Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e mbështet sovranitetin e Jehovait?

A e mbështet sovranitetin e Jehovait?

A e mbështet sovranitetin e Jehovait?

«Thoni ndër kombe: ‘Jehovai është bërë mbret!’»​—PSALMI 96:10.

1, 2. (a) Cila ngjarje e rëndësishme ndodhi nga tetori i vitit 29 të e.s.? (b) Ç’kuptim kishte për Jezuin ajo ngjarje?

NGA tetori i vitit 29 të e.s., ndodhi një ngjarje e rëndësishme, që nuk kishte ndodhur më parë në tokë. Mateu shkruan në Ungjillin e tij: «Pasi u pagëzua, Jezui doli menjëherë nga uji, dhe ja, qiejt u hapën dhe Gjoni [Pagëzori] pa frymën e Perëndisë të zbriste mbi Jezuin porsi një pëllumb. U dëgjua edhe një zë nga qiejt, që tha: ‘Ky është Biri im, i dashuri, që e kam miratuar.’» Kjo është një nga ngjarjet e pakta që e dokumentuan të katër shkrimtarët e Ungjijve.​—Mateu 3:16, 17; Marku 1:9-11; Luka 3:21, 22; Gjoni 1:32-34.

2 Derdhja në mënyrë të dukshme e frymës së shenjtë mbi Jezuin, e identifikoi atë si të Mirosurin, që do të thotë Mesia ose Krishti. (Gjoni 1:33) Më në fund ishte shfaqur ‘fara’ e premtuar! Para Gjon Pagëzorit qëndronte ai të cilin Satanai do ta plagoste në thembër, por që do t’ia shtypte kokën kryearmikut të Jehovait dhe të sovranitetit të Tij. (Zanafilla 3:15) Që nga ajo kohë, Jezui ishte plotësisht i vetëdijshëm se duhej të përpiqej të përmbushte qëllimin e Jehovait në lidhje me sovranitetin e Tij dhe Mbretërinë.

3. Si u përgatit Jezui për rolin që do të luante për të mbështetur sovranitetin e Jehovait?

3 Që të përgatitej për detyrën që i ishte caktuar, «plot me frymë të shenjtë, Jezui u largua nga Jordani dhe fryma e çoi tutje-tëhu nëpër shkretëtirë». (Luka 4:1; Marku 1:12) Atje, për 40 ditë, Jezui kishte kohë të meditonte thellë për çështjen e sovranitetit që kishte ngritur Satanai dhe për udhën që duhej të ndiqte për të mbështetur sovranitetin e Jehovait. Kjo çështje i përfshin të gjithë—edhe krijesat frymore, edhe njerëzit. Prandaj duhet të shqyrtojmë udhën besnike të Jezuit dhe të shohim se çfarë duhet të bëjmë, që të tregojmë se edhe ne duam ta mbështetim sovranitetin e Jehovait.​—Jobi 1:6-12; 2:2-6.

Sfidohet hapur sovraniteti i Jehovait

4. Si e sfidoi hapur Satanai sovranitetin e Jehovait?

4 Patjetër, asnjë nga ngjarjet e sapopërmendura nuk i shpëtoi nga sytë Satanait. Pa humbur kohë, ai nisi sulmin kundër «farës» kryesore të «gruas» së Perëndisë. (Zanafilla 3:15) Satanai e tundoi Jezuin tri herë, duke i thënë se Jezui duhej të bënte atë që i dukej më e leverdishme, e jo atë që donte Ati. Në veçanti tundimi i tretë ishte një sfidë e hapur ndaj sovranitetit të Jehovait. Duke i treguar Jezuit «të gjitha mbretëritë e botës e lavdinë e tyre», me paturpësi Satanai i tha: «Të gjitha këto do të t’i jap, nëse bie përmbys dhe më bën një akt adhurimi.» Meqë e dinte shumë mirë se Djalli vërtet kishte nën kontroll «të gjitha mbretëritë e botës», Jezui tregoi qëndrimin e tij për çështjen e sovranitetit: «Ik tutje, Satana! Sepse është shkruar: ‘Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.’»​—Mateu 4:8-10.

5. Ç’detyrë të vështirë duhej të përmbushte Jezui?

