Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Quhen të denjë që të drejtohen për te burimet e ujërave të jetës

Quhen të denjë që të drejtohen për te burimet e ujërave të jetës

Quhen të denjë që të drejtohen për te burimet e ujërave të jetës

«Qengji . . . do t’i kullotë dhe do t’i drejtojë për te burimet e ujërave të jetës.»​—ZBUL. 7:17.

1. Si i quan Fjala e Perëndisë të krishterët e mirosur dhe ç’përgjegjësi u dha Jezui atyre?

FJALA E PERËNDISË i quan «skllavi i besueshëm dhe i matur» të krishterët e mirosur që po kujdesen për interesat e Krishtit në tokë. Kur Krishti hetoi ‘skllavin’ në vitin 1918, vuri re se ata të mirosur në tokë po tregoheshin besnikë duke siguruar «ushqim [frymor] në kohën e duhur». Prandaj, Jezui ose Zotëria, me kënaqësi i emëroi «mbi gjithë zotërimet e veta». (Lexo Mateun 24:45-47.) Kështu, para se të marrin trashëgiminë qiellore, të mirosurit u shërbejnë adhuruesve të tjerë të Jehovait këtu në tokë.

2. Përshkruani zotërimet e Jezuit.

2 Një zotëri ka autoritet mbi zotërimet e veta dhe mund t’i përdorë si të dojë. Zotërimet e Jezu Krishtit, Mbretit të Jehovait të vendosur në fron, përfshijnë të gjitha interesat e Mbretërisë në tokë. Në to përfshihet ‘shumica e madhe’ që pa apostulli Gjon në një vegim. Gjoni e përshkruan kështu shumicën e madhe: «Pashë të qëndronte para fronit dhe para Qengjit një shumicë të madhe nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët, të cilën askush nuk ishte në gjendje ta numëronte. Ata ishin veshur me petka të bardha të gjata dhe kishin në duar degë palmash.»​—Zbul. 7:9.

3, 4. Pse mund të themi se pjesëtarët e shumicës së madhe janë tejet të privilegjuar?

Pjesëtarët e shumicës së madhe janë ndër ata që Jezui i quajti ‘delet e tjera’ të tij. (Gjoni 10:16) Ata kanë shpresën të jetojnë përgjithmonë në një tokë parajsore. Janë të sigurt se Jezui «do t’i drejtojë për te burimet e ujërave të jetës» dhe se «Perëndia do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre». Falë kësaj shprese «i kanë larë petkat e tyre të gjata e i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit». (Zbul. 7:14, 17) Ata tregojnë besim te flijimi i Jezuit, prandaj në sytë e Perëndisë janë veshur me ‘petka të bardha’. Janë shpallur të drejtë si miq të Perëndisë, ashtu si Abrahami.

4 Për më tepër, meqë Perëndia i konsideron të drejtë pjesëtarët e shumicës së madhe të deleve të tjera, që sa vjen e shtohet, ata mund të shpresojnë të mbijetojnë gjatë shkatërrimit të këtij sistemi në shtrëngimin e madh. (Jak. 2:23-26) Mund t’i afrohen Jehovait dhe si grup kanë shpresën e mrekullueshme që të mbijetojnë gjatë Harmagedonit. (Jak. 4:8; Zbul. 7:15) Nuk veprojnë të pavarur, por me gatishmëri shërbejnë nën drejtimin e Mbretit qiellor dhe të vëllezërve të tij të mirosur në tokë.

5. Si mbështeten vëllezërit e mirosur të Krishtit nga pjesëtarët e shumicës së madhe?

5 Të krishterët e mirosur kanë hasur dhe do të vazhdojnë të hasin kundërshtim të ashpër nga bota e Satanait. Megjithatë, mund të ndihen të sigurt se do të mbështeten nga bashkëshërbëtorët e tyre të shumicës së madhe. Ndërkohë që të krishterët e mirosur janë të paktë në numër, shumica e madhe rritet çdo vit me qindra mijë veta. Të mirosurit nuk mund ta mbikëqyrin drejtpërdrejt secilin nga rreth 100.000 kongregacionet e krishtere anembanë botës. Prandaj, një mënyrë se si delet e tjera i mbështetin të mirosurit është nëpërmjet burrave të kualifikuar nga shumica e madhe që shërbejnë si pleq kongregacioni. Ata ndihmojnë për t’u kujdesur për miliona të krishterët që i janë besuar ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’.

