Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kursi drejt botës së re

Kursi drejt botës së re

Jetëshkrim

Kursi drejt botës së re

Treguar nga Xhek Prambergu

Në periferi të Arbogës, një qytet i vogël piktoresk në Suedinë Qendrore, Dëshmitarët e Jehovait kanë një zyrë dege ku shërbejnë 80 vullnetarë. Këtu jetojmë dhe punojmë bashkë me time shoqe, Karinën. Si erdhëm deri këtu?

NGA fundi i shekullit të 19-të, një vajzë suedeze 15-vjeçare emigroi në Shtetet e Bashkuara. Në një qendër emigrantësh në Nju-Jork, ajo u njoh me një marinar suedez. Nga ky takim lindi një romancë, një martesë dhe një fëmijë​—unë. Kjo ndodhi në Bronks, Nju-Jork, SHBA, në vitin 1916 gjatë Luftës I Botërore.

S’kaloi shumë dhe u transferuam në Bruklin, vetëm pak blloqe larg nga Bruklin Hajts, ku ndodhej Betheli. Më vonë babai më tregoi se unë dhe ai provuam për herë të parë një anije të vogël afër Urës së Bruklinit, e cila ishte përballë selisë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait. As që e kisha idenë sa do të ndikonte në jetën time puna që bëhej atje.

Më 1918 Lufta I Botërore mbaroi dhe për momentin, pushoi kasaphana e pakuptimtë që masakroi Evropën. Ushtarët u kthyen në shtëpi, por atje do të përballeshin me një armik të ri: papunësinë dhe varfërinë. Babai mendoi se ishte më mirë të ktheheshim në Suedi, dhe ashtu bëmë në vitin 1923. Si përfundim, u vendosëm në Erikstad, një fshat i vogël pranë një stacioni hekurudhor në rajonin e Dalslandit. Atje babai hapi një punishte si mekanik. U rrita dhe ndoqa shkollën në atë fshat.

Mbillet një farë

Babait nuk po i ecte biznesi. Kështu në fillim të viteve 30, iu kthye sërish detit. Ne mbetëm vetëm: nëna me një barrë halle, kurse unë duhej të merresha me punishten. Një ditë nëna shkoi te kunati i saj, xhaxha Johani. E merakosur për kushtet e botës, ajo e pyeti: «Po kështu do të shkojë gjithnjë kjo punë, mor Johan?»

«Jo, Ruthë»,—tha ai. Pastaj i tregoi për premtimin e Perëndisë që do t’i japë fund ligësisë dhe do të sjellë një qeverisje të drejtë mbi tokë me anë të një Mbretërie me mbret Jezu Krishtin. (Isaia 9:6, 7; Danieli 2:44) Ai i shpjegoi se Mbretëria për të cilën na mësoi të lutemi Jezui, është një qeveri e drejtë që do ta kthejë tokën në parajsë.​—Mateu 6:9, 10; Zbulesa 21:3, 4.

Ato premtime të Biblës i prekën zemrën nënës. Rrugës për në shtëpi e falënderonte në çdo hap Perëndinë. Megjithatë, as mua dhe as babait nuk na erdhi mirë që nëna po bëhej fetare. Nga mesi i viteve 30 shkova në Trollhëtan në Suedinë Perëndimore, ku fillova punë në një ndërmarrje. Pas njëfarë kohe aty erdhën edhe nëna me babanë, i cili s’kishte shumë që e kishte lënë detin. Më në fund u bashkuam prapë si familje.

Për të shuar etjen për njohurinë e Perëndisë, nëna kërkoi Dëshmitarët e Jehovait. Asokohe, ata i mbanin mbledhjet nëpër shtëpi, siç bënin të krishterët e parë. (Filemoni 1, 2) Një ditë i erdhi radha nënës t’i mirëpriste në shtëpinë tonë. Tërë merak ajo e pyeti babanë nëse mund t’i ftonte miqtë e saj. Ai u përgjigj: «Miqtë e tu janë dhe miqtë e mi.»

