A ke një këshilltar frymor?
A ke një këshilltar frymor?
NË NJË moshë fare të re, kur ishte 16 vjeç, Uziahu u bë mbret i mbretërisë jugore të Judës. Ai mbretëroi për më shumë se 50 vjet, që nga fundi i shekullit të nëntë deri në fillim të shekullit të tetë p.e.s. Që në moshë të re, Uziahu «bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait». Çfarë e ndihmoi që të ndiqte udhën e drejtë? Dëshmia historike thotë: «[Uziahu] u kujdes vazhdimisht që të kërkonte Perëndinë në ditët e Zakarisë, i cili e mësonte të kishte frikë nga Perëndia i vërtetë. Për aq kohë sa e kërkoi Jehovain, Perëndia i vërtetë bëri që t’i shkonte mbarë.»—2 Kronikave 26:1, 4, 5.
Përveç këtij tregimi të Biblës, për Zakarinë, këshilltarin e mbretit, nuk dihet shumë. Por, meqë «e mësonte të kishte frikë nga Perëndia i vërtetë», Zakaria kishte një ndikim të shkëlqyer te mbreti i ri, që ai të bënte çka ishte e drejtë. Përkthimi The Expositor’s Bible thotë se me sa duket, Zakaria ishte «një njeri që i njihte mirë Shkrimet, plot përvojë nga ana fetare dhe ishte i zoti t’ua jepte të tjerëve njohurinë e tij». Një studiues biblik nxori këtë përfundim për Zakarinë: «Ai i njihte mirë profecitë dhe . . . ishte i zgjuar, i përkushtuar, i drejtë, e, me sa duket, ndikonte shumë tek Uziahu.»
Udha e besnikërisë i solli shumë bekime Uziahut dhe ai «u tregua jashtëzakonisht i fortë», sepse «Perëndia i vërtetë vazhdoi ta ndihmonte». Po, gjithë sukseset që korrte vinin nga besnikëria e tij ndaj Perëndisë «në ditët e Zakarisë». (2 Kronikave 26:6-8) Pasi u bë i famshëm, Uziahu i braktisi mësimet e Zakarisë, këshilltarit të tij. Pra, «zemra [e Uziahut] u bë fodulle aq sa e rrënoi, kështu që ai veproi me pabesi kundër Jehovait». Si pasojë e një akti arrogant që bëri, ai u godit me një sëmundje lëkure të neveritshme, dhe nuk mund t’i kryente më detyrat e tij si mbret.—2 Kronikave 26:16-21.
A ke dikë që të udhëzon, pra një këshilltar, i cili ndikon te ti ‘që të kërkosh Perëndinë’? Qoftë nëse je i ri a i rritur, qoftë nëse je burrë a grua, mund ta kesh një këshilltar të tillë. Çmoje atë, pasi këshillat e tij ose të saj mund të të ndihmojnë të bësh vazhdimisht atë që është e drejtë në sytë e Jehovait. Dëgjoje këtë të krishterë të pjekur dhe kushtoju shumë vëmendje këshillave që të jep. Kurrë mos i braktis fjalët e mençura të këtij këshilltari që ‘të mëson të kesh frikë nga Perëndia i vërtetë’.—Proverbat 1:5; 12:15; 19:20.