«Kush ndër ju është i mençur dhe ka kuptueshmëri?»
«Kush ndër ju është i mençur dhe ka kuptueshmëri?»
«Kush ndër ju është i mençur dhe ka kuptueshmëri? Le të tregojë me sjelljen e vet të shkëlqyer veprat e tij, me butësinë që vjen nga mençuria.»—JAK. 3:13.
1, 2. Ç’mund të thuhet për shumë veta që konsiderohen të mençur?
KË KONSIDERONI vërtet të mençur? Ndoshta prindërit tuaj, një të moshuar apo një profesor universiteti? Pikëpamja juaj se kush është i mençur mund të ndikohet nga formimi dhe nga rrethanat tuaja. Megjithatë, shërbëtorëve të Perëndisë u intereson në radhë të parë pikëpamja e tij.
2 Jo të gjithë njerëzit që bota i konsideron të mençur, janë vërtet të mençur në sytë e Perëndisë. Për shembull, Jobi foli me disa burra që mbaheshin si të mençur, por në fund ai tha: «Nuk gjej asnjë të mençur mes jush.» (Jobi 17:10) Për disa që e hodhën poshtë njohurinë e Perëndisë, apostulli Pavël shkroi: «Ndonëse pohonin se ishin të mençur, u bënë të marrë.» (Rom. 1:22) Gjithashtu, nëpërmjet profetit Isaia, vetë Jehovai e tha qartë: «Mjerë ata që u duket vetja të mençur.»—Isa. 5:21.
3, 4. Çfarë kërkohet që një njeri të jetë vërtet i mençur?
3 Është e qartë, pra, se duhet të përcaktojmë se ç’gjë e bën një njeri vërtet të mençur, dhe si rrjedhim të ketë miratimin e Perëndisë. Proverbat 9:10 jep këtë mendim të mençur: «Të kesh frikë nga Jehovai është hapi i parë drejt mençurisë dhe njohuria për Më të Shenjtin është kuptueshmëri.» Një njeri i mençur duhet të ketë frikën e duhur nga Perëndia dhe respekt për normat e tij. Megjithatë, nuk mjafton vetëm të pranojmë mendërisht ekzistencën e Perëndisë dhe normat e tij. Dishepulli Jakov na bën të mendojmë për këtë. (Lexo Jakovin 3:13.) Vini re shprehjen: «Le të tregojë me sjelljen e vet të shkëlqyer veprat e tij.» Mençuria e vërtetë duhet parë në sjelljen e në të folurit e përditshëm.
4 Mençuria e vërtetë përfshin të tregojmë gjykim të shëndoshë dhe ta zbatojmë me sukses njohurinë dhe kuptueshmërinë. Cilat veprime zbulojnë se kemi një mençuri të tillë? Jakovi rendit disa gjëra që janë të dukshme te veprimet e njerëzve të mençur. * Cilat fjalë të tij mund të na ndihmojnë të kemi marrëdhënie të mira me bashkëbesimtarët, si edhe me njerëzit jashtë kongregacionit?
Veprimet tregojnë se kush është vërtet i mençur
5. Si sillet një njeri vërtet i mençur?
5 Ia vlen ta përsëritim se Jakovi e lidhi mençurinë me sjelljen e shkëlqyer. Meqë të kesh frikë nga Jehovai është hapi i parë drejt mençurisë, një njeri i mençur përpiqet të sillet në përputhje me normat dhe ligjet e Perëndisë. Ne nuk kemi lindur me mençuri hyjnore. Sidoqoftë mund ta fitojmë atë me anë të studimit të rregullt të Biblës dhe meditimit. Këto do të na ndihmojnë të bëjmë atë që nxit Efesianëve 5:1: «Bëhuni . . . imitues të Perëndisë.» Sa më shumë sillemi në përputhje me personalitetin e Jehovait, aq më shumë do të shfaqim mençuri në veprimet tona. Udhët e Jehovait janë shumë e shumë herë më të larta se udhët e njeriut. (Isa. 55:8, 9) Kështu, ndërsa imitojmë udhët ose mënyrën se si i bën gjërat Jehovai, ata që nuk janë Dëshmitarë do të shohin se jemi të ndryshëm.
6. Pse butësia tregon se një njeri po imiton Perëndinë dhe çfarë nënkupton kjo cilësi?
6 Jakovi tregon se një mënyrë për të qenë si Jehovai është që të kemi «butësinë që vjen nga mençuria». Ndonëse butësia nënkupton të jesh i njerëzishëm, një i krishterë mund të ketë njëkohësisht edhe forcë karakteri, që e ndihmon të veprojë në mënyrë të ekuilibruar. Fuqia e Perëndisë është e pakufishme, megjithatë ai është i butë dhe ne nuk kemi frikë t’i afrohemi. Biri i Perëndisë e pasqyroi kaq mirë butësinë e Atit, saqë mundi të thoshte: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar, e unë do t’ju freskoj. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse jam me natyrë të butë e i përulur në zemër, dhe ju do të gjeni freskim për shpirtin.»—Mat. 11:28, 29; Filip. 2:5-8.
