Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Qëndroni të patundur dhe shihni shpëtimin që do t’ju sjellë . . . Jehovai»

«Qëndroni të patundur dhe shihni shpëtimin që do t’ju sjellë . . . Jehovai»

«Qëndroni të patundur dhe shihni shpëtimin që do t’ju sjellë . . . Jehovai»

«Jehovai është në krahun tim. Ç’mund të më bëjë njeriu?»​—PSALMI 118:6.

1. Ç’ngjarje kritike pret të përjetojë njerëzimi?

NJERËZIMI sot pret të përjetojë ngjarje aq të kobshme, sa s’ka përjetuar kurrë më parë. Jezui e profetizoi këtë për ditët tona kur u tha ithtarëve të vet: «Do të ketë një shtrëngim aq të madh, sa nuk ka pasur që nga fillimi i botës e deri tani, dhe as që do të ketë përsëri. Në të vërtetë, po të mos shkurtoheshin ato ditë, asnjë mish nuk do të shpëtonte. Por, për hir të të zgjedhurve, ato ditë do të shkurtohen.»​—Mateu 24:21, 22.

2. Pse engjëjt po frenojnë shpërthimin e shtrëngimit të madh?

2 Edhe pse të padukshme për sytë tanë, qenie të fuqishme qiellore po frenojnë shtrëngimin e madh. Në një zbulesë që i dha Jezui, apostulli Gjon pati privilegjin të shihte arsyen pse po ndodh kjo. Ja si e përshkroi apostulli i moshuar: «Pashë katër engjëj që qëndronin në katër cepat e tokës dhe mbanin fort katër erërat e tokës. . . . Pashë një engjëll tjetër që ngjitej nga lindja e diellit dhe kishte një vulë të Perëndisë së gjallë. Ai u bërtiti me zë të fortë katër engjëjve. . . . ‘Mos dëmtoni as tokën, as detin, as pemët, derisa të kemi vulosur në ballë skllevërit e Perëndisë tonë.’»​—Zbulesa 7:1-3.

3. Si do të fillojë shtrëngimi i madh?

3 Vulosja përfundimtare e ‘skllevërve [të mirosur] të Perëndisë tonë’, po i afrohet fundit. Katër engjëjt janë gati t’i lëshojnë erërat shkatërrimtare. Ç’do të ndodhë menjëherë pas kësaj? Një engjëll përgjigjet: «Po kaq vrullshëm, do të flaket tej Babilonia, qyteti i madh, dhe s’do të gjendet më kurrë.» (Zbulesa 18:21) Ç’gëzim do të ketë në qiell kur të ndodhë kjo—kur të shkatërrohet perandoria botërore e fesë së rreme!​—Zbulesa 19:1, 2.

4. Ç’ngjarje na presin?

4 Gjithë kombet e tokës do të bashkohen kundër popullit të Jehovait. A do t’ia dalin mbanë t’i zhdukin të krishterët besnikë? Në pamje të parë, mund të duket se po. Por, shikoni, ushtritë qiellore të Krishtit do t’i shkatërrojnë këto forca njerëzore. (Zbulesa 19:19-21) Së fundi, Djalli dhe engjëjt e tij do të flaken në një humnerë simbolike, ku do të jenë joaktivë. Nuk do të jenë më në gjendje të mashtrojnë njerëzit sepse do të lidhen për një mijë vjet. Oh, ç’lehtësim do të jetë ky për shumicën e madhe të të mbijetuarve!​—Zbulesa 7:9, 10, 14; 20:1-3.

5. Ç’gëzim do të përjetojnë ata që i mbeten besnikë Jehovait?

