Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të bëhemi «zemërdhembshur»

Të bëhemi «zemërdhembshur»

Të bëhemi «zemërdhembshur»

KURRË më parë s’ka pasur kaq shumë njerëz të etur për dhembshuri e ndihmë teksa përballen me zinë e bukës, sëmundjet, varfërinë, krimin, konfliktet civile dhe katastrofat natyrore. Dhembshuria nënkupton ndjeshmëri ndaj vuajtjes ose problemeve të tjetrit bashkë me dëshirën për t’ia lehtësuar atë. Ashtu si rrezet e diellit të ngrohin, dhembshuria mund të qetësojë një shpirt të dëshpëruar, të lehtësojë dhembjen dhe t’i japë zemër dikujt që vuan.

Dhembshurinë mund ta tregojmë me fjalë e veprime, duke u interesuar për të tjerët dhe duke u ndenjur pranë kur kanë nevojë për ne. Është mirë të mos tregojmë dhembshuri vetëm për familjarët, miqtë dhe të njohurit. Mund të zgjerojmë zemrën e të përfshijmë edhe njerëz që nuk i njohim. Në Predikimin në Mal, Jezu Krishti pyeti: «Nëse doni ata që ju duan, çfarë shpërblimi keni?» Gjithashtu, ky njeri i dhembshur tha: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.»​—Mateu 5:46, 47; 7:12.

Këto fjalë, të njohura si Rregulla e Artë, mund t’i lexoni në Shkrimet e Shenjta. Shumë veta janë dakord se Bibla është udhërrëfyesja më e mirë se si të tregojmë dhembshuri. Shkrimet vazhdimisht na tregojnë se kemi detyrimin të ndihmojmë ata që, për çfarëdo arsye, nuk ia dalin dot vetë. Bibla tregon se Autori i saj dhe Krijuesi ynë, Perëndia Jehova, është shembulli më i madh i dhembshurisë.

Ndër të tjera, aty lexojmë: «[Perëndia] mbron të drejtën e jetimëve dhe të vejushave. Ai kujdeset për të huajt dhe u jep bukë e rroba.» (Ligji i përtërirë 10:18, Contemporary English Version) Perëndia Jehova «u jep të drejtën të shtypurve, dhe bukë të uriturve». (Psalmi 146:7) Për banorët e ardhur, të cilët hasnin vështirësi, Jehovai i urdhëroi izraelitët: «Ai që banon si i ardhur . . . duhet të jetë njësoj si vendësit. Duajeni si veten.»—Levitiku 19:34.

Megjithatë, nuk na vjen gjithnjë natyrshëm të shfaqim dhembshuri. Apostulli Pavël u shkroi të krishterëve në Kolose: «Zhvishni personalitetin e vjetër me praktikat e tij dhe vishni personalitetin e ri, i cili nëpërmjet njohurisë së saktë rinohet sipas shëmbëlltyrës së Atij që e krijoi. . . . Si të zgjedhur të Perëndisë, të shenjtë e të dashur, vishuni me dhembshuri të butë.»​—Kolosianëve 3:9, 10, 12.

Pra kërkohen përpjekje për të kultivuar dhembshurinë. Ajo është pjesë e ‘personalitetit të ri’ që pritet të veshim si të krishterë. Pavli jetoi në botën mizore të Romës së lashtë. Ai i nxiti bashkëbesimtarët të bënin ndryshime rrënjësore në personalitetin e tyre që të bëheshin më të ndjeshëm ndaj të tjerëve, më të dhembshur.

Fuqia e dhembshurisë

Disa i shohin ata që tregojnë dhembshuri si njerëz të dobët e të brishtë. A është i drejtë ky mendim?

Absolutisht jo! Forca që e motivon dhembshurinë e vërtetë është dashuria e thellë, që buron nga Perëndia, personifikimi i kësaj cilësie. «Perëndia është dashuri.» (1 Gjonit 4:16) Me të drejtë Perëndia quhet «Ati i mëshirave të buta dhe Perëndia i çdo ngushëllimi». (2 Korintasve 1:3) Shprehja e përkthyer ‘mëshira të buta’ në thelb do të thotë «keqardhje, dhembshuri për hallet e të tjerëve». Jehovai «është mirëdashës edhe me mosmirënjohësit dhe me të ligjtë».​—Luka 6:35.

