A jeni gati për ditën e Jehovait?
A jeni gati për ditën e Jehovait?
«Dita e madhe e Jehovait është afër. Është afër dhe po shpejton shumë.»—SOFONIA 1:14.
1-3. (a) Ç’thotë Bibla për ditën e Jehovait? (b) Me cilën ‘ditë të Jehovait’ do të përballemi?
DITA e madhe e Jehovait nuk është një ditë 24-orëshe. Është një periudhë e gjatë kohore, gjatë së cilës ai do të ekzekutojë gjykimin e tij mbi të ligjtë. Njerëzit e paperëndishëm me të drejtë duhet të tmerrohen nga ajo ditë errësire, furie, zemërimi të zjarrtë, ankthi e shkretimi. (Isaia 13:9; Amosi 5:18-20; Sofonia 1:15) «Medet për atë ditë,—thotë profecia e Joelit,—sepse dita e Jehovait është afër dhe do të vijë si një grabitje nga i Plotfuqishmi!» (Joeli 1:15) Megjithatë, atë ditë të madhe Perëndia do të jetë Shpëtimtari i atyre «që kanë zemër të drejtë».—Psalmi 7:10.
2 Shprehja «dita e Jehovait» i referohet ekzekutimit të gjykimit hyjnor në periudha të ndryshme kohe. Për shembull, në vitin 607 p.e.s. banorët e Jerusalemit përjetuan ‘ditën e Jehovait’ kur u pushtuan nga babilonasit. (Sofonia 1:4-7) Në vitin 70 të e.s. Perëndia përdori romakët për të dhënë një gjykim të ngjashëm mbi kombin judaik që kishte hedhur poshtë Birin e tij. (Danieli 9:24-27; Gjoni 19:15) Po ashtu, Bibla flet për ‘ditën e Jehovait’, kur ai ‘do të luftojë kundër kombeve’. (Zakaria 14:1-3) Nën frymëzim, apostulli Pavël e lidhi atë ditë me praninë e Krishtit, e cila filloi me kurorëzimin e tij si mbret qiellor në vitin 1914. (2 Selanikasve 2:1, 2) Me ditën e Jehovait që duket në horizont, shkrimi i vitit 2007 i Dëshmitarëve të Jehovait ishte veçanërisht i përshtatshëm. Ai ishte marrë nga Sofonia 1:14 që thotë: «Dita e madhe e Jehovait është afër.»
3 Meqë dita e madhe e Perëndisë është afër, tani është koha për të qenë gati. Si mund të përgatiteni për atë ditë? Ç’hapa të tjerë duhet të bëni që të jeni gati për ditën e Jehovait?
Jini gati
4. Për cilën provë të madhe ishte gati Jezui?
4 Në profecinë e tij për përfundimin e sistemit, Jezu Krishti u tha dishepujve: «Jini gati.» (Mateu 24:44) Kur tha këto fjalë, vetë Jezui ishte gati për një provë të madhe—të vdiste si një flijim shpërblyes. (Mateu 20:28) Si u përgatit Jezui dhe ç’mund të mësojmë nga kjo?
5, 6. (a) Si na ndihmon të jemi gati për ditën e Jehovait dashuria për Të dhe për të tjerët? (b) Çfarë shembulli la Jezui në lidhje me dashurinë për të tjerët?
5 Jezui i donte me gjithë zemër Jehovain dhe standardet e Tij të drejta. Hebrenjve 1:9 thotë për Jezuin: «Ti e deshe drejtësinë dhe e urreve paligjshmërinë. Ja pse Perëndia, Perëndia yt, të mirosi me vajin e ngazëllimit më shumë se shokët e tu.» Jezui i qëndroi besnik Atit të tij qiellor ngaqë e donte. Nëse edhe ne e duam njësoj Perëndinë dhe jetojmë sipas kërkesave të tij, ai do të na mbrojë. (Psalmi 31:23) Kjo dashuri dhe bindje do të na ndihmojnë të jemi gati për ditën e madhe të Jehovait.