5 Së shpejti do t’i shohim me sytë tanë këto ngjarje të mrekullueshme e që të ngjallin frikë. Të gjitha kanë të bëjnë me shfajësimin e të drejtës së Jehovait për të sunduar, me sovranitetin e tij universal. Mendoni edhe për këtë: po t’i mbetemi besnikë Perëndisë dhe po të qëndrojmë të patundur në përkrahje të sovranitetit të tij, do të kemi mundësinë të bëjmë pjesën tonë në shenjtërimin e emrit të Jehovait dhe në përmbushjen e qëllimit të tij. Ç’gëzim i papërshkrueshëm do të jetë!

6. Duke mbajtur në mend ngjarjet që na presin, ç’do të shqyrtojmë?

6 A jemi të përgatitur për këto ngjarje të rëndësishme? A kemi besim se Jehovai ka aftësi për të na shpëtuar? A kemi sigurinë se ai do të na ndihmojë në kohën e duhur dhe në mënyrën më të mirë? Që t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve personale, mund të mbajmë ndër mend këto fjalë që apostulli Pavël u shkroi të krishterëve në Romë: «Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë, që, me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, të kemi shpresë.» (Romakëve 15:4) Ndër ato që u shkruan për mësimin tonë, për të na dhënë ngushëllim e shpresë, është edhe ngjarja kur Jehovai i shpëtoi izraelitët nga dara e hekurt e shtypjes egjiptiane. Shqyrtimi nga afër i atyre ngjarjeve emocionuese, kur Jehovai shpëtoi bijtë e Izraelit, do të na japë shumë guxim sot teksa presim me padurim shtrëngimin e madh që po afrohet me të shpejtë.

Jehovai shpëton popullin e tij

7. Cila situatë e nderë u zhvillua në Egjipt në vitin 1513 p.e.s.?

7 Është viti 1513 p.e.s. Tashmë Jehovai ka sjellë nëntë plagë mbi egjiptianët. Pas plagës së nëntë, faraoni e përzë menjëherë Moisiun, duke i thënë: «Shporru që këtej! Dhe hap sytë: mos më dil më përpara, sepse po atë ditë do të vdesësh!» Moisiu iu përgjigj: «Si të thuash ti! Nuk do të dal më përpara teje.»​—Dalja 10:28, 29.

8. Ç’udhëzime për të mbijetuar marrin izraelitët, dhe me çfarë rezultati?

8 Tani Jehovai i zbulon Moisiut se do të dërgojë edhe një plagë tjetër kundër faraonit dhe gjithë egjiptianëve: plagën e fundit. Më 14 të muajit abib (nisan), do të vdesë i parëlinduri i çdo egjiptiani dhe i çdo kafshe. Kurse izraelitëve do t’u kursehet jeta nëse ndjekin me kujdes udhëzimet vijuese që Perëndia i jep Moisiut. Ata duhet të spërkatin me gjakun e një qengji mashkull dy shtalkat dhe pjesën e sipërme të hyrjes, si edhe s’duhet të dalin nga shtëpia. Çfarë ndodh atë natë? Ja si na e përshkruan Moisiu: «Në mesnatë, Jehovai goditi çdo të parëlindur në vendin e Egjiptit.» Faraoni reagon menjëherë. Ai thërret Moisiun dhe Aaronin, dhe u thotë: «Ngrihuni, largohuni nga populli im, . . . dhe shkoni, shërbejini Jehovait, pikërisht ashtu si keni thënë.» Dhe izraelitët largohen menjëherë. Janë më shumë se tre milionë, bashkë me një ‘turmë të madhe të përzier’ joizraelitësh.​—Dalja 12:1-7, 29, 31, 37, 38.

9. Nga cila rrugë i drejton Perëndia izraelitët kur dalin nga Egjipti, dhe pse?

9 Rruga më e shkurtër që duhet të marrin izraelitët është nga deti Mesdhe dhe përmes vendit të filistinëve. Por ky është një territor armik. Prandaj, që populli të mos luftojë, Jehovai i drejton nga shkretëtira drejt Detit të Kuq. Ata që po marshojnë janë me miliona, por të organizuar. Bibla thotë: «Bijtë e Izraelit dolën nga vendi i Egjiptit në formacion luftimi.»​—Dalja 13:17, 18.

