Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A i shihni të tjerët siç i sheh Jehovai?

A i shihni të tjerët siç i sheh Jehovai?

A i shihni të tjerët siç i sheh Jehovai?

«Në trup të mos ketë ndarje, por . . . gjymtyrët e tij të kenë të njëjtin kujdes për njëra-tjetrën.»​—1 KOR. 12:25.

1. Si u ndiet kur hytë në parajsën frymore?

KUR u shkëputëm nga kjo botë e ligë dhe filluam të shoqëroheshim me popullin e Jehovait, ka mundësi të ndiheshim të lumtur që përjetonim dashurinë dhe kujdesin e ngrohtë që ekziston mes tyre. Çfarë ndryshimi me njerëzit që janë nën kontrollin e Satanait, të cilët janë të vrazhdë, plot urrejtje dhe ndezin grindje! Ne hymë në parajsën frymore e cila është plot paqe dhe unitet.​—Isa. 48:17, 18; 60:18; 65:25.

2. (a) Ç’gjë mund të ndikojë te pikëpamja që kemi për të tjerët? (b) Çfarë mund të kemi nevojë të bëjmë?

2 Por ndërsa koha kalon, mund të fillojmë t’i shohim vëllezërit me lupën e papërsosmërisë. Për shkak të papërsosmërisë mund t’i zmadhojmë gabimet e vëllezërve, në vend që të shohim të gjitha cilësitë e tyre frymore. E thënë thjesht, harrojmë t’i shohim të tjerët siç i sheh Jehovai. Nëse na ndodh kjo, është koha të shqyrtojmë pikëpamjen tonë dhe ta përputhim me pikëpamjen e qartë të Jehovait.​—Dal. 33:13.

Si i sheh Jehovai vëllezërit tanë?

3. Me çfarë e krahason Bibla kongregacionin e krishterë?

3 Siç është shkruar te 1 Korintasve 12:2-26, apostulli Pavël e krahasoi kongregacionin e të krishterëve të mirosur me një trup me «shumë gjymtyrë». Ashtu si organet e trupit ndryshojnë nga njëri-tjetri, pjesëtarët e kongregacionit ndryshojnë shumë për sa u përket karakteristikave dhe aftësive që kanë. Megjithatë, Jehovai e pranon këtë varietet. Ai e do dhe e çmon secilin prej tyre. Edhe Pavli këshillon që pjesëtarët e kongregacionit ‘të kenë të njëjtin kujdes për njëri-tjetrin’. Kjo mund të jetë e vështirë, sepse personaliteti i të tjerëve mund të ndryshojë nga yni.

4. Pse mund të kemi nevojë të ndreqim pikëpamjen që kemi për vëllezërit?

4 Madje ne mund të kemi prirjen të përqendrohemi te dobësitë e vëllezërve. Duke vepruar kështu, faktikisht është sikur po shohim me lupë vetëm një pjesë të vogël të një fotografie. Por Jehovai ka një pikëpamje më të gjerë, ai, si të thuash, sheh krejt fotografinë. Ne mund të kemi prirjen të përqendrohemi te diçka e vogël që s’na pëlqen, kurse Jehovai sheh krejt individin, përfshirë tërë cilësitë e tij të mira. Sa më shumë përpiqemi të imitojmë Jehovain, aq më shumë mund të nxitim frymën e dashurisë dhe të unitetit në kongregacion.​—Efes. 4:1-3; 5:1, 2.

