Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’do të thotë të jesh i martuar dhe prind në këtë kohë të fundit?

Ç’do të thotë të jesh i martuar dhe prind në këtë kohë të fundit?

Ç’do të thotë të jesh i martuar dhe prind në këtë kohë të fundit?

«Koha që mbetet është shkurtuar.»​—1 KOR. 7:29.

1. (a) Cilat ndryshime që po ndodhin, janë mes gjërave «të vështira për t’u përballuar»? (b) Pse duhet të na interesojnë ndryshimet që po pësojnë vlerat e familjes?

FJALA e Perëndisë parathoshte se në ‘kohën e fundit’ do të kishte luftëra, tërmete, zi buke dhe murtaja. (Dan. 8:17, 19; Luka 21:10, 11) Gjithashtu, Bibla paralajmëronte se në këtë periudhë kritike të historisë së njerëzimit do të ndodhnin ndryshime shoqërore të mëdha. Mes gjërave «të vështira për t’u përballuar» në këto ‘ditë të fundit’ kritike, do të ishin edhe problemet në familje. (2 Tim. 3:1-4) Pse duhet të na interesojnë këto ndryshime? Sepse janë kaq të përhapura e kaq të fuqishme, sa mund të ndikojnë edhe në pikëpamjen e të krishterëve për atë se ç’do të thotë të jesh i martuar dhe prind. Në ç’mënyrë?

2. Si e konsideron bota në përgjithësi martesën dhe divorcin?

2 Në ditët e sotme, divorci është bërë një gjë e lehtë dhe mjaft e përhapur, dhe përqindja e divorceve në shumë vende po rritet me shpejtësi. Megjithatë, ne duhet ta kemi të qartë se pikëpamja e Perëndisë Jehova për martesën dhe divorcin ndryshon krejtësisht nga ajo që është e pranuar gjerësisht në botë. Cila është, pra, pikëpamja e Jehovait?

3. Si e konsiderojnë martesën Jehovai dhe Jezu Krishti?

3 Perëndia Jehova pret që të martuarit t’i mbeten besnikë betimit martesor. Kur lidhi në martesë burrin dhe gruan e parë, Jehovai tha se «burri . . . do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe ata do të bëhen një mish i vetëm». Më vonë, Jezu Krishti e përsëriti këtë pohim dhe shtoi: «Prandaj, atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.» Më tej, Jezui shtoi: «Kushdo që divorcohet nga gruaja, përveç rastit kur ajo kryen kurvëri, dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje.» (Zan. 2:24; Mat. 19:3-6, 9) Pra, për Jehovain dhe Jezuin martesa është një lidhje që zgjat përjetë dhe që mbaron vetëm kur njëri nga bashkëshortët vdes. (1 Kor. 7:39) Meqë martesa është e shenjtë, divorci nuk është një çështje që duhet marrë me lehtësi. Faktikisht, Fjala e Perëndisë thotë se Jehovai e urren divorcin që nuk ka bazë biblike. *​—Lexo Malakinë 2:13-16; 3:6.

Martesa​—Një përgjegjësi serioze

4. Pse disa të rinj të krishterë pendohen që janë nxituar të martohen?

4 Bota e paperëndishme në të cilën jetojmë është e fiksuar pas seksit. Çdo ditë, bombardohemi nga një sasi marramendëse pamjesh sensuale. S’mund ta shpërfillim ndikimin që ato mund të kenë te ne, sidomos tek të rinjtë tanë të dashur në kongregacion. Si duhet të reagojnë të rinjtë e krishterë ndaj këtij ndikimi të lig, i cili mund të ngjallë dëshira seksuale edhe kundër vullnetit të tyre? Disa janë përpjekur të shpëtojnë nga ky ndikim duke u martuar në një moshë shumë të re. Në këtë mënyrë, ata shpresojnë të shmangin imoralitetin seksual. Mirëpo, pa kaluar shumë kohë, disa prej tyre janë penduar që kanë marrë këtë vendim. Pse? Kur kureshtja për martesën si diçka e re është venitur, kanë kuptuar se s’kanë shumë gjëra të përbashkëta me bashkëshortin për sa i përket jetës së përditshme. Kuptohet që në rrethana të tilla këto çifte ballafaqohen me sfida serioze.

5. Ç’do t’i ndihmojë çiftet t’i mbeten besnikë betimit martesor? (Shih edhe shënimin.)

