Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ata e pasuruan jetën: A mund të bëni edhe ju njësoj?

Ata e pasuruan jetën: A mund të bëni edhe ju njësoj?

Ata e pasuruan jetën: A mund të bëni edhe ju njësoj?

MARKU, një vëlla në Kanada, punonte në një firmë që ndërton sisteme robotike të sofistikuara që përdoren nga agjencitë hapësinore. Ai punonte me orar të shkurtuar dhe shërbente si pionier i rregullt. Një ditë, një nga shefat i ofroi ngritje në përgjegjësi: një punë tetorëshe me rrogë goxha të mirë. Çfarë bëri Marku?

Emi, një motër në Filipine, shërbente si pioniere e rregullt ndërkohë që ishte nga fundi i shkollës. Pas kësaj, i ofruan një punë që do t’i merrte shumë kohë, por që paguhej mjaft mirë. Çfarë vendosi Emi?

Marku dhe Emi morën vendime të ndryshme dhe rrjedhojat e zgjedhjeve të tyre tregojnë sa e mençur është këshilla drejtuar të krishterëve në Korintin e lashtë. Apostulli Pavël shkroi: «Ata që përdorin këtë botë, [të jenë] si ata që nuk e përdorin plotësisht.»​—1 Kor. 7:29-31.

Përdoreni botën, por jo plotësisht

Para se të shohim çfarë ndodhi me Markun dhe Emin, le të shqyrtojmë shkurtimisht kuptimin e fjalës «botë» (greqisht koʹsmos) që përdori Pavli në letrën e tij drejtuar korintasve. Në këtë fragment të Biblës, koʹsmos i referohet botës ku jetojmë, pra shoqërisë njerëzore në tërësi, dhe përfshin gjërat e jetës së përditshme, si strehimin, ushqimin dhe veshjen. * Për të siguruar nevojat e përditshme, shumica prej nesh duhet të kenë një punë. Pra, nuk kemi rrugë tjetër veçse ta përdorim botën për të përmbushur detyrimin biblik që të sigurojmë gjërat e nevojshme për veten dhe familjen. (1 Tim. 5:8) Por, në të njëjtën kohë, e kuptojmë se «bota po kalon». (1 Gjon. 2:17) Prandaj, e përdorim botën aq sa është e nevojshme, por jo «plotësisht».​—1 Kor. 7:31.

Të nxitur nga këshilla biblike për ta përdorur botën sa më pak të jetë e mundur, shumë vëllezër dhe motra i kanë peshuar rrethanat e tyre, e kanë pakësuar kohën e punës dhe e kanë thjeshtuar jetën. Pak pas kësaj kanë parë se, në të vërtetë, jeta e tyre është pasuruar, ngaqë kanë më shumë kohë për familjen dhe për shërbimin e Jehovait. Gjithashtu, jeta e thjeshtë i ka bërë të mos varen më aq shumë te bota, por te Jehovai. A mund të bëni edhe ju njësoj, pra ta thjeshtoni jetën që të mbështetni interesat e Mbretërisë së Perëndisë?​—Mat. 6:19-24, 33.

«Ndihemi afër Jehovait më shumë se kurrë»

Marku ia vuri veshin këshillës biblike për të mos e përdorur botën plotësisht. Ai e refuzoi ofertën fitimprurëse. Pas pak ditësh, shefi i ofroi Markut një rrogë edhe më të majme për ta bindur që ta pranonte punën e re. Marku thotë: «Ishte një sprovë, por refuzova prapë.» Ai shpjegon përse: «Unë dhe ime shoqe, Paula, dëshironim që shërbimi i Jehovait të ishte boshti i jetës sonë dhe t’i shërbenim atij sa më plotësisht. Prandaj, vendosëm ta thjeshtonim jetën. Iu lutëm Jehovait të na jepte mençuri për të arritur synimin dhe caktuam një datë kur do të ofroheshim për t’i shërbyer Jehovait më shumë.»

Paula thotë: «Punoja tri ditë në javë si sekretare në spital dhe paguhesha mirë. Isha edhe pioniere e rregullt. Por, ashtu si Marku, doja t’i shërbeja Jehovait ku kishte më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Mirëpo, kur i dorëzova përgjegjëses kërkesën për t’u larguar, ajo më tha se kualifikohesha për vendin që sapo ishte liruar si kryesekretare. Ishte puna me pagë më të lartë si sekretare në spital, por nuk hoqa dorë nga vendimi për t’u larguar. Kur i thashë përgjegjëses arsyen përse nuk po bëja kërkesë për punën e re, ajo më lavdëroi për besimin tim.»

