Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të ecim në udhët e Jehovait

Të ecim në udhët e Jehovait

Të ecim në udhët e Jehovait

«Lum kush i frikësohet Jehovait dhe ecën në udhët e tij!»—PSAL. 128:1.

1, 2. Pse jemi të sigurt se lumturia është e arritshme?

ÇDOKUSH dëshiron të jetë i lumtur. Por pa dyshim jeni dakord se tjetër është ta dëshirosh lumturinë e madje ta kërkosh, dhe tjetër është të jesh në të vërtetë i lumtur.

2 Megjithatë, lumturia është e arritshme. Psalmi 128:1 thotë: «Lum kush i frikësohet Jehovait dhe ecën në udhët e tij!» Pra, mund të jemi të lumtur nëse e nderojmë thellë Perëndinë dhe ecim në udhët e tij duke bërë vullnetin e tij. Ç’ndikim mund të ketë kjo në sjelljen tonë dhe në cilësitë që shfaqim?

Të tregohemi të besueshëm

3. Si lidhet besueshmëria me kushtimin tonë ndaj Perëndisë?

3 Ata që i frikësohen Jehovait janë të besueshëm, siç është edhe ai vetë. Jehovai mbajti çdo premtim që i bëri Izraelit të lashtë. (1 Mbret. 8:56) Kushtimi ynë ndaj Perëndisë është premtimi më domethënës që mund të bënim, dhe lutjet e shpeshta do të na ndihmojnë ta mbajmë këtë premtim. Ne mund të lutemi ashtu si psalmisti David: «Ti, o Perëndi, i ke dëgjuar zotimet e mia. . . . Unë do të këndoj gjithmonë për emrin tënd, që t’i plotësoj zotimet e mia ditë për ditë.» (Psal. 61:5, 8; Ekl. 5:4-6) Që të jemi miq të Perëndisë, duhet të jemi të besueshëm.​—Psal. 15:1, 4.

4. Si veproi Jefteu dhe e bija në lidhje me zotimin që ai i bëri Jehovait?

4 Në ditët e gjykatësve të Izraelit Jefteu u zotua që, nëse Jehovai do ta ndihmonte të fitonte mbi amonitët, ai do të paraqiste si «blatim të djegur» të parin që do të takonte kur të kthehej nga beteja. Njeriu i parë që doli për ta pritur ishte e bija—fëmija i tij i vetëm. Me besim te Jehovai, Jefteu dhe vajza e tij e pamartuar e mbajtën zotimin që ai kishte bërë. Ndonëse martesa dhe lindja e fëmijëve vlerësohej shumë në Izrael, vajza e Jefteut vullnetarisht qëndroi beqare dhe pati privilegjin të merrte pjesë në shërbimin e shenjtë në shenjtëroren e Jehovait.​—Gjyk. 11:28-40.

5. Si u tregua e besueshme Hana?

5 Edhe Hana, një grua që i frikësohej Perëndisë, u tregua e besueshme. Ajo jetonte në rajonin malor të Efraimit me të shoqin, levitin Elkanah, dhe gruan tjetër të tij, Peninën. Penina lindi disa fëmijë, ndërsa Hana ishte shterpë. Prandaj ajo tallej me Hanën, sidomos kur shkonin në tabernakull si familje. Në një nga këto raste Hana u zotua që, nëse do të lindte një djalë, do t’ia jepte Jehovait. Shumë shpejt ajo mbeti shtatzënë dhe lindi një djalë që i vunë emrin Samuel. Pasi ia hoqi gjirin fëmijës, Hana ia paraqiti Perëndisë në Shiloh që t’i përkiste Jehovait ‘derisa ai të kishte jetë’. (1 Sam. 1:11) Kështu Hana e mbajti zotimin, edhe pse nuk e dinte nëse do të kishte fëmijë të tjerë.​—1 Sam. 2:20, 21.

