Të hapim rrugë kur është e përshtatshme
Të hapim rrugë kur është e përshtatshme
«Vazhdo t’u kujtosh atyre që . . . të jenë të arsyeshëm.»—TIT. 3:1, 2.
1, 2. Përse është e përshtatshme të hapim rrugë dhe çfarë thonë Shkrimet për këtë?
JEHOVAI, Ati ynë i dashur qiellor, zotëron mençuri të pakufishme. Si krijesa të tij, ne kërkojmë drejtim nga ai në jetën tonë. (Psal. 48:14) Dishepulli i krishterë Jakovi na thotë se «mençuria nga lart është para së gjithash e dëlirë, pastaj paqësore, e arsyeshme, e gatshme të bindet, plot mëshirë dhe fryte të mira, nuk mban anë dhe nuk është hipokrite».—Jak. 3:17.
2 «Arsyetueshmërinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit»,—nxiti apostulli Pavël. * (Filip. 4:5) Krishti Jezu është Zotëria dhe Kreu i kongregacionit të krishterë. (Efes. 5:23) Për secilin nga ne është shumë e rëndësishme të veprojë me arsyetueshmëri, duke iu nënshtruar drejtimit të Krishtit dhe duke hapur rrugë në marrëdhëniet me njerëzit e tjerë.
3, 4. (a) Ilustroni ç’dobi kemi kur hapim rrugë. (b) Çfarë do të shqyrtojmë?
3 Nxjerrim shumë dobi nëse hapim rrugë kur është e përshtatshme. Sa për ilustrim: Kur në Britani u zbulua një komplot për një akt të dyshuar terrorist, shumica e pasagjerëve të avionëve ishin të gatshëm t’u bindeshin rregullave të reja që ndalonin marrjen në bord të sendeve që më parë ishin të lejueshme. Po kështu, kur jemi me makinë, e kemi të nevojshme t’u hapim rrugë shoferëve të tjerë, si për shembull, kur jemi në një rrethrrotullim, sepse duam që askush të mos dëmtohet dhe trafiku të mos bllokohet.
4 Sidoqoftë, shumë prej nesh nuk e kemi të lehtë të hapim rrugë. Për të na ndihmuar, le të shqyrtojmë tri aspekte të kësaj cilësie, domethënë, motivin, qëndrimin kundrejt autoritetit dhe deri në ç’masë duhet të hapim rrugë.
Përse të hapim rrugë?
5. Për ç’motiv një skllav mund të zgjidhte të qëndronte me zotërinë e tij, sipas Ligjit të Moisiut?
5 Një shembull nga kohët para krishterimit përqendrohet në motivin e drejtë për të hapur rrugë. Sipas Ligjit të Moisiut, hebrenjtë që ishin skllevër, duheshin liruar vitin e shtatë të skllavërisë ose vitin e Jubileut, cilido që të vinte i pari. Mirëpo, një skllav mund të zgjidhte që të qëndronte i tillë. (Lexo Daljen 21:5, 6.) Për ç’motiv do ta bënte? Dashuria ishte motivi për të cilin një skllav do të qëndronte në atë gjendje, nën autoritetin e zotërisë së tij të dashur.
6. Si na ndihmon dashuria që të hapim rrugë?
6 Në mënyrë të ngjashme, dashuria për Jehovain na nxit t’ia kushtojmë atij jetën e më pas të jetojmë në përputhje me kushtimin që kemi bërë. (Rom. 14:7, 8) Apostulli Gjon shkroi: «Kjo është dashuria për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij, e megjithatë, urdhërimet e tij nuk janë të rënda.» (1 Gjon. 5:3) Kjo dashuri nuk kërkon interesat e veta. (1 Kor. 13:4, 5) Në marrëdhëniet me të tjerët, dashuria për ta na motivon të hapim rrugë e të vëmë interesat e tyre para tonave. Në vend që të drejtohemi nga egoizmi, mbajmë parasysh interesat e të tjerëve.—Filip. 2:2, 3.
