Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Njerëz në mbarë botën po bashkohen​—Si?

Njerëz në mbarë botën po bashkohen​—Si?

Njerëz në mbarë botën po bashkohen​—Si?

SI DO ta përkufizonit fjalën «unitet» ose «bashkim»? Për disa, kjo do të thotë thjesht të mos kesh fërkime ose konflikte. Për shembull, nëse dy a më shumë shtete nënshkruajnë një traktat dhe bien dakord për kushtet e paqes, mund të thuhet se janë në unitet. Por a është vërtet kështu? Jo medoemos.

Mendoni për këtë: gjatë gjithë historisë janë lidhur dhe janë prishur me mijëra traktate paqeje. Pse? Shpesh arsyeja është se udhëheqësit merakosen më shumë kush të ketë epërsi sesa për paqen ose unitetin. Veç kësaj, disa shtete kanë frikë se ç’mund të ndodhë nëse nuk do të ecin në një hap me të tjerët për sa u përket armatimeve.

Kështu, fakti që dy shtete nuk janë në luftë nuk do të thotë se janë në paqe e në unitet. A mund të thuhet se dy burra që i kanë drejtuar pistoletën njëri-tjetrit, janë në paqe vetëm ngaqë asnjëri nuk e ka tërhequr këmbëzën? Kjo do të ishte absurde. E pra, në këtë situatë gjenden shumë shtete sot. Mosbesimi po shtohet dhe nga kjo ka lindur frika se një ditë armët do të përdoren. Ç’është bërë për të parandaluar këtë katastrofë?

Frika e armëve bërthamore​—Kërcënim për unitetin

Shumë veta i varin shpresat te Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, që u miratua në vitin 1968. Ky traktat ndalon prodhimin e armëve bërthamore në vendet që nuk i kanë dhe kufizon përhapjen e tyre në vendet që tashmë i kanë. Qëllimi i traktatit, tashmë i ratifikuar nga më se 180 shtete, është që përfundimisht të arrihet çarmatimi i plotë.

Edhe pse synimi duket fisnik, për disa kritikë traktati s’është gjë tjetër veçse një orvatje për të mbajtur disa vende jashtë «klubit bërthamor», pra për t’i ndaluar shtetet që nuk kanë armë bërthamore t’i prodhojnë ato. Prandaj, ekziston frika se disa që e kanë nënshkruar traktatin mund të ndërrojnë mendje. Disa shteteve u duket tepër e padrejtë që u ndalohet të prodhojnë armë bërthamore, të cilat sipas tyre do t’u shërbenin për t’u mbrojtur.

Ajo që e ndërlikon më shumë çështjen e ndoshta edhe shton rrezikun, është fakti që asnjë shtet nuk e ka të ndaluar të prodhojë energji bërthamore. Ndaj disa kanë frikë se mos shtetet që thonë se e shfrytëzojnë energjinë bërthamore për qëllime paqësore, po prodhojnë fshehurazi armë bërthamore.

Edhe vendet që i kanë këto armë mund të mos e respektojnë traktatin. Kritikët thonë se do të ishte naivitet të pritej që shtetet e armatosura rëndë ta zhdukin, qoftë edhe ta pakësojnë arsenalin. Sipas një burimi, «për t’u arritur kjo . . . kërkohet që kombet aktualisht në armiqësi me njëri-tjetrin, të kenë marrëdhënie aq të mira miqësie e besimi [saqë vështirë të besohet se] mund të realizohet ndonjëherë».

Sado të sinqerta, përpjekjet e njerëzve për të arritur unitetin kanë shkuar kot. Kjo nuk i habit studentët e Biblës, pasi Fjala e Perëndisë thotë: «Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.» (Jeremia 10:23) Po kështu, Bibla thotë hapur: «Ka një udhë që njeriut i duket e drejtë, por vdekja është fundi i saj.» (Proverbat 16:25) Ajo që mund të bëjnë qeveritë njerëzore për të arritur unitetin është e kufizuar. Megjithatë nuk jemi pa shpresë.

