Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Ata që janë të prirur’ po pranojnë të vërtetën

‘Ata që janë të prirur’ po pranojnë të vërtetën

‘Ata që janë të prirur’ po pranojnë të vërtetën

«Të gjithë ata që ishin të prirur për jetën e përhershme, u bënë besimtarë.»​—VEP. 13:48.

1, 2. Si vepruan të krishterët e hershëm sipas profecisë së Jezuit se lajmi i mirë do të predikohej në të gjithë tokën e banuar?

LIBRI biblik i Veprave përshkruan në mënyrë emocionuese se si të krishterët e hershëm vepruan sipas profecisë së Jezuit për predikimin e lajmit të mirë për Mbretërinë në mbarë tokën e banuar. (Mat. 24:14) Predikues të zellshëm ua çelën shtigjet të gjithë atyre që do t’i ndiqnin më pas. Si rezultat i dëshmisë së zjarrtë të dishepujve të Jezuit në Jerusalem, mijëra njerëz, përfshirë «edhe shumë priftërinj», u bashkuan me kongregacionin e shekullit të parë.​—Vep. 2:41; 4:4; 6:7.

2 Misionarët e hershëm ndihmuan mjaft të tjerë të përqafonin krishterimin. Për shembull, Filipi shkoi në Samari dhe atje turma njerëzish u kushtuan vëmendje fjalëve të tij. (Vep. 8:5-8) Pavli udhëtoi gjerë e gjatë me shokë të ndryshëm, duke predikuar mesazhin e krishterë në Qipro, në disa zona të Azisë së Vogël, në Maqedoni, në Greqi dhe në Itali. Në qytetet ku predikuan ata, shumë e shumë judenj dhe grekë u bënë të krishterë. (Vep. 14:1; 16:5; 17:4) Titi shërbeu në Kretë. (Titit 1:5) Pjetri kishte shumë për të bërë në Babiloni. Në kohën kur shkroi letrën e tij të parë, rreth viteve 62-64 të e.s., vepra e të krishterëve ishte mjaft e njohur në Pont, Galati, Kapadoki, Azi dhe Bitini. (1 Pjet. 1:1; 5:13) Ç’kohë emocionuese që ishin ato! Kaq të zellshëm ishin ata predikues të krishterë në shekullin e parë, saqë armiqve të tyre iu desh ta pranonin se ata e kishin «kthyer përmbys tokën e banuar».​—Vep. 17:6; 28:22.

3. Ç’rezultate po arrijnë sot lajmëtarët e Mbretërisë në veprën e predikimit dhe si ndiheni për këtë?

3 Edhe në kohën tonë, kongregacioni i krishterë është bekuar me një rritje të jashtëzakonshme. A nuk inkurajohesh kur lexon raportin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait dhe sheh rezultatet që po arrihen në mbarë botën? A nuk të ngrohet zemra kur merr vesh se gjatë vitit të shërbimit 2007 lajmëtarët e Mbretërisë drejtuan më tepër se gjashtë milionë studime biblike? Për më tepër, vitin e kaluar, numri i të pranishmëve në Përkujtimin e vdekjes së Jezu Krishtit tregon se gati dhjetë milionë njerëz, që nuk janë Dëshmitarë të Jehovait, kishin interes për lajmin e mirë dhe e ndoqën këtë ngjarje të rëndësishme. Kjo tregon se ka ende shumë punë.

4. Cilët po i përgjigjen mesazhit të Mbretërisë?

4 Sot, ashtu si në shekullin e parë, «të gjithë ata që [janë] të prirur për jetën e përhershme» po e pranojnë mesazhin e së vërtetës. (Vep. 13:48) Jehovai po i tërheq këta njerëz në organizatën e tij. (Lexo Hageun 2:7.) Ç’qëndrim duhet të mbajmë ndaj shërbimit të krishterë, që të bashkëpunojmë plotësisht në këtë vepër?

Të predikojmë në mënyrë të paanshme

5. Cilët njerëz kanë miratimin e Jehovait?

5 Të krishterët e shekullit të parë e kuptuan se «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai». (Vep. 10:34, 35) Që dikush të ketë një marrëdhënie të mirë me Jehovain duhet të tregojë besim te flijimi shpërblyes i Jezuit. (Gjoni 3:16, 36) Dhe, vullneti i Jehovait është që «njerëz të çdo lloji të shpëtojnë dhe të fitojnë njohurinë e saktë të së vërtetës».​—1 Tim. 2:3, 4.

