Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë i jep kuptim jetës?

Çfarë i jep kuptim jetës?

Çfarë i jep kuptim jetës?

«Frikësoju Perëndisë së vërtetë dhe përmbushi urdhërimet e tij.»​—EKL. 12:13.

1, 2. Si mund të nxjerrim dobi nga shqyrtimi i librit të Eklisiastiut?

PËRFYTYRONI dikë që duket se ka gjithçka. Ai është burrë shteti i njohur, një nga njerëzit më të pasur në tokë dhe intelektuali më i shquar i brezit të tij. Pavarësisht nga tërë këto arritje, ai pyet veten: ‘Çfarë i jep kuptim jetës?’

2 Një njeri i tillë ka ekzistuar vërtet rreth tre mijë vjet më parë. Emri i tij ishte Solomon, dhe në librin e Eklisiastiut përshkruhen përpjekjet e tij për një jetë domethënëse. (Ekl. 1:13) Mund të mësojmë shumë nga përvoja e Solomonit. Në të vërtetë, mençuria që gjendet në librin e Eklisiastiut mund të na ndihmojë të vendosim synime që do t’i japin kuptim të vërtetë jetës sonë.

«Rropatje pas erës»

3. Për cilin pohim realist për jetën njerëzore duhet të mendojmë?

3 Solomoni shpjegon se Perëndia krijoi shumë e shumë gjëra të bukura në tokë. Nuk mërzitemi kurrë nga këto gjëra të mrekullueshme dhe mahnitëse. Megjithatë, ne arrijmë të eksplorojmë vetëm «majën» e krijimit të Perëndisë, sepse jeta jonë është e shkurtër. (Ekl. 3:11; 8:17) Siç thotë Bibla, ditët tona janë të pakta dhe kalojnë me të shpejtë. (Jobi 14:1, 2; Ekl. 6:12) Ky pohim realist duhet të na nxitë ta përdorim jetën me mençuri. Kjo nuk është e lehtë, pasi bota e Satanait mund të na shtyjë në drejtim të gabuar.

4. (a) Çfarë nënkupton fjala «kotësi»? (b) Cilat synime të njerëzve do të shqyrtojmë?

4 Për të theksuar se ekziston rreziku që ta çojmë jetën dëm, në librin e Eklisiastiut Solomoni përdor mbi 30 herë fjalën «kotësi». Fjala hebraike e përkthyer «kotësi» nënkupton diçka boshe, pa kuptim, pa rëndësi ose pa vlerë të qëndrueshme. (Ekl. 1:2, 3) Solomoni e përdor disa herë fjalën «kotësi» si të barasvlershme me shprehjen «rropatje pas erës». (Ekl. 1:14; 2:11) Sigurisht, çdo përpjekje për të kapur erën është e kotë. Kushdo që do të përpiqej, nuk do të kapte asgjë. Të ndjekësh synime jo të mençura është po kaq zhgënjyese. Jeta në këtë sistem është tepër e shkurtër për ta harxhuar më kot pas gjërave që të lënë duarbosh. Prandaj, për të shmangur këtë gabim, le të shqyrtojmë disa shembuj që jep Solomoni në lidhje me disa synime që ndjekin zakonisht njerëzit në jetë. Së pari, do të shqyrtojmë dhënien pas kënaqësive dhe pas gjërave materiale. Më pas, do të shqyrtojmë se çfarë pune ka vërtet vlerë.

A do të na bëjë të lumtur dhënia pas kënaqësive?

5. Ku e kërkoi domethënien e jetës Solomoni?

5 Ashtu si shumë njerëz sot, Solomoni u përpoq të gjente domethënien e jetës duke u dhënë pas kënaqësive. Ai shkroi: «Nuk ia kurseva zemrës asnjë lloj gëzimi.» (Ekl. 2:10) Ku e kërkoi kënaqësinë ai? Sipas kapitullit të dytë të Eklisiastiut, ai ‘e gëzoi trupin me verë’, veçse me vetëkontroll, dhe u dha pas gjërave të tilla, si zbukurimi i mjedisit, projektimi i pallateve mbretërore, muzika dhe ushqimet e shijshme.

6. (a) Pse nuk është e gabuar të kënaqemi me disa gjëra të mira në jetë? (b) Çfarë drejtpeshimi duhet për sa i përket zbavitjes?