5. Pse është e papërshtatshme t’i gjykojmë të tjerët?

5 Jezui ishte më se i vetëdijshëm që njerëzit e papërsosur shpesh kanë prirjen të gjykojnë të tjerët. Ai këshilloi: «Mos i gjykoni më të tjerët, që të mos gjykoheni.» (Mat. 7:1) Vini re se Jezui nuk tha vetëm: «Mos i gjykoni», por «mos i gjykoni më». Ai e dinte se shumë prej atyre që po e dëgjonin e kishin tashmë zakon të kritikonin të tjerët. Mos ndoshta edhe ne kemi një zakon të tillë? Nëse kemi këtë prirje, duhet të punojmë shumë për të ndryshuar, në mënyrë që të mos gjykohemi në mënyrë të pafavorshme. Në fakt, cilët jemi ne që të gjykojmë dikë që Jehovai po e përdor në një pozitë të caktuar ose të themi se ai nuk duhet të jetë pjesë e kongregacionit? Një vëlla mund të ketë të meta, por nëse Jehovai vazhdon ta pranojë, a do të ishte e përshtatshme ta përçmonim? (Gjoni 6:44) A besojmë vërtet se Jehovai po udhëheq popullin e tij dhe, nëse nevojiten rregullime, ai do të veprojë në kohën e duhur?​—Lexo Romakëve 14:1-4.

6. Si i sheh Jehovai shërbëtorët e tij?

6 Një gjë e mrekullueshme e Jehovait është se ai ka aftësi të shohë te çdo i krishterë se çfarë mund të bëhet në të ardhmen, kur të arrijë përsosmërinë në botën e re. Gjithashtu e di se ç’përparim frymor ka bërë tashmë personi. Prandaj Jehovai nuk ka arsye të përqendrohet te çdo dobësi e mishit. Te Psalmi 103:12 lexojmë: «Sa larg është lindja nga perëndimi, aq larg nga ne i ka vënë shkeljet tona.» Sa mirënjohës mund të jetë për këtë secili prej nesh!​—Psal. 130:3.

7. Çfarë mësojmë nga pikëpamja e Jehovait për Davidin?

7 Në Shkrime gjejmë prova që tregojnë se Jehovai ka aftësinë e jashtëzakonshme të përqendrohet te cilësitë e mira të çdo individi. Perëndia e përshkroi Davidin si «shërbëtori im . . . që i zbatoi urdhërimet e mia dhe më ndoqi me gjithë zemër, duke bërë vetëm atë që ishte e drejtë në sytë e mi». (1 Mbret. 14:8) Natyrisht, ne e dimë se Davidi bëri disa gjëra të gabuara. Megjithatë, Jehovai zgjodhi të përqendrohej te cilësitë e mira, sepse e dinte se Davidi kishte një zemër të drejtë.​—1 Kron. 29:17.

Shihini vëllezërit siç i sheh Jehovai

8, 9. (a) Në ç’mënyrë mund ta imitojmë Jehovain? (b) Si mund të ilustrohet kjo dhe çfarë mësojmë?

8 Jehovai mund të lexojë zemrat, por ne jo. Kjo në vetvete është një arsye e mirë për të mos i gjykuar të tjerët. Ne nuk i njohim të gjitha motivet e të tjerëve. Duhet të përpiqemi të imitojmë Jehovain duke mos u përqendruar te papërsosmëritë njerëzore, të cilat në fund do të zhduken. A nuk do të ishte një synim i shkëlqyer të ishim si Jehovai në këtë drejtim? Në këtë mënyrë do të kontribuojmë shumë për të pasur marrëdhënie paqësore me vëllezërit e motrat.​—Efes. 4:23, 24.

9 Të bëjmë një ilustrim. Mendoni një shtëpi që është në gjendje të mjerë—ulluqet po bien, dritaret janë të thyera dhe tavani është dëmtuar nga uji. Shumica e njerëzve që e shohin shtëpinë mund të nxjerrin përfundimin se duhet shembur, sepse është një pamje që të vret sytë. Por, vjen dikush që ka një pikëpamje krejt të ndryshme. Ai është në gjendje të shohë përtej problemeve që duken dhe sheh se struktura e shtëpisë është e fortë dhe ajo mund të meremetohet. Ai e blen shtëpinë, riparon dëmtimet sipërfaqësore dhe ia përmirëson pamjen. Më pas, kalimtarët i thonë njëri-tjetrit se sa e bukur është ajo shtëpi. A mund të jemi si ai person që punoi për ta riparuar ose meremetuar shtëpinë? Në vend që të përqendrohemi te të metat e dukshme të vëllezërve, a mund të dallojmë cilësitë e tyre të mira dhe potencialin që kanë për t’u rritur më tej frymësisht? Nëse bëjmë kështu, do të arrijmë t’i duam vëllezërit për cilësitë e bukura frymore që kanë, ashtu siç i do Jehovai.​—Lexo Hebrenjve 6:10.

