Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’do të thotë për ju prania e Krishtit?

Ç’do të thotë për ju prania e Krishtit?

Ç’do të thotë për ju prania e Krishtit?

«Cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit?»​—MAT. 24:3.

1. Cilën pyetje interesante i bënë Jezuit apostujt?

RRETH dy mijë vjet më parë, gjatë një bisede që bënë veçmas me Mësuesin e tyre në Malin e Ullinjve, katër apostuj e pyetën Jezuin: «Kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit?» (Mat. 24:3) Në atë pyetje apostujt përdorën dy shprehje shumë interesante: ‘prania jote’ dhe ‘përfundimi i sistemit’. Çfarë do të thonë këto shprehje?

2. Çfarë nënkupton fjala ‘përfundim’?

2 Para se të marrim në shqyrtim shprehjen e dytë, le të shqyrtojmë termin ‘përfundim’. Ky është një përkthim i fjalës greke sintélia. Kjo fjalë do të thotë «përfundim» dhe mënyra si e përkthen versioni Përkthimi Bota e Re e pasqyron saktë këtë kuptim. Kurse fjala greke që lidhet me të, télos, do të thotë «fund». Ndryshimi në kuptim i këtyre dy fjalëve mund të ilustrohet duke përshkruar një fjalim që mbahet në Sallën e Mbretërisë. Përfundimi i fjalimit është pjesa e fundit e tij kur oratori kalon pak kohë duke i kujtuar auditorit çfarë është trajtuar, dhe më pas tregon se si zbatohet për ta informacioni i paraqitur. Fundi i fjalimit është çasti kur oratori zbret nga podiumi. Në mënyrë të ngjashme, sipas Biblës fraza ‘përfundimi i sistemit’ i referohet periudhës që shkon drejt fundit, e cila e përfshin edhe vetë fundin.

3. Çfarë gjërash ndodhin gjatë pranisë së Krishtit?

3 Çfarë nënkupton fjala ‘prani’ që pyetën apostujt? Ky është një përkthim i fjalës greke parusía. * Parusía, ose prania e Krishtit, nisi me vendosjen e Jezuit si Mbret në qiell në vitin 1914 dhe vazhdon duke përfshirë ‘shtrëngimin e madh’ gjatë të cilit ai vjen për të shkatërruar të ligjtë. (Mat. 24:21) Gjatë pranisë së Jezuit ndodhin shumë gjëra të ndryshme, përfshirë «ditët e fundit» të këtij sistemi të lig, mbledhja e të zgjedhurve dhe ringjallja e tyre në jetën qiellore. (2 Tim. 3:1; 1 Kor. 15:23; 1 Sel. 4:15-17; 2 Sel. 2:1) Mund të thuhet se periudha që përbën ‘përfundimin e sistemit’ (sintélia) përkon me periudhën e quajtur prania e Krishtit (parusía).

Një periudhë e gjatë kohe

4. Në ç’kuptim prania e Jezuit krahasohet me ngjarjet e ditëve të Noesë?

4 Fakti që fjala parusía i referohet një periudhe të gjatë kohe është në harmoni me atë që tha Jezui për praninë e tij. (Lexo Mateun 24:37-39.) Vini re se Jezui nuk e krahasoi praninë e tij me periudhën kohore relativisht të shkurtër gjatë së cilës ndodhi Përmbytja në ditët e Noesë. Përkundrazi, e krahasoi praninë e tij me periudhën kohore shumë më të gjatë që çoi deri te Përmbytja. Kjo periudhë përfshiu ndërtimin e arkës nga Noeja dhe veprën e tij të predikimit, dhe zgjati deri në kohën kur në fund erdhi Përmbytja. Këto ngjarje ndodhën gjatë shumë dekadave. Në mënyrë të ngjashme, prania e Krishtit përfshin ngjarjet që çojnë në shtrëngimin e madh, si edhe vetë këtë shtrëngim.​—2 Sel. 1:6-9.

5. Si tregojnë fjalët e kapitullit të 6-të të Zbulesës se prania e Jezuit është një periudhë kohe e gjatë?

5 Profeci të tjera biblike e bëjnë të qartë se prania e Krishtit i referohet një periudhe kohe të gjatë, e jo thjesht ardhjes së tij për të shkatërruar të ligjtë. Libri i Zbulesës paraqit Jezuin të hipur mbi një kalë të bardhë dhe që i jepet një kurorë. (Lexo Zbulesën 6:1-8.) Pas kurorëzimit si Mbret në vitin 1914, Jezui përshkruhet ‘duke dalë fitimtar për të plotësuar fitoren e tij’. Pastaj tregimi thotë se atë e ndjekin kalorës të hipur në kuaj me ngjyra të ndryshme. Këta përfaqësojnë në mënyrë profetike luftërat, mungesat e ushqimeve dhe murtajat. Këto probleme kanë ndodhur që të gjitha gjatë periudhës së gjatë kohore të quajtur «ditët e fundit». Përmbushjen e kësaj profecie po e shohim në kohën tonë.