7. Sa e rëndësishme është të hapim rrugë kur jemi në shërbim?
7 As fjalët, as veprimet tona s’duhet të bëhen pengesë për të tjerët. (Efes. 4:29) Dashuria do të na nxitë të mos bëjmë asgjë që mund t’i pengonte njerëz të kulturave e prejardhjeve të ndryshme, të përparonin në shërbimin e Jehovait. Shpesh, kjo do të thotë të hapim rrugë. Për shembull, motrat misionare që janë mësuar të bëjnë makijazh apo të mbajnë bizhuteri, nuk këmbëngulin t’i përdorin këto gjëra në ato zona ku mbajtja e tyre do të vinte në pikëpyetje moralin e motrave dhe do të pengonte të tjerët.—1 Kor. 10:31-33.
8. Si na ndihmon dashuria për Perëndinë, që të sillemi ‘si më të vegjël’?
8 Dashuria për Jehovain na ndihmon të kapërcejmë edhe krenarinë. Pasi dishepujt u grindën mes tyre se cili ishte më i madhi, Jezui mori një fëmijë, e vuri në mes dhe u tha: «Kushdo që e pranon këtë fëmijë të vogël në emrin tim, më pranon edhe mua. Dhe kushdo që më pranon mua, pranon edhe atë që më dërgoi. Sepse ai që sillet si më i vogli mes jush, është i madh.» (Luka 9:48; Mar. 9:36) Personalisht, mund ta kemi mjaft të vështirë të sillemi «si më i vogli». Papërsosmëria e trashëguar dhe prirja për të qenë krenarë, mund të na nxitin që të duam të biem në sy, porse përulësia do të na ndihmojë të hapim rrugë e t’u tregojmë nderim të tjerëve.—Rom. 12:10.
9. Çfarë duhet të pranojmë që të hapim rrugë?
9 Që të hapim rrugë duhet të pranojmë autoritetin e atyre që ka vendosur Perëndia. Të gjithë të krishterët e vërtetë e pranojnë rëndësinë e parimit të kryesisë. Apostulli Pavël ua tregoi qartësisht këtë korintasve: «Dua të dini se kreu i çdo burri është Krishti, kreu i gruas është burri, dhe kreu i Krishtit është Perëndia.»—1 Kor. 11:3.
10. Ç’tregojmë kur i nënshtrohemi autoritetit të Jehovait?
10 Kur i nënshtrohemi autoritetit të Perëndisë, tregojmë se kemi besim e siguri tek ai, si Ati ynë i dashur qiellor. Ai është në dijeni të çdo gjëje që ndodh, dhe mund të na shpërblejë sipas veprimeve tona. Është e rëndësishme ta mbajmë këtë në mend, sidomos në ato raste kur të tjerët nuk na trajtojnë me respekt, zemërohen apo nxehen. Pavli shkroi: «Nëse është e mundur dhe aq sa varet nga ju, jini paqësorë me të gjithë.» Pavli e përforcoi këtë këshillë me nxitjen: «Mos u hakmerrni për veten, o të dashur, por lërini vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: ‘Hakmarrja më përket mua, unë do të shpaguaj’,—thotë Jehovai.»—Rom. 12:18, 19.