5 Mund të jetë shumë e vështirë të jesh i martuar me dikë, qoftë ky edhe një i krishterë, me të cilin zbulon se jeni shumë më të ndryshëm nga ç’prisje. (1 Kor. 7:28) Megjithatë, sado e vështirë të jetë kjo situatë, të krishterët e vërtetë e dinë që divorci pa bazë biblike nuk është zgjidhje e pranueshme për problemet e një martese të palumtur. Prandaj, ata që vazhdojnë të përpiqen për ta ruajtur martesën, ngaqë duan t’i mbeten besnikë betimit martesor, meritojnë respektin dhe ndihmën e dashur të kongregacionit të krishterë. *

6. Si duhet ta konsiderojnë të rinjtë e krishterë mundësinë për t’u martuar?

6 Po ti, a je ende i ri dhe i pamartuar? Nëse po, si duhet ta konsiderosh mundësinë për t’u martuar? Mund të shmangësh shumë dhembje, nëse, para se të nisësh një marrëdhënie romantike me një të krishterë të seksit të kundërt, pret derisa të jesh gati për martesë, fizikisht, mendërisht dhe frymësisht. Qartë, Bibla nuk përmend ndonjë moshë për martesën. * Megjithatë, ajo tregon se do të ishte më mirë po të prisje derisa të kalonte ajo periudhë kur ndjenjat seksuale janë shumë të forta. (1 Kor. 7:36) Përse? Sepse nxitjet e forta seksuale mund të ta shtrembërojnë gjykimin dhe të të shtyjnë të marrësh vendime jo të mençura që mund të sjellin telashe më vonë. Mos harro, këshillat e mençura për martesën që Jehovai i ka shkruar në Bibël, janë për të mirën dhe lumturinë tënde.​—Lexo Isainë 48:17, 18.

Të jesh prind​—Një përgjegjësi serioze

7. Çfarë përjetojnë disa çifte të reja dhe pse kjo mund ta rëndojë martesën?

7 Disa çifte që martohen të rinj bëhen prindër ndërkohë që vetë sapo kanë dalë nga adoleshenca. Ata s’kanë pasur kohë as të njohin mirë njëri-tjetrin kur bëhen me fëmijë, të cilët kërkojnë kujdes 24 orë në ditë. Kur i sapolinduri, në mënyrë të natyrshme bëhet qendra e vëmendjes për mamanë, bashkëshorti i ri mund të bëhet xheloz. Për më tepër, netët pa gjumë mund të krijojnë tension dhe stres që e rëndojnë marrëdhënien e çiftit. Papritur e pakujtuar, ata e kuptojnë se kanë humbur një pjesë të madhe të lirisë që kishin. Tani, nuk mund të shkojnë më ku të duan apo të bëjnë gjëra aq lirshëm sa më parë. Si duhet ta konsiderojnë këtë ndryshim të rrethanave?

8. Ç’përgjegjësi është të jesh prind dhe përse?

8 Ashtu sikurse martesa duhet marrë me një ndjenjë përgjegjësie, edhe të jesh prind duhet konsideruar si përgjegjësi dhe privilegj nga Perëndia. Pavarësisht nga ndryshimet që sjell lindja e një fëmije në jetën e një çifti të krishterë, ata duhet të bëjnë çmos që t’i përballojnë këto ndryshime me seriozitet. Meqë Jehovai u ka dhënë njerëzve aftësinë për të pasur fëmijë, prindërit duhet ta konsiderojnë fëmijën e sapolindur si «trashëgimi nga Jehovai». (Psal. 127:3) Nëna dhe babai i krishterë do të bëjnë gjithçka për të marrë përsipër përgjegjësinë si ‘prindër në unitet me Zotërinë’.​—Efes. 6:1.

9. (a) Ç’do të thotë të rritësh një fëmijë? (b) Ç’mund të bëjë burri për të ndihmuar gruan që të mbajë një marrëdhënie të fortë me Perëndinë?

9 Të rritësh një fëmijë kërkon të sakrifikosh nga vetja për vite të tëra. Kërkon të shpenzosh një sasi të madhe kohe dhe energjie. Bashkëshorti i krishterë duhet ta kuptojë se për disa vjet që nga lindja e fëmijës, ka shumë të ngjarë që gruaja të jetë e shpërqendruar gjatë mbledhjeve dhe mund të ketë pak mundësi për të studiuar personalisht Biblën dhe për të medituar. Kjo mund ta dobësojë marrëdhënien e saj me Perëndinë. Në këtë rast, të jesh një bashkëshort që merr përsipër përgjegjësinë, do të thotë të bësh gjithçka që është e arsyeshme për t’u kujdesur për fëmijën. Burri duhet të përpiqet të plotësojë atë që gruaja mund të ketë humbur në mbledhje, duke diskutuar më pas në shtëpi pika nga programi i mbledhjes. Gjithashtu, edhe ai mund të kujdeset për fëmijën, duke i krijuar kështu mundësi së shoqes që të marrë pjesë në mënyrë domethënëse në veprën e predikimit të Mbretërisë.​—Lexo Filipianëve 2:3, 4.

