Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga libri i Mateut

Pika kryesore nga libri i Mateut

Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga libri i Mateut

I PARI që shkroi një histori emocionuese për jetën dhe shërbimin e Jezuit, është Mateu, një mik i afërt i Jezu Krishtit dhe dikur taksambledhës. Ungjilli sipas Mateut, që u shkrua në hebraisht dhe u përkthye në greqisht, përfundoi rreth vitit 41 të e.s. Ai është një urë lidhëse mes Shkrimeve Hebraike dhe Shkrimeve të Krishtere Greke.

Ky ungjill prekës dhe plot domethënie, që siç duket u shkrua kryesisht për judenjtë, tregon se Jezui është Mesia i premtuar, Biri i Perëndisë. Po t’i kushtojmë vëmendje mesazhit të tij, do të na forcohet besimi te Perëndia i vërtetë, te Biri i tij dhe te premtimet e Perëndisë.​—Hebr. 4:12.

«MBRETËRIA E QIEJVE ËSHTË AFRUAR»

(Mat. 1:1–20:34)

Mateu e vë theksin te tema e Mbretërisë dhe te mësimet e Jezuit, edhe pse kështu nuk i tregon gjithnjë ngjarjet sipas rrjedhës kronologjike. Për shembull, Predikimi në Mal gjendet nga fillimi i librit, ndonëse Jezui e mbajti aty nga mesi i shërbimit të tij.

Gjatë shërbimit në Galile, Jezui bën mrekulli, u jep 12 apostujve udhëzime për shërbimin, dënon farisenjtë dhe tregon ilustrime për Mbretërinë. Më pas niset nga Galilea dhe shkon në «kufijtë e Judesë, matanë Jordanit». (Mat. 19:1) Rrugës, Jezui u thotë dishepujve: ‘Ne po ngjitemi në Jerusalem dhe Biri i njeriut do të dënohet me vdekje, por ditën e tretë ai do të ngrihet nga të vdekurit.’​—Mat. 20:18, 19.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

3:16—Në cilin kuptim ‘u hapën qiejt’ kur u pagëzua Jezui? Me sa duket atij iu kujtua gjithçka nga koha që kishte kaluar në qiej para se të vinte në tokë si njeri.

5:21, 22—A është më serioze ta shfrysh zemërimin sesa ta ushqesh përbrenda? Jezui paralajmëroi se dikush që ushqen zemërim kundër vëllait të vet bën një mëkat serioz. Por kush e shfryn zemërimin me një fyerje të rëndë, bën një mëkat edhe më serioz dhe do të japë llogari para një gjykate më të lartë.

5:48—A është e mundur të jemi «të përsosur, sikurse është i përsosur Ati [ynë] qiellor»? Po, në një kuptim relativ. Jezui po fliste për dashurinë dhe u tha dëgjuesve të imitonin Perëndinë e të ishin të përsosur ose të plotë në dashuri. (Mat. 5:43-47) Si ta bënin këtë? Duke treguar dashuri edhe për armiqtë.

7:16—Nga cilat ‘fryte’ dallohet feja e vërtetë? Në këto fryte nuk përfshihet vetëm sjellja jonë. Përfshihen edhe bindjet tona—mësimet që ndjekim.

10:34-38—A e ka fajin mesazhi i Biblës për ndarjet mes familjarëve? Aspak. Këto ndarje vijnë nga qëndrimi që mbajnë familjarët jobesimtarë. Ata mund të mos e pranojnë ose t’i kundërvihen besimit të krishterë, dhe kjo sjell ndarje në familje.​—Luka 12:51-53.

11:2-6—Përse Gjoni pyeti nëse Jezui ishte ‘Ai që duhej të vinte’, kur tashmë e dinte se Jezui ishte Mesia ngaqë kishte dëgjuar zërin e Perëndisë që e miratoi? Gjoni mund të ketë pyetur për të marrë një konfirmim nga vetë Jezui. Mbi të gjitha, Gjoni donte të dinte nëse duhej të pritnin që «një tjetër» të vinte me pushtetin e Mbretërisë dhe të realizonte të gjitha shpresat e judenjve. Përgjigjja e Jezuit tregoi se pas tij nuk do të vinte askush tjetër.

