Një takim shumë i rëndësishëm
Një takim shumë i rëndësishëm
KAM një takim shumë të rëndësishëm. Po ju tregoj si ndodhi që unë, një nënë e re nga Spanja, lashë këtë takim.
Në shtëpinë e prindërve të mi nuk kishte paqe dhe harmoni. Na kishte mbytur hidhërimi kur vëllai im i vogël katërvjeçar vdiq në një aksident tragjik. Gjithashtu, për shkak të veseve të këqija të tim eti, nëna nuk ndihej dhe aq e lumtur në martesë. Por kjo nuk e pengoi që të rrënjoste tek unë dhe vëllai i madh norma të larta morale.
Me kalimin e kohës, unë dhe im vëlla u martuam. S’kaloi shumë dhe nënën e diagnostikuan me kancer, që më pas i mori jetën. Por para se të vdiste, na la trashëgimi një thesar.
Një shoqe i kishte folur për shpresën biblike të ringjalljes dhe nëna kishte pranuar të studionte Biblën. Nga fundi i jetës, mesazhi i shpresës nga Bibla i dha kuptim jetës së saj dhe i solli lumturi.
Kur pamë sa mirë ndikoi mesazhi i Biblës tek ajo, edhe unë e vëllai nisëm të studionim Fjalën e Perëndisë. U pagëzova si Dëshmitare e Jehovait një muaj para se të lindja fëmijën e dytë, një vajzë të bukur të cilën e quajtëm Lusia.
Dita e pagëzimit ishte shumë e rëndësishme për mua. Një arsye ishte se tani i përkitja Jehovait, pasi i isha kushtuar atij që t’i shërbeja përgjithmonë. Arsyeja tjetër ishte se mund t’u mësoja bindjet e mia djalit dhe vajzës sime të dashur.
Por ky burim i dytë gëzimi nuk zgjati shumë. Kur ishte katër vjeçe, Lusia filloi të kishte dhembje të forta stomaku. Pas disa analizave, radiologu shpjegoi se ngjitur me mëlçinë kishte një tumor sa një portokall. Mjeku tha se Lusia kishte neuroblastomë, një kancer që përhapet shpejt. Kështu nisi beteja shtatëvjeçare e Lusisë me kancerin, që përfshinte periudha të gjata shtrimi në spital.
Një qëndrim vetëmohues
Gjatë këtyre viteve të mundimshme, Lusia shpesh më jepte zemër me përqafime të ngrohta dhe me puthje që më qetësonin. Mënyra si e përballonte sëmundjen i bëri përshtypje edhe personelit të spitalit. Gjithnjë bashkëpunonte tërë qejf me infermieret, duke i ndihmuar t’u çonin kos, lëng frutash e gjëra të tjera fëmijëve në dhomat ngjitur. Madje infermieret i jepnin një përparëse të bardhë dhe një distinktiv ku thuhej se ishte «ndihmësinfermiere».
«Prekesha kur shihja Lusinë,—sjell ndër mend një punonjëse në spital.—Ishte fëmijë i gjallë, me fantazi dhe kishte qejf të pikturonte. Ishte plot jetë dhe e pjekur, shumë e pjekur.»
Lusisë i jepte forcë dhe qetësi Fjala e Perëndisë. (Hebr. 4:12) Ajo ishte e bindur se, siç premton Fjala e Perëndisë, në botën e re «nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më». (Zbul. 21:4) Ajo interesohej për të tjerët dhe shfrytëzonte çdo rast për t’u folur për mesazhin e Biblës. Ndonëse sëmundja e saj dukej se do të kishte një fund të zymtë, shpresa e patundur te ringjallja e ndihmonte të ruante qetësinë dhe gëzimin. (Isa. 25:8) E tillë mbeti deri ditën që kanceri i mori jetën.
Pikërisht atë ditë lashë atë takim shumë të rëndësishëm. Lusia mezi i hapte sytë. I ati i mbante njërën dorë, kurse unë tjetrën. «Mos ki frikë, nuk të lë,—i pëshpërita.—Vetëm merr frymë ngadalë. Kur të zgjohesh, do të ndihesh për mrekulli. Nuk do të kesh më dhembje dhe unë do të jem aty.»
Tani duhet të shkoj në atë takim. E di që koha e pritjes nuk do të jetë e lehtë. Por e di se po të pres me durim dhe besim te Jehovai e t’i qëndroj besnike, do të jem atje kur ajo të ringjallet.
Pasuria që la Lusia
Kuraja që tregoi Lusia, si dhe mbështetja e mrekullueshme e kongregacionit, i lanë mbresa të thella tim shoqi që nuk kishte të njëjtin besim me mua. Ditën që vdiq Lusia, më tha se duhej të kthjellonte mendimet. Pas disa javësh, i kërkoi një studim biblik një plaku të kongregacionit. S’kaloi shumë dhe filloi të ndiqte të gjitha mbledhjet. Me ndihmën e Jehovait e la duhanin, diçka që s’kishte arritur ta bënte dot më parë.
Edhe pse pikëllimi që më solli humbja e Lusisë nuk është fashitur, i jam shumë mirënjohëse Jehovait për pasurinë që la ajo. Unë dhe im shoq e ngushëllojmë njëri-tjetrin me shpresën e mrekullueshme të ringjalljes, madje përfytyrojmë kohën kur do ta shohim sërish Lusinë, përfytyrojmë sytë e saj të mëdhenj e plot jetë dhe gropëzat në faqe kur buzëqesh.
Përvoja tragjike e sime bije ndikoi shumë edhe te një fqinjë e lagjes. Një të shtunë në mëngjes, kur binte shi, erdhi në shtëpinë tonë një zonjë, djali i së cilës shkonte në shkollën e Lusisë. Asaj i kishte vdekur një djalë tjetër 11 vjeç nga po ajo sëmundje. Kur mori vesh për Lusinë, zonja pyeti ku banonim dhe erdhi të na takonte. Donte të dinte si po e përballoja vdekjen e Lusisë dhe sugjeroi të krijonim një grup terapie për të ngushëlluar nënat si ne.
I shpjegova se unë tanimë kisha gjetur ngushëllim të vërtetë në një premtim të Biblës, që as krahasohet me çfarëdo ngushëllimi që mund të japin njerëzit. I ndritën sytë kur i lexova fjalët e Jezuit te Gjoni 5:28, 29. Pranoi një studim biblik dhe shpejt nisi të ndiente ‘paqen e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim’. (Filip. 4:7) Shpesh, kur studiojmë Biblën bashkë, ndalemi dhe përfytyrojmë veten në botën e re, teksa presim krahëhapur njerëzit e dashur që do të ringjallen.
Po, me jetën e saj të shkurtër Lusia la një pasuri jetëgjatë. Besimi i saj ndihmoi që familja jonë të bashkohej në shërbimin e Perëndisë dhe ma forcoi vendosmërinë për ta mbajtur besimin të patundur. Pa dyshim, të gjithë ne që kemi humbur njerëz të dashur që kanë shpresën e ringjalljes, kemi lënë një takim shumë të rëndësishëm.
[Figura në faqen 20]
Vizatim i parajsës nga Lusia