Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sovraniteti i Jehovait dhe Mbretëria e Perëndisë

Sovraniteti i Jehovait dhe Mbretëria e Perëndisë

Sovraniteti i Jehovait dhe Mbretëria e Perëndisë

«Të tuat, o Jehova, janë madhështia, fuqia, bukuria, shkëlqimi dhe lavdia. . . . Jotja është mbretëria, o Jehova.»​—1 KRONIKAVE 29:11.

1. Pse Jehovai ka të drejtën të jetë Sovrani i universit?

«JEHOVAI e ka vendosur patundshmërisht fronin në qiej, dhe mbretëria e tij shtrihet mbi gjithçka.» (Psalmi 103:19) Me këto fjalë psalmisti nxori në pah një të vërtetë themelore për atë që ka të drejtën të sundojë. Perëndia Jehova, meqë është Krijuesi, ka të drejtën të jetë Sovrani i universit.

2. Si e përshkruan Danieli sundimin e Jehovait mbi botën frymore?

2 Natyrisht, një sundimtar duhet të ketë nënshtetas që të ushtrojë sovranitetin e tij. Në fillim Jehovai e ushtroi sovranitetin mbi krijesat frymore që krijoi—së pari, Biri i tij i vetëmlindur dhe më pas moritë e engjëjve. (Kolosianëve 1:15-17) Shumë kohë më vonë, profetit Daniel iu dha një pamje e sundimit qiellor të Jehovait. Danieli tha: «Pashë deri kur u vunë frone dhe i Lashti i Ditëve u ul. . . . Një mijë mijëra i shërbenin dhe dhjetë mijë herë dhjetë mijë qëndronin pikërisht përpara tij.» (Danieli 7:9, 10) Për epoka të panumërta, Jehovai, «i Lashti i Ditëve», qëndronte si Sovran mbi familjen e tij shumë të madhe dhe të organizuar me bij frymorë, të cilët shërbenin si ‘shërbëtorë’ që kryenin vullnetin e tij.​—Psalmi 103:20, 21.

3. Si e zgjeroi Jehovai sovranitetin mbi tërë universin fizik?

3 Së fundi, Jehovai e zgjeroi sundimin e tij duke krijuar universin fizik të paanë dhe të ndërlikuar, përfshirë edhe tokën. (Jobi 38:4, 7) Për një vëzhgues nga toka, trupat qiellorë funksionojnë me kaq rregull e saktësi, saqë duket se nuk kanë nevojë për askënd që t’i drejtojë. Megjithatë, psalmisti tha: «[Jehovai] urdhëroi, dhe ata u krijuan. Ai i mban në vendin e vet brez pas brezi, përjetë. Ka vënë një rregull që nuk do të hiqet kurrë.» (Psalmi 148:5, 6) Gjithmonë Jehovai e ka ushtruar sovranitetin për të drejtuar, rregulluar dhe qeverisur botën frymore dhe universin fizik.​—Nehemia 9:6.

4. Si e ushtron Jehovai sovranitetin mbi njerëzit?

4 Me krijimin e çiftit të parë njerëzor, Perëndia e ushtroi sovranitetin edhe në një mënyrë tjetër. Përveçse u dha njerëzve gjithçka që u nevojitej për një jetë domethënëse dhe të kënaqshme, Jehovai u dha ose u delegoi autoritetin të sundonin mbi krijesat më të ulëta të tokës. (Zanafilla 1:26-28; 2:8, 9) Kështu, është e qartë se Perëndia jo vetëm që sundon me dashamirësi, por edhe u jep nder e dinjitet nënshtetasve të tij. Derisa Adami dhe Eva t’i nënshtroheshin sovranitetit të Jehovait, kishin shpresën që të jetonin përgjithmonë në një tokë parajsore.​—Zanafilla 2:15-17.

5. Ç’mund të themi për mënyrën si e ushtron sovranitetin Jehovai?

5 Ç’përfundim mund të nxjerrim nga e gjithë kjo? Së pari, Jehovai gjithnjë e ka ushtruar sovranitetin mbi tërë krijimin e tij. Së dyti, Perëndia sundon me dashamirësi dhe u jep dinjitet nënshtetasve të tij. Së fundi, nëse i bindemi sundimit të Perëndisë dhe e mbështetim atë, do të kemi bekime të përhershme. S’është për t’u habitur që mbreti i lashtë i Izraelit, Davidi, u nxit të thoshte: «Të tuat, o Jehova, janë madhështia, fuqia, bukuria, shkëlqimi dhe lavdia, sepse çdo gjë në qiej dhe në tokë është jotja. Jotja është mbretëria, o Jehova, o Ti që ngrihesh si krye mbi gjithçka.»​—1 Kronikave 29:11.