10. Si mund të na ndihmojnë këshillat që gjenden te Filipianëve 2:3, 4?

10 Apostulli Pavël dha disa këshilla që mund të na ndihmojnë në marrëdhëniet me gjithë pjesëtarët e kongregacionit. Ai i nxiti të krishterët: «Mos [bëni] asgjë nga fryma e grindjes ose nga uni, por me përulësi mendjeje, duke i parë të tjerët si më të lartë se veten, duke parë me interes jo vetëm çështjet tuaja, por edhe ato të të tjerëve.» (Filip. 2:3, 4) Përulësia do të na ndihmojë të kemi pikëpamjen e duhur për të tjerët. Gjithashtu, po të tregojmë interes personal për ta dhe po të kërkojmë cilësitë e tyre të mira, kjo do të na ndihmojë t’i shohim ata siç i sheh Jehovai.

11. Cilat ndryshime kanë ndikuar te disa kongregacione?

11 Kohët e fundit, ndryshimet që kanë ndodhur në botë kanë shkaktuar lëvizje masive të njerëzve. Në disa qytete banojnë njerëz nga shumë vende të ndryshme. Disa që kanë ardhur në zonën tonë, kanë treguar interes për të vërtetën biblike dhe janë bashkuar me ne për të adhuruar Jehovain. Këta njerëz janë «nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët». (Zbul. 7:9) Si rrjedhim, shumë kongregacione, në njëfarë kuptimi, janë bërë me karakter ndërkombëtar.

12. Ç’pikëpamje duhet të mbajmë për njëri-tjetrin dhe pse kjo mund të mos jetë e lehtë ndonjëherë?

12 Në kongregacionin tonë duhet të tregojmë më shumë kujdes që të mbajmë pikëpamjen e duhur për njëri-tjetrin. Kjo kërkon që të sjellim ndër mend këshillën e apostullit Pjetër, që të shfaqim «përzemërsi vëllazërore pa hipokrizi» dhe ‘të kemi për njëri-tjetrin dashuri të zjarrtë nga zemra’. (1 Pjet. 1:22) Mund të mos jetë e lehtë të kultivojmë dashuri dhe përzemërsi të sinqertë kur në një kongregacion ka pjesëtarë nga vende të ndryshme. Kultura e këtyre bashkadhuruesve mund të jetë shumë e ndryshme nga jona dhe po ashtu edhe arsimimi, gjendja ekonomike dhe prejardhja e tyre etnike. A e keni të vështirë të kuptoni mënyrën e të menduarit ose reagimet e disave prej tyre? Ata mund të mendojnë po njësoj për ju. Pavarësisht nga kjo, të gjithëve na urdhërohet: «Kini dashuri për gjithë vëllazërinë.»​—1 Pjet. 2:17.

13. Cilat ndryshime në mendime mund të kemi nevojë të bëjmë?

13 Mund të jetë e nevojshme të bëjmë disa ndryshime në mënyrën si mendojmë, që të zgjerohemi në dashurinë tonë për të gjithë vëllezërit. (Lexo 2 Korintasve 6:12, 13.) A vërejmë ndonjëherë që themi diçka të tillë, si: «Unë nuk kam paragjykime, por . . . » dhe më pas përmendim ndonjë karakteristikë negative që mendojmë se mbizotëron te pjesëtarët e një grupi të caktuar etnik. Këto ndjenja mund të zbulojnë se kemi nevojë të heqim nga vetja paragjykimin që fle ende brenda nesh. Mund të pyesim veten: ‘A përpiqem rregullisht të njoh njerëz që kanë një kulturë të ndryshme nga imja?’ Një vetëshqyrtim i tillë mund të na ndihmojë të bëjmë përmirësime për të pranuar dhe për të vlerësuar vëllazërinë tonë ndërkombëtare.