7. Pse mund ta shohim Moisiun si një shembull të mirë butësie?
7 Bibla flet për persona të tjerë që treguan butësi ose zemërbutësi në mënyrë të jashtëzakonshme. Njëri prej tyre ishte Moisiu. Ai kishte përgjegjësi të mëdha, megjithatë përshkruhet si «më zemërbuti ndër të gjithë ata që rronin mbi faqen e dheut». (Num. 11:29; 12:3) Kujtoni edhe ç’forcë i dha Jehovai Moisiut që të kryente vullnetin e Tij. Jehovait i pëlqente të përdorte individë të butë për të përmbushur qëllimin e tij.
8. Si mund ta shfaqin njerëzit e papërsosur «butësinë që vjen nga mençuria»?
8 Është e qartë, pra, se njerëzit e papërsosur mund ta shfaqin «butësinë që vjen nga mençuria». Ç’të themi për ne? Si mund ta shfaqim edhe më mirë këtë cilësi? Butësia është pjesë e frytit të frymës së shenjtë të Jehovait. (Gal. 5:22, 23) Mund të lutemi për frymën e tij dhe të bëjmë përpjekje të ndërgjegjshme për të shfaqur frytin e saj, duke besuar se Perëndia do të na ndihmojë të tregojmë edhe më shumë butësi. Gjejmë një motiv të fortë për ta bërë këtë në sigurinë që jep psalmisti: ‘Perëndia u mëson zemërbutëve udhën e vet.’—Psal. 25:9.
9, 10. Çfarë përpjekjesh nevojiten që të shfaqim butësi si Perëndia dhe pse?
9 Gjithsesi, kërkohen mjaft përpjekje për të përmirësuar në këtë fushë. Për shkak të formimit, disa mund të mos jenë të prirur drejt butësisë. Për më tepër, njerëzit përreth mund të nxitin një pikëpamje të kundërt, duke thënë se një njeri duhet «t’i përgjigjet zjarrit me zjarr». Por, a është vërtet e mençur kjo? Nëse në shtëpinë tuaj do të ndizej një zjarr i vogël, a do ta shuanit duke derdhur vaj apo ujë? Po të derdhnit vaj mbi zjarr, gjërat do të keqësoheshin, kurse po t’i hidhnit ujë ka mundësi ta shuanit. Në mënyrë të ngjashme Bibla na këshillon: «Përgjigjja e butë e largon tërbimin, por një fjalë që shkakton dhembje, ngjall zemërim.» (Prov. 15:1, 18) Kur lindin acarime brenda ose jashtë kongregacionit, tregojmë se kemi mençuri të vërtetë nëse reagojmë me butësi.—2 Tim. 2:24.
10 Siç u tha më sipër, shumë veta që janë të ndikuar nga fryma e botës nuk janë aspak të njerëzishëm, paqësorë e të qetë. Përkundrazi, gjejmë me bollëk njerëz të vrazhdë dhe arrogantë. Jakovi e dinte këtë, prandaj dha këshilla që individët në kongregacion të mos ndoteshin nga kjo frymë. Ç’gjë tjetër mund të mësojmë nga këshillat e tij?
Karakteristikat e të pamençurve
11. Cilat karakteristika bien në konflikt me mençurinë hyjnore?
11 Jakovi shkroi me shumë çiltërsi për karakteristikat që bien në kundërshtim të drejtpërdrejtë me mençurinë hyjnore. (Lexo Jakovin 3:14.) Xhelozia dhe fryma e grindjes janë karakteristika mishore, e jo frymore. Të shqyrtojmë se ç’ndodh kur mbizotërojnë mendimet mishore. Gjashtë grupe «të krishtere» kanë nën kontroll pjesë të kishës së Varrit të Shenjtë në Jerusalem, për të cilën thuhet se është ndërtuar në vendin ku Jezui u vra dhe u varros. Këto grupe janë grindur vazhdimisht mes tyre. Në vitin 2006, revista Time tregonte për një situatë që kishte ndodhur më parë kur murgjit e atjeshëm «u përleshën për orë të tëra, . . . duke e goditur njëri-tjetrin me mbajtës qirinjsh të stërmëdhenj». Mosbesimi i tyre ndaj njëri-tjetrit është aq i madh, saqë çelësi i kishës i është besuar një myslimani.
12. Çfarë mund të ndodhë nëse mungon mençuria?