Kështu dera e shtëpisë sonë u hap. Kur njerëzit hynin, unë dilja. Megjithatë, s’kaloi shumë dhe ndenja edhe unë. Përzemërsia e Dëshmitarëve dhe arsyetimi i tyre realist e me këmbë në tokë, shembën çdo paragjykim që kisha në mendje. Një farë nisi të rritej në zemrën time—shpresa për të ardhmen.

Dal në det

Duhet të kem trashëguar nga im atë ndopak ujë deti në gjak, sepse edhe unë dola në det. Por gjithashtu po e ndieja gjithnjë e më shumë nevojën për të mësuar për Perëndinë. Sa herë që ishim në ndonjë port, kërkoja Dëshmitarët e Jehovait. Në Amsterdam, Holandë, shkova në një postë për të pyetur ku mund t’i gjeja. Pasi folëm pak, më dhanë një adresë dhe u nisa pa humbur kohë. Te dera më priti me ngrohtësi një vajzë dhjetëvjeçare. Edhe pse isha një i panjohur, menjëherë kuptova se diçka më lidhte me të dhe me familjen e saj—ishte ndjesia e një vëllazërie të mrekullueshme ndërkombëtare.

Edhe pse nuk flitnim të njëjtën gjuhë, kur ata më nxorën një kalendar, orarin e trenave dhe më vizatuan një hartë, kuptova se do të mbahej një asamble në qytetin e afërt të Harlemit. Edhe pse atje nuk kuptova asnjë fjalë, u kënaqa jashtë mase. Kur pashë se Dëshmitarët po shpërndanin ftesa për fjalimin publik të së dielës, më lindi dëshira të bashkohesha me ta. Kështu mblidhja ftesat që hidhnin njerëzit dhe i shpërndaja prapë.

Një herë, kur ishim në Buenos-Ajres, Argjentinë, gjeta zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait. Ndërtesa kishte një zyrë dhe një depo. Në një tryezë ishte ulur një grua që po punonte me shtiza dhe një vajzë e vogël, ndoshta e bija, po luante me një kukull. Ishte natën vonë dhe një burrë po merrte disa libra nga një raft. Ndër ta ishte edhe libri Krijim në suedisht. Tek shihja fytyrat e tyre të lumtura e mikpritëse, e ndjeva se doja të bëhesha edhe unë një prej tyre.

Gjatë kthimit, shpëtuam ekuipazhin e një aeroplani ushtarak kanadez që ishte rrëzuar pranë brigjeve të Njufaundlendit. Pas ca ditësh ishim pranë Skocisë, ku një anije e marinës angleze na arrestoi. Na çuan për kontroll në Kërkuoll të ishujve Orkade. Kishte filluar Lufta II Botërore dhe trupat naziste të Hitlerit kishin pushtuar Poloninë në shtator të vitit 1939. Disa ditë më vonë, na liruan dhe u kthyem në Suedi pa asnjë telash.

Më në fund isha në shtëpi—fizikisht dhe frymësisht. Tani dëshiroja vërtet të isha pjesë e popullit të Perëndisë dhe nuk doja t’i braktisja më mbledhjet. (Hebrenjve 10:24, 25) Kënaqem kur sjell ndër mend se, kur isha marinar, u dëshmoja gjithnjë marinarëve të tjerë. E di që njëri prej tyre u bë Dëshmitar.

Një formë e veçantë shërbimi

Në fillim të vitit 1940 vizitova zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Stokholm. Johan H. Eneroti, që në atë kohë mbikëqyrte veprën e predikimit në Suedi, më uroi mirëseardhjen. I thashë se doja të bëhesha pionier dhe të merrja pjesë në kohë të plotë në predikim. Më pa me vëmendje dhe më pyeti: «A beson se kjo është organizata e Perëndisë?»

«Po»,—iu përgjigja. Si përfundim u pagëzova më 22 qershor 1940 dhe fillova të shërbeja në degë, në atë ambient të ngrohtë mes vullnetarëve të tjerë të shkëlqyer. Fundjavët i kalonim në shërbim. Në verë, shpesh shkonim me biçikletë në territore të largëta dhe predikonim gjithë fundjavën, kurse natën flinim në mullarë bari.