11. Si mund të tregojmë se po i nënshtrohemi kryesisë së Krishtit?
11 Një faktor tjetër që duhet të mbajmë parasysh, është të respektojmë autoritetin e atyre që ka caktuar Perëndia në kongregacionin e krishterë. Kreu i parë i Zbulesës e përshkruan Krishtin Jezu teksa mban në dorën e djathtë «yjet» e kongregacionit. (Zbul. 1:16, 20) Në kuptimin e përgjithshëm, këto «yje» përfaqësojnë trupat e pleqve ose mbikëqyrësit e kongregacioneve. Këta mbikëqyrës të emëruar i nënshtrohen udhëheqjes së Krishtit dhe imitojnë mënyrën dashamirëse me të cilën ai sillet me të tjerët. Të gjithë në kongregacion i nënshtrohen masës që ka marrë Jezui për të siguruar «ushqim në kohën e duhur» përmes ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’. (Mat. 24:45-47) Sot, gatishmëria jonë për të studiuar dhe zbatuar këtë artikull, tregon se personalisht po i nënshtrohemi kryesisë së Krishtit, dhe kjo i hap rrugë paqes e unitetit.—Rom. 14:13, 19.
Deri në ç’masë të hapim rrugë?
12. Pse të hapësh rrugë ka një kufi?
12 Megjithatë, të hapim rrugë nuk do të thotë të bëjmë kompromis me besimin tonë apo me parimet e Perëndisë. Ç’qëndrim mbajtën të krishterët e hershëm, kur krerët fetarë i urdhëruan të mos mësonin më në emër të Jezuit? Pjetri dhe apostujt e tjerë u përgjigjën me guxim: «Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve.» (Vep. 4:18-20; 5:28, 29) Edhe sot, kur autoritetet qeveritare përpiqen të na detyrojnë të mos predikojmë më lajmin e mirë, ne nuk ndalemi, ndonëse mund t’i përshtatim metodat e predikimit që ta përballojmë situatën me takt. Nëse janë vënë kufizime për shërbimin shtëpi më shtëpi, përpiqemi të gjejmë mënyra të tjera për të folur me njerëzit, ndërkohë që vazhdojmë t’i bindemi Perëndisë duke përmbushur detyrën që na ka caktuar. Në mënyrë të ngjashme, kur ‘autoritetet më të larta’ ndalojnë mbledhjet tona, me maturi mblidhemi në grupe të vogla.—Rom. 13:1; Hebr. 10:24, 25.
13. Ç’tha Jezui për nënshtrimin ndaj autoriteteve?
13 Në Predikimin në Mal, Jezui theksoi se është e nevojshme t’u nënshtrohemi autoriteteve: «Nëse dikush do të të hedhë në gjyq e të marrë veshjen tënde të poshtme, jepi edhe të sipërmen. Nëse dikush të detyron të ecësh me të një kilometër, shko me të dy kilometra.» (Mat. 5:40, 41) * Konsiderata për të tjerët dhe dëshira për t’i ndihmuar, na nxit që të bëjmë më shumë nga sa na kërkohet.—1 Kor. 13:5; Tit. 3:1, 2.
14. Përse s’duhet t’i hapim kurrë rrugë apostazisë?
14 Sidoqoftë, dëshira për të hapur rrugë s’duhet të na çojë kurrë deri aty sa të bëjmë kompromis me apostatët. Në këtë pikë është e nevojshme të kemi një qëndrim të qartë e të vendosur, që të ruajmë pastërtinë e së vërtetës dhe unitetin e kongregacionit. Në lidhje me ‘vëllezërit e rremë’, Pavli shkroi: «Këtyre nuk u hapëm rrugë dhe nuk iu nënshtruam as edhe për një orë, që e vërteta e lajmit të mirë të mbetet me ju.» (Gal. 2:4, 5) Në ato raste të rralla që shfaqet apostazia, të krishterët e devotshëm qëndrojnë të patundur përkrah asaj që është e drejtë.
