Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Si duhet t’i konsiderojë një i krishterë gjuetinë dhe peshkimin?

Bibla nuk e dënon gjuetinë ose peshkimin. (Ligji i përtërirë 14:4, 5, 9, 20; Mateu 17:27; Gjoni 21:6) Megjithatë, të krishterët që shkojnë për gjueti ose peshkim, duhet të marrin parasysh disa parime biblike.

Perëndia i lejoi Noenë dhe pasardhësit e tij të vritnin e të hanin kafshë, me kusht që t’ua derdhnin gjakun para se t’i hanin. (Zanafilla 9:3, 4) Ky urdhër theksonte se jeta e kafshëve duhej respektuar, pasi e ka origjinën nga Perëndia. Prandaj, të krishterët nuk i vrasin kafshët thjesht për sport ose për t’u argëtuar, duke u treguar mizorë e duke shpërfillur vlerën e jetës.​—Proverbat 12:10.

Gjithashtu, duhet të marrim parasysh edhe një aspekt tjetër që ka të bëjë me qëndrimin tonë. Ka shumë mundësi që apostujt, të cilët ishin peshkatarë, kënaqeshin kur zinin peshq me bollëk. Por, askund nuk tregohet se mburreshin për aftësitë e tyre në peshkim ose gjueti. Dhe as se shkonin për peshkim ose gjueti që të bënin garë me të tjerët, të tregonin burrërinë apo të provonin emocionet që jep gjuajtja dhe vrasja e kafshëve.​—Psalmi 11:5; Galatasve 5:26.

Kështu, mund të pyesim veten: ‘A jam një shembull për të tjerët, duke treguar respekt për pikëpamjen e Jehovait për jetën? A mendoj ose a flas kryesisht për gjuetinë dhe peshkimin? A tregon mënyra ime e jetesës se jam i dhënë pas gjuetisë apo, përkundrazi, tregon se jam një shërbëtor i Perëndisë? Mos vallë për shkak të gjuetisë ose peshkimit kam shoqëri të ngushtë me jobesimtarët ose lë pas dore familjen?’​—Luka 6:45.

Disa që gjuajnë ose peshkojnë për t’u ushqyer, mund ta justifikojnë veten e të lënë pas dore gjërat frymore gjatë periudhave të gjuetisë ose të peshkimit. Por tregojmë besim te Perëndia kur nuk vëmë asgjë para interesave të Tij. (Mateu 6:33) Për më tepër, të krishterët u binden tërë ligjeve të «Cezarit» për gjuetinë e peshkimin, pavarësisht nëse autoritetet e detyrojnë ose jo zbatimin e tyre.​—Mateu 22:21; Romakëve 13:1.

Që të përputhen me pikëpamjen e Jehovait për gjuetinë dhe peshkimin, disave mund t’u duhet të ndreqin pikëpamjen për normat e Tij. (Efesianëve 4:22-24) Nga ana tjetër, duhet të respektojmë vendimet që marrin të tjerët në bazë të ndërgjegjes së tyre. Në këtë rast është me vend këshilla e apostullit Pavël: «Të mos e gjykojmë më njëri-tjetrin, por përkundrazi jini të vendosur të mos vini përpara vëllait ndonjë gur pengese dhe të mos bëheni shkak që të rrëzohet.» (Romakëve 14:13) Kur tregojmë dashuri të tillë altruiste dhe respekt, nxitim paqen në kongregacion dhe i pëlqejmë Krijuesit tonë, Burimit të jetës.​—1 Korintasve 8:13. *

[Shënimi]

^ par. 8 Shih edhe artikullin «Pyetje nga lexuesit» në revistën Kulla e Rojës, 15 maj 1990, anglisht.