6. Si e tregoi Tikiku se ishte i besueshëm?

6 Tikiku, një i krishterë i shekullit të parë, ishte «shërbëtor i besueshëm». (Kolos. 4:7) Ai udhëtoi me apostullin Pavël nga Greqia në Maqedoni, në Azinë e Vogël dhe ndoshta në Jerusalem. (Vep. 20:2-4) Tikiku mund të ketë qenë ‘vëllai’ që e ndihmoi Titin për të administruar dhuratën për bashkëbesimtarët e Judesë që ishin në nevojë. (2 Kor. 8:18, 19; 12:18) Kur Pavlin e burgosën për herë të parë në Romë, ai ngarkoi Tikikun e besueshëm që t’u çonte disa letra bashkëbesimtarëve në Efes dhe në Kolose. (Efes. 6:21, 22; Kolos. 4:8, 9) Kurse kur u burgos për herë të dytë në Romë, Pavli e dërgoi Tikikun në Efes. (2 Tim. 4:12) Në qoftë se jemi të besueshëm, edhe ne do të kemi bekime në shërbimin ndaj Jehovait.

7, 8. Pse mund të themi se Davidi dhe Jonatani ishin miq të vërtetë?

7 Perëndia pret që të jemi miq të besueshëm. (Prov. 17:17) I biri i mbretit Saul, Jonatani, u bë mik me Davidin. Kur Jonatani mori vesh se Davidi kishte vrarë Goliadin, «shpirti i Jonatanit u lidh me shpirtin e Davidit dhe Jonatani filloi ta donte si shpirtin e vet». (1 Sam. 18:1, 3) Madje, Jonatani e lajmëroi Davidin kur Sauli donte ta vriste. Kështu Davidi iku e më pas Jonatani shkoi ta takonte dhe bëri një besëlidhje me të. Sauli për pak sa nuk e vrau Jonatanin ngaqë i foli për Davidin, por dy miqtë u takuan sërish dhe e përsëritën besëlidhjen midis tyre. (1 Sam. 20:24-41) Në takimin e tyre të fundit, Jonatani e forcoi Davidin «në emër të Perëndisë».​—1 Sam. 23:16-18.

8 Jonatani vdiq në betejë kundër filistinëve. (1 Sam. 31:6) Davidi u shpreh në një këngë të përvajshme: «I brengosur jam për ty, o vëllai im, Jonatan; shumë i këndshëm ishe për mua. Dashuria jote ishte për mua më e mrekullueshme se dashuria e grave.» (2 Sam. 1:26) Kjo dashuri ishte një lidhje e përzemërt midis miqsh dhe nuk kishte asnjë ngjyrim seksual. Davidi dhe Jonatani ishin miq të vërtetë.

Të jemi gjithnjë «me mendje të përulur»

9. Si tregohet rëndësia e përulësisë te kapitulli i 9-të i Gjykatësve?

9 Që të jemi miq të Perëndisë, duhet të jemi «me mendje të përulur». (1 Pjet. 3:8; Psal. 138:6) Rëndësia e përulësisë tregohet te kapitulli i 9-të i Gjykatësve. Jotami, biri i Gideonit, tha: «Na ishin njëherë ca pemë që u nisën për të mirosur një mbret që të mbretëronte mbi to.» Ai përmendi ullirin, fikun dhe hardhinë. Ato përfaqësonin individë të nderuar që nuk kërkuan të sundonin mbi bashkëkombësit e tyre izraelitë. Por ferra—e cila nuk vlen veçse për zjarr—përfaqësonte mbretërinë e Abimelekut krenar, një vrasës i etur për të sunduar mbi të tjerët. Megjithëse «e mbajti me tirani fronin princëror dhe sundoi në Izrael për tre vjet», ai pësoi një vdekje të parakohshme. (Gjyk. 9:8-15, 22, 50-54) Ja pse është më mirë të jesh «me mendje të përulur»!

10. Çfarë keni mësuar nga fakti që Herodi «nuk ia dha lavdinë Perëndisë»?