6 Një tipar i dukshëm i personalitetit të Jezuit, ishte dashuria për njerëzit. «Ai ndjeu keqardhje për ta, sepse ishin të keqtrajtuar e të hallakatur si dele pa bari.» (Mateu 9:36) Ja përse u predikoi atyre lajmin e mirë. E njëjta dashuri na motivon edhe ne që t’u shpallim të tjerëve mesazhin për Mbretërinë. Dashuria për Perëndinë dhe për të tjerët na mban aktivë në shërbimin e krishterë dhe na ndihmon të jemi gati për ditën e madhe të Jehovait.—Mateu 22:37-39.
7. Pse mund të jemi të gëzuar teksa presim ditën e Jehovait?
7 Jezui kënaqej kur bënte vullnetin e Jehovait. (Psalmi 40:8) Po të kemi të njëjtin qëndrim, do të gjejmë gëzim ndërsa i bëjmë shërbim të shenjtë Perëndisë. Si Jezui, do të jemi dhënës bujarë dhe kjo do të na bëjë vërtet të lumtur. (Veprat 20:35) Po, «gëzimi i Jehovait është kalaja [jonë]». Falë këtij gëzimi, do të jemi edhe më të përgatitur për ditën e madhe të Jehovait.—Nehemia 8:10.
8. Pse duhet t’i afrohemi edhe më shumë Jehovait në lutje?
8 Lutjet e zjarrta e ndihmuan Jezuin të ishte gati për sprovat e besimit. Kur Gjoni e pagëzoi, ai po lutej. Kur zgjodhi apostujt, Jezui u lut gjithë natën. (Luka 6:12-16) E kujt nuk i lënë mbresa lutjet e ndiera që bëri natën e fundit të jetës së tij në tokë?! (Marku 14:32-42; Gjoni 17:1-26) Po ju, a luteni shpesh si Jezui? Lutjuni shpesh Jehovait dhe jo nxitimthi, kërkoni drejtimin e frymës së shenjtë dhe, kur ai bëhet i dukshëm, pranojeni me gatishmëri. Një marrëdhënie e ngushtë me Atin tonë qiellor është jetësore në këtë kohë kritike, ndërsa dita e madhe e Jehovait po afron me të shpejtë. Prandaj, në asnjë mënyrë mos ngurroni t’i afroheni edhe më shumë Jehovait në lutje.—Jakovi 4:8.
9. Sa i rëndësishëm është shqetësimi për shenjtërimin e emrit të Jehovait?
9 Një gjë tjetër që e ndihmoi Jezuin të përgatitej për sprovat që hasi, ishte shqetësimi për shenjtërimin e emrit të Jehovait. Ai i mësoi ithtarët e vet që të përfshinin në lutjet e tyre këtë kërkesë: «U shenjtëroftë emri yt.» (Mateu 6:9) Nëse dëshirojmë fort që emri i Jehovait të shenjtërohet, do të përpiqemi të mos bëjmë asgjë që do të sjellë sharje mbi emrin e tij. Si rrjedhojë, do të jemi edhe më të përgatitur për ditën e madhe të Jehovait.
A duhet të bëni ndryshime?
10. Pse është me vend të shqyrtojmë jetën tonë?
10 Sikur dita e Jehovait të vijë nesër, a do të jeni vërtet gati? Secili nga ne bën mirë të shqyrtojë veten nëse ka nevojë të ndreqë ndonjë veprim apo qëndrim. Duke mbajtur parasysh që sot jeta është e shkurtër dhe e pasigurt, të gjithë duhet të jemi zgjuar frymësisht çdo ditë. (Eklisiastiu 9:11, 12; Jakovi 4:13-15) Le të shohim disa faktorë që mund të kërkojnë vëmendjen tonë.
