Mësoji fëmijët të jenë paqësorë
Mësoji fëmijët të jenë paqësorë
Niki tetëvjeçare ishte tërë entuziazëm që familja e saj do të transferohej në një vend të largët, dhe i tregonte fill e për pe rreth kësaj shoqes së ngushtë, Elës. Befas, një ditë Ela nuk duroi dot më dhe i tha Nikit se nuk i bëhej vonë që ajo do të ikte. Mjaft e lënduar dhe e zemëruar, Niki i tha mamit: «S’e kam më shoqe Elën!»
SHPESH, kur midis fëmijëve ndodhin zënka të tilla, si në rastin e Nikit me Elën, është e nevojshme që prindërit të ndërhyjnë. Ata jo vetëm që duhet t’i qetësojnë fëmijët, por edhe t’i ndihmojnë të zgjidhin problemin. Është e natyrshme që të vegjlit të shfaqin «tiparet e një fëmije», dhe shpesh as që e kanë idenë sa mund të lëndojnë fjalët dhe veprimet e tyre. (1 Korintasve 13:11) Ata kanë nevojë për ndihmë që të kultivojnë cilësitë e duhura për të pasur marrëdhënie paqësore në familje dhe kudo.
Prindërit e krishterë dëshirojnë me gjithë zemër t’i mësojnë fëmijët që ‘të kërkojnë paqen dhe ta ndjekin’. (1 Pjetrit 3:11) Për të mposhtur ndjenjat e dyshimit, të inatit dhe të mërisë kërkohen përpjekje, por ia vlen, pasi kur ruan paqen, ndien lumturi. Nëse je prind, si t’i mësosh fëmijët që të jenë paqësorë?
Rrënjosu dëshirën që t’i pëlqejnë ‘Perëndisë së paqes’
Jehovai quhet «Perëndia i paqes» dhe ai «që jep paqe». (Filipianëve 4:9; Romakëve 15:33) Prandaj, prindërit e mençur përdorin me mjeshtëri Fjalën e Perëndisë, Biblën, që të rrënjosin te fëmijët dëshirën për t’i pëlqyer Perëndisë dhe për të imituar cilësitë e tij. Për shembull, ndihmoji fëmijët të përfytyrojnë atë që pa apostulli Gjon në një vegim mahnitës: një ylber të mrekullueshëm e të gjelbër si smerald, përqark fronit të Jehovait. * (Zbulesa 4:2, 3) Shpjegoju se ylberi simbolizon paqen e qetësinë që rrethojnë Jehovain, dhe se bekime të tilla do t’i ketë kushdo që i bindet atij.
Jehovai na mëson edhe nëpërmjet Birit të tij, Jezuit, i cili quhet «Princ i Paqes». (Isaia 9:6, 7) Prandaj, lexo me fëmijët tregime biblike ku Jezui dha mësime të vlefshme si të shmangim grindjet e debatet, dhe bisedoni rreth tyre. (Mateu 26:51-56; Marku 9:33-35) Shpjegoju përse Pavli, që dikur ishte «i pacipë», ndryshoi dhe shkroi se «skllavi i Zotërisë nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë i ëmbël me të gjithë, . . . ta frenojë veten kur të jetë nën të ligën». (1 Timoteut 1:13; 2 Timoteut 2:24) Ndoshta fëmijët do të reagojnë shumë më mirë nga ç’e pret.
Eneas i kujtohet se kur ishte shtatë vjeç, e talli një djalë në autobusin e shkollës. «M’i ngriti nervat kaq shumë, sa doja t’ia tregoja qejfin!—thotë ai.—Por m’u kujtua se çfarë më kishin mësuar prindërit kur dikush kërkon të hapë sherr. E dija se Jehovai nuk do që ‘t’ia kthej askujt të keqen me të keqe’, por ‘të jem paqësor me të gjithë’.» (Romakëve 12:17, 18) Enea gjeti forcën dhe guximin për ta qetësuar me butësi atë situatë të acaruar. Ai donte t’i pëlqente Perëndisë së paqes.
Ruaj paqen si prind
A keni një atmosferë paqësore në shtëpi? Nëse po, fëmijët mund të mësojnë shumë të jenë paqësorë edhe sikur të mos thuash asnjë fjalë. Se sa do t’ia dalësh t’ua mësosh këtë fëmijëve, varet mjaft nga sa e ruan ti paqen, duke imituar Perëndinë dhe Krishtin.—Romakëve 2:21.
