Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga librat e Hageut dhe të Zakarisë

Pika kryesore nga librat e Hageut dhe të Zakarisë

Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga librat e Hageut dhe të Zakarisë

ËSHTË viti 520 p.e.s. Kanë kaluar gjashtëmbëdhjetë vjet që kur judenjtë e kthyer nga mërgimi babilonas hodhën themelin e tempullit të Jehovait në Jerusalem. Megjithatë, tempulli nuk ka mbaruar ende dhe punimet janë ndaluar me ligj. Jehovai cakton profetin Hage dhe dy muaj më vonë profetin Zakaria, që të shpallin mesazhin e Tij.

Hageu dhe Zakaria kanë të njëjtin synim: ta nxitin popullin që të rifillojë punën e rindërtimit të tempullit. Përpjekjet e këtyre profetëve kanë sukses dhe tempulli përfundon pesë vjet më vonë. Shpalljet e Hageut dhe të Zakarisë janë dokumentuar në librat biblikë që mbajnë emrat e tyre. Librat e Hageut dhe të Zakarisë përfunduan përkatësisht në vitin 520 dhe 518 p.e.s. Ashtu si atyre profetëve, edhe neve Perëndia na ka caktuar një vepër, e cila duhet përfunduar para se të vijë fundi i këtij sistemi: të predikojmë Mbretërinë dhe të bëjmë dishepuj. Le të shohim si mund të na inkurajojnë librat e Hageut dhe të Zakarisë.

«SHQYRTOJINI ME GJITHË ZEMËR UDHËT TUAJA»

(Hageu 1:1–2:23)

Brenda 112 ditëve Hageu shpall katër mesazhe nxitëse. I pari është: «‘Shqyrtojini me gjithë zemër udhët tuaja. Ngjituni në mal dhe sillni lëndë druri. Ndërtojeni shtëpinë, që të gjej ëndje në të dhe të marr lavdi’,—thotë Jehovai.» (Hageu 1:7, 8) Populli reagon mirë. Mesazhi i dytë përmban premtimin: «Unë [Jehovai] do ta mbush këtë shtëpi me lavdi.»​—Hageu 2:7.

Sipas mesazhit të tretë, ‘populli dhe gjithë puna e duarve të tyre’ janë bërë të papastër para Jehovait, ngaqë e kanë lënë pas dore rindërtimin e tempullit. Por, ditën kur do të fillojë puna e meremetimit të tempullit, Jehovai ‘do t’i bekojë’. Siç thuhet në mesazhin e katërt, Jehovai ‘do të shfarosë forcën e mbretërive të kombeve’ dhe do ta vendosë si «një unazë me vulë» guvernatorin Zorobabel.​—Hageu 2:14, 19, 22, 23.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

1:6—Ç’do të thotë shprehja «pini, por jo aq sa të deheni»? Kjo shprehje thjesht tregon se vera do të ishte e paktë. Ngaqë Jehovai nuk do t’i bekonte izraelitët, sasia e verës do të ishte e kufizuar—nuk do të mjaftonte për t’i dehur.

2:6, 7, 21, 22—Kush ose çfarë po shkakton lëkundjen dhe me ç’pasojë? Jehovai po i «lëkund gjithë kombet» nëpërmjet predikimit mbarëbotëror të mesazhit për Mbretërinë. Gjithashtu, si rezultat i veprës së predikimit «gjërat e dëshirueshme të të gjitha kombeve» po vijnë në shtëpinë e Jehovait, duke e mbushur me lavdi. Në fund, «Jehovai i ushtrive» do të lëkundë «qiejt, dheun, detin dhe tokën e thatë», kështu që sistemi i sotëm i lig të shkundet e të mos ekzistojë më.​—Hebrenjve 12:26, 27.