6 Sipas Biblës, a është e gabuar të kënaqemi duke ndenjur me miqtë? Aspak. Për shembull, Solomoni thotë se të hash një vakt në një atmosferë të qetë pas një dite të lodhshme pune, është dhuratë nga Perëndia. (Lexo Eklisiastiun 2:24; 3:12, 13.) Për më tepër, vetë Jehovai i fton të rinjtë që ‘të gëzohen dhe zemra t’u sjellë gëzim’, por duke qenë të përgjegjshëm. (Ekl. 11:9) Kemi nevojë për pushim dhe për zbavitje të shëndetshme. (Krahaso Markun 6:31.) Por, zbavitja nuk duhet të bëhet qëllimi kryesor në jetë. Përkundrazi, duhet të jetë si ëmbëlsira në fund të vaktit, e jo pjata kryesore. Do të jeni dakord se, sado t’ju pëlqejnë, po të hani vetëm ëmbëlsira, shumë shpejt do t’ju mërziten, dhe përveç kësaj, ato nuk kanë shumë vlera ushqyese. Në mënyrë të ngjashme, Solomoni zbuloi se një jetë e përqendruar pas kënaqësive ishte «rropatje pas erës».​—Ekl. 2:10, 11.

7. Pse duhet ta zgjedhim me kujdes zbavitjen?

7 Po ashtu, jo çdo lloj zbavitjeje është e mirë. Shumë prej tyre janë krejt të dëmshme, qoftë nga ana frymore, qoftë nga ana morale. A nuk ka miliona njerëz që bëjnë një jetë të pashpresë ngaqë ‘donin të zbaviteshin’ duke abuzuar me drogën, duke pirë alkool me tepri ose duke u marrë me bixhoz? Jehovai na paralajmëron me dashamirësi se, po të lejojmë zemrën ose sytë të na drejtojnë te gjërat e dëmshme, do të kemi pasoja.​—Gal. 6:7.

8. Pse tregohemi të mençur kur mendojmë për jetën që po bëjmë?

8 Gjithashtu, duke u dhënë në mënyrë jo të ekuilibruar pas kënaqësive, do të lëmë pas dore gjërat më të rëndësishme. Mos harroni, jeta jonë e shkurtër fluturon, dhe nuk kemi asnjë garanci se do të jetojmë pa probleme dhe me shëndet të plotë. Ja pse, siç tha më tej Solomoni, mund të nxjerrim më shumë dobi duke shkuar në një funeral—sidomos kur vdes një i krishterë i dashur besnik—sesa duke shkuar në «shtëpinë ku ka gëzim». (Lexo Eklisiastiun 7:2, 4.) Pse themi kështu? Kur dëgjojmë fjalimin në funeral dhe mendojmë për jetën e atij shërbëtori besnik të Jehovait, mund të nxitemi të shqyrtojmë vetë jetën tonë. Si rrjedhim, mund të nxjerrim përfundimin se duhet të bëjmë ndryshime në synimet tona, që ta përdorim me mençuri pjesën tjetër të jetës.​—Ekl. 12:1.

A do të na bëjnë të lumtur gjërat materiale?

9. Çfarë zbuloi Solomoni në lidhje me gjërat materiale?

9 Solomoni ishte një nga njerëzit më të pasur në tokë kur shkroi librin e Eklisiastiut. (2 Kron. 9:22) Ai mund të kishte ç’të donte. «Çdo gjë që sytë e mi e dëshiruan, nuk ua mohova»,—shkroi Solomoni. (Ekl. 2:10) Gjithsesi, ai zbuloi se gjërat materiale në vetvete nuk sjellin lumturi. Solomoni nxori përfundimin: «Ai që do argjendin, nuk do të ngopet me argjend, as ai që do pasurinë, me të ardhura.»​—Ekl. 5:10.

10. Çfarë sjell lumturi e pasuri të vërtetë?