Burimi i unitetit të vërtetë

Në Bibël, Perëndia premton se bota do të bashkohet, por jo falë përpjekjeve të njeriut. Krijuesi, i cili kishte si qëllim që njerëzit të jetonin në paqe në mbarë botën, do të realizojë atë që njeriu s’e arrin dot. Disave kjo mund t’u duket e pabesueshme. Por, qëllimi i Perëndisë që nga fillimi ka qenë që njerëzit të jetojnë në paqe dhe harmoni. * Shumë shkrime në Bibël japin prova se Perëndia ka ende si qëllim ta bashkojë njerëzimin. Le të shohim vetëm disa shembuj:

• «Ejani dhe shihni veprat e Jehovait, se si ka bërë të ndodhin ngjarje befasuese në tokë. Ai i pushon luftërat deri në skaj të dheut; thyen harkun dhe e bën copë-copë heshtën; karrocat i djeg në zjarr.»​—PSALMI 46:8, 9.

• «Në tërë malin tim të shenjtë askush nuk do të bëjë asnjë dëm dhe nuk do të prishë asgjë, sepse toka do të mbushet me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbushin detin.»​—ISAIA 11:9.

• «Ai do ta përpijë vdekjen përgjithmonë. Zotëria Sovran Jehova do të fshijë lotët nga çdo fytyrë dhe do të heqë anembanë tokës poshtërimin që i është bërë popullit të tij. Këtë e tha vetë Jehovai.»​—ISAIA 25:8.

• «Sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj e një tokë të re, dhe në ta do të banojë drejtësia.»​—2 PJETRIT 3:13.

• «[Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.»​—ZBULESA 21:4.

Mund të kemi besim te këto premtime. Pse? Sepse, meqë është Krijuesi, Perëndia Jehova ka fuqinë dhe aftësinë për ta bashkuar njerëzimin. (Luka 18:27) Gjithashtu ka edhe dëshirën ta bëjë këtë. Bibla thotë se ‘në përputhje me pëlqimin e tij, ai do të mbledhë përsëri së bashku në Krishtin të gjitha gjërat, gjërat në qiej dhe gjërat në tokë’.​—Efesianëve 1:8-10.

Premtimi i Perëndisë për «një tokë të re» ku «do të banojë drejtësia» nuk është utopi. (2 Pjetrit 3:13) Për këtë premtim, Perëndia Jehova thotë: «Fjala që del nga goja ime, nuk do të kthehet prapë tek unë pa dhënë fryt. Përkundrazi, do ta bëjë atë që më pëlqen dhe do ta kryejë patjetër atë për të cilën e dërgova.»​—Isaia 55:11.

Të bashkuar nga Fjala e Perëndisë

Siç u përmend në artikullin pararendës, shpesh feja më shumë i ka përçarë njerëzit, sesa i ka bashkuar. Ia vlen të mendojmë seriozisht për këtë, pasi, nëse e pranojmë se ka një Krijues, a nuk është e arsyeshme të presim që adhuruesit e tij të kenë paqe dhe unitet mes tyre? Patjetër që po!

Ndikimi përçarës i fesë nuk ka lidhje me Perëndinë Jehova dhe Fjalën e tij. Përkundrazi, demaskon fetë që përkrahin planet njerëzore për të arritur unitetin, në vend që të mbështetin qëllimin e Perëndisë. Jezui i quajti «hipokritë» krerët fetarë të kohës së tij dhe u tha: «Mirë profetizoi Isaia për ju: ‘Ky popull më nderon me buzë, e megjithatë zemra e tyre është larguar shumë nga unë. Më kot vazhdojnë të më adhurojnë, sepse mësimet e tyre janë thjesht urdhërime njerëzish.’»​—Mateu 15:7-9.

