Përhapet lajmi i mirë në lartësitë e Andeve
Përhapet lajmi i mirë në lartësitë e Andeve
JA TEK ishim, 18 veta të shtrirë mbi dyshekë kampingu në atë dysheme të pistë. Dridheshim nga të ftohtët teksa dëgjonim shiun që binte litar e që kërciste në çatinë prej llamarine. Ajo strehëz ishte si mos më keq, ndaj pyesnim veten në kishte banuar njeri para nesh.
Por, ç’kërkonim ne të 18 në ato anë? Përgjigjja gjendet te dëshira jonë për t’iu bindur urdhrit të Jezuit që lajmi i mirë të predikohet «deri në skajin më të largët të tokës». (Vep. 1:8; Mat. 24:14) Kishim shkuar të predikonim në një zonë të izoluar në Andet e Bolivisë.
Ngjitja
Vështirësia e parë ishte të ngjiteshim në Ande. Morëm vesh se transporti publik për në ato vise të thella, nuk kishte orar fiks. Kur u duk autobusi, pamë se ishte më i vogël nga ç’mendonim, ndaj disa prej nesh mbetën në këmbë. Por më në fund ia dolëm të shkonim.
Pikësynimi ynë ishte të predikonim në fshatrat lart, në Andet e Bolivisë. Pasi zbritëm nga autobusi, ata që ishin të ngarkuar me pajisje e furnizime, ecnin tërë kujdes në rresht për një në shtigjet e rrëpirëta malore.
Ndonëse fshatrat dukeshin të vogla, shtëpitë ishin nga njëri cep në tjetrin, kështu që kaluam orë të tëra në çdo fshat. Sado larg që shkonim, gjithnjë dukej një shtëpi tjetër atje tej. Kushedi sa herë humbnim në labirintin e shtigjeve gjarpëruese nëpër ara.
«Pse nuk erdhët më parë?»
Një gruaje i bëri kaq shumë përshtypje që kishim ardhur më këmbë nga ana e anës, saqë na la të përdornim kuzhinën dhe drutë për të bërë drekën. Kur mësoi se çfarë thotë Bibla për gjendjen e të vdekurve, një burrë pyeti: «Pse nuk erdhët më parë?» Ishte kaq i interesuar, saqë kur po iknim nga fshati i tij, na shoqëroi që të na bënte pyetje të tjera rrugës. Një burrë tjetër nuk kishte dëgjuar kurrë për Dëshmitarët e Jehovait dhe i pëlqyen shumë botimet tona. S’dinte si të na falënderonte që shkuam dhe na dha çelësin e një shtëpize ku të kalonim natën.
Një natë, terri ishte kaq i dendur, saqë padashur i ngritëm tendat në mes të një kolonie milingonash të mëdha të zeza. Ato s’na e përtuan, por nisën të na pickonin të bezdisura. Ishim të rraskapitur ndaj s’luajtëm vendit, por shyqyr që, s’kaloi shumë, dhe milingonat s’u morën më me ne.
Në fillim na dhimbte shpina dhe brinjët ngaqë po flinim përtokë, por gjatë natës u mësuam. Kur zbardhi, harruam çdo dhimbje tek soditnim panoramën. Syri na rrokte luginat e virgjëra me retë që kacavareshin përtueshëm anash tyre dhe tutje në horizont kreshtat madhështore veshur
me qeleshe dëbore. Heshtjen e thyenin vetëm gurgullima e një përroi dhe kënga e zogjve.Pasi u lamë në përrua, shqyrtuam së bashku një varg nga Bibla, hëngrëm mëngjesin dhe dalëngadalë morëm kodrën përpjetë për në fshatrat e tjera të largëta. Mundi ynë u shpërblye. Takuam një grua të moshuar që qau kur mësoi se emri i Perëndisë, Jehova, është në Bibël. Ishte tejet e mallëngjyer. Tani mund t’i drejtohej me emër Perëndisë kur lutej.