6. Çfarë na ndihmon të kuptojmë për praninë e Krishtit kapitulli i 12-të i Zbulesës?

6 Në kapitullin e 12-të të Zbulesës 12 jepen hollësi të tjera në lidhje me vendosjen e Mbretërisë së Perëndisë në qiell. Aty lexojmë për një betejë në botën e padukshme frymore. Mikaeli—Jezu Krishti në pozitën e tij qiellore—dhe engjëjt e tij luftojnë kundër Djallit dhe demonëve. Si rrjedhim, Satana Djalli dhe hordhitë e tij hidhen në tokë. Në këtë pikë tregimi thotë se Djalli ka zemërim të madh, «ngaqë e di se ka një periudhë kohe të shkurtër». (Lexo Zbulesën 12:7-12.) Pra, është e qartë se pas vendosjes së Mbretërisë së Krishtit në qiell vijon një periudhë kohe që karakterizohet nga ‘mjerime’ që shtohen gjithnjë e më shumë për tokën dhe banorët e saj.

7. Për çfarë flet psalmi i dytë dhe ç’mundësi tregohet aty?

7 Po kështu, psalmi i dytë flet në mënyrë profetike për vendosjen e Jezuit si Mbret mbi Malin qiellor të Sionit. (Lexo Psalmin 2:5-9; 110:1, 2.) Por ky psalm tregon edhe se është një periudhë kohe kur sundimtarëve të tokës dhe nënshtetasve të tyre u jepet një mundësi për t’iu nënshtruar sundimit të Krishtit. Ata këshillohen ‘të tregojnë gjykim të thellë’ dhe të pranojnë ‘të ndreqen’. Po, gjatë asaj kohe «lum të gjithë ata që gjejnë strehë tek ai [Perëndia]» duke i shërbyer Jehovait dhe Mbretit të tij të emëruar. Pra, kjo mundësi jepet gjatë pranisë së Jezuit në pushtetin mbretëror.​—Psal. 2:10-12.

Të dallojmë shenjën

8, 9. Cilët do të dallonin shenjën e pranisë së Krishtit dhe do të kuptonin domethënien e saj?

8 Kur farisenjtë e pyetën se kur do të vinte Mbretëria, Jezui iu përgjigj se kur të vinte, ajo ‘nuk do të binte në sy’ nga pikëpamja e tyre. (Luka 17:20, 21) Jobesimtarët nuk do ta kuptonin. E si mund të ishte ndryshe? Ata madje as nuk do ta pranonin Jezuin si Mbretin e tyre të ardhshëm. Atëherë, cilët do të dallonin shenjën e pranisë së Krishtit dhe do të kuptonin domethënien e saj?

9 Jezui vazhdoi të thoshte se dishepujt e tij do ta shihnin po aq qartë shenjën sa do të shihnin ‘rrufenë me vetëtimën e saj që ndriçon nga njëra anë e qiellit në tjetrën’. (Lexo Lukën 17:24-29.) Është interesante të vërejmë se Mateu 24:23-27 e lidh drejtpërdrejt të njëjtën pikë me shenjën e pranisë së Krishtit.

Brezi që sheh shenjën

10, 11. (a) Cili shpjegim ishte dhënë më parë në lidhje me fjalën «brez» të përmendur te Mateu 24:34? (b) Çfarë duhet të kenë kuptuar në këtë rast dishepujt e Jezuit për ‘brezin’?

10 Më parë kjo revistë kishte shpjeguar se në shekullin e parë fraza «ky brez» e përmendur te Mateu 24:34 nënkuptonte «brezin bashkëkohës të hebrenjve jobesimtarë». * Ky shpjegim dukej i arsyeshëm, sepse të gjitha rastet e tjera kur Jezui përdori termin «brez» kishin një ngjyrim negativ. Po kështu, për të përshkruar brezin, në shumicën e rasteve Jezui përdori një mbiemër negativ, për shembull «i lig». (Mat. 12:39; 17:17; Mar. 8:38) Prandaj mendohej se në përmbushjen e ditëve të sotme Jezui po i referohej ‘brezit’ të lig të jobesimtarëve që do të shihnin edhe veçoritë që do të karakterizonin ‘përfundimin e sistemit’ (sintélia), edhe vetë fundin e sistemit (télos).