Krejt ndryshe, adhurimi i vërtetë i bashkon njerëzit. Profeti Isaia paratha: «Në ditët e fundit, mali i shtëpisë së Jehovait do të lartësohet patundshmërisht mbi majat e maleve dhe do të ngrihet më lart se kodrat. Drejt tij do të vërshojnë të gjitha kombet. Ai do të gjykojë mes kombeve dhe do t’i ndreqë gjërat për shumë popuj. Ata do t’i farkëtojnë shpatat duke i kthyer në plore dhe heshtat në kiza për krasitje. Kombet nuk do ta ngrenë shpatën kundër njëri-tjetrit, dhe as do të mësojnë më të luftojnë.»​—Isaia 2:2, 4.

Sot, në më shumë se 230 vende, Dëshmitarët e Jehovait po ndjekin udhëzimet që ka dhënë Perëndia Jehova për sa i përket udhës së unitetit. Cili është themeli i unitetit të tyre? Apostulli Pavël shkroi: «Vishuni me dashuri, pasi ajo është një lidhje e përsosur bashkimi.» (Kolosianëve 3:14) Fjala greke që përdori Pavli për «lidhje» mund t’u referohet dejve të trupit të njeriut. Këta dej janë të fortë si litarë dhe kryejnë dy funksione jetësore. Mbajnë në vendin e tyre organet e trupit dhe i mbajnë të lidhura fort kockat.

Është e njëjta gjë me dashurinë. Kjo cilësi jo vetëm që nuk i lë njerëzit të vrasin njëri-tjetrin, por bën shumë më tepër. Dashuria si ajo e Krishtit bën të mundur që njerëz me prejardhje të ndryshme të kenë paqe mes tyre. Për shembull, ajo bën që njerëzit të jetojnë në përputhje me parimin që njihet si Rregulla e Artë. Siç shkruhet te Mateu 7:12, Jezu Krishti tha: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.» Ndjekja e këtij parimi ka ndihmuar shumë veta që të mposhtin paragjykimet.

‘Kini dashuri për njëri-tjetrin’

Dëshmitarët e Jehovait janë të vendosur që të tregojnë se janë dishepuj të Krishtit duke zbatuar atë që tha vetë ai: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Kjo dashuri është treguar në mënyra të jashtëzakonshme në kohë konfliktesh raciale dhe trazirash politike. Për shembull, Dëshmitarët e Jehovait treguan dashuri për njëri-tjetrin gjatë gjenocidit të vitit 1994 në Ruandë. Dëshmitarët e fisit hutu vunë jetën në rrezik për të mbrojtur vëllezërit e tyre tutsi.

Sigurisht, nuk është realiste të presim që kombet e botës të kenë për njëri-tjetrin një dashuri të atillë që mund të sjellë një botë të bashkuar. Sipas Biblës, kjo do të arrihet nga Perëndia në kohën që ka caktuar ai. Megjithatë, njerëzit si individë mund të vishen me dashuri dhe të arrijnë unitetin që sot.

Vitin e kaluar, Dëshmitarët e Jehovait harxhuan mbi një miliardë orë për të folur me njerëzit për Biblën dhe vlerën e saj në ditët tona. Njohuria e saktë nga Fjala e Perëndisë ka bashkuar miliona veta, disa prej të cilëve dikur ushqenin urrejtje për njëri-tjetrin. Ndër këta ka arabë e izraelitë, armenë e turq, gjermanë e rusë, sa për të përmendur vetëm disa.

A dëshironi të mësoni më shumë për ndikimin bashkues që ka Fjala e Perëndisë, Bibla? Nëse po, ju ftojmë të flitni me Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj ose të shkruani në një nga adresat e faqes 2.

[Shënimi]

^ par. 12 Për më shumë informacion rreth qëllimit të Perëndisë për njerëzit, shih kapitullin 3 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Diçitura në faqen 4]

Janë lidhur dhe janë prishur me mijëra traktate paqeje

[Diçitura në faqen 7]

Falë zbatimit të parimeve të Biblës është arritur ajo që qeveritë njerëzore s’e bëjnë dot

[Figura në faqen 5]

Fjala e Perëndisë tregon burimin e unitetit të vërtetë

[Figura në faqen 7]

Dëshmitarët e Jehovait nga fiset hutu dhe tutsi ndërtojnë së bashku një vend adhurimi