Mbikëqyrësit duhet të hapin rrugë
15. Si mund të hapin rrugë mbikëqyrësit e krishterë kur mblidhen bashkë?
15 Një nga kualifikimet e atyre që emërohen për të shërbyer si mbikëqyrës, është që të jenë të arsyeshëm ose që hapin rrugë. Pavli shkroi: «Prandaj, mbikëqyrësi duhet të jetë . . . i arsyeshëm.» (1 Tim. 3:2, 3) Kjo është sidomos e rëndësishme kur burrat e emëruar mblidhen për të shqyrtuar çështjet e kongregacionit. Përpara se të marrin një vendim, çdo i pranishëm është i lirë të shprehë qartësisht mendimin e vet, edhe pse nuk është e thënë se të gjithë pleqtë duhet të bëjnë ndonjë koment. Gjatë diskutimit, pikëpamja e dikujt mund të ndryshojë, teksa dëgjon të tjerët që përmendin parime biblike që zbatohen për atë rast. Në vend që të kundërshtojë të tjerët e të këmbëngulë në të vetën, një plak i pjekur hap rrugë. Në fillim të diskutimit mund të ketë pasur pikëpamje kontradiktore, mirëpo reflektimi dhe lutja nxitin njëjësinë mes pleqve modestë e që hapin rrugë.—1 Kor. 1:10; lexo Efesianëve 4:1-3.
16. Ç’frymë duhet të pasqyrojë një mbikëqyrës i krishterë?
16 Në gjithë veprimtarinë e tij, një plak i krishterë duhet të përpiqet të përkrahë rregullin teokratik. Kjo frymë duhet të pasqyrohet edhe në veprën baritore, që ta ndihmojë të jetë i respektueshëm dhe i ëmbël me të tjerët. Pjetri shkroi: «Kulloteni kopenë e Perëndisë që është nën kujdesin tuaj, jo me detyrim, por vullnetarisht, as për fitim të pandershëm, por me gatishmëri.»—17. Si mund të hapin rrugë të gjithë në kongregacion në marrëdhëniet me të tjerët?
17 Pjesëtarët e moshuar të kongregacionit e vlerësojnë ndihmën e çmuar të më të rinjve dhe i trajtojnë këta me dinjitet. Në këmbim, të rinjtë i respektojnë të moshuarit, të cilët kanë vite të tëra përvoje në shërbim të Jehovait. (1 Tim. 5:1, 2) Pleqtë e krishterë i mbajnë sytë hapur për burra të kualifikuar, të cilëve mund t’u japin disa përgjegjësi, dhe i stërvitin që të kujdesen për kopenë e Perëndisë. (2 Tim. 2:1, 2) Çdo i krishterë duhet të vlerësojë individualisht këshillën e frymëzuar të Pavlit: «Jini të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes jush, dhe jini të nënshtruar, sepse rrinë zgjuar për shpirtrat tuaj si ata që do të japin llogari, që ta bëjnë këtë me gëzim e jo me psherëtima, sepse kjo do të ishte në dëmin tuaj.»—Hebr. 13:17.
Të hapim rrugë në familje
18. Përse është e përshtatshme të hapim rrugë edhe brenda familjes?
18 Edhe pjesëtarët e familjes kanë nevojë të hapin rrugë. (Lexo Kolosianëve 3:18-21.) Bibla tregon rolet që ka secili pjesëtar i familjes së krishterë. Burri është kreu i gruas dhe njëkohësisht përgjegjësi kryesor për drejtimin e fëmijëve. Gruaja duhet të pranojë autoritetin e të shoqit, kurse fëmijët duhet të bëjnë çmos të jenë të bindur, pasi kjo i pëlqen Zotërisë. Secili nga pjesëtarët mund të japë ndihmesën e vet që familja të ketë paqe dhe unitet, duke hapur rrugë me ekuilibër dhe kur është e përshtatshme. Bibla ka disa shembuj që na ndihmojnë ta kuptojmë këtë pikë.
19, 20. (a) Si ndryshojnë shembulli i Eliut dhe ai i Jehovait kur bëhet fjalë për të hapur rrugë? (b) Ç’mësojnë prindërit nga këta shembuj?