11 Është e vërtetë se kur Jezui përdori negativisht fjalën «brez», po u fliste njerëzve të ligj të kohës së tij ose e kishte fjalën për ta. Por, a ishte medoemos kështu edhe kur tha fjalët që gjenden te Mateu 24:34? Kujtoni se katër dishepuj iu afruan Jezuit «veçmas». (Mat. 24:3) Meqë Jezui nuk përdori mbiemra negativë kur u tha atyre frazën «ky brez», pa dyshim apostujt duhet të kenë kuptuar se ata dhe dishepujt e tjerë do të ishin pjesë e këtij ‘brezi’ që nuk do të kalonte ‘gjersa të ndodhnin të gjitha këto gjëra’.

12. Si na ndihmon konteksti për të kuptuar se për cilët e kishte fjalën Jezui kur përdori termin «brez»?

12 Mbi ç’bazë mund ta nxjerrim këtë përfundim? Duke shqyrtuar me kujdes kontekstin. Siç është dokumentuar te Mateu 24:32, 33, Jezui tha: «Mësoni këtë nga ilustrimi i fikut: sapo del bisku e lëshon gjethe, ju e dini se vera është afër. Po ashtu edhe ju, kur t’i shihni të gjitha këto gjëra, ta dini se ai është afër, te dera.» (Krahaso Markun 13:28-30; Lukën 21:30-32.) Më pas, te Mateu 24:34 lexojmë: «Vërtet po ju them se ky brez nuk do të kalojë kurrsesi, gjersa të ndodhin të gjitha këto gjëra.»

13, 14. Pse mund të themi se ‘brezi’ që përmendi Jezui duhet të kenë qenë dishepujt e tij?

13 Jezui tha se dishepujt e tij, që së shpejti do të miroseshin me frymë të shenjtë, duhej të ishin në gjendje të nxirrnin përfundime të caktuara kur të shihnin të ndodhnin «të gjitha këto gjëra». Kështu Jezui duhej ta kishte fjalën për dishepujt e tij kur tha: «Ky brez nuk do të kalojë kurrsesi, gjersa të ndodhin të gjitha këto gjëra.»

14 Ndryshe nga jobesimtarët, dishepujt e Jezuit jo vetëm që do të shihnin shenjën, por edhe do të kuptonin domethënien e saj. Ata ‘do të mësonin’ nga veçoritë e asaj shenje dhe ‘do të dinin’ kuptimin e tyre të vërtetë. Ata do të kuptonin plotësisht se ‘ai ishte afër, te dera’. Megjithëse është e vërtetë se judenjtë jobesimtarë dhe të krishterët e mirosur besnikë panë në shekullin e parë një përmbushje të kufizuar të fjalëve të Jezuit, vetëm dishepujt e tij të mirosur të asaj kohe mund të mësonin nga këto ngjarje. Vetëm ata mund të kuptonin domethënien e vërtetë të gjërave që panë.

15. (a) Cilët përbëjnë ‘brezin’ e sotëm që përmendi Jezui? (b) Pse nuk mund të llogaritim kohëzgjatjen e saktë të ‘këtij brezi’? (Shih kutinë në faqen 25.)

15 Sot ata që nuk kanë kuptueshmëri frymore kanë menduar se nuk ka pasur ndonjë gjë ‘për të rënë në sy’ për sa i përket shenjës së pranisë së Jezuit. Arsyetojnë se gjithçka vazhdon si në të kaluarën. (2 Pjet. 3:4) Nga ana tjetër, vëllezërit e mirosur dhe besnikë të Krishtit, pra, klasa e sotme e Gjonit, e kanë dalluar shenjën sikur të ishte një vetëtimë rrufeje dhe e kanë kuptuar domethënien e saj të vërtetë. Si një klasë, këta të mirosur përbëjnë ‘brezin’ e sotëm të bashkëkohësve që nuk do të kalojë «gjersa të ndodhin të gjitha këto gjëra». * Kjo lë të kuptohet se disa vëllezër të mirosur të Krishtit do të jenë ende gjallë në tokë kur të fillojë shtrëngimi i madh i parathënë.

«Qëndroni vigjilentë»

16. Çfarë duhet të bëjnë të gjithë dishepujt e Krishtit?