5 Me jetën e tij Jezui tregoi qartë se synimi kryesor për të ishte të mbështeste sovranitetin e Jehovait. Jezui e dinte mirë se duhej të qëndronte besnik derisa Satanai t’i shkaktonte vdekjen, që të tregonte se Perëndia ka të drejtë të sundojë. Kjo ishte parathënë në mënyrë profetike si plagosja në thembër e «farës» së gruas. (Mateu 16:21; 17:12) Gjithashtu, ai duhej të dëshmonte se Mbretëria e Perëndisë është mjeti i autorizuar nga Jehovai për të shtypur rebelin Satana dhe për të vendosur paqen e rregullin në gjithë krijimin. (Mateu 6:9, 10) Çfarë bëri Jezui për të përmbushur këtë detyrë të vështirë?

«Mbretëria e Perëndisë është afruar»

6. Si e tregoi Jezui se Mbretëria është mjeti që do të përdorë Perëndia «për të zhbërë veprat e Djallit»?

6 Si fillim, «Jezui hyri në Galile dhe predikonte lajmin e mirë të Perëndisë: ‘Koha e caktuar është përmbushur dhe mbretëria e Perëndisë është afruar’». (Marku 1:14, 15) Në fakt, ai tha: ‘Duhet të shpall lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë, sepse për këtë u dërgova.’ (Luka 4:18-21, 43) Jezui i ra kryq e tërthor vendit, «duke predikuar dhe duke shpallur lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë». (Luka 8:1) Gjithashtu, ai kreu shumë vepra të fuqishme—ushqeu turma njerëzish, nënshtroi forcat e natyrës, shëroi të sëmurët dhe ringjalli të vdekurit. Nëpërmjet këtyre mrekullive Jezui tregoi se Perëndia mund të zhdëmtojë tërë dëmin dhe vuajtjet që erdhën nga rebelimi në Eden dhe kështu ‘të zhbëjë veprat e Djallit’.​—1 Gjonit 3:8.

7. Për çfarë i mësoi Jezui dishepujt dhe me ç’rezultat?

7 Që të shpallej sa më gjerësisht lajmi i mirë për Mbretërinë, Jezui mblodhi një grup dishepujsh besnikë dhe i stërviti në këtë vepër. Në fillim, caktoi 12 apostuj dhe «i dërgoi të predikonin mbretërinë e Perëndisë». (Luka 9:1, 2) Më pas dërgoi 70 të tjerë që të shpallnin mesazhin: «Mbretëria e Perëndisë ju është afruar.» (Luka 10:1, 8, 9) Kur këta dishepuj u kthyen dhe i treguan Jezuit për suksesin që kishin pasur në veprën e predikimit të Mbretërisë, ai u tha: «Unë nisa ta shihja Satanain tashmë të rënë si rrufe nga qielli.»​—Luka 10:17, 18.

8. Çfarë tregoi qartë jeta e Jezuit?

8 Jezui nuk e kurseu veten dhe nuk humbi asnjë rast që të jepte dëshmi për Mbretërinë. Ai predikoi pareshtur, duke u munduar ditë e natë, madje duke hequr dorë nga rehatitë normale të jetës. «Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit kanë fole, kurse Biri i njeriut s’ka ku të mbështetë kokën»,—tha ai. (Luka 9:58; Marku 6:31; Gjoni 4:31-34) Pak kohë para vdekjes, Jezui i tha me guxim Ponc Pilatit: «Për këtë linda dhe erdha në botë, që të jap dëshmi për të vërtetën.» (Gjoni 18:37) E tërë jeta e Jezuit tregoi se ai nuk erdhi vetëm që të ishte mësues i madh ose bërës mrekullish, dhe as që të ishte thjesht Shpëtimtar vetëflijues. Jo, ai erdhi që të mbështeste vullnetin e Sovranit Jehova dhe të dëshmonte se Ai është i aftë ta përmbushë këtë vullnet nëpërmjet Mbretërisë.​—Gjoni 14:6.

«U krye!»