2:9—Në cilat mënyra ‘lavdia e shtëpisë së fundit ishte më e madhe se ajo e së mëparshmes’? Të paktën në tri mënyra: për shkak të numrit të viteve që ekzistoi tempulli, të atij që i mësoi njerëzit në të dhe të atyre që u dyndën atje për të adhuruar Jehovain. Megjithëse tempulli i lavdishëm i Solomonit qëndroi për 420 vjet, nga viti 1027 p.e.s. deri në vitin 607 p.e.s., ‘shtëpia e fundit’ ekzistoi për 580 vjet, që kur përfundoi në vitin 515 p.e.s. deri kur u shkatërrua në vitin 70 të e.s. Për më tepër në ‘shtëpinë e fundit’ i mësoi njerëzit Mesia—Jezu Krishti—dhe atje shkuan të adhuronin Perëndinë më shumë njerëz sesa në ‘shtëpinë e mëparshme’.​—Veprat 2:1-11.

Mësime për ne:

1:2-4. Kundërshtimi ndaj veprës së predikimit nuk duhet të na bëjë që t’i ndryshojmë përparësitë në jetë dhe të fillojmë të kërkojmë në radhë të parë interesat tona, në vend se ‘të kërkojmë në radhë të parë mbretërinë’.​—Mateu 6:33.

1:5, 7. Është mirë ‘të shqyrtojmë me gjithë zemër udhët tona’ dhe të mendojmë si ndikon në marrëdhënien tonë me Perëndinë mënyra jonë e jetesës.

1:6, 9-11; 2:14-17. Judenjtë në ditët e Hageut po jepeshin shumë pas gjërave personale, por nuk po e gëzonin frytin e mundit të tyre. Ngaqë po linin pas dore tempullin, nuk kishin bekimin e Perëndisë. Ne duhet t’u japim përparësi gjërave frymore dhe t’i bëjmë Perëndisë shërbim me gjithë shpirt, duke mos harruar se ‘bekimi i Jehovait na bën të pasur’, pavarësisht nëse kemi pak ose shumë nga ana materiale.​—Proverbat 10:22.

2:15, 18. Jehovai i nxiti judenjtë që tani e tutje të përqendroheshin me gjithë zemër te vepra e rindërtimit të tempullit, e të mos linin më pas dore veprën e Jehovait. Në të njëjtën mënyrë edhe ne duhet të përpiqemi të jetojmë me mendje të përqendruar tek adhurimi i Perëndisë.

‘JO ME FUQI, POR ME FRYMËN TIME’

(Zakaria 1:1–14:21)

Zakaria e nis caktimin e tij si profet me një thirrje drejtuar judenjve që ‘të kthehen te Jehovai’. (Zakaria 1:3) Tetë vegimet që vijojnë, japin sigurinë se Perëndia do ta përkrahë veprën e rindërtimit të tempullit. (Shih kutinë «Tetë vegimet alegorike të Zakarisë».) Ndërtimi i tempullit do të përfundojë «jo me ndonjë forcë ushtarake, as me fuqi, por me frymën [e Jehovait]». (Zakaria 4:6) Njeriu i quajtur Filiz «do të ndërtojë tempullin e Jehovait» dhe «do të bëhet prift në fronin e tij».​—Zakaria 6:12, 13.

Betheli dërgon një delegacion për t’i pyetur priftërinjtë në lidhje me mbajtjen e agjërimeve që përkujtojnë shkatërrimin e Jerusalemit. Jehovai i thotë Zakarisë se vajtimi gjatë katër agjërimeve që mbahen për të kujtuar gjëmën që i ra Jerusalemit, do të shndërrohet në «raste ngazëllimi, gëzimi dhe periudhash të këndshme feste». (Zakaria 7:2; 8:19) Dy shpalljet që vijojnë, përfshijnë gjykime kundër kombeve e profetëve të rremë, profeci mesianike dhe një mesazh për rivendosjen e popullit të Perëndisë.​—Zakaria 9:1; 12:1.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

2:1—Pse një burrë po maste me litar Jerusalemin? Me sa duket kjo nënkuptonte ndërtimin e një muri mbrojtës përreth qytetit. Engjëlli i thotë atij burri se Jerusalemi do të zgjerohet dhe do të ketë mbrojtjen e Jehovait.​—Zakaria 2:3-5.