6. Çfarë nuk duhet të bëjnë lajmëtarët e Mbretërisë dhe pse?

6 S’do të ishte e drejtë që lajmëtarët e Mbretërisë t’i paragjykojnë njerëzit në bazë të racës, shtresës shoqërore, pamjes së jashtme, prejardhjes fetare ose të ndonjë karakteristike tjetër. Pa mendo pak: A nuk je mirënjohës që ai që të foli për herë të parë për të vërtetën nuk kishte paragjykime ndaj teje? Pse pra, të ngurrosh t’ia japësh mesazhin jetëshpëtues kujtdo që mund ta pranojë?​—Lexo Mateun 7:12.

7. Pse nuk duhet t’i gjykojmë njerëzit të cilëve u predikojmë?

7 Jehovai ka emëruar Jezuin si Gjykatës, prandaj ne nuk kemi të drejtë të gjykojmë askënd. Kjo është më se e drejtë, pasi ne mund të gjykojmë vetëm «nga ajo që [na] shohin sytë» ose «sipas fjalëve që [na] kanë rënë në vesh», ndërsa Jezui mund të lexojë mendimet dhe arsyetimet më të thella të zemrës.​—Isa. 11:1-5; 2 Tim. 4:1.

8, 9. (a) Ç’lloj njeriu ishte Pavli para se të bëhej i krishterë? (b) Çfarë mësojmë nga përvoja e Pavlit?

8 Individë me prejardhje të ndryshme janë bërë shërbëtorë të Jehovait. Një shembull i jashtëzakonshëm është Sauli nga Tarsi që u bë i njohur si apostulli Pavël. Sauli, një farise, ishte kundërshtar i egër i të krishterëve. Meqë ishte plotësisht i bindur se të krishterët nuk ishin adhurues të Jehovait, ai e përndoqi kongregacionin. (Gal. 1:13) Nga pikëpamja njerëzore, dukej se ai do të ishte njeriu i fundit që mund të bëhej i krishterë. Megjithatë, Jezui pa diçka të mirë në zemrën e Pavlit dhe e zgjodhi që të përmbushte një detyrë të veçantë. Si rrjedhim, Sauli u bë një nga pjesëtarët më aktivë e më të zellshëm të kongregacionit të krishterë në shekullin e parë.

9 Çfarë mësojmë nga përvoja e apostullit Pavël? Ndoshta në zonën tonë disa njerëz duken armiqësorë ndaj mesazhit që u japim. Edhe pse mund të na duket e vështirë që ndonjë prej tyre të bëhet i krishterë i vërtetë, nuk duhet të ngurrojmë të arsyetojmë me ta. Disa herë edhe individë që mund të na dukej e pamundur të pranonin mesazhin, tregojnë interes për të. Ne kemi përgjegjësinë që të vazhdojmë t’u predikojmë të gjithëve «pareshtur».​—Lexo Veprat 5:42.

Bekime për ata që predikojnë «pareshtur»

10. Pse nuk duhet të ngurrojmë t’u predikojmë njerëzve që mund të duken të frikshëm? Tregoni përvoja nga zona juaj.

10 Pamja e jashtme mund të na gënjejë. Për shembull, Injasjo * filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait kur ishte në burg në një vend të Amerikës Jugore. Atë e kishin frikë sepse ishte i dhunshëm. Të burgosurit që bënin sende të ndryshme dhe ua shitnin të burgosurve të tjerë, e përdornin Injasjon që të mblidhte borxhet nga ata që vononin t’i shlyenin. Megjithatë, ndërsa Injasjo bënte përparim frymor dhe zbatonte atë që mësonte, ai njeri dikur i dhunshëm dhe prepotent, u bë dashamirës. Askush nuk e përdor më Injasjon që të mbledhë borxhet dhe ai është i kënaqur që të vërtetat biblike dhe fryma e Perëndisë ia ndryshuan personalitetin. Gjithashtu, i është mirënjohës lajmëtarit që u tregua i paanshëm dhe bëri përpjekje të studionte me të.

