Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Botimi i ri për studim i Kullës së Rojës

Botimi i ri për studim i Kullës së Rojës

Botimi i ri për studim i Kullës së Rojës

REVISTA që po lexon është numri i parë i botimit për studim të Kullës së Rojës. Dëshirojmë të shpjegojmë disa nga veçoritë e këtij botimi të ri të revistës.

Botimi për studim është për Dëshmitarët e Jehovait dhe për studentët e Biblës që kanë përparuar. Do të dalë një herë në muaj dhe do të përmbajë katër ose pesë artikuj studimi. Programi për shqyrtimin e këtyre artikujve të studimit gjendet në kopertinën e revistës. Ndryshe nga botimi për publikun i Kullës së Rojës, botimi për studim do të ketë të njëjtin ilustrim në kopertinë, meqë nuk do të shpërndahet në shërbim.

Në faqen 2 të revistës, do të gjesh një përmbledhje shumë të dobishme ku tregohet qëllimi i çdo artikulli studimi ose i çdo serie, si edhe një listë e artikujve dytësorë. Drejtuesit e Studimit të Kullës së Rojës do ta shohin se sa do t’i ndihmojë kjo veçori kur të përgatiten për një trajtim sa më dobiprurës të artikujve në mbledhjet e kongregacionit.

Do të vësh re se artikujt e studimit janë pak më të shkurtër se më parë. Kështu do të ketë më shumë kohë për shqyrtimin e shkrimeve kyçe gjatë Studimit të Kullës së Rojës. Të inkurajojmë përzemërsisht që çdo javë të gjesh në Bibël të gjitha shkrimet e përmendura. Te disa nga këto shkrime shënohet «lexo» dhe duhen lexuar e komentuar gjatë Studimit të Kullës së Rojës. Nëse koha e lejon mund të lexohen edhe shkrime të tjera. Në disa artikuj do të gjesh shkrime me shënimin «krahaso». Meqë këto shkrime nuk mbështetin drejtpërdrejt pikat kryesore të paragrafit, zakonisht ato nuk do të lexohen në mbledhjen e kongregacionit. Gjithsesi, shkrimet me shënimin «krahaso» japin informacione shtesë interesante ose mund të mbështetin tërthorazi pikat që po shqyrtohen. Të inkurajojmë t’i lexosh kur përgatitesh për Studimin e Kullës së Rojës. Kështu mund t’i përmendësh kur të komentosh.

Raporti vjetor nuk do të dalë më në Kullën e Rojës. Që nga 2008-a, do të dalë si shtojcë te Shërbimi ynë i Mbretërisë, si dhe në Librin vjetor. Megjithatë, siç u tha më sipër, botimi për studim ka edhe artikuj dytësorë. Ndonëse shumë prej tyre nuk do të shqyrtohen në mbledhjet e kongregacionit, të inkurajojmë t’i lexosh me kujdes. Edhe ata kanë ushqim frymor nga «skllavi i besueshëm dhe i matur».—Mat. 24:45-47.

Në përfundim, mund të themi se botimi për studim dhe botimi për publikun nuk janë dy revista të ndryshme. Që të dyja botimet quhen Kulla e Rojës lajmëron Mbretërinë e Jehovait. Në faqen 2 kanë të njëjtin paragraf ku shpjegohet qëllimi i Kullës së Rojës. Që të dyja do të përfshihen në vëllimin e lidhur që del çdo vit. Gjithashtu, rubrika «A ju kujtohet?», e cila do të dalë në botimin për studim, do të ketë material nga të dyja botimet.

Që nga viti 1879, Kulla e Rojës ka shpallur me besnikëri të vërtetat rreth Mbretërisë së Perëndisë edhe në kohë lufte, krizash ekonomike dhe përndjekjesh. Lutemi që, me bekimin e Jehovait, të vazhdojë ta bëjë këtë edhe pas këtyre ndryshimeve. Veç kësaj, lutemi që Jehovai të të bekojë ty lexues, teksa përpiqesh të nxjerrësh sa më shumë dobi nga botimi për studim i Kullës së Rojës.