11. Çfarë synimi keni për leximin e Biblës?
11 Një faktor i rëndësishëm është nxitja që na bën «skllavi i besueshëm» për të lexuar çdo ditë Biblën. (Mateu 24:45) Një synim që mund të vendosni, është që çdo vit të lexoni Shkrimet nga Zanafilla deri te Zbulesa, e të meditoni për to. Duke lexuar rreth katër kapituj në ditë, mund t’i përfundoni brenda një viti 1.189 kapitujt e Biblës. Çdo mbret në Izrael duhej të lexonte Ligjin e Jehovait ‘gjersa të jetonte’. Me sa duket, Josia e bëri këtë. (Ligji i përtërirë 17:14-20; Josia 1:7, 8) Është shumë e rëndësishme që pleqtë e kongregacionit të lexojnë çdo ditë Fjalën e Perëndisë, sepse kjo i ndihmon të japin ‘mësim të shëndoshë’.—Titit 2:1.
12. Çfarë duhet të bëni, duke qenë se dita e Jehovait është afër?
12 Duke qenë se dita e Jehovait është afër, duhet të ndiqni mbledhjet e krishtere rregullisht e të merrni pjesë në to sa më shumë të jetë e mundur. (Hebrenjve 10:24, 25) Në këtë mënyrë do të përmirësoni aftësitë tuaja si lajmëtarë të Mbretërisë, dhe kjo do t’ju ndihmojë të gjeni e të ndihmoni ata që janë të prirur për jetën e përhershme. (Veprat 13:48) Gjithashtu, mund të jeni më aktivë në kongregacion edhe në mënyra të tjera, si duke ndihmuar më të moshuarit dhe duke inkurajuar të rinjtë. Sa shpërblyese mund të jenë këto përpjekje!
Marrëdhëniet me të tjerët
13. Ç’pyetje mund t’i bëni vetes në lidhje me personalitetin e ri?
13 Meqë dita e Jehovait po afron, a mendoni se duhet të përpiqeni më shumë që «të vishni personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë»? (Efesianëve 4:20-24) Ndërsa kultivoni cilësitë që shfaq Perëndia, ka të ngjarë që të tjerët të vërejnë se ‘po ecni sipas frymës së Perëndisë’ dhe po shfaqni frytin e saj. (Galatasve 5:16, 22-25) A mund të veçoni veprime specifike që tregojnë se ju dhe familja juaj keni veshur personalitetin e ri? (Kolosianëve 3:9, 10) Për shembull, a ju njohin si njerëz që bëni vepra mirëdashjeje ndaj vëllezërve e motrave, si dhe ndaj të tjerëve? (Galatasve 6:10) Studimi i rregullt i Shkrimeve do t’ju ndihmojë të zhvilloni cilësitë që shfaq Perëndia, të cilat do t’ju përgatitin për ditën e Jehovait.
14. Përse duhet të lutet për frymën e shenjtë dikush që po përpiqet të kultivojë vetëkontroll?
14 A mendoni se zemëroheni shpejt dhe keni nevojë për më shumë vetëkontroll? Kjo është një cilësi që fryma e shenjtë e Perëndisë mund të prodhojë te ju. Prandaj, lutuni për frymën e shenjtë, në përputhje me fjalët e Jezuit: «Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet, vazhdoni të kërkoni dhe do të gjeni, vazhdoni të trokitni dhe do t’ju hapet. . . . Kështu pra, nëse ju, edhe pse të ligj, dini t’u jepni dhurata të mira fëmijëve tuaj, aq më shumë Ati në qiell do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë!»—Luka 11:9-13.
15. Ç’duhet të bëni nëse keni marrëdhënie të tendosura me një bashkëbesimtar?