19:28—Çfarë përfaqësojnë «dymbëdhjetë fiset e Izraelit» që do të gjykohen? Ato nuk përfaqësojnë 12 fiset e Izraelit frymor. (Gal. 6:16; Zbul. 7:4-8) Apostujt me të cilët po fliste Jezui do të ishin pjesë e Izraelit frymor, jo gjykatës të pjesëtarëve të tij. Jezui bëri me ta «një besëlidhje për një mbretëri» dhe ata do të bëheshin «një mbretëri dhe priftërinj për Perëndinë». (Luka 22:28-30; Zbul. 5:10) Pjesëtarët e Izraelit frymor «do të gjykojnë botën». (1 Kor. 6:2) Prandaj, me sa duket, «dymbëdhjetë fiset e Izraelit»—që do të gjykohen nga ata që janë në fronet qiellore—përfaqësojnë botën, pra njerëzit që nuk i përkasin klasës mbretërore dhe priftërore, e që paraqiten nga 12 fiset jopriftërore në ditën e shlyerjes.​—Lev., kap. 16.

Mësime për ne:

4:1-10. Nga ky tregim mësojmë se Satanai është person i vërtetë dhe jo e liga si veti. Për të na tunduar, ai shfrytëzon ‘dëshirat e mishit, dëshirat e syve dhe kapardisjen për t’u dukur me të mirat materiale’. Megjithatë, zbatimi i parimeve biblike do të na ndihmojë t’i qëndrojmë besnikë Perëndisë.​—1 Gjon. 2:16.

5:1–7:29. Të jemi të vetëdijshëm se kemi nevojë të mësojmë për Perëndinë. Të jemi paqebërës. T’i hedhim poshtë mendimet imorale. Ta mbajmë fjalën. Kur lutemi, t’u japim përparësi gjërave frymore dhe jo interesave materiale. Të jemi të pasur në sytë e Perëndisë. Të kërkojmë në radhë të parë Mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë. Të mos gjykojmë të tjerët. Të bëjmë vullnetin e Jehovait. Sa mësime praktike përmban Predikimi në Mal!

9:37, 38. Duhet të veprojmë në përputhje me lutjen që i drejtojmë Zotërisë që «të dërgojë punëtorë në të korrat e tij». Këtë e bëjmë duke marrë pjesë me zell në veprën e bërjes së dishepujve.​—Mat. 28:19, 20.

10:32, 33. Kurrë nuk duhet të kemi frikë që të flasim për besimin tonë.

13:51, 52. Kur kapim kuptimin e të vërtetave të Mbretërisë, kemi përgjegjësinë t’i mësojmë të tjerët dhe t’u japim këto thesare.

14:12, 13, 23. Për një meditim domethënës, është e domosdoshme që hera-herës të rrimë vetëm.​—Mar. 6:46; Luka 6:12.

17:20. Duhet të kemi besim për të përballuar vështirësitë dhe për të kapërcyer pengesat ngjashëm maleve që nuk na lënë të përparojmë frymësisht. Të mos e lëmë pas dore ndërtimin dhe forcimin e besimit te Jehovai dhe te premtimet e tij.​—Mar. 11:23; Luka 17:6.

18:1-4; 20:20-28. Papërsosmëria njerëzore dhe prejardhja fetare që e vinte theksin te pozita, bënin që dishepujt e Jezuit të merakoseshin tepër se kush ishte më i madhi. Duhet kultivuar përulësi teksa përpiqemi të ruhemi nga çdo prirje mëkatare dhe të mbajmë pikëpamjen e duhur për privilegjet dhe përgjegjësitë në kongregacion.