14, 15. (a) Jepni shembuj të atyre që ndryshuan pikëpamjen që kishin për të tjerët. (b) Si mund t’i imitojmë?

14 Bibla na jep shembuj të shkëlqyer të individëve që bënë ndryshime në mendime dhe një prej tyre ishte apostulli Pjetër. Si jude, Pjetri nuk do të hynte në shtëpinë e një johebreu. Përfytyroni si u ndie ai kur iu tha të shkonte te shtëpia e Kornelit, një johebreu të parrethprerë! Pjetri ndryshoi mendim, pasi e kuptoi se vullneti i Perëndisë ishte që njerëz nga të gjitha kombet të bëheshin pjesë e kongregacionit të krishterë. (Vep. 10:9-35) Edhe Saulit, i cili më vonë u bë apostulli Pavël, iu desh të bënte ndryshime dhe të çlirohej nga paragjykimet. Ai e pranoi se i kishte urryer kaq shumë të krishterët, saqë ‘e kishte përndjekur tej mase kongregacionin e Perëndisë dhe e kishte shkretuar’. Por, kur Zotëria Jezu e ndreqi Pavlin, ai bëri ndryshime të mëdha, e madje filloi të pranonte drejtimin e atyre që më parë i kishte përndjekur.​—Gal. 1:13-20.

15 S’ka dyshim se, me ndihmën e frymës së Jehovait, ne mund të bëjmë ndryshime në qëndrimin tonë. Nëse shohim se kemi ende gjurmë të fshehura të paragjykimeve, le të punojmë për t’i çrrënjosur nga vetja dhe ‘të ruajmë njëjësinë e frymës në lidhjen e paqes’. (Efes. 4:3-6) Bibla na nxit ‘të vishemi me dashuri, pasi ajo është një lidhje e përsosur bashkimi’.​—Kolos. 3:14.

Imitoni Jehovain në shërbim

16. Cili është vullneti i Perëndisë për njerëzit?

16 «Te Perëndia nuk ka anësi»,—shkroi apostulli Pavël. (Rom. 2:11) Qëllimi i Jehovait është që njerëz nga të gjitha kombet të bashkohen në adhurimin e tij. (Lexo 1 Timoteut 2:3, 4.) Për këtë ai ka marrë masa që ‘lajmi i mirë i përhershëm’ t’i shpallet «çdo kombi, fisi, gjuhe dhe populli». (Zbul. 14:6) Jezui tha: «Ara është bota.» (Mat. 13:38) Ç’domethënie ka kjo për ju dhe për pjesëtarët e familjes suaj?

17. Si mund të ndihmojmë çdo lloj njeriu?

17 Jo të gjithë janë në gjendje të shkojnë në vise të largëta të botës për t’u çuar njerëzve mesazhin e Mbretërisë. Por fare mirë mund të jemi në gjendje t’ua çojmë këtë mesazh njerëzve nga të gjitha viset e botës të cilët banojnë në territorin tonë. A jemi syçelë ndaj mundësive për t’i dëshmuar çdo lloj njeriu, e jo vetëm atyre që u kemi predikuar prej vitesh? Pse të mos merrni iniciativën t’u predikoni të tjerëve që ende nuk u është dhënë një dëshmi e plotë?​—Rom. 15:20, 21.

18. Çfarë interesimi tregoi Jezui për njerëzit?