6:11-13—A do të thoshte kurorëzimi i Kryepriftit Josi se ai ishte edhe prift, edhe mbret? Jo. Josiu nuk ishte nga linja mbretërore e Davidit. Megjithatë, me këtë kurorëzim ai paraqiste në mënyrë profetike Mesinë. (Hebrenjve 6:20) Profecia për ‘Filizin’ përmbushet te Prifti dhe Mbreti qiellor Jezu Krishti. (Jeremia 23:5) Ashtu si Josiu shërbeu si kryeprift për judenjtë e kthyer nga robëria, në tempullin e rindërtuar, edhe Jezu Krishti është Kryeprift i adhurimit të vërtetë në tempullin frymor të Jehovait.

8:1-23—Kur përmbushen dhjetë shpalljet e përmendura në këto vargje? Çdo shpallje nis me shprehjen «kështu thotë Jehovai i ushtrive» dhe përbën një premtim të Perëndisë për t’i dhënë paqe popullit të tij. Disa nga këto shpallje u përmbushën në shekullin e gjashtë p.e.s., por të gjitha ato ose janë përmbushur që nga viti 1919 i e.s., ose po përmbushen tani. *

8:3—Pse Jerusalemi quhet «qyteti i vërtetësisë»? Para se të shkatërrohej në vitin 607 p.e.s., Jerusalemi ishte ‘qyteti që shtypte’. Ai popullohej nga profetë e priftërinj të korruptuar dhe nga njerëz të pabesë. (Sofonia 3:1; Jeremia 6:13; 7:29-34) Por tani që ishte rindërtuar tempulli dhe populli ishte i vendosur të adhuronte Jehovain, atje do të fliteshin të vërtetat e adhurimit të pastër dhe Jerusalemi do të quhej «qyteti i vërtetësisë».

11:7-14—Çfarë nënkuptonte bërja copë-copë nga Zakaria e shkopit që quhej «Hijeshi» dhe e shkopit tjetër që quhej «Bashkim»? Zakaria përshkruhet si dikush që ishte dërguar ‘të kulloste kopenë që ishte caktuar për t’u vrarë’—njerëzit si delet që shfrytëzoheshin nga udhëheqësit e tyre. Në rolin e tij si bari, Zakaria paraqiste Jezu Krishtin, i cili u dërgua te populli që kishte bërë besëlidhje me Jehovain, por që nuk u pranua. Bërja copë-copë e ‘Hijeshisë’ simbolizonte faktin që Perëndia do t’i jepte fund besëlidhjes së Ligjit me judenjtë dhe nuk do t’i trajtonte më me hijeshi. Bërja copë-copë e ‘Bashkimit’ nënkuptonte prishjen e vëllazërisë teokratike midis Judës dhe Izraelit.

12:11—Çfarë është ‘vajtimi në Hadadrimon, në luginën e Megidos’? Mbreti i Judës, Josia, u vra në një betejë me faraonin egjiptian Neko në «luginën e Megidos» dhe vdekja e tij u vajtua me ‘këngë të përvajshme’ për vite me radhë. (2 Kronikave 35:25) Prandaj, ‘vajtimi në Hadadrimon’ mund t’i referohet vajtimit për vdekjen e Josisë.

Mësime për ne:

1:2-6; 7:11-14. Jehovai kënaqet dhe kthehet tek ata që pendohen, pranojnë qortimin dhe kthehen tek ai duke e adhuruar me gjithë shpirt. Por, nuk i përgjigjet thirrjes për ndihmë të atyre që ‘nuk pranojnë të kushtojnë vëmendje dhe e kthejnë shpinën me kokëfortësi, kurse veshët i mbyllin për të mos dëgjuar’ mesazhin e tij.

4:6, 7. Nuk kishte asnjë pengesë që fryma e Jehovait të mos e kapërcente për ta përfunduar me sukses rindërtimin e tempullit. Çfarëdo problemi që mund të hasim në shërbimin ndaj Perëndisë, mund ta kapërcejmë duke pasur besim te Jehovai.​—Mateu 17:20.