Krijuesi ynë kërkon që edhe ne të tregojmë cilësi të mira, siç është dhembshuria. Te Mikea 6:8 lexojmë: «Ai të ka thënë, o njeri, se çfarë është e mirë. Çfarë kërkon në këmbim Jehovai nga ti, veçse të tregosh drejtësi, të duash mirëdashjen?» Kurse te Proverbat 19:22 thuhet: «Gjë e dëshirueshme është te njeriu dashamirësia e tij.» Edhe Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, që e pasqyroi në mënyrë të përsosur personalitetin e Atit, i nxiti dishepujt e vet: «Vazhdoni të jeni të mëshirshëm, ashtu si Ati juaj është i mëshirshëm.» (Luka 6:36) Në përkthimin The Jerusalem Bible, ky varg është: «Jini të dhembshur, ashtu si Ati juaj është i dhembshur.»

Ka arsye të forta për të qenë të dhembshur, pasi dhembshuria sjell shpërblime të pasura. Shpesh shohim sa të vërteta janë fjalët e Proverbave 11:17: «Njeriu që sillet me dashamirësi, shpërblen shpirtin e vet.» Kur i tregojmë dhembshuri dikujt në nevojë, Perëndia e sheh si një të mirë që ia kemi bërë Atij. Ai merr përsipër t’i shpërblejë me mirësi adhuruesit e tij kur ata tregojnë dhembshuri. Mbreti Solomon tha i frymëzuar nga Perëndia: «Kush i jep hir të varfrit, i jep hua Jehovait, dhe Ai do t’ia shpërblejë.» (Proverbat 19:17) Edhe Pavli shkroi: «E dini që secilit, çfarëdo të mire që të bëjë, do t’i shpërblehet nga Jehovai.»​—Efesianëve 6:8.

Dhembshuria ka fuqinë të ruajë harmoninë dhe të ndihmojë në zgjidhjen e konflikteve ose mosmarrëveshjeve. Ajo ndihmon të sqarohen keqkuptimet dhe hap rrugën për falje. Keqkuptimet ndodhin ngaqë jo gjithmonë i shprehim mendimet dhe ndjenjat tona siç do të donim ose ngaqë veprimet tona mund të keqinterpretohen. Pikërisht këtu vjen në ndihmë dhembshuria, për të zgjidhur problemin e për të ruajtur paqen. Është e lehtë të falësh dikë që njihet si njeri i dhembshur. Dhembshuria na ndihmon të ndjekim këshillën që u dha Pavli të krishterëve: «Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri.»​—Kolosianëve 3:13.

Dhembshuria—Keqardhje me vepra

Për më tepër, dhembshuria ka fuqinë të lehtësojë vuajtjen. Siç e kemi parë, ajo pasqyron keqardhje për ata që janë në hall dhe bën të vuajmë me ata që vuajnë. Dhembshuria nënkupton të interesohesh me dashuri për njerëzit që vuajnë dhe të veprosh praktikisht për t’i ndihmuar.

Kur tregohen të dhembshur, të krishterët imitojnë Jezuin. Ai nuk ishte kurrë aq i zënë, sa të mos i ndihmonte të tjerët nga ana materiale dhe që t’i afroheshin Perëndisë. Kur e kuptonte që të tjerët ishin në nevojë, me dhembshuri gjente mënyra për t’i ndihmuar.

Ja se si reagoi Jezui kur pa një turmë me njerëz që kishin nevojë të mësonin për Perëndinë: «Kur pa turmën, ai ndjeu keqardhje për ta, sepse ishin të keqtrajtuar e të hallakatur si dele pa bari.» (Mateu 9:36) Sipas një studiuesi biblik, fjala e përkthyer «ndjeu keqardhje» do të thotë «ndjenjë që e trazon njeriun deri në skutat më të thella të qenies së tij». Në fakt, ajo është ndër fjalët më të fuqishme greke për ndjenjën e dhembshurisë.