Një i moshuar tha se Perëndia patjetër ishte kujtuar për të dhe, sakaq, ia mori një kënge që thoshte se na kishin dërguar engjëjt. Një burrë tjetër, aq i sëmurë sa nuk dilte nga shtëpia, na tha se askush në fshat s’e merrte mundimin t’i shkonte për vizitë. U çudit shumë që kishim bërë gjithë atë rrugë që nga La Pazi. Edhe një burri tjetër i bëri shumë përshtypje që Dëshmitarët e Jehovait shkojnë t’i takojnë njerëzit në shtëpi, kurse fetë e tjera vetëm sa i ftojnë me këmbanat e kishave.
Asnjë shtëpi në atë zonë nuk ka elektricitet, kështu njerëzit flenë kur errësohet dhe zgjohen me lindjen e diellit. Prandaj, për t’i gjetur njerëzit në shtëpi duhet të fillonim predikimin në orën 6.00 të mëngjesit. Përndryshe shumica e njerëzve do të kishin dalë në arë. Më vonë, disa që e kishin nisur punën, ndaleshin me kënaqësi për të dëgjuar mesazhin e Fjalës së Perëndisë, e ndoshta, kaun që tërhiqte parmendën e linin të merrte pak frymë. Shumë nga njerëzit që gjenim në shtëpi shtronin lëkurë deleje që të uleshim dhe thërritnin gjithë familjen të dëgjonte. Nga mirënjohja për literaturën biblike që u linim, disa bujq na jepnin torba të mëdha me misër.
«Nuk më harruat»
Natyrisht, që njerëzit të përparojnë në njohurinë për Biblën, s’mjafton vetëm një vizitë. Shumë veta na u përgjëruan të ktheheshim e t’u mësonim më tepër. Prandaj kemi bërë disa udhëtime në këto anë të Bolivisë.
Në një nga udhëtimet e fundit, një grua e moshuar ishte mjaft e gëzuar që u kthyem, dhe tha: «Ju kam si fëmijët e mi. Nuk më harruat.» Një burrë na falënderoi për punën tonë dhe na ftoi të rrinim në shtëpinë e vet kur të ktheheshim prapë. Ndoshta shpërblimi më i madh për përpjekjet tona ishte kur morëm vesh se një grua, të cilën e kishim takuar në një nga vizitat e mëparshme, ishte transferuar në qytet dhe po predikonte lajmin e mirë.
Ditën e fundit të udhëtimit të parë, na mbaroi vajguri për sobën dhe thuajse s’na kishin mbetur më ushqime. Mblodhëm dru sa për të ndezur zjarrin, gatuam atë pak ushqim që kishim dhe morëm rrugën në këmbë. Ishim shumë kilometra larg qytetit ku mund të merrnim autobusin. Arritëm atje kur ishte errur.
Kthimi
Edhe gjatë kthimit patëm telashe, sepse autobusi u prish. Më në fund na mori një kamion që ishte dëng me njerëz. Kjo na dha mundësi t’u predikonim pasagjerëve që ishin kuriozë pse kishim shkuar në ato anë. Ndonëse nga natyra janë të ndrojtur, njerëzit e atyre viseve në përgjithësi janë të përzemërt e miqësorë.
Pas nëntë orësh udhëtim në rimorkion e kamionit, mbërritëm në shtëpi. Ishim bërë qull dhe na kishte hyrë i ftohti gjer në palcë. Prapëseprapë udhëtimi nuk na shkoi kot. Rrugës morëm takim të fillonim studim biblik me një grua që jeton në qytet.
Ishte vërtet privilegj t’u shpallnim lajmin e mirë banorëve të atyre zonave të thella. Kishim predikuar në katër fshatra të mëdha dhe në shumë të tjera më të vogla. S’kishte si të mos na vinin ndër mend fjalët: «Sa të bukura janë mbi male këmbët e atij që sjell lajmin e mirë, që shpall paqen, që sjell lajmin e mirë për diçka më të mirë, që shpall shpëtimin.»—Isa. 52:7; Rom. 10:15.
[Figura në faqen 17]
Gati për të përhapur lajmin e mirë