10, 11. (a) Si mund të rriten fëmijët në «normën mendore të Jehovait»? (b) Pse shumë prindër të krishterë meritojnë lavdërime?

10 Të jesh prind i përgjegjshëm do të thotë më shumë se vetëm t’i sigurosh fëmijës ushqim, veshje, strehim dhe kujdes shëndetësor. Sidomos në këto kohë të fundit të rrezikshme, të rinjtë kanë nevojë të mësojnë që në moshë të njomë parimet morale të cilave duhet t’u përmbahen në jetë. Fëmijët duhet të rriten «në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait». (Efes. 6:4) Kjo ‘normë mendore’ përfshin t’i ngulitësh fëmijës në mendje mendimet e Jehovait, që nga foshnjëria e deri në vitet kritike të adoleshencës.​—2 Tim. 3:14, 15.

11 Kur Jezui u tha ithtarëve të tij ‘të bënin dishepuj nga të gjitha kombet’, ai patjetër ka pasur ndër mend që prindërit duhet t’i ndihmojnë fëmijët të bëhen dishepuj. (Mat. 28:19, 20) Kjo nuk është e lehtë, për shkak të presioneve që ushtron kjo botë mbi të rinjtë. Prandaj, prindërit që ia dalin mbanë t’i rritin fëmijët si të krishterë të kushtuar, meritojnë vërtet lavdërime të ngrohta nga të gjithë në kongregacion. Ata i kanë ‘mundur’ ndikimet e botës me besimin dhe besnikërinë e tyre si prindër të përgjegjshëm.​—1 Gjon. 5:4.

Beqarë ose pa fëmijë për një qëllim fisnik

12. Përse disa të krishterë vendosin të qëndrojnë beqarë për njëfarë kohe?

12 Përderisa «koha që mbetet është shkurtuar» dhe «skena e kësaj bote po ndryshon», Fjala e Perëndisë na nxit të shqyrtojmë përparësitë që ka beqaria. (1 Kor. 7:29-31) Për këtë arsye, disa të krishterë zgjedhin të mos martohen fare ose vendosin të qëndrojnë beqarë për disa vjet para se të martohen. Ata janë për t’u lavdëruar, sepse nuk e përdorin lirinë e beqarisë për të rendur pas interesave egoiste. Shumë të krishterë qëndrojnë beqarë që t’i shërbejnë Jehovait «pa shpërqendrim». (Lexo 1 Korintasve 7:32-35.) Disa të krishterë beqarë shërbejnë si pionierë ose bethelitë. Disa të tjerë vihen në dispozicion të organizatës së Jehovait duke u aftësuar që të ndjekin Shkollën e Stërvitjes për Shërbim. Faktikisht, ata që shërbejnë në kohë të plotë për aq vjet sa janë beqarë, dhe më pas vendosin të martohen, shpesh e ndiejnë se mësimet e vlefshme që kanë nxjerrë gjatë atyre viteve të mëparshme ndikojnë për mirë në martesën e tyre.

13. Pse disa çifte të krishterësh kanë vendosur të mos kenë fëmijë?

13 Në disa pjesë të botës ka ndodhur një tjetër ndryshim në jetën familjare—disa çifte kanë vendosur të mos bëjnë fëmijë. Disa e bëjnë për arsye ekonomike, të tjerë ngaqë duan të jenë të lirë për të ndjekur një karrierë fitimprurëse. Edhe disa çifte të krishtere kanë vendosur të mos kenë fëmijë. Megjithatë, shpesh ata e bëjnë këtë që të jenë më të lirë për t’i shërbyer Jehovait. Kjo s’do të thotë se nuk gëzojnë një jetë martesore normale. Përkundrazi. Gjithsesi, ata janë gati të heqin dorë nga disa bekime që sjell martesa për të vënë në radhë të parë interesat e Mbretërisë. (1 Kor. 7:3-5) Disa nga këto çifte i shërbejnë Jehovait dhe vëllezërve të tyre në veprën qarkore, krahinore ose në Bethel. Të tjerë shërbejnë si pionierë ose misionarë. Jehovai s’ka për ta harruar veprën dhe dashurinë që tregojnë ata për emrin e tij.​—Hebr. 6:10.

«Shtrëngim në mish»

14, 15. Çfarë ‘shtrëngimi në mish’ mund të përjetojnë prindërit e krishterë?