4:10. Nën mbikëqyrjen e Jehovait, Zorobabeli dhe populli i tij përfunduan tempullin në përputhje me normat e larta të Perëndisë. Për njerëzit e papërsosur nuk është tepër e vështirë të jetojnë sipas kërkesave të Jehovait.

7:8-10; 8:16, 17. Për të fituar pëlqimin e Jehovait, duhet të tregojmë drejtësi, dashamirësi e mëshirë dhe duhet t’i themi të vërtetën njëri-tjetrit.

8:9-13. Jehovai na bekon kur ‘i vëmë krahët punës’ që na ka caktuar. Këto bekime përfshijnë paqen, sigurinë dhe rritjen frymore.

12:6. Ata që shërbejnë si mbikëqyrës mes popullit të Jehovait, duhet të jenë ‘si një pishtar i zjarrtë’—jashtëzakonisht të zellshëm.

13:3. Besnikëria jonë ndaj Perëndisë së vërtetë dhe organizatës së tij duhet të jetë mbi çdo njeri tjetër, sado i afërt qoftë.

13:8, 9. Apostatët që Jehovai i hodhi poshtë, ishin një numër i madh, dy të tretat e vendit. Vetëm një e treta u rafinua si me zjarr. Në ditët tona, Jehovai e ka hedhur poshtë krishterimin e rremë që përbën shumicën e atyre që e quajnë veten të krishterë. Vetëm një numër i vogël, të krishterët e mirosur, ‘ka thërritur emrin e Jehovait’ dhe i është nënshtruar rafinimit. Ata dhe bashkëbesimtarët e tjerë nuk janë vetëm me emër Dëshmitarë të Jehovait.

Nxitemi që të veprojmë me zell

Si ndikojnë te ne shpalljet e Hageut dhe të Zakarisë? Kur mendojmë se si mesazhi i tyre i nxiti judenjtë t’i kushtonin vëmendje rindërtimit të tempullit, a nuk nxitemi që me zell të predikojmë Mbretërinë dhe të bëjmë dishepuj?

Zakaria paratha se Mesia do të vinte «hipur në një gomar», do të tradhtohej për «tridhjetë monedha të argjendta», do të goditej dhe ‘delet e kopesë do të hallakateshin’. (Zakaria 9:9; 11:12; 13:7) Çfarë ndikimi që ka te besimi ynë meditimi mbi përmbushjen e këtyre profecive mesianike! (Mateu 21:1-9; 26:31, 56; 27:3-10) Na shtohet siguria te Fjala e Jehovait dhe te masat e tij për shpëtimin tonë.​—Hebrenjve 4:12.

[Shënimi]

^ par. 25 Shih Kullën e Rojës, 1 janar 1996, faqet 9-22.

[Kutia në faqen 11]

TETË VEGIMET ALEGORIKE TË ZAKARISË

1:8-17: Garanton përfundimin e tempullit dhe tregon se Jerusalemi dhe qytetet e tjera të Judës do të bekohen.

1:18-21: Premton fundin e ‘katër brirëve që shpërndanë Judën’, domethënë, të të gjitha qeverive që iu kundërvunë adhurimit të Jehovait.

2:1-13: Thotë se Jerusalemi do të zgjerohet dhe se Jehovai do të bëhet për të «si një mur zjarri rreth e qark»—një mbrojtje.

3:1-10: Tregon se Satanai kishte gisht në kundërshtimin ndaj punës për tempullin dhe se Kryeprifti Josi çlirohet e pastrohet.

4:1-14: Jep sigurinë se pengesat si male do të rrafshohen dhe se guvernatori Zorobabel do të përfundojë ndërtimin e tempullit.

5:1-4: Shpall një mallkim kundër keqbërësve që kanë mbetur pa u ndëshkuar.

5:5-11: Parathotë fundin e ligësisë.

6:1-8: Premton mbikëqyrjen dhe mbrojtjen engjëllore.

[Figura në faqen 8]

Cili ishte synimi i mesazheve të Hageut dhe të Zakarisë?

[Figura në faqen 10]

Në ç’kuptim janë ‘si një pishtar i zjarrtë’ ata që shërbejnë si mbikëqyrës?