S’kaloi shumë dhe Marku e Paula morën caktimin si pionierë specialë në një kongregacion të vogël në një zonë të thellë të Kanadasë. Si vajtën gjërat pas transferimit? Marku thotë: «Pasi lashë atë punë që më jepte siguri ekonomike dhe që e kisha bërë thuajse për gjysmën e jetës, isha në merak, por Jehovai e bekoi shërbimin tonë. Ndiejmë një gëzim të papërshkrueshëm që vjen kur ndihmojmë të tjerët t’i shërbejnë Perëndisë. Shërbimi i plotkohor na e ka pasuruar edhe martesën. Bisedat tona përqendrohen në gjëra vërtet të rëndësishme, në gjërat frymore. Ndihemi afër Jehovait më shumë se kurrë.» (Vep. 20:35) Paula shton: «Kur lë punën dhe rehatinë e shtëpisë sate, të duhet të mbështetesh krejtësisht te Jehovai. Kështu bëmë edhe ne, dhe Jehovai na bekoi. Vëllezërit dhe motrat e dashura në kongregacionin e ri e tregojnë se na duan dhe se kanë nevojë për ne. Energjitë që dikur i harxhoja në punë, tani i përdor për të ndihmuar njerëzit të njohin Perëndinë. Më gufon zemra nga gëzimi që shërbej në këtë caktim.»

‘E pasur, por jo e lumtur’

Emi, që përmendëm në fillim, mori një vendim tjetër. Ajo e pranoi punën fitimprurëse me orar të plotë. Emi thotë: «Vitin e parë dilja në shërbim. Megjithatë pashë se pak nga pak gjëja më rëndësishme e jetës sime nuk ishin interesat e Mbretërisë, por karriera. Mora oferta të tjera joshëse që të bëja përpara dhe nisa t’i harxhoja energjitë për të ngjitur shkallët e karrierës. Me rritjen e përgjegjësive në punë, kaloja gjithnjë e më pak kohë në shërbim, e si përfundim, e lashë fare predikimin.»

Duke sjellë ndër mend atë kohë, Emi thotë: «Isha e pasur, udhëtoja shumë dhe kisha prestigjin që më sillte puna. Prapëseprapë nuk isha e lumtur. Edhe pse kisha para, kisha shumë probleme. Vrisja mendjen se çfarë nuk shkonte. Më në fund e kuptova se duke rendur pas karrierës në këtë botë, thuajse ‘kisha dalë nga rruga e besimit’. Si pasojë, tamam siç thotë Fjala e Perëndisë, po hiqja «shumë dhembje».​—1 Tim. 6:10.

Çfarë bëri Emi? Ajo thotë: «U kërkova pleqve të më ndihmonin që të shërohesha frymësisht dhe fillova të ndiqja mbledhjet. Në mes të një kënge, nisa të qaja. M’u kujtua sa e lumtur isha ato pesë vjet që mora pjesë në veprën e korrjes si pioniere, ndonëse atëherë kisha pak nga ana materiale. E kisha të qartë se s’duhej të harxhoja më kohën duke rendur pas parasë dhe se duhej të vija në radhë të parë interesat e Mbretërisë. Pranova një punë me pozitë më të ulët, që do të thoshte të më përgjysmohej rroga, dhe nisa të merrja pjesë sërish në predikim.» Emi thotë e lumtur: «Pata kënaqësinë të shërbeja si pioniere për disa vjet. Gëzimin që më sjell shërbimi, kurrë nuk e kam provuar kur harxhoja shumicën e kohës duke punuar për botën.»

A mund t’i ndryshoni rrethanat tuaja dhe ta thjeshtoni jetën? Po ta përdorni kohën që do të fitoni për të mbështetur interesat e Mbretërisë, edhe jeta juaj do të pasurohet.​—Prov. 10:22.

[Shënimi]

^ par. 6 Shih Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëllimi 2, faqet 1207, 1208 (anglisht).

[Diçitura në faqen 19]

A mund t’i ndryshoni rrethanat tuaja dhe ta thjeshtoni jetën?

[Kutia dhe figura në faqen 19]

«Që tani po më fal gëzim!»

Dejvid, një plak kongregacioni në Shtetet e Bashkuara, dëshironte të fillonte shërbimin e plotkohor si e shoqja dhe fëmijët. Arriti ta shkurtonte orarin e punës te firma ku punonte dhe filloi shërbimin si pionier i rregullt. A ia pasuroi jetën ky ndryshim? Disa muaj më vonë, Dejvidi i shkroi një mikut të vet: «Asgjë s’të bën më të lumtur sesa t’i shërbesh Jehovait plotësisht me familjen tënde. Mendoja se do të më duhej njëfarë kohe të mësohesha me shërbimin e pionierit, por që tani po më fal gëzim! Është kaq përtëritës!»

[Figura në faqen 18]

Marku dhe Paula në shërbim