14 Apostulli Pavël u tha të krishterëve të martuar se do të kishin «shtrëngim në mish». (1 Kor. 7:28) Kjo mund të nënkuptojë probleme shëndetësore për çiftin, fëmijët apo prindërit e tyre që plaken. Mund të nënkuptojë edhe vështirësi e probleme në rritjen e fëmijëve. Siç thamë në fillim të këtij artikulli, Bibla parathoshte se «në ditët e fundit» do të kishte «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». Ndër këto gjëra të vështira për t’u përballuar, do të ishin edhe fëmijë «të pabindur ndaj prindërve».​—2 Tim. 3:1-3.

15 Rritja e fëmijëve është një përgjegjësi serioze për prindërit e krishterë. Ne nuk jemi të mbrojtur nga vështirësitë e ‘kohëve kritike’ ku po jetojmë. Prandaj, prindërit e krishterë duhet të bëjnë një luftë të vazhdueshme kundër ndikimit vdekjeprurës që mund të ketë te fëmijët «sistemi i kësaj bote». (Efes. 2:2, 3) Mjerisht, në këtë luftë, ata nuk dalin gjithnjë fitimtarë! Kur djali apo vajza e një familjeje të krishterë vendos të mos i shërbejë më Jehovait, ky është vërtet një «shtrëngim» për prindërit që janë munduar ta rritin në të vërtetën.​—Prov. 17:25.

‘Do të ketë një shtrëngim të madh’

16. Për çfarë ‘shtrëngimi’ profetizoi Jezui?

16 Megjithatë, çdo «shtrëngim» që hasim në martesë apo gjatë rritjes së fëmijëve, nuk do të jetë asgjë në krahasim me një shtrëngim tjetër shumë herë më të madh. Në profecinë që bëri për praninë e tij dhe për përfundimin e sistemit, Jezui tha: «Atëherë do të ketë një shtrëngim aq të madh, sa nuk ka pasur që nga fillimi i botës e deri tani, dhe as që do të ketë përsëri.» (Mat. 24:3, 21) Më pas, Jezui zbuloi se një shumicë e madhe do të mbijetonte gjatë këtij ‘shtrëngimi të madh’. Megjithatë, sistemi i Satanait nuk do të marrë fund pa bërë edhe një betejë të fundit, një sulm me të gjitha forcat kundër Dëshmitarëve paqësorë të Jehovait. Është e tepërt të themi se do të jetë një kohë e vështirë për ne—të rritur e fëmijë.

17. (a) Pse mund ta presim me besim të ardhmen? (b) Nga se duhet të ndikohet pikëpamja që kemi për martesën dhe përgjegjësinë si prindër?

17 Sidoqoftë, nuk duhet të jemi të frikësuar më tepër nga ç’duhet për të ardhmen. Prindërit që i qëndrojnë besnikë Jehovait mund të shpresojnë se, bashkë me fëmijët e tyre, do të gjejnë mbrojtje. (Lexo Isainë 26:20, 21; Sof. 2:2, 3; 1 Kor. 7:14) Gjithsesi, sot, vetëdija që jetojmë në kohë kritike le të ndikojë te mënyra se si mendojmë për martesën dhe përgjegjësinë si prindër në këtë kohë të fundit. (2 Pjet. 3:10-13) Në këtë mënyrë, jeta jonë—si beqarë apo të martuar, me apo pa fëmijë—do t’i sjellë nder e lavdi Jehovait dhe kongregacionit të krishterë.

[Shënimet]

^ par. 3 Shih librin Të jetojmë duke mbajtur në mend ditën e Jehovait, nëntitullin «Ai e urren divorcin», faqja 125.

^ par. 5 Ata që përballojnë probleme martesore mund të marrin forcë duke rishikuar artikujt për martesën në Kullën e Rojës të 15 shtatorit 2003, dhe Zgjohuni! të janarit 2001.

^ par. 6 Shih kapitullin 30, «A jam gati për martesën?», në librin Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike.

Pyetje për rishikim

• Përse të rinjtë e krishterë nuk duhet të nxitojnë të martohen?

• Çfarë përfshin rritja e fëmijëve?

• Pse shumë të krishterë qëndrojnë beqarë apo, kur martohen, nuk bëjnë fëmijë?

• Çfarë ‘shtrëngimi’ mund të përjetojnë prindërit e krishterë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 17]

Përse është e mençur që të rinjtë e krishterë të mos martohen tepër të rinj?

[Figura në faqen 18]

Burri mund të bëjë shumë për ta ndihmuar gruan që t’i bëjë Jehovait një shërbim domethënës

[Figura në faqen 19]

Pse disa çifte të krishtere vendosin të mos bëjnë fëmijë?