Kur të krishterët shoshiten si gruri
Kur të krishterët shoshiten si gruri
PAK para se të vdiste, Jezui i paralajmëroi dishepujt e tij: «Ja, Satanai ka kërkuar t’ju shoshitë si grurin.» (Luka 22:31) Çfarë donte të thoshte?
Në kohën e Jezuit, korrja e grurit kërkonte mjaft kohë e mund, siç e dinë edhe shumë bujq sot. Në fillim, korrësit mblidhnin kallinjtë e grurit në arë. Pastaj i goditnin në një sipërfaqe të fortë ose përdornin kafshë bujqësore për të tërhequr një trinë shirëse mbi kallinjtë, që t’i copëtonin në pjesë. Ky proces e shkoqte kokrrën nga kërcelli dhe lëvorja. Pas kësaj bujqit e hidhnin në ajër drithin. Kokrrat ose farat e grurit binin në lëmë, kurse era merrte me vete bykun. Në fund, kokrrat e grurit shoshiteshin me kujdes që t’u hiqej çdo papastërti.
Siç tha Jezui, Satanai i sulmonte pareshtur dishepujt e Jezuit në atë kohë, dhe po kështu bën edhe me ne sot. (Efes. 6:11) Është e vërtetë se jo çdo vështirësi që hasim në jetë na e shkakton drejtpërdrejt Satanai. (Ekl. 9:11) Sidoqoftë, ai mezi pret të shfrytëzojë çdo mjet që ka në dispozicion për të na thyer integritetin. Për shembull, mund të na tundojë që të ndjekim një jetë materialiste, të zgjedhim ndonjë zbavitje të dëmshme ose të përfshihemi në sjellje imorale. Gjithashtu mund të përdorë shokët e shkollës a të punës, si dhe të afërmit jobesimtarë që të na bëjë presion të shfrytëzojmë çdo rast që ofron kjo botë për t’u arsimuar e për të bërë karrierë. Veç kësaj, Satanai mund të përdorë përndjekjen që të na thyejë integritetin ndaj Perëndisë. Sigurisht ai përdor edhe shumë mënyra të tjera ‘për të na shoshitur’.
Si mund t’i bëjmë ballë këtij armiku të fuqishëm? Nuk mund t’ia dalim me forcat tona. Satanai është më i fuqishëm se ne; por, ne e dimë se Jehovai është ku e ku më i fuqishëm se Satanai. Nëse kemi besim të plotë te Jehovai, nëse i lutemi me ngulm për mençuri dhe guxim që të qëndrojmë dhe nëse mbështetemi plotësisht te drejtimi që na jep, ai do të na forcojë t’u qëndrojmë sulmeve të Satanait.—Psal. 25:4, 5.
Në kohë sprove, na duhet aftësia «për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën», që të mos mashtrohemi nga intrigat e Satanait. (Hebr. 5:13, 14) Jehovai mund të na ndihmojë ta zhvillojmë këtë aftësi. Pas kësaj, duhet të ndjekim të vendosur rrugën e drejtë, çfarëdo që të ndodhë. Po të ndjekim drejtimin e Jehovait, ai do të na mbështetë vazhdimisht, teksa bëjmë çka është e drejtë me vendosmëri dhe guxim.—Efes. 6:10.
Satanai mund të orvatet të na shoshitë si grurin. Por falë forcës së Jehovait, mund t’i kundërvihemi të fortë në besim. (1 Pjet. 5:9) Po, Fjala e Jehovait na siguron: «Kundërvijuni Djallit, e ai do të ikë nga ju.»—Jak. 4:7.