Edhe të krishterët e dhembshur u vijnë shpejt në ndihmë atyre që janë në vështirësi nga ana materiale ose kanë nevojë të njohin Perëndinë. Apostulli Pjetër shkroi: «Jini të gjithë të një mendjeje, tregoni ndjenja të përbashkëta, kini përzemërsi vëllazërore, jini zemërdhembshur.» (1 Pjetrit 3:8) Për shembull, kur një familje e krishterë ishte në hall dhe iu desh të transferohej në një zonë tjetër për arsye shëndetësore, bashkëbesimtarët u lanë në dispozicion për gjashtë muaj një shtëpi pa paguar qira. Burri tregon: «Çdo ditë vinin për të parë si po ia çonim dhe fjalët e tyre inkurajuese na bënë të ndiheshim si në shtëpinë tonë.»

Të krishterët e vërtetë interesohen edhe për nevojat e të panjohurve. Ata harxhojnë me gëzim kohën, energjitë dhe të mirat materiale për t’u shërbyer njerëzve që nuk i njohin. Vullnetarët e përmendur në artikullin e kaluar, të cilët ndihmuan njerëz të panjohur, ishin Dëshmitarë të Jehovait.

Kështu në kongregacionin e krishterë mbizotëron një atmosferë dhembshurie dhe dashamirësie. Të motivuar nga dashuria, pjesëtarët e kongregacionit bëjnë çmos të gjejnë mënyra për t’u shërbyer të tjerëve. Jetimët dhe vejushat në kongregacion mund të kenë nevojë që të interesohemi për ta dhe të jemi të ndjeshëm ndaj tyre, ngaqë kalojnë probleme nga më të ndryshmet. A mund t’i ndihmojmë të përballojnë varfërinë, problemet me kujdesin shëndetësor, me strehimin ose vështirësi të tjera?

Ja se ç’i ndodhi një çifti në Greqi. Burrit i ra hemorragji cerebrale. Atë dhe të shoqen e çuan në një spital që ishte qindra kilometra larg. Por të ardhurat e tyre të pakta vareshin nga prodhimi që jepte kopshti i tyre me portokalle. Kush do t’i vilte portokallet ndërkohë që ata ishin në spital? Kongregacioni iu përvesh punës. Ata i volën dhe i shitën portokallet duke i siguruar çiftit nevojtar edhe të ardhura, edhe paqe mendore.

Dhembshuria mund të tregohet në shumë mënyra. Për shembull, të krishterët e dhembshur e kuptojnë se ndonjëherë gjëja kryesore që u duhet disave që vuajnë, janë vizitat e përzemërta nga njerëz që i dëgjojnë me dhembshuri, i kuptojnë dhe u japin ngushëllim nga Shkrimet.​—Romakëve 12:15.

Ejani të gëzoni një atmosferë plot dhembshuri!

Kongregacioni i krishterë mbarëbotëror është një liman paqeje e ngushëllimi ku tregohet dhembshuri e mirëdashje. Të krishterët e vërtetë e kuptojnë se dhembshuria i tërheq njerëzit, kurse vrazhdësia i largon. Prandaj, teksa përpiqen të imitojnë Atin e tyre qiellor, ata bëjnë çmos të tregohen «zemërdhembshur» me anë të veprave.

Dëshmitarët e Jehovait ju ftojnë me ngrohtësi ta provoni këtë atmosferë plot dhembshuri, dashuri e interesim që mbizotëron mes tyre. Ata janë të sigurt se ky ambient do t’ju duket mikpritës e do t’ju bëjë për vete.​—Romakëve 15:7.

[Figura në faqen 5]

Pavli i nxiti të krishterët në Kolose të visheshin me dhembshuri të butë

[Figurat në faqen 7]

Kur Jezui e kuptonte se të tjerët ishin në nevojë, me dhembshuri gjente mënyra për t’i ndihmuar