‘Shihni shpëtimin që do të sjellë Jehovai’

10. Pse Perëndia u thotë izraelitëve të fushojnë në Pihahirot?

10 Më pas, në mënyrë të mrekullueshme, ngjarjet ndryshojnë komplet rrjedhë. Jehovai i thotë Moisiut: «Folu bijve të Izraelit, që të kthehen e të fushojnë në Pihahirot, mes Migdolit dhe detit, përballë Baal-Zefonit.» Ndërsa ata ndjekin udhëzimet, kjo turmë e madhe e gjen veten të rrethuar nga malet në njërin krah, dhe nga gjiri i Detit të Kuq në krahun tjetër. Duket sikur s’ka rrugëdalje. Megjithatë, Jehovai e di se çfarë po bën. Ai i thotë Moisiut: «Në të vërtetë, unë do të lejoj që zemra e faraonit të bëhet kryeneçe. Ai do t’i ndjekë, dhe unë do të fitoj lavdi, duke ngadhënjyer mbi faraonin dhe gjithë forcat e tij ushtarake. Egjiptianët kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.»​—Dalja 14:1-4.

11. (a) Çfarë bën faraoni dhe si reagojnë izraelitët? (b) Si u përgjigjet Moisiu ankesave të izraelitëve?

11 Faraoni kupton se ka gabuar që i la izraelitët të largohen nga Egjipti, dhe me 600 karroca lufte i ndjek si i tërbuar. Në kohën që shfaqet ushtria egjiptiane, izraelitët lemerisen dhe i thërrasin Moisiut: «A s’kishte varre në Egjipt, që na solle të vdesim këtu në shkretëtirë?!» I sigurt për shpëtimin nga Jehovai, Moisiu përgjigjet: «Mos kini frikë! Qëndroni të patundur dhe shihni shpëtimin që do t’ju sjellë sot Jehovai. . . . Jehovai do të luftojë për ju, kurse ju do të rrini të qetë.»​—Dalja 14:5-14.

12. Si e shpëton Jehovai popullin e tij?

12 Në përputhje me fjalët e Moisiut, se vetë Jehovai do të luftojë për izraelitët, forca mbinjerëzore e marrin situatën nën kontroll. Shtyllën e resë që deri tani kishte drejtuar kampin e Izraelit, engjëlli i Jehovait e kalon në mënyrë të mrekullueshme prapa tyre. Ndërkohë që në anën e egjiptianëve bëhet errësirë, në anën e izraelitëve shtylla ndriçon. (Dalja 13:21, 22; 14:19, 20) Duke iu bindur urdhrit të Perëndisë, Moisiu shtrin dorën. Tregimi vazhdon: «Jehovai me anë të një ere të fortë nga lindja, që fryu gjatë tërë natës, bëri që deti të tërhiqej. . . . Së fundi, bijtë e Izraelit kaluan përmes detit në tokë të thatë, dhe ujërat ishin për ta si një mur, në të djathtë e në të majtë.» Egjiptianët vazhdojnë ndjekjen, por Jehovai është me popullin e tij. Ai e bën rrëmujë kampin e egjiptianëve, dhe pastaj i thotë Moisiut: «Shtrije dorën drejt detit, që ujërat të bien mbi egjiptianët, mbi karrocat e luftës dhe mbi kalorësit.» Kështu, ushtria e faraonit shkatërrohet plotësisht, dhe asnjë ushtar s’mbetet gjallë.​—Dalja 14:21-28; Psalmi 136:15.

Të mësojmë nga shpëtimi i izraelitëve

13. Si reaguan bijtë e Izraelit kur u çliruan?

13 Çfarë ndikimi pati te të mbijetuarit ky çlirim i mrekullueshëm? Moisiu dhe bijtë e Izraelit natyrshëm ia morën këngës, duke lavdëruar Jehovain. Ata kënduan: «Më lini t’i këndoj Jehovait, sepse shumë është lartësuar. . . . Jehovai do të mbretërojë në kohë të pafundme, po, përgjithmonë.» (Dalja 15:1, 18) Po, gjëja e parë që menduan, ishte të lëvdonin Perëndinë. Në atë situatë Jehovai kishte shfaqur sovranitetin e tij.