10 Në shekullin e parë të e.s., u acaruan marrëdhëniet midis mbretit krenar të Judesë, Herod Agripës, dhe banorëve të Tirit e të Sidonit, që kërkonin të bënin paqe me të. Në një rast, kur Herodi po mbante një fjalim publik, populli thirri: «Zë perëndie, e jo njeriu!» Herodi nuk e refuzoi këtë lajkë, prandaj engjëlli i Jehovait e goditi dhe ai vdiq në mënyrë të tmerrshme «sepse nuk ia dha lavdinë Perëndisë». (Vep. 12:20-23) Po sikur edhe ne në njëfarë mënyre të jemi të aftë si oratorë ose si mësues të të vërtetave biblike? Atëherë le t’ia japim meritën Perëndisë për gjërat që na lejon të bëjmë.​—1 Kor. 4:6, 7; Jak. 4:6.

Të jemi guximtarë e të fortë

11, 12. Si e tregon përvoja e Enokut se Jehovai u jep guxim dhe forcë shërbëtorëve të tij?

11 Nëse ecim përulësisht në udhët e Jehovait, ai do të na japë guxim dhe forcë. (Ligj. 31:6-8, 23) Enoku, i shtati në linjën gjenealogjike që nga Adami, eci me guxim me Perëndinë, duke ndjekur një udhë të drejtë, ndryshe nga bashkëkohësit e tij të ligj. (Zan. 5:21-24) Jehovai e forcoi Enokun që t’u shpallte atyre një mesazh të fuqishëm për shkak të fjalëve dhe të veprave të paperëndishme. (Lexo Judën 14, 15.) A keni guximin e duhur për të shpallur gjykimet e Perëndisë?

12 Jehovai e solli gjykimin mbi njerëzit e paperëndishëm gjatë Përmbytjes globale të kohës së Noesë. Megjithatë, profecia e Enokut na jep zemër, sepse njerëzit e paperëndishëm të ditëve të sotme do të shkatërrohen së shpejti nga dhjetëra mijëra engjëjt e shenjtë të Perëndisë. (Zbul. 16:14-16; 19:11-16) Në përgjigje të lutjeve tona, Jehovai na jep guxim që të shpallim mesazhin e Tij, pavarësisht nëse lidhet me gjykimet e Tij apo me bekimet që do të vijnë nën sundimin e Mbretërisë.

13. Pse jemi të sigurt se Perëndia mund të na japë guximin dhe forcën që na duhet për të përballuar problemet stresuese?

13 Kemi nevojë për guximin dhe forcën që na jep Perëndia për t’u bërë ballë problemeve stresuese. Kur Esau mori për gra dy hitite, «ato ishin burim hidhërimi për [prindërit e tij] Isakun dhe Rebekën». Madje Rebeka u ankua: «Më është neveritur jeta nga bijat e Hethit. Sikur Jakobi të marrë për grua ndonjë nga bijat e Hethit, një nga këto bijat e vendit, ç’ta dua jetën?» (Zan. 26:34, 35; 27:46) Isaku e mori në dorë situatën dhe e dërgoi larg Jakobin që të gjente grua mes adhuruesve të Jehovait. Ndonëse Isaku dhe Rebeka nuk mund të ndryshonin atë që kishte bërë Esau, Perëndia u dha atyre mençuri, guxim dhe forcë që t’i qëndronin besnikë. Nëse lutemi për ndihmën e nevojshme, Jehovai do të veprojë po njësoj edhe me ne.​—Psal. 118:5.

14. Si tregoi guxim një vajzë e vogël izraelite?

14 Shekuj më vonë, një vajzë e vogël izraelite u mor robinjë nga një bandë kusarësh. Ajo u bë shërbëtore në shtëpinë e komandantit të ushtrisë siriane, Naamanit, i cili ishte i sëmurë me lebër. Ngaqë vajza kishte dëgjuar për mrekullitë që kishte kryer Perëndia nëpërmjet profetit Elise, me guxim i tha gruas së Naamanit: ‘Sikur zotëria im të shkonte në Izrael, profeti i Jehovait do ta shëronte nga lebra.’ Dhe Naamani shkoi vërtet në Izrael e u shërua me anë të një mrekullie. (2 Mbret. 5:1-3) Çfarë shembulli i shkëlqyer është kjo vajzë për të rinjtë që të mbështeten te Jehovai për të pasur guxim e t’u predikojnë mësuesve, shokëve të shkollës dhe të tjerëve!