19 Kur Samueli ishte ende një djalë i vogël, Eliu shërbente si kryeprifti i Izraelit. Mirëpo, djemtë e Eliut, Hofni dhe Finehasi, ishin «njerëz pa pikë vlere, që s’donin t’ia dinin për Jehovain». Eliu dëgjoi fjalë të këqija për ta, përfshirë edhe se po kryenin kurvëri me gratë që shërbenin në hyrjen e tendës së takimit. Si reagoi ai? Eliu u tha se po të mëkatonin kundër Jehovait, askush s’do të lutej për ta. Por, ai as i 1 Sam. 2:12-17, 22-25, 34, 35; 4:17, 18.
korrigjoi, as i disiplinoi. Për këtë arsye, djemtë e Eliut vazhduan në udhën e tyre të ligë. Më në fund, Jehovai vendosi me të drejtë se ata meritonin dënimin me vdekje. Kur dëgjoi lajmin për vdekjen e tyre, edhe Eliu vdiq. Ç’fund i trishtë! Qartë, Eliu nuk veproi drejt që u hapi rrugë në mënyrë të papërshtatshme veprimeve të tyre të liga, pra që i la të vazhdonin.—20 Në kundërshtim me këtë shembull, të shqyrtojmë si veproi Jehovai me bijtë e tij engjëllorë. Profeti Mikajah pati një vegim të jashtëzakonshëm të një mbledhjeje që bëri Jehovai me engjëjt. Jehovai i pyeti se cili mund t’ia prishte mendjen Akabit, mbretit të Izraelit, që të sillte rrëzimin e këtij mbreti të lig. Jehovai dëgjoi sugjerimet e ndryshme të bijve të vet frymorë. Pastaj një engjëll tha se mund ta bënte ai. Jehovai e pyeti se si. I kënaqur me përgjigjen, Jehovai ia ngarkoi atij engjëlli detyrën. (1 Mbret. 22:19-23) Ç’mësime nxjerrin nga ky tregim pjesëtarët e familjes? Një bashkëshort dhe baba i krishterë bën mirë t’i marrë parasysh idetë dhe sugjerimet e gruas e të fëmijëve. Nga ana tjetër, gratë dhe fëmijët duhet të kuptojnë se pasi të kenë shprehur një mendim apo parapëlqim, duhet t’i nënshtrohen e të respektojnë drejtimin e atij që Bibla e ka autorizuar të vendosë.
21. Ç’do të shqyrtojmë në artikullin vijues?
21 Sa mirënjohës jemi që Jehovai na kujton me dashuri e mençuri që të hapim rrugë! (Psal. 119:99) Në artikullin tjetër do të shqyrtojmë se si të gjejmë gëzim në martesë, duke hapur rrugë kur është e përshtatshme.
[Shënimet]
^ par. 2 Fjala që përdori apostulli Pavël është e vështirë të përkthehet me një fjalë të vetme. Një vepër referimi thotë: «Arsyetueshmëria përfshin gatishmërinë për të hequr dorë nga të drejtat e tua dhe të tregosh konsideratë e ëmbëlsi ndaj të tjerëve.» Pra, fjala që përdori Pavli nënkupton të hapësh rrugë e të jesh i arsyeshëm, të mos këmbëngulësh për të zbatuar rreptësisht çdo shkronjë të ligjit ose për të kërkuar të drejtat e tua, si dhe t’i nënshtrohesh dikujt që ka autoritet.
^ par. 13 Shih artikullin «Nëse dikush të merr angari», në Kullën e Rojës të 15 shkurtit 2005, faqet 23-26.
Si do të përgjigjeshe?
• Ç’rezultate të mira do të kemi po të hapim rrugë?
• Si tregojnë mbikëqyrësit se hapin rrugë?
• Përse është e rëndësishme të hapim rrugë edhe brenda familjes?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 4]
Pleqtë imitojnë mënyrën dashamirëse me të cilën Krishti sillej me të tjerët
[Figura në faqen 6]
Në mbledhjet e pleqve, lutja, reflektimi dhe gatishmëria për të hapur rrugë, nxitin unitetin