15 Ta zëmë se keni marrëdhënie të tendosura me një bashkëbesimtar. Bëni çmos të mbyllni të çarat, e kështu do të nxitni paqen dhe unitetin në kongregacion. (Psalmi 133:1-3) Zbatoni këshillat e Jezuit te Mateu 5:23, 24 dhe 18:15-17. Nëse perëndimi i diellit ju ka gjetur të acaruar, nxitoni të rregulloni situatën. Shpesh, gjithçka që nevojitet është gatishmëria për të falur. Pavli shkroi: «Bëhuni mirëdashës me njëri-tjetrin, zemërdhembshur, duke e falur njëri-tjetrin bujarisht, ashtu si edhe Perëndia ju ka falur bujarisht nëpërmjet Krishtit.»—Efesianëve 4:25, 26, 32.
16. Përse bashkëshortët duhet të jenë zemërdhembshur?
16 Edhe në martesë kërkohet që të dy bashkëshortët të jenë zemërdhembshur dhe, herë pas here, të falin. Nëse duhet të jeni më të dashur dhe të dhembshur me bashkëshortin, përpiquni që të arrini këtë synim me ndihmën e Perëndisë e të Fjalës së tij. A mendoni se mund të bëni diçka për të përmbushur 1 Korintasve 7:1-5 që të pakësoni stresin e të shmangni tradhtinë bashkëshortore? Sigurisht që për sa u përket marrëdhënieve intime në martesë, burri dhe gruaja duhet të jenë «zemërdhembshur».
17. Ç’hapa duhet të ndërmerrni nëse keni bërë një mëkat të rëndë?
Jakovi 5:13-16) Lutjuni Jehovait me një frymë të penduar. Nëse nuk e bëni këtë, do të ndiheni fajtorë dhe me ndërgjegje të trazuar. Davidi e përjetoi vetë këtë, por sa u lehtësua kur iu rrëfye Jehovait! Ai shkroi: «Lum ai që i janë falur rebelimet dhe i janë mbuluar mëkatet! Lum njeriu që Jehovai nuk i ngarkon asnjë faj dhe në frymën e të cilit nuk ka mashtrim!» (Psalmi 32:1-5) Jehovai i fal ata që mëkatojnë dhe që pendohen sinqerisht.—Psalmi 103:8-14; Proverbat 28:13.
17 Po sikur të keni bërë ndonjë mëkat të rëndë? Ndërmerrni sa më shpejt hapa për të ndrequr situatën. Kërkoni patjetër ndihmën e pleqve të krishterë. Lutjet dhe këshillat e tyre do t’ju ndihmojnë të shëroheni frymësisht. (Mos jini pjesë e botës
18. Si duhet ta shihni botën?
18 Pa dyshim, mezi po e pritni botën e re të mrekullueshme që ka premtuar Ati ynë qiellor. Atëherë, si e shihni botën—shoqërinë e padrejtë njerëzore të larguar nga Perëndia? Satanai, «sundimtari i kësaj bote», nuk pati pushtet mbi Jezu Krishtin. (Gjoni 12:31; 14:30) Sigurisht as ju nuk doni që Djalli dhe bota e tij të kenë pushtet mbi ju. Prandaj, vëruni veshin fjalëve të apostullit Gjon: «Mos e doni as botën, as gjërat që janë në botë.» Kjo është gjëja më e mençur, sepse «bota po kalon, e po kështu edhe dëshirat e saj, kurse ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet përgjithmonë».—1 Gjonit 2:15-17.
19. Ç’synime duhet të vënë të rinjtë e krishterë?
19 A po i ndihmoni fëmijët tuaj ‘ta ruajnë veten të panjollë nga bota’? (Jakovi 1:27) Satanai do të donte që fëmijët tuaj të binin në grepin e tij, si peshqit në grepin e një peshkatari. Klube dhe organizata të ndryshme janë formuar enkas që të rinjtë të bëhen pjesë e botës së Satanait. Mirëpo, shërbëtorët e Jehovait tashmë i përkasin organizatës së vetme që do t’i mbijetojë fundit të këtij sistemi të lig. Prandaj, të rinjtë e krishterë duhet të inkurajohen që të kenë «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë». (1 Korintasve 15:58) Prindërit e perëndishëm duhet t’i ndihmojnë fëmijët të vënë synime që do t’u sjellin një jetë të lumtur e shpërblyese. Kjo do të nderojë Perëndinë dhe do t’i ndihmojë të jenë gati për ditën e Jehovait.