9. Si ia doli Satanai që ta plagoste në thembër ‘farën’ e gruas së Perëndisë?

9 Gjithçka që bëri Jezui për Mbretërinë, nuk i pëlqeu Kundërshtarit të tij, Satana Djallit. Nëpërmjet pjesës tokësore të «farës» së tij—politike dhe fetare—Satanai u orvat vazhdimisht të vriste ‘farën’ e gruas së Perëndisë. Që kur lindi e deri në fund të jetës së tij tokësore, Jezui ishte shënjestra e Satanait dhe e hordhive të tij. Së fundi, në pranverën e vitit 33 të e.s., kishte ardhur koha që Biri i njeriut të dorëzohej në duart e Armikut, që ta plagoste në thembër. (Mateu 20:18, 19; Luka 18:31-33) Ungjilli tregon qartë se si i manipuloi Satanai njerëzit—që nga Judë Iskarioti e deri te priftërinjtë, skribët, farisenjtë dhe romakët—që ta dënonin Jezuin dhe t’ia nënshtronin një vdekjeje të dhembshme në një shtyllë torture.​—Veprat 2:22, 23.

10. Çfarë kreu Jezui në radhë të parë nëpërmjet vdekjes në shtyllën e torturës?

10 Çfarë të vjen në mendje kur e imagjinon Jezuin në një shtyllë torture duke vdekur dalëngadalë me dhembje të tmerrshme? Ndoshta kujton që Jezui me altruizëm dha jetën si flijim shpërblyes për njerëzimin mëkatar. (Mateu 20:28; Gjoni 15:13) Mund të mrekullohesh nga dashuria e madhe që tregoi Jehovai duke siguruar këtë flijim. (Gjoni 3:16) Ndoshta ndihesh ashtu si oficeri romak që u nxit të thoshte: «Pa dyshim që ky ishte Biri i Perëndisë.» (Mateu 27:54) Sigurisht, të gjitha këto janë reagime me vend. Por kujto gjithashtu se fjala e fundit e Jezuit në shtyllën e torturës ishte: «U krye!» (Gjoni 19:30) Çfarë ishte kryer? Edhe pse Jezui arriti shumë gjëra me jetën dhe vdekjen e tij, a nuk erdhi në tokë në radhë të parë për të zgjidhur çështjen e sovranitetit të Jehovait? Dhe, a nuk ishte parathënë se si ‘fara’ ai do të sprovohej deri në vdekje nga Satanai, që të hiqte çdo sharje që i ishte bërë emrit të Jehovait? (Isaia 53:3-7) Këto ishin përgjegjësi shumë të mëdha, megjithatë, Jezui i kreu plotësisht. Vërtet, sa mirë e kreu Jezui çdo gjë!

11. Çfarë do të bëjë Jezui që të përmbushë plotësisht profecinë e shpallur në Eden?

11 Ngaqë u tregua i besueshëm dhe besnik, Jezui u ringjall, jo si njeri, por si «një frymë jetëdhënëse». (1 Korintasve 15:45; 1 Pjetrit 3:18) Jehovai i kishte premtuar Birit të tij të ngritur në lavdi: «Ulu në të djathtën time, derisa t’i vë armiqtë e tu si stol për këmbët e tua.» (Psalmi 110:1) Këta ‘armiq’ përfshijnë fajtorin kryesor, Satanain, dhe të gjithë ata që përbëjnë ‘farën’ e tij. Si mbreti i Mbretërisë mesianike të Jehovait, Jezu Krishti do të jetë në krye të atyre që do të asgjësojnë të gjithë rebelët, në qiell e në tokë. (Zbulesa 12:7-9; 19:11-16; 20:1-3, 10) Më pas do të përmbushet plotësisht profecia që gjendet te Zanafilla 3:15, si edhe do të plotësohet lutja që Jezui u mësoi dishepujve: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.»​—Mateu 6:10; Filipianëve 2:8-11.

Një model që ta ndjekim

12, 13. (a) Si po reagojnë njerëzit sot ndaj lajmit të mirë për Mbretërinë? (b) Çfarë duhet të marrim parasysh që të ndjekim hapat e Jezuit?