15. Ç’veprim të guximshëm kreu Abdia, kujdestari i shtëpisë së mbretit Akab?

15 Guximi që na jep Perëndia na ndihmon të durojmë përndjekjen. Shqyrtoni rastin e Abdisë, kujdestarit të shtëpisë së mbretit Akab dhe bashkëkohës me profetin Elija. Kur mbretëresha Jezebelë urdhëroi vrasjen e profetëve të Perëndisë, Abdia fshehu 100 prej tyre «pesëdhjetë në një shpellë, e pesëdhjetë në një tjetër». (1 Mbret. 18:13; 19:18) A do të ndihmonit edhe ju me guxim të krishterë të përndjekur, siç ndihmoi Abdia profetët e Jehovait?

16, 17. Çfarë bënë Aristarku dhe Gaji kur u përndoqën?

16 Në rast se jemi të përndjekur, kemi sigurinë se Jehovai do të jetë me ne. (Rom. 8:35-39) Në amfiteatrin e Efesit bashkëpunëtorët e Pavlit, Aristarku dhe Gaji, u përballën me një turmë që ndoshta arrinte disa mijëra veta. Argjendari Dhimitër kishte shkaktuar një trazirë. Ai dhe artizanë të tjerë bënin faltore të derdhura në argjend të perëndeshës Artemisë. Por puna e tyre që u sillte goxha fitime u vu në rrezik ngaqë, për shkak të veprës së predikimit të Pavlit, shumë banorë të qytetit e lanë adhurimin e idhujve. Turma e njerëzve e tërhoqi zvarrë Aristarkun dhe Gajin në amfiteatër dhe vazhdoi të bërtiste: «E madhe është Artemisa e efesianëve!» Aristarku dhe Gaji ndoshta pritnin të vdisnin, por sekretari i qytetit e qetësoi turmën.​—Vep. 19:23-41.

17 Po të gjendeshit në një situatë të tillë, a do të kishit menduar të bënit një jetë më të lehtë? Asgjë nuk tregon se Aristarku ose Gaji e humbën guximin. Duke qenë se ishte nga Selaniku, Aristarku e dinte se shpallja e lajmit të mirë mund të sillte përndjekje. Disa kohë më parë, gjatë predikimit të Pavlit, atje kishte ndodhur një trazirë. (Vep. 17:5; 20:4) Ngaqë Aristarku dhe Gaji ecën në udhët e Jehovait, kishin forcën e guximin që u dha Ai për të duruar përndjekjen.

Të shohim me interes çështjet e të tjerëve

18. Si i ‘shihnin me interes’ çështjet e të tjerëve Priska dhe Akuila?

18 Pavarësisht nëse shërbëtorët e Perëndisë përndiqen ose jo, të gjithë ne duhet të interesohemi për njëri-tjetrin. Priska dhe Akuila ‘shihnin me interes’ çështjet e të tjerëve. (Lexo Filipianëve 2:4.) Ai çift shembullor mund t’i ketë siguruar strehim Pavlit në Efes, ku argjendari Dhimitër nxiti trazirën e përmendur më sipër. Për shkak të asaj situate, Akuila dhe Priska mund të kenë ‘vënë kokën në rrezik’ për Pavlin. (Rom. 16:3, 4; 2 Kor. 1:8) Sot interesi për vëllezërit e përndjekur na bën të jemi «të kujdesshëm si gjarpërinjtë». (Mat. 10:16-18) E bëjmë veprën tonë me kujdes dhe nuk pranojmë t’i tradhtojmë vëllezërit duke u treguar përndjekësve emrat e tyre ose informacione të tjera.

19. Ç’gjëra të mira bënte Dorka për të tjerët?