Megjithatë, kryesisht predikonim shtëpi më shtëpi në Stokholm dhe në rrethinat e tij. Një herë, pashë një burrë që po punonte me vrull në bodrum për të rregulluar bolierin. Përvesha mëngët dhe e ndihmova. Kur bolieri nuk pikoi më, ai më pa me mirënjohje dhe më tha: «Ma merr mendja se erdhe për tjetër punë. Hajde pra, të lajmë duart e të pimë një kafe.» Ashtu bëmë dhe, ndërsa pinim kafenë, i predikova. Me kalimin e kohës u bë Dëshmitar.

Megjithëse zyrtarisht Suedia ishte asnjanëse, populli i ndjeu pasojat e luftës. Gjithnjë e më shumë burra thirreshin për shërbimin ushtarak. Më erdhi radha edhe mua. Kur nuk pranova të bëja stërvitje ushtarake, më burgosën me periudha të shkurtra. Më vonë më çuan në një kamp pune. Shpesh ne të rinjve Dëshmitarë na thirrnin para gjykatësve, kështu kishim mundësi të dëshmonim për Mbretërinë e Perëndisë. Doli siç tha Jezui në profecinë e tij: «Për shkakun tim do t’ju nxjerrin përpara guvernatorëve dhe mbretërve, që të jepni dëshmi para tyre dhe kombeve.»​—Mateu 10:18.

Ndryshime në jetë

Më 1945 armët heshtën në mbarë Evropën. Po atë vit, Nejthën H. Nori, që merrte drejtimin në veprën mbarëbotërore, erdhi nga Bruklini bashkë me sekretarin e tij, Milton Henshelin. Vizita e tyre pati shumë rëndësi për riorganizimin e veprës së predikimit në Suedi dhe për mua personalisht. Kur mora vesh se mund të ndiqja Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit, bëra kërkesën menjëherë.

Viti pasues më gjeti të ulur në bankat e shkollës që ishte afër Lansingut Jugor, Nju-Jork. Stërvitja që mora gjatë atij kursi pesëmujor, më thelloi çmueshmërinë për Biblën dhe për organizatën e Perëndisë. Pashë se ata që merrnin drejtimin në veprën botërore të predikimit, ishin miqësorë dhe të respektueshëm. Punonin me mish e me shpirt përkrah nesh. (Mateu 24:14) Edhe pse kjo nuk ishte diçka e re për mua, isha i lumtur që e pashë me sytë e mi.

Koha fluturoi dhe më 9 shkurt 1947 erdhi dita e diplomimit për klasën e tetë të Galaadit. Vëlla Nori njoftoi vendet ku do të dërgoheshin studentët. Kur erdhi radha ime, tha: «Vëlla Prambergu do të kthehet në Suedi t’u shërbejë vëllezërve atje.» Të them të drejtën, nuk isha edhe aq entuziast që do të kthehesha në vendin tim.

Përmbush një caktim të vështirë

Kur u ktheva në Suedi, mora vesh se në shumë vende të botës po fillonte një formë e re shërbimi, ajo e mbikëqyrësit krahinor. U emërova mbikëqyrësi i parë krahinor në Suedi. Caktimi im përfshinte gjithë vendin. Merresha me organizimin dhe mbikëqyrjen e atyre që u quajtën asamble qarkore, që mbaheshin në qytete anembanë Suedisë. Meqë ky organizim ishte krejtësisht i ri, udhëzimet e mia ishin të mangëta. Bashkë me vëlla Enerotin uleshim dhe hartonim një program sa më mirë që mundeshim. U drodha i tëri kur mora këtë caktim dhe iu luta shumë e shumë herë Jehovait. Për 15 vjet pata privilegjin të shërbeja si mbikëqyrës krahinor.

Në atë kohë mezi gjeje vende të përshtatshme për mbledhje. Duhej të mjaftoheshim me salla vallëzimi e ambiente të ngjashme, të cilat shpesh ishin të ftohta dhe ndonjëherë të lëna pas dore. Rast tipik ishte një asamble që u mbajt në Rokjo, Finlandë. Salla ishte një qendër kulture e braktisur prej kohësh. Jashtë kishte borë e suferinë dhe temperatura ishte -20 gradë celsius. Ndezëm dy soba gjigante që ishin ndërtuar me fuçi nafte. E ku ta dinim ne se zogjtë kishin bërë fole në oxhak! Na mbyti tymi. Megjithatë, askush nuk lëvizi, por ndenjëm ashtu siç ishim të mbështjellë me pardesy dhe me sytë që na digjnin. Kjo situatë vetëm sa e bëri të paharrueshme atë asamble.

