Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund të bëhet e krishterë një festë pagane?

A mund të bëhet e krishterë një festë pagane?

A mund të bëhet e krishterë një festë pagane?

NË DIMRIN e vitit 2004, gjatë periudhës së Krishtlindjeve, në Itali u ndez një debat i zjarrtë. Disa arsimtarë përkrahnin idenë që traditat fetare të Krishtlindjeve të mos ndiqeshin fare ose të ndiqeshin sa më pak. E mbështetnin këtë ide për të respektuar nxënësit që nuk janë as katolikë dhe as protestantë, numri i të cilëve sa vjen e rritet. Megjithatë, të tjerë në fushën e arsimit dhe gjetkë kërkonin që traditat të respektoheshin dhe të ruheshin pikë për pikë.

Por, pavarësisht nga këto polemika, cila është origjina e shumë traditave të Krishtlindjeve? Ndërsa debati po arrinte pikën më të nxehtë, gazeta e Vatikanit, L’Osservatore Romano, bëri disa komente interesante.

Në lidhje me datën e Krishtlindjeve, gazeta katolike tha: «Nga pikëpamja historike, data e vërtetë e lindjes së Jezuit fshihet nën një vel paqartësie, pasi këtë nuk e tregon me siguri as historia e Romës, as regjistrimi perandorak i popullsisë së asaj kohe dhe as kërkimet në shekujt vijues. . . . Siç dihet, data 25 dhjetor u zgjodh nga Kisha e Romës në shekullin e katërt. Në Romën pagane, kjo datë i kushtohej perëndisë Diell . . . Ndonëse krishterimi tashmë ishte pranuar në Romë me anë të dekretit të Kostandinit, miti i . . . perëndisë Diell, ishte ende i përhapur, sidomos mes ushtarëve. Festimet e mësipërme, që bëheshin në datën 25 dhjetor, ishin të rrënjosura thellë në traditat e përhapura. Nga kjo gjë, Kishës së Romës i lindi ideja që t’i jepte kësaj dite një domethënie fetare të krishterë, duke zëvendësuar perëndinë Diell me Diellin e vërtetë të Drejtësisë, Jezu Krishtin, dhe duke e zgjedhur këtë si ditën kur do të festohej lindja e tij.»

Por, ç’mund të thuhet për pemën e Krishtlindjeve, që sot është ndër traditat katolike?

Artikulli i gazetës katolike nxirrte në pah se në lashtësi, shumë bimë me blerim të përhershëm, të tilla si «dushku i egër, rrushkulli, dafina dhe degët e pishës ose të bredhit mendohej se kishin veti magjike ose mjekësore që të mbronin nga sëmundjet». Më tej thuhej: «Më 24 dhjetor, në vigjilje të Krishtlindjeve, Adami dhe Eva përkujtoheshin me skenën e njohur të Pemës së Parajsës tokësore . . . Pema duhej të ketë qenë një pemë molle, por meqë pema e mollës nuk do të ishte e përshtatshme në dimër, u vu një bredh. Në degët e tij vareshin disa mollë ose, për të paraqitur Shpengimin e ardhshëm nga mëkati, vareshin oste të përgatitura me biskota të thërrmuara në forma të veçanta, që simbolizonin praninë eukaristike të Jezuit, si edhe ëmbëlsira e dhurata për fëmijët.» Po më vonë?

Pasi përmendte se tradita e pemës së Krishtlindjeve nisi në shekullin e 16-të në Gjermani, gazeta L’Osservatore Romano thoshte: «Italia ishte ndër vendet e fundit që e pranoi pemën e Krishtlindjeve. Kjo pjesërisht ngaqë qarkullonin shumë zëra se pema e Krishtlindjeve ishte traditë protestante dhe, si e tillë, duhej zëvendësuar me grazhdin [skena e lindjes së Krishtit].» Papa Pavli VI «nisi traditën që të vihej [në sheshin e Shën Pjetrit në Romë] një pemë e madhe Krishtlindjesh» pranë skenës së lindjes së Krishtit.

A ju duket e pranueshme që një udhëheqës fetar t’u vishte një petk të krishterë ditëve të shënuara dhe simboleve që i kanë rrënjët në paganizmin e lashtë? Shkrimet u tregojnë të krishterëve të vërtetë cila është udha që duhet ndjekur: «Ç’lidhje ka drejtësia me paligjshmërinë? Apo ç’pjesë ka drita me errësirën?»​—2 Korintasve 6:14-17.

[Figurat në faqet 8, 9]

Pema e Krishtlindjeve (faqja përbri) dhe skena e lindjes së Krishtit në Vatikan

[Burimi]

© 2003 BiblePlaces.com

[Figura në faqen 9]

Perëndia Diell

[Burimi]

Museum Wiesbaden