14. (a) Ç’mësojmë për Jehovain nga përvoja e Izraelit? (b) Cili është shkrimi i vitit 2008?

14 Ç’mësim, ngushëllim e shpresë marrim nga këto ngjarje drithëruese? Pa dyshim mund të kuptojmë se Jehovai është gati t’i ndihmojë shërbëtorët e tij që të kalojnë çdo lloj sprove. Ai është i aftë të zgjidhë çdo problem që ata mund të hasin. Deti i Kuq nuk ishte më një pengesë për izraelitët kur Jehovai ngriti një erë të fortë nga lindja. Po ashtu, ai e shndërroi Detin e Kuq në varr për ushtritë e faraonit. Me këtë në mendje, le t’u bëjmë jehonë këtyre fjalëve të psalmistit: «Jehovai është në krahun tim, nuk do të kem frikë. Ç’mund të më bëjë njeriu?» (Psalmi 118:6) Marrim zemër edhe nga fjalët e Pavlit te Romakëve 8:31: «Nëse Perëndia është me ne, kush do të jetë kundër nesh?» Sa siguri na japin këto fjalë të frymëzuara! Ato zbehin çdo frikë e dyshim që mund të kemi e na mbushin me shpresë. Sa i përshtatshëm është pra shkrimi i vitit 2008: «Qëndroni të patundur dhe shihni shpëtimin që do t’ju sjellë . . . Jehovai.»​—Dalja 14:13.

15. Sa rëndësi kishte bindja për çlirimin e izraelitëve nga Egjipti, dhe sa rëndësi ka sot?

15 Ç’mësojmë tjetër nga dalja e popullit të Izraelit nga Egjipti? Se duhet t’i bindemi Jehovait pavarësisht nga ç’na kërkon. Izraelitët zbatuan pikë për pikë udhëzimet që u dha Jehovai për pashkën. Ata u bindën dhe nuk dolën nga shtëpitë gjatë natës së 14 nisanit. Kur më në fund e lanë Egjiptin, duhet të dilnin «në formacion luftimi». (Dalja 13:18) Sot, është tepër e rëndësishme të ndjekim drejtimin që na vjen nga «skllavi i besueshëm dhe i matur». (Mateu 24:45) Duhet të dëgjojmë me shumë kujdes fjalët që na thotë Perëndia: «Ngado që të shkoni, djathtas ose majtas, veshët tuaj do të dëgjojnë nga prapa fjalët: ‘Kjo është udha. Ecni në të!’» (Isaia 30:21) Ndërsa i afrohemi gjithnjë e më shumë shpërthimit të shtrëngimit të madh, ka të ngjarë të marrim disa udhëzime të hollësishme. Në këto ditë të vështira që po kalojmë, udha jonë do të jetë e sigurt nëse do të ecim krah për krah me shërbëtorët besnikë të Jehovait.

16. Çfarë mësojmë nga mënyra si i manovroi gjërat Perëndia kur çliroi izraelitët?

16 Po ashtu, kujtoni se Jehovai i drejtoi izraelitët në një vend që në pamje të parë dukej sikur ishin zënë në kurth: malet nga njëra anë, dhe Deti i Kuq nga ana tjetër. U duk sikur kjo lëvizje ishte e gabuar. Por Jehovai kishte çdo gjë nën kontroll, dhe gjithçka përfundoi në lavdi të tij dhe në shpëtimin e popullit. Sot, mbase nuk e kuptojmë qartë pse disa çështje organizative kryhen në njëfarë mënyre, por kemi plot arsye për të besuar në drejtimin e Jehovait, që na jepet me anë të kanalit të besueshëm komunikues. Ndonjëherë, duket sikur armiqtë tanë kanë sukses. Nga këndvështrimi ynë i kufizuar, mbase s’jemi në gjendje ta shohim të gjithë tablonë. Megjithatë, Jehovai është në gjendje t’i manovrojë gjërat në kohën e duhur, ashtu siç bëri në të kaluarën me bijtë e Izraelit.​—Proverbat 3:5.