11. Pse vazhdojmë të kthehemi te njerëzit?

11 Një nga arsyet pse vazhdojmë të kthehemi te njerëzit me të cilët kemi folur më parë për lajmin e mirë është sepse rrethanat dhe qëndrimet e tyre mund të ndryshojnë, dhe në të vërtetë ndryshojnë. Që nga vizita jonë e fundit, disa mund të jenë sëmurur rëndë, mund të kenë humbur punën ose mund t’u ketë vdekur ndonjë i afërm. (Lexo Eklisiastiun 9:11.) Ngjarjet botërore mund t’i nxitin njerëzit të mendojnë seriozisht për të ardhmen. Si rrjedhim, dikush që më parë ishte indiferent—ose madje kundërshtar—mund të reagojë mirë. Prandaj, nuk duhet të ngurrojmë, por duhet t’u japim lajmin e mirë të tjerëve në çdo rast të përshtatshëm.

12. Si duhet t’i shohim njerëzit të cilëve u predikojmë dhe pse?

12 Duket se njerëzit kanë prirjen t’i klasifikojnë e t’i gjykojnë të tjerët. Mirëpo, Jehovai i sheh njerëzit individualisht. Ai sheh cilësitë e mira të secilit. (Lexo 1 Samuelit 16:7.) Edhe ne duhet të përpiqemi të bëjmë të njëjtën gjë në shërbim. Shumë përvoja tregojnë se ç’rezultate të mira vijnë kur kemi një pikëpamje pozitive për të gjithë njerëzit të cilëve u predikojmë.

13, 14. (a) Pse një pioniere e ndërpreu studimin me një grua që takoi në shërbim? (b) Ç’mësojmë nga kjo përvojë?

13 Sandra, një pioniere, po merrte pjesë në shërbimin shtëpi më shtëpi në një ishull në Karaibe. Ajo takoi Ruthën, e cila ishte shumë e përfshirë në festimin e karnavaleve. Ruthën e kishin kurorëzuar dy herë mbretëreshë kombëtare të karnavaleve. Ajo tregoi shumë interes për atë që po i thoshte Sandra, kështu vendosën të nisnin një studim biblik. Sandra kujton: «Kur hyra në dhomën e ndenjes, gjëja e parë që më ra në sy ishte një fotografi e madhe e Ruthës, e veshur me madhështi me një kostum karnavalesh, si edhe trofetë që kishte fituar. Gabimisht pandeha se një njeri kaq i njohur dhe kaq i përfshirë në festimin e karnavaleve, nuk do të kishte interes për të vërtetën. Prandaj nuk shkova më tek ajo.»

14 Ca kohë më pas, Rutha erdhi në Sallën e Mbretërisë. Pas mbledhjes, e pyeti Sandrën: «Pse nuk erdhe më që të bënim studimin?» Sandra i kërkoi falje dhe vendosën të vazhdonin studimin. Rutha bëri përparim të shpejtë. Ajo hoqi fotografitë e karnavaleve, nisi të ndiqte të gjitha mbledhjet e kongregacionit e të merrte pjesë në veprën e predikimit, dhe ia kushtoi jetën Jehovait. Sigurisht, Sandra e kuptoi se mënyra si kishte vepruar më parë ishte e gabuar.

15, 16. (a) Ç’rezultat pati një lajmëtare që i dëshmoi një të afërmi? (b) Pse mënyra e jetesës së një të afërmi nuk duhet të na stepë që të mos i japim dëshmi?

15 Gjithashtu shumë kanë pasur rezultate të mira kur u kanë dëshmuar familjarëve jobesimtarë, madje edhe nëse dukej e pamundur se do ta pranonin të vërtetën. Të shqyrtojmë për shembull, rastin e Xhoisit, një e krishterë nga Shtetet e Bashkuara. Kunati i saj kishte qenë vazhdimisht në burg që kur ishte adoleshent. Xhoisi tregon: «Njerëzit thoshin se ai bënte jetë koti, sepse merrej me drogë, ishte hajdut dhe bënte një mori gjërash të tjera të këqija. Megjithatë, edhe pse dukej e pashpresë, vazhdova t’i flisja për të vërtetën për 37 vjet.» Përpjekjet e saj të vazhdueshme për ta ndihmuar kunatin u shpërblyen pa masë kur, më në fund, ai filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe bëri ndryshime rrënjësore në jetë. Kohët e fundit, në moshën 50-vjeçare, kunati i Xhoisit u pagëzua në një kongres krahinor në Kaliforni, SHBA. Xhoisi thotë: «Qava nga gëzimi. Ndihem kaq e lumtur që nuk hoqa dorë!»

16 Ndoshta ngurron të flasësh me disa të afërm për të vërtetat biblike, për shkak të mënyrës së tyre të jetesës. Megjithatë, Xhoisi nuk ngurroi t’i fliste kunatit. Në fund të fundit, kush mund ta dijë se ç’ka një njeri në zemër? Dikush mund të jetë duke kërkuar me sinqeritet të vërtetën fetare. Prandaj, mos ngurro t’i japësh mundësinë që ta gjejë.​—Lexo Proverbat 3:27.