19 Ka mënyra të ndryshme se si mund t’i shohim me interes çështjet e të tjerëve. Disa të krishterë kanë nevoja të veçanta dhe ne mund të jemi në gjendje t’ua plotësojmë ato. (Efes. 4:28; Jak. 2:14-17) Në kongregacionin e shekullit të parë në Jopë ishte një grua bujare që quhej Dorka. (Lexo Veprat 9:36-42.) Dorka «bënte plot vepra të mira dhe jepte lëmoshë me bollëk». Kjo me sa duket përfshinte bërjen e veshjeve për vejushat nevojtare. Kur në vitin 36 të e.s. ajo vdiq, u solli shumë trishtim vejushave. Perëndia përdori apostullin Pjetër që ta ringjallte Dorkën, dhe ka shumë mundësi që ajo e kaloi pjesën tjetër të jetës në tokë duke predikuar me gëzim lajmin e mirë e duke bërë gjëra të mira për të tjerët. Sa të lumtur jemi që edhe sot kemi mes nesh të krishtere të tilla vetëmohuese!

20, 21. (a) Ç’lidhje ka mes inkurajimit dhe të shohësh me interes çështjet e të tjerëve? (b) Çfarë mund të bëni për t’i inkurajuar të tjerët?

20 I shohim me interes çështjet e të tjerëve duke i inkurajuar ata. (Rom. 1:11, 12) Sila, bashkëpunëtor i Pavlit, ishte burim inkurajimi. Pasi u vendos çështja e rrethprerjes rreth vitit 49 të e.s, trupi udhëheqës në Jerusalem dërgoi përfaqësues që të çonin një letër te bashkëbesimtarët kudo që ndodheshin. Sila, Juda, Barnaba dhe Pavli e çuan letrën në Antioki. Atje Sila dhe Juda «u dhanë zemër dhe i forcuan vëllezërit me shumë fjalime».—Vep. 15:32.

21 Më vonë, Pavlin dhe Silën i burgosën në Filipi, por u liruan falë një tërmeti. Sa të gëzuar do të jenë ndier ata të jepnin dëshmi e të shihnin rojën e burgut dhe familjen e tij të bëheshin besimtarë! Para se të iknin nga ai qytet, Sila dhe Pavli u dhanë zemër vëllezërve. (Vep. 16:12, 40) Ashtu si Pavli dhe Sila, përpiquni t’u jepni zemër të tjerëve me anë të komenteve, fjalimeve dhe shërbimit tuaj të zellshëm. Dhe nëse keni «ndonjë fjalë inkurajimi», mos ngurroni, por «thuajeni».​—Vep. 13:15.

Të vazhdojmë të ecim në udhët e Jehovait

22, 23. Si mund të nxjerrim vërtet dobi nga tregimet biblike?

22 Sa mirënjohës jemi për tregimet reale të shkruara në Fjalën e Jehovait, ‘Perëndisë së çdo inkurajimi’! (2 Kor. 1:3, Byington) Nëse duam të nxjerrim dobi nga këto përvoja, duhet t’i zbatojmë mësimet biblike në jetën tonë dhe të lejojmë që fryma e shenjtë e Perëndisë të na udhëheqë.​—Gal. 5:22-25.

23 Meditimi rreth tregimeve biblike do të na ndihmojë të shfaqim cilësi që i pëlqejnë Perëndisë. Do të na forcojë marrëdhënien tonë me Jehovain, i cili na jep «mençuri, njohuri dhe gëzim». (Ekl. 2:26) Si rrjedhim, mund t’ia gëzojmë zemrën Perëndisë tonë të dashur. (Prov. 27:11) Qofshim të vendosur për të vepruar kështu, duke vazhduar të ecim në udhët e Jehovait!

Si do të përgjigjeshit?

• Si mund të tregoheni të besueshëm?

• Pse duhet të jemi «me mendje të përulur»?

• Si mund të na ndihmojnë tregimet biblike që të jemi të guximshëm?

• Si mund të shohim me interes çështjet e të tjerëve?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 8]

Jefteu i besueshëm dhe e bija e mbajtën zotimin që bëri ai, megjithëse nuk ishte e lehtë

[Figura në faqen 10]

Të rinj, çfarë keni mësuar nga vajza izraelite?

[Figura në faqen 11]

Si i plotësonte Dorka nevojat e të bashkëkrishterëve?