Rikardi dhe Silvia përpiqen me mish e me shpirt t’i edukojnë dy djemtë e tyre, dhe i këshillojnë të sillen me dashuri kur të tjerët i acarojnë. Silvia thotë: «Mënyra si sillemi unë e Rikardi me djemtë dhe me të tjerët kur lindin probleme, ndikon shumë në mënyrën si i përballojnë djemtë situata të ngjashme.»
Edhe kur ti vetë gabon (e cili prind nuk gabon?!), mund ta shfrytëzosh rastin për t’u dhënë fëmijëve mësime të vlefshme. «Ndodhte që unë dhe ime shoqe, Tina, e tepronim dhe i disiplinonim tre fëmijët tanë para se të merrnin vesh mirë si ishte puna,—pranon Stefani.—Atëherë kërkonim të falur.» Tina shton: «U themi fëmijëve se as ne nuk jemi të përsosur dhe se bëjmë gabime. Mendojmë se kjo gjë jo vetëm sjell paqe në familje, por edhe i ndihmon fëmijët të mësojnë si të jenë paqësorë.»
A mësojnë fëmijët e tu si të jenë paqësorë kur shohin si sillesh me ta? Jezui këshilloi: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.» (Mateu 7:12) Edhe pse mund të kesh dobësi, të jesh i sigurt se dashuria dhe ngrohtësia që u tregon fëmijëve do të sjellin fryt. Të vegjlit do të ta dëgjojnë më shumë fjalën kur i mëson me dashuri.
Mos u zemëro shpejt
Te Proverbat 19:11 thuhet: «Gjykimi i thellë me siguri ia ngadalëson zemërimin njeriut.» Si t’i ndihmosh fëmijët të fitojnë këtë gjykim? Davidi tregon një metodë praktike që e ndihmon atë dhe të shoqen, Marjanën, të edukojnë djalin dhe vajzën. Ai thotë: «Kur nevrikosen ngaqë dikush i ka lënduar, i ndihmojmë që t’i kuptojnë të tjerët. U bëjmë pyetje të thjeshta si: ‘Mos tjetri kishte kaluar një ditë të keqe? Ndoshta ishte xheloz? Mos vallë e kishte mërzitur dikush?’» Marjana shton: «Kjo zakonisht i qetëson fëmijët dhe nuk i lë të bluajnë mendime acaruese ose të grinden se kush e kishte fajin.»
Ky edukim mund të sjellë rezultate të shkëlqyera. Mirela jo vetëm që e ndihmoi të bijën, Nikin, që përmendëm në fillim, të pajtohej me shoqen e ngushtë Elën, por i mësoi shumë më tepër. Mirela thotë: «Bashkë me Nikin lexuam kapitullin 14 të librit Të mësojmë nga Mësuesi i Madh. * Pastaj i shpjegova se çfarë kishte ndër mend Jezui kur tha se duhet të falim tjetrin ‘shtatëdhjetë e shtatë herë’. E dëgjova me kujdes Nikin që më tregonte si ndihej. Pastaj e ndihmova ta vinte veten në vendin e Elës e të kuptonte sa e trishtuar dhe e mërzitur ishte ajo ngaqë shoqja e saj e ngushtë do të ikte kaq larg.»—Mateu 18:21, 22.
Tani që gjykonte ndryshe, Niki e kuptoi përse Ela reagoi ashtu. Prandaj i erdhi keq për të dhe i telefonoi që t’i kërkonte të falur. Mirela thotë: «Që atëherë Niki mendon për ndjenjat e të tjerëve, bën diçka që ata të ndihen më mirë, dhe kjo e kënaq.»—Filipianëve 2:3, 4
Ndihmoji fëmijët të mos mërziten tepër kur të tjerët gabojnë ose kur ndodhin keqkuptime. Mbase do të kesh kënaqësinë t’i shohësh të sillen me dashamirësi dhe përzemërsi me të tjerët.—Romakëve 12:10; 1 Korintasve 12:25.
Mësoju sa bukur është të falësh
‘Është gjë e bukur të kapërcesh shkeljen’,—thuhet te Proverbat 19:11. Në çastin më të ankthshëm të jetës, Jezui imitoi Atin e tij dhe fali. (Luka 23:34) Fëmijët e tu mund të mësojnë sa bukur është të falësh kur e provojnë vetë sa lehtësohen kur ti i fal.