12 Sot lajmi i mirë për Mbretërinë po predikohet në shumë vende, siç kishte profetizuar Jezui. (Mateu 24:14) Si rezultat, miliona njerëz ia kanë kushtuar jetën Perëndisë. Ata presin me entuziazëm bekimet e Mbretërisë. Presin me padurim të jetojnë përgjithmonë në paqe e siguri në një tokë parajsore dhe u flasin me gëzim të tjerëve për shpresën e tyre. (Psalmi 37:11; 2 Pjetrit 3:13) A je edhe ti një nga këta lajmëtarë të Mbretërisë? Nëse po, je për t’u lavdëruar. Por, ka edhe diçka tjetër që secili prej nesh duhet ta marrë parasysh.

13 Apostulli Pjetër shkroi: «Krishti vuajti për ju, duke ju lënë një model, që të ndiqni me kujdes gjurmët e tij.» (1 Pjetrit 2:21) Vër re se në këtë rast Pjetri nuk përmendi zellin e Jezuit në predikim, dhe as aftësitë në mësimdhënie, por vuajtjet e Tij. Si dëshmitar okular, Pjetri ishte më se i vetëdijshëm se deri në ç’masë ishte i gatshëm të vuante Jezui që t’i nënshtrohej sovranitetit të Jehovait dhe të tregonte se ç’gënjeshtar është Satanai. Atëherë, në cilat mënyra mund të ndjekim hapat e Jezuit? Duhet të pyesim veten: ‘Deri në ç’masë jam i gatshëm të vuaj që të mbështes dhe të nderoj sovranitetin e Jehovait? A e tregoj me mënyrën e jetesës dhe shërbimin, se për mua gjëja kryesore është të mbështes sovranitetin e Jehovait?​—Kolosianëve 3:17.

14, 15. (a) Si reagoi Jezui përballë disa sugjerimeve të pamenda? (b) Ç’gjë duhet të mbajmë gjithnjë parasysh? (Përfshini komente edhe për kutinë «Qëndrojnë në anën e Jehovait».)

14 Çdo ditë gjendemi përballë sprovave dhe vendimeve, të mëdha e të vogla. Çfarë duhet ta përcaktojë reagimin tonë në këto raste? Për shembull, si reagojmë kur jemi përballë një tundimi që do ta vinte në rrezik reputacionin tonë si të krishterë? Si reagoi Jezui kur Pjetri i tha të ishte i mirë me veten? «Largohu nga unë, Satana!—ia ktheu me forcë Jezui.—[Ti] nuk mendon si mendon Perëndia, por si njerëzit.» (Mateu 16:21-23) Ose, a reagojmë si Jezui kur na jepen mundësi të bëjmë para ose karrierë në kurriz të mirëqenies frymore? Kur Jezui e kuptoi se ata që panë mrekullitë e tij «pas pak do të vinin që ta kapnin për ta bërë mbret», menjëherë u largua prej tyre.​—Gjoni 6:15.

15 Pse Jezui reagoi me kaq vendosmëri në këto raste e në raste të tjera? Sepse e kuptoi qartë se nuk bëhej fjalë vetëm për sigurinë ose përfitimet personale. Ai donte të bënte vullnetin e Atit dhe të mbështeste sovranitetin e Tij me çdo kusht. (Mateu 26:50-54) Prandaj, nëse nuk e kemi të qartë në mendje çështjen e sovranitetit, siç e kishte Jezui, ekziston gjithnjë rreziku që të bëjmë kompromis ose të mos veprojmë drejt. Përse? Sepse mund të biem lehtë pre e dredhive të Satanait i cili e di më së miri si ta bëjë të dëshirueshme një gjë të gabuar, siç veproi kur tundoi Evën.​—2 Korintasve 11:14; 1 Timoteut 2:14.