Një mjet i efektshëm për studimin e Biblës

17, 18. (a) Ç’tregojnë raportet nga e gjithë bota për vlerën e librit Çfarë mëson vërtet Bibla? (b) Çfarë përvojash inkurajuese keni pasur duke përdorur këtë libër?

17 Raportet nga e gjithë bota tregojnë se shumë individë të sinqertë po pranojnë me kënaqësi të studiojnë Biblën me librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Peni, një pioniere në Shtetet e Bashkuara, filloi disa studime duke përdorur këtë botim. Dy prej tyre ishin me të moshuar. Ata ishin pjesëtarë të devotshëm të kishave të tyre. Peni nuk ishte e sigurt si do të reagonin ndaj të vërtetave biblike që paraqet libri Çfarë mëson vërtet Bibla? Por ajo shkruan: «Ngaqë informacionet në libër janë paraqitur në mënyrë të qartë, të logjikshme e të përmbledhur, ata i pranuan lehtë gjërat që mësonin, pa debate dhe pa u trazuar emocionalisht.»

18 Një lajmëtare nga Britania, që quhet Pati, nisi një studim biblik me një refugjate nga një vend aziatik. Kjo grua ishte detyruar të ikte nga vendi i saj pasi burrin e djemtë ia kishin marrë ushtarët rebelë, dhe ajo s’i pa më kurrë. Ajo kishte rrezikuar jetën, ia kishin djegur shtëpinë dhe e kishin përdhunuar disa veta. Për shkak të gjithë këtyre gjërave, mendonte se nuk kishte arsye pse duhej të jetonte dhe, disa herë, kishte menduar vetëvrasjen. Mirëpo, studimi i Biblës i dha shpresë. Pati shkruan: «Shpjegimet dhe ilustrimet e thjeshta në librin Çfarë mëson vërtet Bibla? kishin një ndikim të fuqishëm tek ajo.» Kjo studente bëri përparim të shpejtë. U kualifikua si lajmëtare e papagëzuar dhe shprehu dëshirën të pagëzohej në asamblenë vijuese. Ç’gëzim është të ndihmosh njerëzit e sinqertë ta kuptojnë dhe ta çmojnë shpresën që japin Shkrimet!

«Të mos dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer»

19. Pse është kaq urgjente vepra e predikimit?

19 Çdo ditë që kalon, bëhet gjithnjë e më urgjente të përmbushim përgjegjësinë për të predikuar e për të bërë dishepuj. Vit për vit mijëra njerëz të prirur për jetën e përhershme po pranojnë lajmin e mirë. Megjithatë, «dita e madhe e Jehovait është afër», dhe kjo do të thotë se ata që mbeten në errësirë frymore po shkojnë «drejt masakrës».​—Sof. 1:14; Prov. 24:11.

20. Për çfarë duhet të jetë i vendosur secili prej nesh?

20 Ende mund t’i ndihmojmë këta njerëz. Por, që ta arrijmë këtë, duhet të imitojmë të krishterët e shekullit të parë që «mësonin dhe shpallnin pareshtur lajmin e mirë për Krishtin, Jezuin». (Vep. 5:42) Ndiq shembullin e tyre duke ngulmuar, edhe nëse ke vështirësi, duke i kushtuar vëmendje ‘artit të mësimdhënies’ dhe duke predikuar me paanshmëri! «Të mos dorëzohemi duke bërë atë që është e shkëlqyer», sepse nëse ngulmojmë, do të kemi miratimin e Perëndisë dhe shumë bekime prej tij.​—2 Tim. 4:2; lexo Galatasve 6:9.

[Shënimi]

^ par. 10 Disa emra janë ndryshuar.

Si do të përgjigjeshit?

• Cilët po e pranojnë lajmin e mirë?

• Pse nuk duhet t’i paragjykojmë njerëzit të cilëve u predikojmë?

• Ç’rezultate po arrihen me librin Çfarë mëson vërtet Bibla?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 13]

Mijëra njerëz të sinqertë po pranojnë të vërtetën

[Figurat në faqen 15]

Çfarë mësojmë nga ndryshimet që bëri apostulli Pavël?

[Figura në faqen 16]

Lajmëtarët e Mbretërisë nuk i paragjykojnë njerëzit