6. Si ishte profetizuar se delet e tjera do t’i mbështetnin të krishterët e mirosur?

6 Që delet e tjera do t’i mbështetnin me gatishmëri të krishterët e mirosur, ishte parathënë nga profeti Isaia. Ai shkroi: «Kështu thotë Jehovai: ‘Punëtorët pa pagesë të Egjiptit, tregtarët e Etiopisë dhe sabeatitët, burra shtatlartë, do të vijnë vetë te ti dhe do të bëhen të tutë. Ata do të ecin pas teje.’» (Isa. 45:14) Në mënyrë simbolike, të krishterët që kanë shpresë tokësore ecin pas klasës së skllavit të mirosur dhe Trupit të saj Udhëheqës, duke ndjekur drejtimin e tyre. Si ‘punëtorë pa pagesë’, delet e tjera me gatishmëri dhe me gjithë zemër i shpenzojnë forcat dhe të ardhurat e tyre që të mbështetin veprën botërore të predikimit që Krishti u caktoi dishepujve të mirosur në tokë.​—Vep. 1:8; Zbul. 12:17.

7. Për çfarë po stërvitet shumica e madhe?

7 Teksa i mbështetin vëllezërit e tyre të mirosur, pjesëtarët e shumicës së madhe po stërviten që të jenë themeli i shoqërisë së re njerëzore që do të ekzistojë pas Harmagedonit. Ky themel duhet të jetë i fortë e i qëndrueshëm dhe pjesëtarët e tij duhet të jenë të gatshëm e të aftë të zbatojnë udhëzimet e Zotërisë. Çdo të krishteri po i ofrohet mundësia të japë prova se mund të përdoret nga Mbreti, Jezu Krishti. Duke treguar besim dhe besnikëri tani, ai jep prova se do t’i përgjigjet me gatishmëri Mbretit kur t’i japë udhëzime në botën e re.

Shumica e madhe jep prova për besimin

8, 9. Si japin prova për besimin pjesëtarët e shumicës së madhe?

8 Delet e tjera që shoqërohen me kongregacionin e të krishterëve të mirosur, japin prova në mënyra të ndryshme për besimin e tyre. Së pari, i mbështetin të mirosurit duke shpallur lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. (Mat. 24:14; 28:19, 20) Së dyti, me gatishmëri u binden udhëzimeve të Trupit Udhëheqës.​—Hebr. 13:17; lexo Zakarinë 8:23.

9 Së treti, pjesëtarët e shumicës së madhe i mbështetin vëllezërit e tyre të mirosur duke jetuar në përputhje me parimet e drejta të Jehovait. Ata përpiqen të kultivojnë ‘dashurinë, gëzimin, paqen, shpirtgjerësinë, mirëdashjen, mirësinë, besimin, butësinë, vetëkontrollin’. (Gal. 5:22, 23) Sot mund të mos jetë normale të shfaqësh cilësi të tilla, por të bësh «veprat e mishit». Gjithsesi, pjesëtarët e shumicës së madhe janë të vendosur të shmangin ‘kurvërinë, ndyrësinë, sjelljen e shthurur, idhujtarinë, marrjen me spiritizëm, armiqësitë, konfliktin, xhelozinë, shpërthimet e zemërimit, grindjet, përçarjet, sektet, zilitë, dehjet, ahengjet e shfrenuara dhe gjëra si këto’.​—Gal. 5:19-21.

10. Për çfarë janë të vendosur pjesëtarët e shumicës së madhe?

10 Meqë jemi të papërsosur, mund të jetë e vështirë të shfaqim frytet e frymës, të shmangim veprat e mishit dhe t’u rezistojmë presioneve të botës së Satanait. Sidoqoftë, jemi të vendosur që të mos i lejojmë të na e pakësojnë besimin ose dashurinë për Jehovain, shkurajimi për shkak të dobësive personale, dështimet e përkohshme ose kufizimet fizike. E dimë se Jehovai do të bëjë siç ka premtuar​—do ta shpëtojë shumicën e madhe gjatë shtrëngimit të madh.

11. Çfarë taktikash ka përdorur Satanai që t’ua dobësojë besimin të krishterëve?