Pse duhet Mbretëria e Perëndisë?

6. Ç’lidhje ka midis sovranitetit të Perëndisë dhe Mbretërisë së tij?

6 Meqë Jehovai, Sovrani Universal, e ka ushtruar gjithnjë pushtetin dhe fuqinë e tij, pse atëherë duhet Mbretëria e Perëndisë? Në përgjithësi, një sovran e ushtron autoritetin nëpërmjet një organi që vihet mbi nënshtetasit e tij. Prandaj, Mbretëria e Perëndisë është një shprehje e ushtrimit të sovranitetit universal të Tij mbi krijesat e veta. Është mjeti ose organi që përdor për të ushtruar sundimin e tij.

7. Pse Jehovai e shprehu sovranitetin në një mënyrë të re?

7 Jehovai e ka shprehur sovranitetin në mënyra të ndryshme, në kohë të ndryshme. Meqë ndodhi diçka e re, ai e shprehu sovranitetin në një mënyrë të re. Ndodhi kështu kur Satanai, një bir frymor rebel i Perëndisë, arriti të ndikonte tek Adami dhe Eva që të rebeloheshin kundër sundimit të Jehovait. Ky rebelim ishte një sulm kundër sovranitetit të Perëndisë. Si? Duke i thënë Evës se ‘nuk do të vdiste aspak’ po të hante frytin e ndaluar, Satanai po linte të nënkuptohej se Jehovai nuk thoshte të vërtetën, prandaj nuk ishte i besueshëm. Më tej Satanai i tha Evës: «Perëndia e di se, po atë ditë që do të hani, sytë tuaj do të hapen e ju do të jeni si Perëndi, dhe do të njihni të mirën dhe të keqen.» Satanai po thoshte se Adami dhe Eva mund të jetonin më mirë po të shpërfillnin urdhrin e Perëndisë dhe të vepronin të pavarur. (Zanafilla 3:1-6) Kjo ishte një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj të drejtës së Perëndisë për të sunduar. Ç’do të bënte Jehovai?

8, 9. (a) Si vepron një sovran njerëzor nëse ndodh një kryengritje? (b) Ç’bëri Jehovai për t’iu kundërpërgjigjur rebelimit në Eden?

8 Çfarë presim të bëjë një sundimtar kur ndodh një kryengritje? Atyre që e njohin mirë historinë, mund t’u vijnë në mendje disa raste të tilla. Në vend që ta linte pas dore këtë çështje, zakonisht një sovran—madje edhe një sovran dashamirës—do të jepte një gjykim kundër rebelëve dhe do t’i shpallte fajtorë për tradhti. Më pas mund të autorizonte dikë që të mposhtte forcat rebele dhe të rivendoste paqen. Në mënyrë të ngjashme Jehovai tregoi se e kishte situatën plotësisht nën kontroll kur ndërmori një veprim të menjëhershëm dhe shpalli një gjykim kundër rebelëve. Ai i quajti Adamin dhe Evën të padenjë për dhuratën e jetës së përhershme dhe i dëboi nga kopshti i Edenit.​—Zanafilla 3:16-19, 22-24.

9 Kur shpalli gjykimin kundër Satanait, Jehovai bëri të ditur një shprehje të re të sovranitetit të tij, një mjet me anë të të cilit do të rivendoste paqen dhe rregullin në gjithë sundimin e tij. Perëndia i tha Satanait: «Unë do të vë armiqësi mes teje dhe gruas, mes farës sate dhe farës së saj. Ai do të të shtypë kokën, dhe ti do ta plagosësh në thembër.» (Zanafilla 3:15) Kështu Jehovai zbuloi se kishte si qëllim të autorizonte një ‘farë’ që të shtypte Satanain dhe forcat e tij e të provonte se Ai ka të drejtë të sundojë.​—Psalmi 2:7-9; 110:1, 2.

10. (a) Kush doli se ishte ‘fara’? (b) Çfarë tha Pavli për plotësimin e profecisë së parë?

10 Ajo ‘farë’ doli se ishte Jezu Krishti, bashkë me një grup të veçantë bashkësundimtarësh. Të gjithë këta formojnë Mbretërinë mesianike të Perëndisë. (Danieli 7:13, 14, 27; Mateu 19:28; Luka 12:32; 22:28-30) Por, e gjithë kjo nuk u zbulua menjëherë. Faktikisht plotësimi i profecisë së parë mbeti ‘sekret i shenjtë, që ishte ruajtur në heshtje që nga kohët shumë të hershme’. (Romakëve 16:25) Për shekuj të tërë, njerëz me besim pritën me padurim kohën kur ‘sekreti i shenjtë’ do të zbulohej dhe profecia e parë do të përmbushej, duke shfajësuar kështu sovranitetin e Jehovait.​—Romakëve 8:19-21.

