A kishte Bibël Jezui?
A kishte Bibël Jezui?
JO, JEZUI nuk kishte Bibël. Pse? Sepse në kohën e Jezuit nuk ekzistonte Bibla e plotë siç e kemi sot. Megjithatë, sinagogat kishin rrotulla me shkrime, që më vonë u bënë pjesë e Biblës. Në sinagogën e Nazaretit Jezui lexoi nga rrotulla e Isaisë. (Luka 4:16, 17) Apostulli Pavël dëgjoi teksa «u lexua Ligji dhe Profetët» në Antioki të Pisidisë. (Veprat 13:14, 15) Ndërsa dishepulli Jakov tha se Moisiu ‘lexohej me zë çdo sabat nëpër sinagoga’.—Veprat 15:21.
Por a kishin rrotullat e veta të Shkrimeve të Shenjta njerëzit në shekullin e parë? Me sa duket, eunuku etiopas i oborrit të kandakes, mbretëreshës, kishte rrotullat e tij, pasi «i ulur në karrocën e tij, ai po lexonte me zë profetin Isaia» kur Filipi e takoi rrugës për në Gazë. (Veprat 8:26-30) Apostulli Pavël i kërkoi Timoteut t’i çonte «rrotullat, sidomos pergamenat». (2 Timoteut 4:13) Ndonëse Pavli nuk tha se çfarë rrotullash ishin ato, ka shumë të ngjarë të ishin pjesë të Shkrimeve Hebraike.
Sipas Alen Milardit, profesor i gjuhëve semitike, ka mjaft mundësi që mes judenjve rrotullat e Shkrimeve t’i kishin vetëm «elita e Palestinës, të gjithë ata që pretendonin se ishin të shkolluar, disa nga farisenjtë dhe mësues si Nikodemi». Një nga arsyet ishte se kushtonin shtrenjtë. Sipas Milardit, «një kopje e Isaisë kushtonte gjashtë deri në dhjetë denarë». Gjithashtu, Shkrimet Hebraike të plota «do të mbushnin 15 deri në 20 rrotulla», pra mund të kushtonin pak a shumë sa rroga e një gjysmë viti pune.
Bibla nuk thotë nëse Jezui ose dishepujt e tij kishin kopje të rrotullave. Megjithatë, s’ka dyshim që Jezui i njihte mirë Shkrimet, pasi u referohej atyre ose i thoshte përmendësh. (Mateu 4:4, 7, 10; 19:4, 5) A nuk duhet të na nxitë kjo sot që ta njohim mirë Biblën, përderisa zakonisht ajo nuk kushton shtrenjtë dhe gjendet lehtë?