Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
A është e përshtatshme për një Dëshmitar të Jehovait të shkojë në martesën e një të afërmi ose të njohuri që nuk është Dëshmitar?
Martesat janë raste të gëzueshme dhe kuptohet që një i krishterë do të donte të merrte pjesë në këtë gëzim. Nëse janë ftuar edhe të miturit, pa dyshim, fjalën e fundit nëse duhet të shkojnë apo jo, duhet ta thonë prindërit ose kush mban përgjegjësi për ta. (Efesianëve 6:1-3) Po në rastin kur një bashkëshort që nuk është Dëshmitar i kërkon gruas së tij Dëshmitare ta shoqërojë në ceremoninë e martesës që organizohet në kishë? Ndërgjegjja mund ta lejojë të shkojë thjesht si vëzhguese, por në asnjë mënyrë për të marrë pjesë në ndonjë rit fetar që lidhet me rastin.
Pra, në thelb, prania ose jo në një ceremoni të tillë martese është një çështje për të cilën gjithsecili vendos vetë. Megjithatë, çdo i krishterë duhet të jetë i ndërgjegjshëm se është përgjegjës para Jehovait për vendimin që merr dhe duhet të marrë parasysh një sërë parimesh biblike kur vendos të shkojë apo jo në martesën e dikujt që nuk është Dëshmitar.
Për një të krishterë vlen mbi të gjitha miratimi i Perëndisë. Jezui tha: «Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë, duhet ta adhurojnë me frymë dhe të vërtetë.» (Gjoni 4:24) Ja pse Dëshmitarët e Jehovait nuk ngatërrohen me ritet e një besimi tjetër, si për shembull me lutjet, zakonet ose ceremonitë që bien ndesh me të vërtetën e Biblës.—2 Korintasve 6:14-17.
Një i krishterë është i vetëdijshëm se vendimi i tij ose i saj mund të ndikojë edhe të tjerët. Nëse vendos të jesh i pranishëm, a do të lëndohen të afërmit nëse nuk merr pjesë në gjithçka që bëhet në dasmë? Duhet marrë parasysh edhe ndikimi i mundshëm te bashkëbesimtarët. (Romakëve 14:13) Edhe nëse ti ose pjesëtarë të tjerë të familjes mendoni se prania në martesën e dikujt që nuk është Dëshmitar, nuk përbën ndonjë problem, mos ndoshta kjo do të ndikonte për keq te vëllezërit dhe motrat frymore? A mund të lëndojë ndërgjegjen e disave?
Në ceremonitë martesore me të afërm që nuk janë Dëshmitarë mund të krijohen situata delikate. Çdo të bëje po të të kërkonin të ishe në rolin e shoqërueses së nuses ose të shoqëruesit të dhëndrit? Po nëse bashkëshorti nuk është Dëshmitar dhe të kërkon të marrësh pjesë në gjithçka që bëhet gjatë ceremonisë ose gjatë dasmës? Nëse martesa bëhet në formën e një ceremonie civile nën drejtimin e një gjykatësi a nëpunësi qeveritar, pjesëmarrja në të mund të përfshijë vetëm të jesh i pranishëm në një procedurë ligjore.
Kurse një ceremoni martesore që mbahet në një ndërtesë fetare ose nën drejtimin e një kleriku ngre shqetësime të tjera. Për hir të ndërgjegjes së stërvitur nga Bibla dhe për të mos vepruar në kundërshtim me bindjet e tua fetare a për të mos bërë diçka që do të vinte në siklet çiftin dhe të afërmit e ngushtë, mund të vendosësh të mos shkosh. (Proverbat 22:3) Mund t’i kursesh vetes dhe familjes një stres të madh duke shpjeguar që më parë bindjet e tua biblike, e njëherazi të tregosh deri në ç’pikë je i gatshëm të marrësh pjesë ose ndoshta të sugjerosh ndonjë mundësi tjetër veprimi.
Pasi i peshojnë mirë të gjithë faktorët, disa Dëshmitarë mund të vendosin se s’ka asgjë të keqe të shkojnë vetëm si vëzhgues në martesën e dikujt që nuk është Dëshmitar. Por nëse një Dëshmitar kupton se duke qenë i pranishëm mund të tundohet të shkelë parimet biblike, mund të dalë në përfundimin se s’ia vlen të rrezikojë kaq shumë për ndonjë dobi të mundshme. Nëse vendos të mos shkojë në ceremoninë martesore, por të shkojë si i ftuar në festën që bëhet më pas, duhet të tregohet i vendosur ‘të bëjë gjithçka për lavdi të Perëndisë’. (1 Korintasve 10:31) «Secili do të mbajë ngarkesën e vet» të përgjegjësisë kur merr vendime të tilla. (Galatasve 6:5) Ndaj, çfarëdo që të vendosësh, mos harro se mbi të gjitha duhet të kemi ndërgjegje të pastër para Jehovait.