Në udhëzimet për organizimin e këtyre asambleve qarkore treditore, ndër të tjera ishte edhe ai për të siguruar ushqim për delegatët. Në fillim nuk kishim as mjete dhe as përvojë për këtë. Por kishim vëllezër dhe motra të mrekullueshëm që iu futën punës me gëzim. Një ditë para asamblesë, i shihje të përkulur rrotull një vaske, duke qëruar patate. Punonin dhe tregonin përvoja, e kështu kalonin çaste të bukura së bashku. Pikërisht në ato raste, teksa punonin krah për krah e plot zell, lindën shumë miqësi të forta.

Një nga veçoritë e veprës në atë kohë ishte se dilnim në rrugë me pankarta që njoftonin këto asamble qarkore. Ecnim në rresht në ndonjë qytet a fshat dhe i ftonim njerëzit për fjalimin publik. Në shumicën e rasteve njerëzit ishin të sjellshëm e të respektueshëm. Një herë teksa kalonim në qytetin e Finspongut, dy anët e rrugës ishin plot me punëtorë që dilnin nga fabrika. Sakaq njëri prej tyre thirri: «Hej djema, ja njerëzit që Hitleri nuk i mundi dot!»

Një ngjarje e rëndësishme në jetën time

Shpejt jeta ime si mbikëqyrës udhëtues ndryshoi kur njoha Karinën, një vajzë e mrekullueshme. Të dyve na ftuan të ndiqnim kongresin ndërkombëtar që u mbajt në stadiumin Jenki, Nju-Jork, në korrik të vitit 1953. Të hënën, më datë 20, midis dy sesioneve, Milton Hensheli drejtoi ceremoninë e martesës sonë. Një ngjarje e pazakontë në atë kështjellë të botës së bejzbollit! Pasi shërbyem në veprën udhëtuese deri në vitin 1962, mua dhe Karinën na ftuan në familjen Bethel të Suedisë. Në fillim punova në Repartin e Revistave. Pastaj, meqë merrja vesh nga zanati i mekanikut, më caktuan të kujdesesha për makinat e shtypit dhe makineritë e tjera të degës. Karina punoi disa vjet në lavanderi. Tani u bënë shumë vjet që punon në Repartin e Redaktimit.

Sa jetë të lumtur, domethënëse e plot ngjarje të bukura kemi kaluar në më se 54 vjet në shërbim të Jehovait si çift! Jehovai e ka bekuar vërtet organizatën e tij me shërbëtorë të dashur e të palodhur. Më 1940, kur fillova shërbimin në degë, në Suedi kishte vetëm 1.500 Dëshmitarë. Kurse sot ka mbi 22.000. Në pjesë të tjera të globit rritja ka qenë edhe më e madhe, kështu në mbarë botën jemi më shumë se gjashtë milionë e gjysmë.

Vepra jonë mbështetet nga fryma e Jehovait. Ajo, si të thuash, i shtyn vazhdimisht velat e anijes sonë. Me sytë e besimit, shohim detin e trazuar të njerëzimit, por nuk frikësohemi. Përpara nesh, në kursin që po ndjekim, shohim qartë botën e re të Perëndisë. Unë dhe Karina e falënderojmë Perëndinë për gjithë mirësinë e tij dhe çdo ditë i lutemi të na japë forcë që të qëndrojmë besnikë e të arrijmë synimin tonë—miratimin e Perëndisë dhe jetën e përhershme!​—Mateu 24:13.

[Figura në faqen 12]

Në prehrin e nënës

[Figura në faqen 13]

Këtu, në fillim të viteve 20, provuam për herë të parë me babanë një anije të vogël

[Figura në faqen 15]

Me Herman Henshelin (babanë e Miltonit) në Galaad, 1946

[Figurat në faqen 16]

U martuam në stadiumin Jenki, më 20 korrik 1953