18 Jezui ishte më se i vetëdijshëm se të gjithë kishin nevojë për ndihmë. Ai nuk predikonte vetëm në një zonë. Një tregim biblik thotë se ai «nisi të shkonte përqark nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat». E më pas, «kur pa turmën, ai ndjeu keqardhje për ta» dhe tha se nevoja ishte e madhe.​—Mat. 9:35-37.

19, 20. Në cilat mënyra mund të pasqyrojmë interesimin e Jehovait e të Jezuit për çdo lloj njeriu?

19 Në cilat mënyra mund të shfaqni një qëndrim të ngjashëm? Disa janë përpjekur të dëshmojë në ato pjesë të territorit që nuk janë predikuar shpesh. Në to mund të përfshihen zonat tregtare, parqet, stacionet ose komplekset me pallate që mund të jenë të mbyllura. Disa janë përpjekur të mësojnë një gjuhë të huaj që t’u predikojnë disa grupeve etnike që banojnë në zonën e tyre ose njerëzve të cilëve nuk u është dhënë shpesh dëshmi në të kaluarën. Të mësojmë si t’i përshëndetim këta njerëz në gjuhën e tyre mund të jetë një faktor i rëndësishëm që tregon se sa të interesuar jemi për ta. Nëse nuk jemi në gjendje të mësojmë një gjuhë tjetër, a mund të inkurajojmë ata që po e bëjnë këtë? Sigurisht, ne nuk do të donim të ishim negativë ose të vinim në dyshim arsyet pse të tjerët po bëjnë përpjekje të tilla për t’u predikuar njerëzve të një vendi tjetër. Çdo jetë është e çmuar në sytë e Perëndisë dhe ne duam t’i shohim gjërat në të njëjtën mënyrë.​—Kolos. 3:10, 11.

20 Të kemi pikëpamjen e Perëndisë për njerëzit do të thotë edhe t’u predikojmë të gjithëve, pavarësisht nga rrethanat e tyre. Disa mund të jenë të pastrehë, jo të pastër ose duket qartë që bëjnë një jetë imorale. Nëse njerëz të tillë nuk na trajtojnë me dashamirësi, nuk duhet të krijojmë opinione negative për gjithë kombin ose grupin e tyre etnik. Disa e trajtuan keq Pavlin, por kjo nuk u bë shkak që të mos u predikonte më njerëzve të asaj race. (Vep. 14:5-7, 19-22) Ai kishte besim se disa individë do të përgjigjeshin me çmueshmëri.

21. Si do t’ju ndihmojë pasja e pikëpamjes së Jehovait për të tjerët?

21 Tani e kemi shumë të qartë se duhet të kemi pikëpamjen e duhur​—pikëpamjen e Jehovait​—në marrëdhëniet me vëllezërit vendës, me vëllezërit që vijnë nga kombe të ndryshme ose me njerëzit në territor. Sa më shumë të pasqyrojmë pikëpamjen e Jehovait, aq më shumë do t’i kontribuojmë paqes dhe unitetit. Gjithashtu do të jemi më të aftë t’i ndihmojmë të tjerët të duan Jehovain, Perëndinë që ‘nuk i mban anën’ askujt, por tregon interes të dashur për të gjithë, «se janë që të gjithë vepër e duarve të tij».​—Jobi 34:19.

A mund të përgjigjeni?

• Cilën pikëpamje për vëllezërit duhet të përpiqemi të shmangim?

• Si mund ta imitojmë Jehovain në mënyrën se si duhet t’i shohim vëllezërit?

• Ç’mësime nxorët për mënyrën se si duhet t’i shohim vëllezërit tanë nga e gjithë bota?

• Si mund të imitojmë pikëpamjen e Jehovait për njerëzit kur jemi në shërbim?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 26]

Si mund të njihni njerëz të kulturave të tjera?

[Figurat në faqen 28]

Në cilat mënyra mund t’u jepni lajmin e mirë sa më shumë njerëzve?