12 Patjetër, shfaqje të tilla ekstreme të frymës së grindjes nuk duhet të gjejnë vend në kongregacionin e krishterë të vërtetë. Por nga papërsosmëria, ndonjëherë disa i kanë mbrojtur me kokëfortësi pikëpamjet e tyre. Kjo mund të shkaktojë debate dhe konflikte. Apostulli Pavël e vërejti këtë në kongregacionin e Korintit, prandaj shkroi: «Përderisa mes jush ka xhelozi dhe konflikte, a nuk jeni sipas mishit dhe a nuk po ecni, siç ecin njerëzit?» (1 Kor. 3:3) Kjo situatë e trishtueshme vazhdoi për një periudhë kohe në këtë kongregacion të shekullit të parë. Prandaj, edhe ne duhet të jemi syçelë që një frymë e tillë të mos depërtojë në ndonjë kongregacion sot.
13, 14. Jepni shembuj se si mund të shfaqet një frymë sipas mishit.
13 Si mund të depërtojë një frymë e tillë? Mund të fillojë me mënyra të vogla. Për shembull, kur ndërtohet një Sallë Mbretërie, mund të lindin mendime të ndryshme se si duhen bërë gjërat. Nëse sugjerimi i një vëllai nuk pranohet, ai mund të ndezë grindje, ndoshta duke kritikuar vazhdimisht dhe haptazi vendimet e marra. Madje mund të mos pranojë të punojë më në ndërtimin e sallës. Dikush që vepron kështu harron se kryerja e një pune që përfshin kongregacionin, zakonisht varet më shumë nga fryma paqësore e kongregacionit, sesa nga metoda specifike e përdorur. Jehovai bekon frymën e butësisë e jo të grindjes.—1 Tim. 6:4, 5.
14 Një shembull tjetër mund të jetë kur pleqtë e një kongregacioni vërejnë se një prej tyre, ndonëse ka shërbyer prej vitesh, nuk i përmbush më kualifikimet biblike. Pasi ka vërejtur që vëllait i janë dhënë këshilla specifike në të kaluarën, por ai nuk është përmirësuar, mbikëqyrësi qarkor bie dakord dhe bashkë me pleqtë e tjerë rekomandon çemërimin e tij si plak. Si duhet ta shohë plaku këtë? A do ta pranojë vendimin unanim të pleqve dhe këshillat biblike me një frymë përulësie e butësie dhe a do të jetë i vendosur të përmbushë kualifikimet biblike që të shërbejë përsëri? Apo do të mbajë mëri dhe do të jetë xheloz që nuk ka më privilegjin e mëparshëm? Pse një vëlla duhet të sillet sikur kualifikohet si plak, kur në të vërtetë nuk është kështu? Do të ishte më e mençur të tregonte përulësi dhe të pranonte vendimin dhe këshillat e pleqve!
15. Pse mendoni se këshilla e frymëzuar e Jakovit 3:15, 16 është kaq e rëndësishme?
15 Sigurisht, ka edhe mënyra të tjera se si mund të shfaqet një qëndrim i ngjashëm. Por, çfarëdo situate që të krijohet, duhet t’i shmangim këto karakteristika. (Lexo Jakovin 3:15, 16.) Dishepulli Jakov i quajti këto qëndrime «tokësore», sepse janë sipas mishit, e jo sipas mençurisë nga lart. Ato janë «shtazarake», në kuptimin që lindin nga prirjet mishore, të ngjashme me karakteristikat e krijesave që nuk arsyetojnë. Qëndrime të tilla janë «demonike», sepse pasqyrojnë prirjen e armiqve demonikë të Perëndisë. Sa e papërshtatshme është që një i krishterë të shfaqë karakteristika të tilla!
16. Çfarë rregullimesh mund të kemi nevojë të bëjmë dhe si mund t’ia arrijmë?
16 Çdo pjesëtar i kongregacionit duhet të bëjë një vetëshqyrtim dhe të përpiqet t’i zhdukë këto karakteristika. Si mësues në kongregacion, mbikëqyrësit duhet të jenë të vetëdijshëm se kanë nevojë t’i heqin nga vetja qëndrimet negative. Për shkak të papërsosmërisë dhe ndikimit të kësaj bote, kjo nuk është e lehtë. Ta bësh këtë është si të ngjitesh në një vend të pjerrët plot baltë dhe të rrëshqitshëm. Pa u mbajtur diku, mund të rrëshqasim mbrapsht. Por nëse kapemi fort pas këshillave që gjenden në Bibël dhe pranojmë ndihmën e kongregacionit mbarëbotëror të Perëndisë, ne mund të ecim para.—Psal. 73:23, 24.