Kini siguri te Jehovai

17. Pse duhet të kemi siguri të plotë te drejtimi i Perëndisë?

17 Arrini ta imagjinoni ndjenjën e sigurisë që provonin izraelitët kur kujtonin shtyllën e resë gjatë ditës dhe shtyllën e zjarrit gjatë natës? Kjo ishte një dëshmi se «engjëlli i Perëndisë së vërtetë» po i drejtonte në udhën e tyre. (Dalja 13:21, 22; 14:19) Sot kemi sigurinë se Jehovai është me shërbëtorët e tij, i drejton, i mbron dhe i çliron. Mund të besojmë plotësisht te premtimi: «[Jehovai] nuk do t’i braktisë besnikët e vet. Ata do të jenë gjithmonë të mbrojtur.» (Psalmi 37:28) Të mos i harrojmë kurrë forcat e fuqishme engjëllore që po ndihmojnë shërbëtorët e Perëndisë! Me përkrahjen e tyre, mund të ‘qëndrojmë të patundur dhe të shohim shpëtimin që do të sjellë Jehovai’.​—Dalja 14:13.

18. Pse duhet ‘të veshim armaturën e plotë të Perëndisë’?

18 Çfarë do të na ndihmojë të gjithëve ne ‘të qëndrojmë të patundur’ në udhën e së vërtetës? Duhet të veshim armaturën frymore të përshkruar nga Pavli, në letrën e tij drejtuar efesianëve. Vini re se apostulli na nxit ‘të veshim armaturën e plotë të Perëndisë’. A i kemi veshur të gjitha pjesët e kësaj armature frymore? Gjatë vitit kalendarik që po vjen, do të ishte mirë që secili nga ne të shqyrtonte veten për t’u siguruar nëse ka veshur siç duhet çdo pjesë të kësaj armature. Armiku ynë, Satana Djalli, i njeh dobësitë tona dhe përpiqet të na zërë në befasi ose të na sulmojë në pikën tonë të dobët. Edhe pse kemi «një përleshje» me forcat e liga frymore, prapëseprapë, me fuqinë e Jehovait mund të dalim fitimtarë.​—Efesianëve 6:11-18; Proverbat 27:11.

19. Çfarë privilegji do të kemi nëse qëndrojmë besnikë?

19 Jezui u tha ithtarëve të tij: «Me qëndrueshmërinë tuaj do të fitoni shpirtrat tuaj.» (Luka 21:19) Qofshim mes atyre që do të qëndrojnë besnikë para çdo vështirësie! Falë dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë, do të kemi privilegjin ‘të qëndrojmë të patundur dhe të shohim shpëtimin që do të na sjellë Jehovai’.

Si do të përgjigjeshit?

• Ç’ngjarje drithëruese presim?

• Si e shfaqi Jehovai fuqinë e tij shpëtuese në vitin 1513 p.e.s.?

• Çfarë jeni të vendosur të bëni në të ardhmen?

[Pyetjet]

[Diçitura në faqen 20]

Shkrimi i vitit 2008 do të jetë: «Qëndroni të patundur dhe shihni shpëtimin që do t’ju sjellë . . . Jehovai.»​—Dalja 14:13.

[Figura në faqen 17]

«Gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë»

[Figura në faqen 18]

Kryeneçësia e faraonit solli katastrofë mbi Egjiptin

[Figura në faqen 19]

Izraelitët mbijetuan kur bënë gjithçka që u urdhëroi Jehovai