16. Cili duhet të jetë synimi ynë kryesor kur i ndihmojmë të tjerët?

16 Në shërbim përpiqemi të flasim me njerëzit për shqetësimet e tyre dhe për zgjidhjet që jep Bibla për to. Kjo është një mënyrë e efektshme për t’u ngjallur interesin që të studiojnë Biblën. Megjithatë, synimi ynë kryesor nuk është thjesht t’i ndihmojmë njerëzit që të dinë se ç’thotë Bibla ose ç’bekime do të sjellë Mbretëria e Perëndisë. Duhet t’i ndihmojmë që të kuptojnë çështjen e rëndësishme të sovranitetit. A janë të gatshëm të bëhen të krishterë të vërtetë dhe të marrin ‘shtyllën e torturës’ e të vuajnë për hir të Mbretërisë? (Marku 8:34) A janë gati të bashkohen me radhët e atyre që mbështetin sovranitetin e Jehovait e kështu të tregojnë se Satanai është gënjeshtar e shpifës? (Proverbat 27:11) Është një privilegj për ne të ngulmojmë në këto gjëra e të ndihmojmë edhe të tjerët që të veprojnë kështu.​—1 Timoteut 4:16.

Kur Perëndia të bëhet «gjithçka për të gjithë»

17, 18. Ç’kohë të lavdishme mund të presim me padurim, nëse tregojmë që mbështetim sovranitetin e Jehovait?

17 Teksa bëjmë çmos për të treguar me sjelljen dhe shërbimin tonë se e mbështetim sovranitetin e Jehovait, mund të presim me padurim kohën kur Jezu Krishti «do t’ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë dhe Atit të tij». Kur do të vijë ajo kohë? Apostulli Pavël shpjegon: «Kur të ketë asgjësuar çdo qeveri, autoritet dhe fuqi, ai do t’ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë dhe Atit të tij. Sepse, ai duhet të mbretërojë derisa Perëndia t’i ketë vënë të gjithë armiqtë nën këmbët e tij. . . . Atëherë edhe vetë Biri do t’i nënshtrohet Atij që i nënshtroi çdo gjë, që Perëndia të jetë gjithçka për të gjithë.»​—1 Korintasve 15:24, 25, 28.

18 Ç’kohë e lavdishme do të jetë kur Perëndia të bëhet «gjithçka për të gjithë»! Mbretëria do ta ketë arritur synimin. Do të jenë zhdukur të gjithë kundërshtarët e sovranitetit të Jehovait. Në mbarë universin do të jenë rivendosur paqja dhe rregulli. Sipas fjalëve të psalmistit, i gjithë krijimi do të këndojë: «Jepini Jehovait lavdinë që meriton emri i tij. . . . Thoni ndër kombe: ‘Jehovai është bërë mbret!’»​—Psalmi 96:8, 10.

A mund të përgjigjeni?

• Si tregoi Jezui se synimi kryesor për të ishte të mbështeste sovranitetin e Jehovait?

• Çfarë kreu Jezui në radhë të parë nëpërmjet shërbimit dhe vdekjes së tij?

• Në cilat mënyra mund të ndjekim shembullin e Jezuit që të tregojmë se mbështetim sovranitetin e Jehovait?

[Pyetjet]

[Kutia dhe figurat në faqen 29]

QËNDROJNË NË ANËN E JEHOVAIT

Shumë vëllezër në Kore e kudo gjetkë e dinë mirë se kur të krishterët përballen me sprova të ashpra, një gjë që i ndihmon shumë është të mbajnë qartë në mendje arsyen pse u ndodhin ato.

Një Dëshmitar i Jehovait që kishte qenë i burgosur gjatë regjimit sovjetik, tha: «Ajo që na ndihmoi të duronim ishte kuptueshmëria e qartë që kishim për çështjen e ngritur në kopshtin e Edenit, çështja e së drejtës së Perëndisë për të sunduar. . . . E dinim se kështu mund të mbështetnim sovranitetin e Jehovait. . . . Kjo na bëri të fortë dhe na ndihmoi që të mbanim integritetin.»

Një Dëshmitar tjetër shpjegon se çfarë e ndihmoi atë dhe Dëshmitarët e tjerë kur ishin në një kamp pune. «Jehovai na mbështeti,—tha ai.—Edhe pse në kushte të vështira, ishim vigjilentë frymësisht. Gjithmonë i jepnim zemër njëri-tjetrit duke kujtuar se po qëndronim në anën e Jehovait në çështjen e sovranitetit universal.»

[Figura në faqen 26]

Si e mbështeti Jezui sovranitetin e Jehovait kur e tundoi Satanai?

[Figura në faqen 28]

Çfarë u krye nëpërmjet vdekjes së Jezuit?