‘Vishuni me përulësi mendjeje’
‘Vishuni me përulësi mendjeje’
VINTE nga një qytet me emër. Gëzonte të drejtat e një qytetari romak dhe ka mundësi që rridhte nga një familje e ngritur. Kishte marrë shkollimin më të mirë që ekzistonte në shekullin e parë të e.s., fliste të paktën dy gjuhë dhe bënte pjesë në grupin e farisenjve, një grup fetar mjaft i njohur në Izrael. Ky ishte Sauli.
Si i tillë, ai mund të ketë zhvilluar një ndjenjë përçmimi për njerëzit e thjeshtë dhe ndihej krenar për drejtësinë e tij. (Luka 18:11, 12; Veprat 26:5) Shokëve të Saulit, edhe ata farisenj, u dukej vetja më të mirë se të tjerët, donin të binin në sy dhe u pëlqenin titujt e mëdhenj. (Mateu 23:6, 7; Luka 11:43) Ka të ngjarë që shoqëria me njerëz të tillë e bëri Saulin arrogant. Dihet se ai ishte një përndjekës fanatik i të krishterëve. Vite më vonë, kur ishte bërë i njohur si apostulli Pavël, ai e pranoi se kishte qenë «blasfemues, përndjekës dhe i pacipë».—1 Timoteut 1:13.
E pra, Sauli u bë i krishterë, i njohur si apostulli Pavël, e personaliteti i tij ndryshoi krejtësisht. Si apostull i krishterë, e pranoi me përulësi se ishte ‘më i vogli nga të gjithë të shenjtët’. (Efesianëve 3:8) Ai pati sukses si ungjillëzues, por nuk ia dha meritën vetes për këtë. Përkundrazi, ia dha gjithë lavdinë Perëndisë. (1 Korintasve 3:5-9; 2 Korintasve 11:7) Pikërisht Pavli i këshilloi të krishterët: «Vishuni me dhembshuri të butë, mirëdashje, përulësi mendjeje, butësi dhe shpirtgjerësi.»—Kolosianëve 3:12.
A ka vlerë kjo këshillë për kohën tonë? A ia vlen të jesh i përulur? A mund të tregojë përulësia forcë karakteri?
Përulësia e Krijuesit tonë të Plotfuqishëm
Kur flasim për përulësinë duhet të marrim parasysh pikëpamjen e Perëndisë. Pse? Sepse ai është Sovrani dhe Krijuesi ynë. Ndryshe nga Perëndia, ne duhet të pranojmë se jemi të kufizuar dhe varemi prej tij. «Ne nuk e zbulojmë dot krejtësisht të Plotfuqishmin. S’ka më të fuqishëm se Ai»,—tha Elihu, një burrë i mençur i lashtësisë. (Jobi 37:23) Vërtet, sa të vegjël ndihemi vetëm duke kundruar universin e paanë. Profeti Isaia tha: «Ngrini sytë lart dhe shikoni. Kush i krijoi këto gjëra? Ai që e nxjerr ushtrinë e yjeve të llogaritur me numër dhe e thërret secilin me emër. Falë energjisë së tij dinamike dhe fuqisë së tij të madhe, nuk mungon asnjë prej tyre.»—Isaia 40:26.
Perëndia Jehova është i plotfuqishëm, por edhe i përulur. Mbreti David iu lut Perëndisë: «Ti do të më japësh mburojën tënde të shpëtimit. Përulësia jote më bën të madh.» (2 Samuelit 22:36) Perëndia është i përulur në kuptimin që tregon interes për njerëzit zemërbutë që përpiqen t’i pëlqejnë atij, duke u treguar i mëshirshëm me ta. Është sikur Jehovai të përkulet nga qiejt për t’u treguar dashamirës me ata që i frikësohen Atij.—Psalmi 113:5-7.
Jo vetëm kaq, por Jehovai e vlerëson kur shërbëtorët e tij tregojnë përulësi. Apostulli Pjetër shkroi: «Perëndia u kundërvihet fodullëve, por u jep dashamirësi të pamerituar të përulurve.» (1 Pjetrit 5:5) Ja çfarë tha një shkrimtar tjetër i Biblës për pikëpamjen që ka Perëndia për krenarinë: «Njerëzit me zemër krenare janë të pështirë për Jehovain.» (Proverbat 16:5) Por, si mund të tregojë përulësia forcë karakteri?
Çfarë nuk është përulësia?
Të jesh i përulur s’do të thotë të ulësh veten. Në disa kultura të lashta, të përulur quheshin skllevërit: ata që ishin servilë, mjeranë dhe për të ardhur keq. Mirëpo Bibla thekson se përulësia e mendjes sjell nderim. Për shembull, një burrë i mençur shkroi: «Fryti i përulësisë dhe frika nga Jehovai është pasuri, lavdi dhe jetë.» (Proverbat 22:4) Gjithashtu, te Psalmi 138:6 lexojmë: «Ti, o Jehova, je i lartë, e megjithatë i drejton sytë mbi të përulurit, kurse fodullët i njeh nga larg.»
Marku 14:61, 62; Gjoni 6:51) Megjithatë, ai u tregua i përulur duke ia dhënë meritën Atit të tij për veprat që kishte bërë dhe duke e shfrytëzuar fuqinë e vet për t’u shërbyer e për të ndihmuar të tjerët, e jo për të mbizotëruar e për t’i shtypur.