«BIRIN E NJERIUT DO TA DORËZOJNË»

(Mat. 21:1–28:20)

Më 9 nisan të vitit 33 të e.s., Jezui vjen në Jerusalem «hipur në një gomar». (Mat. 21:5) Të nesërmen, ai shkon në tempull dhe e pastron. Më 11 nisan, mëson në tempull, dënon skribët dhe farisenjtë, e pastaj u tregon dishepujve cila do të jetë «shenja e pranisë [së tij] dhe e përfundimit të sistemit». (Mat. 24:3) Ditën tjetër u thotë atyre: «Ju e dini se pas dy ditësh bie pashka dhe Birin e njeriut do ta dorëzojnë e do ta vënë në shtyllë.»​—Mat. 26:1, 2.

Është data 14 nisan. Pasi themelon Përkujtimin e vdekjes së tij të afërt, Jezuin e tradhtojnë, e arrestojnë, e gjykojnë dhe e vënë në shtyllë. Ditën e tretë, ringjallet. Para se të ngrihet në qiell, Jezui i ringjallur i urdhëron dishepujt e tij: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet.»​—Mat. 28:19.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

22:3, 4, 9—Kur bëhen tri ftesat për dasmën? Ftesa e parë për të mbledhur klasën e nuses u bë kur Jezui dhe dishepujt e tij filluan predikimin në vitin 29 të e.s. dhe vazhdoi deri në vitin 33 të e.s. Ftesa e dytë u bë që kur u derdh fryma e shenjtë në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., dhe vazhdoi deri në vitin 36 të e.s. Të dyja ftesat u drejtoheshin vetëm judenjve, prozelitëve judenj dhe samaritanëve. Megjithatë, ftesa e tretë iu bë njerëzve që ishin në rrugët jashtë qytetit, pra, johebrenjve të parrethprerë. Ajo filloi në vitin 36 të e.s. me kthimin në besim të Kornelit, një centurioni romak, dhe vazhdon edhe sot.

23:15—Përse një prozelit i farisenjve, pra dikush që ishte kthyer në besim prej tyre, ‘meritonte Gehenën dy herë më shumë’ se farisenjtë? Disa që bëheshin prozelitë të farisenjve, mund të kishin qenë mëkatarë të mëdhenj. Mirëpo, kur ktheheshin në sektin ekstremist të farisenjve, bëheshin edhe më keq, ndoshta duke u bërë edhe më ekstremistë se mësuesit e tyre që e kishin marrë dënimin. Prandaj, ata ‘meritonin Gehenën’, dy herë më shumë se farisenjtë judenj.

27:3-5—Për çfarë e breu ndërgjegjja Judën? Asgjë nuk tregon se brejtja e ndërgjegjes në rastin e Judës ishte pendim i vërtetë. Në vend që t’i kërkonte falje Perëndisë, ai iu rrëfye për keqbërjen krerëve të priftërinjve dhe pleqve. Ngaqë kishte kryer «një mëkat që çon në vdekje», ishte normale që Judën ta pushtonin ndjenjat e fajit dhe të dëshpërimit. (1 Gjon. 5:16) Brejtja e ndërgjegjes i erdhi ngaqë ishte në gjendje të pashpresë.

Mësime për ne:

21:28-31. Ajo që ka vërtet rëndësi për Jehovain është që të bëjmë vullnetin e tij. Për shembull, duhet të marrim pjesë me zell në veprën e predikimit për Mbretërinë dhe të bërjes së dishepujve.​—Mat. 24:14; 28:19, 20.

22:37-39. Sa mirë e përmbledhin dy urdhërimet më të mëdha se çfarë kërkon Perëndia nga ata që e adhurojnë!

[Figura në faqen 31]

A po merrni pjesë me zell në veprën e korrjes?

[Burimi]

© 2003 BiblePlaces.com

[Figura në faqen 31]

Mateu e vuri theksin te tema e Mbretërisë