11 Megjithatë, vazhdimisht qëndrojmë syhapur, sepse e dimë se armiku ynë i vërtetë është Djalli dhe ai nuk dorëzohet kollaj. (Lexo 1 Pjetrit 5:8.) Ai ka përdorur apostatët dhe të tjerë që të na bindë se mësimet tona janë të rreme. Por zakonisht kjo taktikë ka dështuar. Po kështu, edhe pse ndonjëherë përndjekja e ka ngadalësuar veprën e predikimit, shpesh ajo vetëm sa ua ka forcuar besimin atyre që janë përndjekur. Prandaj, Satanai përdor gjithnjë e më tepër një metodë që mendon se do të ketë më shumë sukses të na e dobësojë besimin. Ai shfrytëzon ndjenjat e shkurajimit. Të krishterët e shekullit të parë u paralajmëruan për këtë rrezik me këto fjalë: «Shqyrtoni me kujdes [Krishtin] që i ka qëndruar të folurit kundërshtues të mëkatarëve, kundër vetë interesave të tyre.» Përse? «Që shpirti juaj të mos lodhet e të mos ligështohet.»​—Hebr. 12:3.

12. Si u japin forcë këshillat e Biblës atyre që janë të shkurajuar?

12 A ke menduar ndonjëherë se nuk i shërben dot më Jehovait? A mendon ndonjëherë se je kot? Nëse po, mos e lejo Satanain t’i përdorë këto ndjenja që të të pengojë t’i shërbesh Jehovait. Studimi i thellë i Biblës, lutjet e zjarrta, ndjekja e rregullt e mbledhjeve dhe shoqërimi me të bashkëkrishterët do të të japin forcë dhe nuk do të lejojnë që ‘shpirti yt të ligështohet’. Jehovai ka premtuar se do t’i ndihmojë shërbëtorët e tij që të rimarrin fuqi, dhe premtimi i tij është i sigurt. (Lexo Isainë 40:30, 31.) Përqendrohu te veprimtaritë e krishtere. Shmang shpërqendrimet që të hanë kohë dhe mendo si të ndihmosh të tjerët. Atëherë do të marrësh forcë që të qëndrosh pavarësisht nga shkurajimi.​—Gal. 6:1, 2.

Nga shtrëngimi i madh në botën e re

13. Ç’punë i pret ata që do të mbijetojnë në Harmagedon?

13 Pas Harmagedonit shumë e shumë të ringjallur të padrejtë do të kenë nevojë të mësojnë udhët e Jehovait. (Vep. 24:15) Do t’u duhet të mësojnë për flijimin shpërblyes të Jezuit; për më tepër, të tregojnë besim në këtë flijim, që të marrin bekimet e tij. Do të kenë nevojë të hedhin poshtë idetë e rreme fetare që kishin më parë dhe të ndryshojnë sjelljen e mëparshme. Ata duhet të mësojnë të veshin personalitetin e ri që identifikon të krishterët e vërtetë. (Efes. 4:22-24; Kolos. 3:9, 10) Pjesëtarët e deleve të tjera që do të mbijetojnë në atë kohë, do të kenë shumë punë për të bërë. Ç’gëzim do të provojnë kur t’i shërbejnë Jehovait pa presionet dhe shpërqendrimet e botës së sotme të ligë!

14, 15. Përshkruani shkëmbimin e informacioneve që do të ketë midis të mbijetuarve të shtrëngimit të madh dhe të ringjallurve të drejtë.

14 Shërbëtorët besnikë të Jehovait që vdiqën para se Jezui të shërbente në tokë, do të kenë shumë për të mësuar në atë kohë. Do të mësojnë se kush ishte Mesia i premtuar, të cilin e pritën me padurim, por nuk e panë kurrë. Në jetën e tyre të mëparshme tashmë e kishin treguar gatishmërinë të mësoheshin nga Jehovai. Përfytyroni ç’gëzim dhe ç’privilegj do të jetë t’i ndihmojmë për shembull, që t’i shpjegojnë Danielit plotësimin e profecive që shkroi, por që nuk i kuptoi!​—Dan. 12:8, 9.