Shihni përtej ditës së madhe të Jehovait
20. Pse duhet t’i mbajmë sytë nga jeta e përhershme?
20 Nëse i mbani sytë nga jeta e përhershme, do ta pritni ditën e Jehovait me zemër të qetë. (Juda 20, 21) Pritja me padurim e jetës së përhershme në parajsë, ju jep shpresë se do t’ju kthehet gjallëria rinore dhe do të keni kohë të pakufizuar për të ndjekur synime të shëndetshme e për të mësuar për Jehovain. Në të vërtetë, do të vazhdoni të mësoni përgjithmonë për Perëndinë, sepse tani njerëzit njohin vetëm «thekët e udhëve të tij». (Jobi 26:14) Ç’perspektivë emocionuese!
21, 22. Çfarë do të mësojmë nga njëri-tjetri, ne dhe të ringjallurit?
21 Në parajsë, të ringjallurit do të na mbushin boshllëqet e njohurisë që kemi për të kaluarën. Enoku do të na shpjegojë si mori guxim për t’u shpallur mesazhin e Jehovait Juda 14, 15) Noeja sigurisht do të na tregojë si e ndërtoi arkën. Abrahami dhe Sara do të na zbulojnë si u ndien kur lanë rehatitë e qytetit të Urit dhe jetuan në tenda. Mendoni pak kur Estera të na tregojë me hollësi se si mori anën e popullit të saj dhe nxori në shesh komplotin e Hamanit kundër tyre. (Estera 7:1-6) Imagjinoni Jonain që do të na flasë për tri ditët që kaloi në barkun e peshkut të madh ose Gjon Pagëzorin që do të na përshkruajë si u ndie kur pagëzoi Jezuin. (Luka 3:21, 22; 7:28) Sa shumë gjëra interesante do të mësojmë!
njerëzve të paperëndishëm. (22 Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, mund të keni privilegjin të ndihmoni të ringjallurit të fitojnë «njohurinë e Perëndisë». (Proverbat 2:1-6) Ç’kënaqësi është të shohim sot njerëz që mësojnë për Perëndinë Jehova dhe veprojnë sipas kësaj njohurie! Por imagjinoni edhe gëzimin që do të provoni në të ardhmen kur të shihni se Jehovai do t’i bekojë përpjekjet tuaja për të mësuar ata që kanë jetuar në kohët e lashta, si dhe reagimin e tyre me mirënjohje!
23. Çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë?
23 Nëse do të përpiqeshim t’i numëronim dobitë që gëzojmë tani si shërbëtorë të Jehovait, ato do të ishin përtej aftësive tona të papërsosura për t’i llogaritur. (Psalmi 40:5) Veçanërisht jemi mirënjohës për masat frymore që siguron Perëndia. (Isaia 48:17, 18) Pavarësisht nga rrethanat tona, le të bëjmë shërbim të shenjtë me gjithë shpirt ndërsa presim ditën e madhe të Jehovait.
Si do të përgjigjeshit?
• Ç’është «dita e Jehovait»?
• Si mund të jeni gati për ditën e Jehovait?
• Ç’ndryshime duhet të bëjmë, meqë dita e madhe e Jehovait është kaq afër?
• Çfarë pritni me padurim kur të mbarojë dita e Jehovait?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 12]
Jezui ishte gati për të përballuar sprovat
[Figura në faqen 15]
Ç’privilegj do të kemi të ndihmojmë të ringjallurit të marrin njohuri për Jehovain!