‘Sekreti i shenjtë’ zbulohet hap pas hapi

11. Çfarë i tha Jehovai Abrahamit?

11 Ndërsa koha kalonte, hap pas hapi Jehovai zbuloi aspekte të ‘sekretit të shenjtë të mbretërisë së Perëndisë’. (Marku 4:11) Një nga ata me të cilët Jehovai veproi kështu, ishte Abrahami, që u quajt «mik i Jehovait». (Jakovi 2:23) Jehovai i premtoi Abrahamit se ‘do të bënte një komb të madh nga ai’. Më vonë, Perëndia i tha Abrahamit: «Nga ti do të dalin kombe e mbretër» dhe «me anë të farës sate do të arrijnë të marrin bekime të gjitha kombet e tokës».​—Zanafilla 12:2, 3; 17:6; 22:17, 18.

12. Si u shfaq fara e Satanait pas Përmbytjes?

12 Deri në kohën e Abrahamit tashmë kishte pasur njerëz që ishin përpjekur të sundonin mbi të tjerët. Për shembull, Bibla thotë për Nimrodin, stërnipin e Noesë: «Ai u bë njeriu i parë i fuqishëm në tokë. Ai ishte një gjahtar i fuqishëm kundër Jehovait.» (Zanafilla 10:8, 9) Sigurisht, Nimrodi dhe të tjerë që e bënë veten sundimtarë, ishin kukulla në duart e Satanait. Ata dhe përkrahësit e tyre u bënë pjesë e farës së Satanait.​—1 Gjonit 5:19.

13. Çfarë paratha Jehovai nëpërmjet Jakobit?

13 Edhe pse Satanai është përpjekur të nxjerrë sundimtarë njerëzorë, qëllimi i Jehovait ka vazhduar të përmbushet. Nëpërmjet Jakobit, nipit të Abrahamit, Jehovai zbuloi: «Skeptri nuk do të largohet nga Juda, as shkopi i komandantit nga këmbët e tij, derisa të vijë Shilohu, dhe këtij do t’i binden popujt.» (Zanafilla 49:10) Fjala «Shiloh» do të thotë «Ai e të cilit është» ose «Ai të cilit i përket». Kështu, këto fjalë profetike tregonin se do të vinte dikush që kishte të drejtën ligjore të merrte ‘skeptrin’ ose sovranitetin dhe ‘shkopin e komandantit’ ose sundimin mbi «popujt», pra, gjithë njerëzimin. Kush do të ishte ai?

«Derisa të vijë Shilohu»

14. Ç’besëlidhje bëri Jehovai me Davidin?

14 I pari që zgjodhi Jehovai si mbret të popullit të tij nga pasardhësit e Judës, ishte bariu David, biri i Jeseut. * (1 Samuelit 16:1-13) Edhe pse bëri mëkate e gabime, Davidi fitoi pëlqimin e Jehovait ngaqë tregoi besnikëri ndaj sovranitetit të Tij. Duke hedhur edhe më shumë dritë mbi profecinë që u dha në Eden, Jehovai bëri një besëlidhje me Davidin: «Unë do të nxjerr pas teje një pasardhës, që do të dalë nga brendësia jote, dhe do ta bëj të patundur mbretërinë e tij.» Kjo nuk do të nënkuptonte vetëm birin dhe pasuesin në fron të Davidit, pra, Solomonin, sepse sipas besëlidhjes ishte thënë: «Unë do ta bëj të patundur fronin e mbretërisë së tij përgjithnjë.» Kjo besëlidhje davidike e bënte të qartë se ‘fara’ e premtuar e Perëndisë do të vinte në kohën e duhur nëpërmjet linjës familjare të Davidit.​—2 Samuelit 7:12, 13.

15. Pse mbretëria e Judës mund të konsiderohej si një model i Mbretërisë së Perëndisë?

15 Me Davidin nisi një dinasti me mbretër, që miroseshin me vaj të shenjtë nga kryeprifti. Prandaj, këta mbretër mund të quheshin të mirosur ose mesi. (1 Samuelit 16:13; 2 Samuelit 2:4; 5:3; 1 Mbretërve 1:39) Për ta thuhej se uleshin në fronin e Jehovait dhe sundonin në Jerusalem si mbretër për Jehovain. (2 Kronikave 9:8) Në këtë kuptim, mbretëria e Judës përfaqësonte Mbretërinë e Perëndisë dhe ishte një shprehje e sovranitetit të Jehovait.