15 Sigurisht, megjithëse do t’u mësojmë të ringjallurve mjaft gjëra, edhe ne do t’u bëjmë shumë pyetje atyre. Ata mund të na japin hollësi të ngjarjeve biblike që nuk janë përshkruar imtësisht. Mendoni sa bukur do të jetë të mësojmë hollësi rreth Jezuit nga kushëriri i tij, Gjon Pagëzori! Gjërat që do të mësojmë nga këta dëshmitarë besnikë, pa dyshim do të na e rritin kuptueshmërinë që kemi tani për Fjalën e Perëndisë. Shërbëtorët besnikë të Jehovait që kanë vdekur—përfshirë ata të shumicës së madhe që vdesin gjatë kohës së fundit—do të kenë «një ringjallje më të mirë». Ata filluan t’i shërbenin Jehovait në një botë ku sundonte Satanai. Sa të gëzuar do të jenë që të vazhdojnë të shërbejnë në rrethana shumë më të favorshme në botën e re!​—Hebr. 11:35; 1 Gjon. 5:19.

16. Çfarë do të ndodhë gjatë Ditës së Gjykimit, sipas profecisë?

16 Gjatë Ditës së Gjykimit do të hapen rrotullat. Ato dhe Bibla do të jenë baza për gjykimin e gjithë të gjallëve nëse do të jenë të denjë të marrin jetën e përhershme. (Lexo Zbulesën 20:12, 13.) Në fund të Ditës së Gjykimit, çdo individ do të ketë pasur mjaft mundësi të tregonte qëndrimin e tij për çështjen e sovranitetit universal. A do ta mbështetë Mbretërinë e Perëndisë dhe a do ta lejojë Qengjin ta drejtojë te «burimet e ujërave të jetës»? Apo nuk do të pranojë t’i nënshtrohet Mbretërisë së Perëndisë? (Zbul. 7:17; Isa. 65:20) Kur të vijë ajo kohë, të gjithë njerëzit do të kenë pasur mundësi të merrnin një vendim personal, pa u ndikuar nga mëkati i trashëguar ose mjedisi i lig. Askush nuk do të mund të dyshojë nëse gjykimi përfundimtar i Jehovait ishte i drejtë. Vetëm të ligjtë do të shkatërrohen njëherë e përgjithmonë.​—Zbul. 20:14, 15.

17, 18. Çfarë presin me gëzim të krishterët e mirosur dhe delet e tjera kur mendojnë për Ditën e Gjykimit?

17 Të krishterët e mirosur sot, meqë janë quajtur të denjë të marrin Mbretërinë, presin me padurim të mbretërojnë gjatë Ditës së Gjykimit. Çfarë privilegji të madh do të kenë! Kjo e ardhme i nxit të zbatojnë këshillën që u dha Pjetri vëllezërve të tyre në shekullin e parë: «Bëni çmos që të siguroheni për thirrjen dhe zgjedhjen tuaj, sepse, nëse vazhdoni t’i bëni këto gjëra, nuk do të dështoni kurrsesi. Kështu, do t’ju sigurohet një hyrje e lavdishme në mbretërinë e përjetshme të Zotërisë dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.»​—2 Pjet. 1:10, 11.

18 Delet e tjera gëzojnë me vëllezërit e tyre të mirosur dhe janë të vendosur t’i mbështetin. Si miq të Perëndisë sot, ata nxiten të bëjnë më të mirën në shërbimin ndaj tij. Gjatë Ditës së Gjykimit do të kënaqen duke i mbështetur me gjithë zemër masat e Perëndisë, teksa Jezui do t’i drejtojë për te burimet e ujërave të jetës. Atëherë—më në fund—ata do të quhen të denjë të jenë shërbëtorë tokësorë të Jehovait për gjithë përjetësinë!​—Rom. 8:20, 21; Zbul. 21:1-7.

A ju kujtohet?

• Çfarë përfshijnë zotërimet e Jezuit?

• Si mbështeten vëllezërit e mirosur të Krishtit nga pjesëtarët e shumicës së madhe?

• Çfarë privilegjesh dhe çfarë shprese kanë ata të shumicës së madhe?

• Si e sheh Ditën e Gjykimit?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 25]

Pjesëtarët e shumicës së madhe i kanë larë petkat e tyre të gjata e i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit

[Figura në faqen 27]

Çfarë shpreson të mësosh nga besnikët e ringjallur?