16 Megjithatë, nuk mjafton vetëm të dallojmë shenjën. Jezui tha më tej: «Atë që po jua them juve, ua them të gjithëve: qëndroni vigjilentë.» (Mar. 13:37) Kjo është me rëndësi të jashtëzakonshme për të gjithë ne sot, qofshim të mirosur ose nga shumica e madhe. Kanë kaluar nëntë dekada që kur Jezui u vendos si Mbret në qiell në vitin 1914. Edhe pse mund të jetë e vështirë, duhet të jemi gati dhe të qëndrojmë vigjilentë. Për këtë na ndihmon kuptueshmëria se Krishti është i pranishëm dhe po sundon në mënyrë të padukshme si Mbret. Kjo kuptueshmëri na mban zgjuar ndaj faktit se së shpejti ai do të vijë për të shkatërruar të gjithë armiqtë ‘në një orë që nuk e mendojmë’.​—Luka 12:40.

17. Si duhet të na bëjë të ndihemi kuptueshmëria për domethënien e pranisë së Krishtit dhe për çfarë duhet të jemi të vendosur?

17 Kuptueshmëria për domethënien e pranisë së Krishtit na ndihmon ta rritim ndjenjën e urgjencës. E dimë se Jezui është tashmë i pranishëm dhe sundon në mënyrë të padukshme si Mbret në qiell që prej vitit 1914. Së shpejti ai do të vijë për të shkatërruar të ligjtë dhe do të sjellë ndryshime rrënjësore në mbarë tokën. Prandaj, duhet të jemi më të vendosur se kurrë për të marrë pjesë aktivisht në veprën që paratha Jezui: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi [télos].»​—Mat. 24:14.

[Shënimet]

^ par. 3 Kuptimi i fjalës parusía dallohet nga kontrasti që bëhet midis fjalëve ‘prani’ dhe ‘mungesë’ që përmenden për apostullin Pavël te 2 Korintasve 10:10, 11 dhe te Filipianëve 2:12. Për një trajtim më të hollësishëm shih Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëllimi 2, faqet 676-679, anglisht.

^ par. 10 Shih br2, faqet 46-49, 53, 79, 80.

^ par. 15 Periudha kohore gjatë së cilës jeton «ky brez» me sa duket përkon me periudhën për të cilën flitet në vegimin e parë në librin e Zbulesës. (Zbul. 1:10–3:22) Ky aspekt i ditës së Zotërisë zgjat që nga viti 1914 e deri kur i mirosuri i fundit besnik vdes dhe ringjallet.​—Shih Zbulesa​Plotësimi i saj madhështor është afër! faqja 24, paragrafi 4.

Si do të përgjigjeshit?

• Si e dimë se prania e Jezuit është një periudhë kohe e gjatë?

• Cilët e dallojnë shenjën e pranisë së Jezuit dhe kuptojnë domethënien e saj?

• Cilët përbëjnë brezin e sotëm të përmendur te Mateu 24:34?

• Pse nuk mund ta llogaritim kohëzgjatjen e saktë të ‘këtij brezi’?

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 25]

A mund ta llogaritim kohëzgjatjen e ‘këtij brezi’?

Fjala «brez» zakonisht u referohet njerëzve të moshave të ndryshme që jetojnë gjatë një periudhe kohe ose ngjarjeje të veçantë. Për shembull, te Dalja 1:6 thuhet: «Së fundi, Jozefi vdiq. Vdiqën edhe gjithë vëllezërit e tij dhe tërë ai brez.» Jozefi dhe vëllezërit e tij kishin mosha të ndryshme, por ata përjetuan të njëjtën përvojë gjatë së njëjtës periudhë kohore. Në ‘atë brez’ përfshiheshin disa nga vëllezërit e Jozefit që lindën para tij. Disa prej tyre jetuan më shumë se Jozefi. (Zan. 50:24) Njerëz të tjerë të ‘atij brezi’, si për shembull, Beniamini, lindën pas lindjes së Jozefit dhe mund të kenë jetuar edhe pas vdekjes së tij.

Kështu, kur termi «brez» përdoret për t’iu referuar njerëzve që jetojnë në një kohë të caktuar, nuk mund të thuhet saktësisht sa zgjat kjo kohë. Mund të thuhet vetëm se ka një fund dhe nuk do të jetë tepër e gjatë. Prandaj, kur përdori frazën «ky brez», siç është dokumentuar te Mateu 24:34, Jezui nuk u dha dishepujve një formulë që do t’i ndihmonte të përcaktonin se kur do të mbaronin «ditët e fundit». Përkundrazi, më tej Jezui theksoi se ata nuk do ta dinin «atë ditë dhe atë orë».​—2 Tim. 3:1; Mat. 24:36.

[Figura në faqet 22, 23]

Pas kurorëzimit si Mbret në vitin 1914, Jezui përshkruhet si «fitimtar»

[Figura në faqen 24]

«Ky brez nuk do të kalojë kurrsesi, gjersa të ndodhin të gjitha këto gjëra»