Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ju kujtohet?

A ju kujtohet?

A ju kujtohet?

A jeni kënaqur duke lexuar numrat e fundit të Kullës së Rojës? Atëherë, provoni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:

• Përse «Dhiata e Vjetër» ka ende vlerë?

Autori i saj nuk është ndonjë perëndi mizor, por Perëndia i dashur, Jehovai. Jezui dhe ithtarët e tij citonin shpesh nga Shkrimet Hebraike. Ato kanë këshilla praktike për jetën e përditshme dhe japin një shpresë të mrekullueshme për të ardhmen.​—1/9, faqet 4-7.

• Çfarë është arritur ngaqë u lejua të kalohej kohë pas mëkatit të Adamit dhe Evës?

Gjatë këtyre mijëra viteve Satanai ka dalë gënjeshtar—Adami dhe Eva, si edhe miliona pasardhës të tyre, kanë vdekur. Koha ka treguar se njerëzit nuk kanë jetuar më mirë të pavarur nga Perëndia, dhe se nuk kanë as të drejtën, as aftësinë për të drejtuar hapat e tyre.​—15/9, faqet 6, 7.

• Pse Jakobi nuk u fajësua kur u hoq si Esau?

Jakobit i takonte të merrte bekimin e të atit meqë ia kishte blerë Esaut të drejtën e të parëlindurit. Kur e kuptoi se kishte bekuar Jakobin, Isaku nuk u përpoq ta kthente mbrapsht këtë bekim. Perëndia mund të kishte ndërhyrë, por s’e bëri dhe kjo tregoi qartë se dëshironte që bekimin ta merrte Jakobi.​—1/10, faqja 31.

• Si tregon ndërgjegjja se njerëzit nuk kanë evoluar?

Njerëzit e të gjitha racave dhe kulturave kanë qenë të gatshëm t’i ndihmojnë të tjerët edhe atëherë kur u është dashur ta vënë veten në rrezik. Ky altruizëm vetëmohues nuk është diçka që do të pritnim, nëse njerëzit do të kishin qenë thjesht kafshë që luftonin për të mbijetuar me çdo kusht.​—15/10, faqja 20.

• Pse mund të themi se Perëndia është i përulur, dhe si e shfaq ai këtë cilësi?

Si Sovran dhe Krijues, Perëndia nuk ka kufizime si ne. Megjithatë, sipas 2 Samuelit 22:36, Perëndia është i përulur në kuptimin që shqetësohet dhe u shfaq mëshirë njerëzve të thjeshtë që përpiqen t’i pëlqejnë. Ai përkulet, si të thuash, që t’i trajtojë me dashamirësi ata që i frikësohen atij.​—1/11, faqet 4, 5.

• Si e vërtetojnë tregimin biblik copat qeramike të lashtësisë?

Arkeologët kanë gjetur në Samari copëza qeramike, ku janë shkruar emrat e shtatë fiseve të regjistruara te Josiu 17: 1-6. Copëza të gjetura në Arad vërtetojnë të dhënat për familjet priftërore, si edhe përmbajnë emrin e Perëndisë. Copëza të gjetura në Lakish sqarojnë situatën politike dhe trazirat në Judë, para se babilonasit ta sulmonin.​—15/11, faqet 12-14.

• Përse arrijmë në përfundimin se librin e Veprave e shkroi Luka?

Ungjilli i Lukës dhe Veprat e Apostujve i drejtoheshin Teofilit, dhe kjo tregon se të dy këta libra i shkroi Luka. Përdorimi i përemrave dhe foljeve në vetën e parë shumës, dëshmon se ai mori pjesë në disa prej ngjarjeve që përshkruhen në këtë libër. (Veprat 16:8-15)​—15/11, faqja 18.

• Si duhet t’i konsiderojë një i krishterë gjuetinë dhe peshkimin?

Që nga koha e Noesë, Perëndia u lejoi njerëzve të vritnin e të hanin kafshë. Megjithatë, urdhri që t’u hiqnin gjakun, theksonte se jeta e kafshëve duhej respektuar, pasi e ka origjinën nga Perëndia. Prandaj, të krishterët nuk i vrasin kafshët thjesht për sport ose për t’u argëtuar. Është e rëndësishme t’u bindemi ligjeve të Cezarit dhe të marrim parasysh ndërgjegjen e të tjerëve. (Romakëve 14:13)​—1/12, faqja 31.