Kush është i përulur s’do të thotë që është i paaftë ose s’ka pasur arritje. Për shembull, Jezu Krishti nuk e mohoi kurrë se ishte Biri i vetëmlindur i Jehovait dhe asnjëherë nuk mendoi se shërbimi i tij në tokë nuk pati vlerë. (Tregon forcë karakteri
Pa dyshim, Jezu Krishti u bë i njohur për bashkëkohësit «nëpërmjet veprave të fuqishme». (Veprat 2:22) Megjithatë, duke qenë ‘më i përvuajturi i njerëzve’, për mjaft njerëz ai ishte i përulur. (Danieli 4:17) Jezui jo vetëm që bëri një jetë të thjeshtë, por edhe u mësoi vazhdimisht të tjerëve vlerën e përulësisë. (Luka 9:48; Gjoni 13:2-16) Por kjo s’do të thoshte se ishte i dobët. Ai e mbrojti pa frikë emrin e Atit dhe e çoi deri në fund shërbimin e tij. (Filipianëve 2:6-8) Bibla tregon se Jezui ishte i guximshëm, sepse e krahason me luanin. (Zbulesa 5:5) Shembulli i Jezuit tregon se një njeri i përulur mund të ketë forcë karakteri dhe vendosmëri.
Teksa përpiqemi të jemi vërtet të përulur, e kuptojmë se nuk është aspak e lehtë që të shfaqim gjithnjë përulësi mendjeje. Kjo do të thotë t’i nënshtrohemi gjithmonë vullnetit të Perëndisë dhe të mos ndjekim rrugën më të lehtë ose të dorëzohemi para dëshirave mëkatare. Përulësia kërkon forcë morale, sepse duhet të lëmë mënjanë interesat tona për t’i shërbyer me vetëmohim Jehovait dhe të tjerëve.
Dobitë e përulësisë
Të jesh i përulur do të thotë të mos jesh krenar ose mendjemadh. Në Shkrime ky qëndrim përshkruhet me shprehjen ‘përulësi mendjeje’. (Efesianëve 4:2) Një mendje e përulur vjen kur e vlerësojmë me realizëm veten: pikat e forta dhe dobësitë, sukseset dhe dështimet. Pavli dha një këshillë të mirë në lidhje me këtë, kur shkroi: «I them gjithsecilit mes jush të mos mendojë për veten më shumë nga sa duhet të mendojë, por të mendojë në atë mënyrë që të ketë një mendje të shëndoshë.» (Romakëve 12:3) Kush e ndjek këtë këshillë po tregon përulësi.
Përulësia tregohet edhe kur me sinqeritet i vëmë interesat e të tjerëve para tonave. Pavli u dha këtë këshillë të frymëzuar të krishterëve: ‘Mos bëni asgjë nga fryma e grindjes ose nga uni, por me përulësi mendjeje, shikojini të tjerët si më të lartë se veten.’ (Filipianëve 2:3) Këto fjalë pajtoheshin me urdhrin që u dha Jezui dishepujve të tij: «Më i madhi ndër ju, të jetë shërbëtori juaj. Kushdo që e lartëson veten, do të përulet, dhe kushdo që e përul veten, do të lartësohet.»—Mateu 23:11, 12.
Po, përulësia e mendjes na lartëson në sytë e Perëndisë. Dishepulli Jakov e theksoi këtë gjë kur shkroi: «Përuluni para Jehovait, dhe ai do t’ju lartësojë.» (Jakovi 4:10) E kush nuk do të donte ta lartësonte Perëndia?!
Mungesa e përulësisë mund të shkaktojë shumë ngatërresa e konflikte mes individëve dhe grupeve të ndryshme. Kurse përulësia sjell shumë dobi. Për shembull, mund të ndiejmë ngrohtësinë e miratimit të Perëndisë. (Mikea 6:8) Mund të kemi paqe mendore, sepse kush është i përulur zakonisht është më i lumtur dhe më i kënaqur se një njeri fodull. (Psalmi 101:5) Marrëdhëniet tona me familjarët, miqtë, kolegët e me të tjerë do të jenë më të mira dhe më të kënaqshme. Të përulurit përpiqen të mos bëhen të pakëndshëm dhe kokëfortë, qëndrim ky që mund të çojë kollaj drejt zemërimit, ftohtësisë, fyerjes dhe mërisë.—Jakovi 3:14-16.
Vërtet, përulësia e mendjes na ndihmon të mbajmë marrëdhënie të mira me të tjerët. Mund të na ndihmojë të përballojmë vështirësitë e kësaj bote plot egoizëm dhe rivalitet. Me ndihmën e Perëndisë, apostulli Pavël e mposhti arrogancën dhe krenarinë që kishte fillimisht. Po kështu, secili nga ne bën mirë të frenojë çdo prirje drejt fodullëkut ose mendimin se është më i mirë se të tjerët. Bibla paralajmëron: «Krenaria vjen para rrëzimit dhe fryma e fodullëkut para pengimit.» (Proverbat 16:18) Nëse ndjekim shembullin dhe këshillat e Pavlit, do të shohim sa e mençur është ‘të vishemi me përulësi mendjeje’.—Kolosianëve 3:12.
[Figura në faqen 4]
Pavli ia doli ta mposhtte arrogancën dhe krenarinë
[Figura në faqen 7]
Përulësia e mendjes na ndihmon të mbajmë marrëdhënie të mira me të tjerët
[Burimi i figurës në faqen 5]
Observatori anglo-australian/fotografi nga David Malin