfishojmë.» U largova nga zyra e tij me mirënjohje të thellë ndaj Jehovait që më kishte dhënë një mësim tjetër për të besuar tek Ai.

Në janar të vitit 1941, në Australi u ndalua vepra e Dëshmitarëve të Jehovait. Shumë filluan të dyshonin për ne, e madje na akuzonin sikur ishim spiunë të japonezëve. Në një rast, dy makina plot me policë e ushtarë vërshuan në Fermën e Mbretërisë, që ishte një ngastër toke në Rrafshnaltën e Athertonit, të cilën e kishim blerë për ta mbjellë. Ata kërkonin një projektor që sipas tyre e përdornim për të sinjalizuar armikun. Gjithashtu na akuzuan se kishim mbjellë misër sipas një kodi që mund të lexohej nga aeroplani. Natyrisht, tërë këto akuza dolën të rreme.

Ngaqë vepra ishte e ndaluar, kur shpërndanim literaturën duhej të tregoheshim të kujdesshëm dhe të përdornim imagjinatën. Për shembull, kur doli libri Fëmijët, mora një kuti plot me libra në Brisbejn. Udhëtova me tren për në veri dhe lija libra në stacionet ku kishte kongregacion. Që kontrollorët e policisë dhe të ushtrisë të mos e hapnin kutinë, mora një disk sharre dhe e lidhja te kutia para se të zbritja. Edhe pse kjo ishte një taktikë e thjeshtë, shkoi për së mbari. Sa lehtësim provoi populli i Jehovait kur në qershor të vitit 1943, u hoq urdhri për ndalimin e veprës së predikimit, i përshkruar nga një gjykatë si «arbitrar, tekanjoz dhe shtypës»!

Thirrem për shërbimin ushtarak

Gjatë vitit të mëparshëm, Obri Uillsi, Norman Beloti dhe unë u thirrëm për shërbimin ushtarak. Obrin dhe Normanin i thirrën në gjyq një javë para meje dhe i dënuan me gjashtë muaj burg. Atëherë zyra postare i konfiskonte revistat Kulla e Rojës që ishin në adresë të Dëshmitarëve të njohur, por jo të abonentëve të tjerë. Caktimi ynë ishte të gjenim ndonjë nga këta abonentë, të dyfishonim revistat dhe t’ua shpërndanim kopjet shtesë Dëshmitarëve të tjerë. Në këtë mënyrë merrnim rregullisht ushqim frymor.

Siç e pritja, më njoftuan dënimin me gjashtë muaj burg. Menjëherë apelova, ashtu siç isha udhëzuar nga zyra e degës në Sidnei. Synimi ynë ishte të fitonim kohë derisa të caktohej ndonjë tjetër për t’u kujdesur për veprën. Përfitova nga rasti që isha i lirë për të vizituar 21 Dëshmitarët e burgosur në Kuinslandin Verior. Shumica ndodheshin në të njëjtin burg dhe drejtori atje na urrente. Kur i thashë se përse pastorët e feve të tjera mund t’i vizitonin njerëzit e tyre kurse ne jo, atij i hipi tërbimi. Ai bërtiti: «Po të ishte në dorën time, do t’i vija në rresht të gjithë Dëshmitarët e Jehovait dhe do t’i pushkatoja!» Rojat më shoqëruan jashtë me nxitim.

Kur u mor në shqyrtim apelimi im, sipas ligjit më caktuan një avokat. Por në të vërtetë e drejtova vetë çështjen, dhe kjo do të thoshte të mbështetesha shumë te Jehovai. E Ai nuk më zhgënjeu. (Luka 12:11, 12; Filipianëve 4:6, 7) Çuditërisht apelimi pati sukses, për shkak të gabimeve që kishte bërë nëpunësi gjatë përpilimit të fletës së akuzës!

Në vitin 1944 u caktova në një qark të madh që përfshinte Australinë Jugore, veriun e shtetit të Viktorias dhe qytetin e Sidneit në Uellsin e Ri Jugor. Vitin vijues nisi një fushatë mbarëbotërore me fjalime publike. Çdo orator duhej të përgatiste një fjalim, duke u bazuar në një skemë njëfaqëshe që i jepej. Të mbaje fjalim njëorësh ishte një sfidë e re, por ecëm para duke pasur besim të plotë te Jehovai dhe ai i bekoi përpjekjet tona.

Martohem dhe marr përgjegjësi të tjera

Në korrik të vitit 1946, unë dhe Beatrisa Beloti u martuam. Shërbenim bashkë si pionierë. Si shtëpi kishim një dhomë-rimorkio prej kompensate. Në dhjetor të 1950-s na lindi fëmija jonë e vetme, Xhanisa (Xhana). Shërbyem si pionierë në shumë vende, përfshirë edhe qytezën e Kempsit, në Uellsin e Ri Jugor, ku ishim të vetmit Dëshmitarë. Çdo të diel shkonim në një sallë publike. Kisha përgatitur një fjalim publik që e kishim njoftuar me anë të ftesave. Për ca muaj, Beatrisa dhe Xhana ishin të vetmit njerëz në auditor. Por jo shumë kohë më vonë, pak nga pak filluan të vinin edhe të tjerë. Sot në Kempsi lulëzojnë dy kongregacione.

Kur Xhana ishte dy vjeçe, shkuam të banonim në Brisbejn. Kur ajo mbaroi shkollën, shërbyem si pionierë të gjithë për katër vjet në qytezën e Sesnokut në Uellsin e Ri Jugor. Pastaj u rikthyem në Brisbejn për të ndihmuar nënën e Beatrisës që ishte e sëmurë. Tani kam privilegjin të shërbej si plak në kongregacionin e Çermsajdit.

Beatrisa dhe unë e falënderojmë Jehovain për bekimet e tij të panumërta, përfshirë privilegjin që kemi pasur të ndihmojmë 32 veta që ta njohin Atë. Personalisht e falënderoj Jehovain për gruan time të shtrenjtë e cila, edhe pse e urtë dhe e butë, ka qenë një luftëtare e patrembur për të vërtetën biblike. Për shkak të dashurisë për Perëndinë, besimit në Të dhe ngaqë ka mbajtur një ‘sy të thjeshtë’, ajo ka qenë vërtet një grua dhe nënë e zonja. (Mateu 6:22, 23; Proverbat 12:4) Bashkë me të mund të them me gjithë zemër: «Ai që ka besim te Jehovai dhe siguria e të cilit është Jehovai, është i bekuar.»​—Jeremia 17:7.

[Shënimi]

^ par. 19 Jetëshkrimi i Persi Izlobit u botua në anglisht në numrin e 15 majit 1981 të kësaj reviste.

[Figura në faqen 9]

Përdornim këtë makinë me altoparlant në Kuinslandin Verior

[Figura në faqen 10]

Ndihmoj motrat Kilpatrik që të lëvizin makinën e tyre, gjatë një stine me shira në Kuinslandin Verior

[Figura në faqen 12]

Në ditën e dasmës