Ja çfarë i ndodhi Denit pesëvjeçar. Atij i pëlqen të ngjyrosë figura bashkë me gjyshen. Një herë, gjyshja papritur i bërtiti Denit dhe iku. Deni u mërzit shumë. I ati, Semi, tha: «Gjyshja e Denit vuan nga sëmundja e Alcajmerit. Ia shpjeguam Denit me fjalë të thjeshta që ta kuptonte.» Semi i tha të birit se atë e kishin falur shumë herë të tjerët dhe se kështu duhej të vepronte edhe ai. Semi u habit jashtë mase nga reagimi i Denit. «A e imagjinoni si u ndiemë unë dhe ime shoqe, kur pamë djalin tonë të vogël të shkonte te gjyshja 80-vjeçare, t’i fliste me keqardhje sikur t’i kërkonte falje dhe ta çonte prapë për dore te tryeza?!»—thotë Semi.
Është vërtet bukur kur fëmijët mësojnë si ‘të vazhdojnë të durojnë’ dobësitë dhe gabimet e të tjerëve e të falin. (Kolosianëve 3:13) Edhe kur të tjerët sillen keq me dashje, siguroje fëmijën se një reagim paqësor mund të ndikojë shumë, sepse «kur Jehovai gjen ëndje në udhët e një njeriu, bën që edhe armiqtë e këtij të jenë në paqe me të».—Proverbat 16:7.
Ndihmoji vazhdimisht fëmijët të jenë paqësorë
Prindërit janë një bekim i vërtetë për fëmijët kur përdorin Fjalën e Perëndisë për t’i mësuar si të jenë njerëz «që bëjnë paqe» dhe kur mbajnë një atmosferë «ku ka paqe». (Jakovi 3:18) Këta prindër po u japin fëmijëve çka u duhet për të zgjidhur mosmarrëveshjet dhe për të qenë paqësorë. Kjo i ndihmon jashtëzakonisht fëmijët të jenë të lumtur dhe të kënaqur gjithë jetën.
Tomi dhe Keti kanë tre fëmijë adoleshentë që po ecin mbarë në shërbim të Perëndisë. «Ndonëse hasnim vështirësi t’i edukonim kur ishin të vegjël,—thotë Tomi,—na bëhet zemra mal kur shohim që fëmijët po ecin në rrugë të mbarë. Tani shkojnë mirë me të tjerët dhe nuk ngurrojnë të falin kur rrezikohet paqja.» Keti thotë: «Kjo na e ngroh zemrën, sepse paqja është pjesë e frytit të frymës së Perëndisë.»—Galatasve 5:22, 23.
Pra, edhe nëse fillimisht nuk sheh aq rezultat, si prind i krishterë ke arsye të vlefshme ‘të mos dorëzohesh’ e ‘të mos lodhesh’ ndërsa i mëson fëmijët të jetojnë në paqe. Po të veprosh kështu, të jesh i sigurt se ‘Perëndia i dashurisë dhe i paqes do të jetë me ty’.—Galatasve 6:9; 2 Korintasve 13:11.
[Shënimet]
^ par. 6 Shih figurën në faqen 75 të librit Zbulesa—Plotësimi i saj madhështor është afër!, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
^ par. 16 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Kutia dhe figura në faqen 20]
A NDIKON PËR MIRË?
Në artikullin «Dhuna në programet e medias», botuar nga organizata Media Awareness Network, thuhet: «Programet, ku si heronjtë ashtu edhe personazhet negative përdorin vazhdimisht dhunën, ngulitin idenë se ajo është një mjet për të zgjidhur problemet.» Vetëm afro 10 për qind e shfaqjeve televizive, filmave dhe videoklipeve që u analizuan, tregonin pasojat e dhunës. Artikulli shton se, në shumicën e rasteve, «dhuna paraqitej si e justifikuar, normale dhe e pashmangshme, pra si mënyra më e natyrshme për të zgjidhur konfliktet».
A ju duket e nevojshme të bëni ndryshime në lidhje me shikimin e televizorit në familjen tuaj? Mos lejoni që media t’jua çojë dëm mundin e derdhur për t’i mësuar fëmijët të jenë paqësorë.
[Figura në faqen 17]
Rrënjosu fëmijëve dëshirën për t’i pëlqyer ‘Perëndisë së paqes’
[Figura në faqen 18]
Gjej kohë për t’u ndrequr veprimet dhe të folurin lëndues
[Figura në faqen 19]
Fëmijët duhet të mësojnë të kërkojnë të falur dhe të falin