Cilësi që përpiqen t’i shfaqin të mençurit
17. Si reagojnë zakonisht të mençurit kur ndodhen përballë të keqes?
17 Lexo Jakovin 3:17. Mund të nxjerrim dobi duke shqyrtuar disa nga cilësitë që vijnë kur shfaqim ‘mençurinë nga lart’. Të jemi të dëlirë do të thotë që veprimet dhe motivet tona të jenë të pastra e të pandotura. Duhet t’i hedhim poshtë menjëherë gjërat e liga, dhe kjo duhet të na bëhet refleks. Ndoshta ju ka ndodhur që kur ju ka vizituar një mjek, ju ka goditur lehtë me një çekiç të vogël poshtë kupës së gjurit. Në atë çast këmba reagon vetvetiu, nuk ke nevojë të mendohesh. Duhet të jetë po njësoj kur tundohemi për të bërë gjëra të këqija. Dëlirësia dhe ndërgjegjja jonë e stërvitur nga Bibla duhet të na nxitin në mënyrë të vetvetishme që të hedhim poshtë të keqen. (Rom. 12:9) Bibla jep shembuj të individëve që reaguan në këtë mënyrë, të tillë, si Jozefi dhe Jezui.—Zan. 39:7-9; Mat. 4:8-10.
18. Ç’do të thotë (a) të jemi paqësorë? (b) të jemi paqebërës?
18 Mençuria hyjnore kërkon gjithashtu që të jemi paqësorë. Kjo do të thotë të shmangim qëndrimet agresive a luftarake ose veprimet që do të prishnin paqen. Jakovi e zgjeron këtë pikë duke thënë: «Fryti i drejtësisë mbillet kur ka paqe në dobi të atyre që bëjnë paqe.» (Jak. 3:18) Vini re shprehjen «që bëjnë paqe». A njihemi në kongregacion si paqebërës apo si paqeprishës? A kemi shpesh mosmarrëveshje, duke u fyer lehtë ose duke fyer të tjerët? A këmbëngulim që të na pranojnë siç jemi apo me përulësi punojmë për të hequr ato veçori të personalitetit që të tjerëve, me të drejtë, u duken fyese? A njihemi si njerëz që përpiqen fort të nxitin paqen, duke qenë të shpejtë për të falur dhe duke i harruar gabimet e të tjerëve? Një vetëshqyrtim i ndershëm mund të na ndihmojë të shohim nëse kemi nevojë të përmirësojmë për të shfaqur mençurinë hyjnore në këtë aspekt.
19. Nga kuptohet se dikush është i arsyeshëm?
19 Sipas Jakovit një nga gjërat që pasqyron mençurinë nga lart është të jesh i arsyeshëm. A njihemi se kemi prirjen t’u hapim rrugë të tjerëve kur nuk është në mes ndonjë parim biblik, duke mos këmbëngulur me nxitim që të tjerët të ndjekin standardet tona? A jemi të njohur si njerëz të butë dhe me të cilët mund të flasësh lirshëm? Këto gjëra tregojnë se kemi mësuar të jemi të arsyeshëm.
20. Ç’do të vijë si rezultat nëse shfaqim cilësitë hyjnore që sapo kemi trajtuar?
20 Ç’atmosferë të këndshme mund të ketë në kongregacion teksa vëllezërit e motrat përpiqen të shfaqin gjithnjë e më shumë cilësitë hyjnore që përmendi Jakovi! (Psal. 133:1-3) Nëse jemi të butë, paqësorë dhe të arsyeshëm me njëri-tjetrin, me siguri do të kemi marrëdhënie më të mira me të tjerët dhe do të jetë e dukshme se kemi ‘mençurinë nga lart’. Në artikullin vijues do të shohim se si të mësojmë t’i shohim të tjerët siç i sheh Jehovai dhe si do të na ndihmojë kjo të jemi të butë, paqësorë dhe të arsyeshëm.
[Shënimi]
^ par. 4 Konteksti tregon se Jakovi kishte së pari në mendje pleqtë ose ‘mësuesit’ e kongregacionit. (Jak. 3:1) Patjetër, këta burra duhet të jenë shembuj në shfaqjen e mençurisë hyjnore, megjithatë të gjithë ne mund të mësojmë nga këshillat e tyre.
A mund të shpjegoni?
• Ç’gjë e bën vërtet të mençur një të krishterë?
• Si mund të përmirësojmë për të shfaqur mençurinë hyjnore?
• Çfarë karakteristikash shihen tek ata që nuk shfaqin ‘mençurinë nga lart’?
• Çfarë cilësish jeni të vendosur të kultivoni edhe më shumë?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 23]
Si mund të depërtojnë sot konfliktet?
[Figura në faqen 24]
A ju është bërë refleks ta hidhni poshtë të keqen?