16. Cilat ishin rezultatet e sundimit të mbretërve judeas?

16 Mbreti dhe populli gëzonin mbrojtjen dhe bekimin e Jehovait kur i nënshtroheshin sovranitetit të Tij. Veçanërisht gjatë mbretërimit të Solomonit kishte paqe dhe begati të pashoqe. Mbretërimi i tij siguroi një pamje profetike të sundimit të Mbretërisë së Perëndisë, kur ndikimi i Satanait do të hiqet njëherë e mirë dhe sovraniteti i Jehovait do të shfajësohet. (1 Mbretërve 4:20, 25) Mjerisht, shumica e mbretërve të linjës davidike nuk i përmbushën kërkesat e Jehovait dhe populli ra në idhujtari e imoralitet. Në fund, Jehovai lejoi që mbretëria të shkatërrohej nga babilonasit në vitin 607 p.e.s. Dukej sikur Satanai kishte pasur sukses në orvatjet e tij për të hedhur dyshime mbi sovranitetin e Jehovait.

17. Ç’gjë tregon se Jehovai e kishte ende nën kontroll situatën, pavarësisht nga rënia e mbretërisë davidike?

17 Rënia e mbretërisë davidike—dhe rënia e mëparshme e mbretërisë veriore të Izraelit—nuk tregonin ndonjë të metë ose dështim të sovranitetit të Jehovait. Përkundrazi, siguruan prova për pasojat e trishtueshme që vijnë nga ndikimi i Satanait dhe nga pavarësia e njeriut prej Perëndisë. (Proverbat 16:25; Jeremia 10:23) Për të treguar se po e ushtronte ende sovranitetin, Jehovai shpalli nëpërmjet profetit Ezekiel: «Hiqe çallmën, hiqe kurorën. . . . Rrënojë! Rrënojë! Unë do ta kthej atë në një rrënojë. Ajo nuk do t’i jepet askujt, gjersa të vijë ai që ka të drejtën ligjore, dhe atij do t’ia jap.» (Ezekieli 21:26, 27) Këto fjalë tregojnë se ‘fara’ e premtuar, Ai «që [kishte] të drejtën ligjore», s’kishte ardhur ende.

18. Çfarë i tha engjëlli Gabriel Marisë?

18 Le të kalojmë në vitin 2 p.e.s. Engjëlli Gabriel u dërgua te Maria, një virgjëreshë në Nazaret, qytet i Galilesë në Palestinën Veriore. Ai tha: «Ti do të mbetesh shtatzënë, do të lindësh një djalë dhe do t’ia vësh emrin Jezu. Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Bir i Më të Lartit. Perëndia Jehova do t’i japë fronin e Davidit, të atit, ai do të mbretërojë përgjithmonë në shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë fund.»​—Luka 1:31-33.

19. Për cilën ngjarje emocionuese ishte afruar koha?

19 Më në fund, ishte afruar koha për të zbuluar «sekretin e shenjtë». Elementi kryesor i «farës» së premtuar do të shfaqej së shpejti. (Galatasve 4:4; 1 Timoteut 3:16) Ai do të plagosej në thembër nga Satanai. Por, nga ana tjetër, ‘fara’ do t’ia shtypte kokën Satanait dhe do ta shkatërronte atë dhe përkrahësit e tij. Gjithashtu, do të tregonte se nëpërmjet Mbretërisë së Perëndisë, do të zhbëhej i gjithë dëmi i shkaktuar nga Satanai dhe do të shfajësohej sovraniteti i Jehovait. (Hebrenjve 2:14; 1 Gjonit 3:8) Si do ta bënte Jezui këtë? Çfarë shembulli na la ai për ta imituar? Përgjigjet do t’i gjejmë në artikullin vijues.

[Shënimi]

^ par. 14 Sauli, i pari që zgjodhi Perëndia të sundonte mbi Izraelin, ishte nga fisi i Beniaminit.​—1 Samuelit 9:15, 16; 10:1.

A mund të shpjegoni?

• Pse Jehovai ka të drejtën të jetë Sovrani i universit?

• Pse Jehovai vuri si qëllim të themelonte Mbretërinë?

• Si e zbuloi Jehovai hap pas hapi «sekretin e shenjtë»?

• Ç’gjë tregon se Jehovai e kishte nën kontroll situatën, pavarësisht nga rënia e mbretërisë davidike?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 23]

Çfarë paratha Jehovai nëpërmjet Abrahamit?

[Figura në faqen 25]

Pse rënia e mbretërisë davidike nuk tregon ndonjë dështim të sovranitetit të Jehovait?