10 Megjithëse vlera e gjërave materiale është e përkohshme, prapëseprapë pasuria mund t’i tërheqë jashtëzakonisht njerëzit. Në një anketë të kohëve të fundit në Shtetet e Bashkuara, 75 për qind e studentëve të vitit të parë thanë se kishin si synim kryesor në jetë «të bëheshin shumë të pasur». Edhe sikur ta arrinin këtë synim, a do të ishin vërtet të lumtur? Jo medoemos. Studiuesit kanë vërejtur se, kur i japin shumë rëndësi materializmit, njerëzit e kanë më të vështirë të jenë të lumtur dhe të kënaqur. Shumë kohë më parë, Solomoni kishte arritur tashmë në të njëjtin përfundim. Ai shkroi: «Grumbullova argjend dhe ar, pronat e mbretërve . . . dhe ja, çdo gjë ishte kotësi dhe një rropatje pas erës.» * (Ekl. 2:8, 11) Por, nëse e përdorim jetën për t’i shërbyer Jehovait me gjithë zemër, duke marrë kështu bekimin e tij, do të fitojmë pasurinë e vërtetë.​—Lexo Proverbat 10:22.

Ç’lloj pune sjell kënaqësi të vërtetë?

11. Çfarë tregojnë Shkrimet për vlerën e punës?

11 Jezui tha: «Ati im vazhdon të punojë deri më tani, prandaj dhe unë vazhdoj të punoj.» (Gjoni 5:17) S’ka dyshim se Jehovai dhe Jezui kënaqen nga puna. Bibla tregon se Jehovai u kënaq nga vepra e tij e krijimit. Ajo thotë: «Perëndia pa çdo gjë që kishte bërë dhe ja, ishte shumë mirë.» (Zan. 1:31) Engjëjt «brohoritnin tërë ngazëllim» kur shikonin gjithçka që kishte bërë Perëndia. (Jobi 38:4-7) Edhe Solomoni e kuptonte vlerën e një pune domethënëse.​—Ekl. 3:13.

12, 13. (a) Si shprehen dy veta për kënaqësinë që u sjell puna e ndershme? (b) Pse mund të bëhet ndonjëherë zhgënjyese puna?

12 Shumë njerëz e kuptojnë vlerën e një pune të ndershme. Për shembull, Hoseja, një artist i suksesshëm, thotë: «Kur arrin të hedhësh në kanavacë pikturën që ke në mendje, ndihesh sikur ke arritur majën e një mali të lartë.» Migeli, * një biznesmen, thotë: «Puna të jep kënaqësi, sepse të ndihmon të mbash familjen. Gjithashtu, të jep ndjesinë se ke arritur diçka.»

13 Por, nga ana tjetër, disa punë janë monotone dhe s’të japin shumë mundësi të përdorësh imagjinatën. Disa herë, vetë vendi i punës është burim zhgënjimi e madje edhe skenë padrejtësish. Siç tregon Solomoni, dembeli mund të korrë shpërblimin e një njeriu punëtor, ndoshta ngaqë shfrytëzon lidhjet që ka me njerëz të pushtetshëm. (Ekl. 2:21) Ka edhe faktorë të tjerë që mund të çojnë në zhgënjim. Diçka që mund të nisë si gjoja mundësi e mrekullueshme biznesi, mund të dështojë plotësisht për shkak të një rënieje të ekonomisë ose të ngjarjeve të paparashikuara. (Lexo Eklisiastiun 9:11.) Shumë herë, dikush që mundohet fort të ketë sukses, përfundon i zhgënjyer e i hidhëruar, sepse kupton që është ‘munduar pas erës’.​—Ekl. 5:16.

14. Cila vepër sjell gjithmonë kënaqësi të vërtetë?

14 A ka ndonjë lloj pune që nuk të zhgënjen kurrë? Hoseja, artisti i përmendur më lart, thotë: «Me kalimin e viteve pikturat mund të humbin ose të prishen. Por nuk ndodh kështu me gjërat që bëjmë në shërbim të Perëndisë. Duke predikuar lajmin e mirë, siç urdhëron Jehovai, kam dhënë ndihmën time që disa të bëhen të krishterë që i frikësohen Perëndisë, një vepër që nuk prishet kurrë. Kjo s’ka të çmuar.» (1 Kor. 3:9-11) Edhe Migeli thotë se predikimi i mesazhit për Mbretërinë i sjell shumë më tepër kënaqësi se puna që ka. Ai shprehet: «Asgjë nuk mund ta zëvendësojë gëzimin që ndien kur i tregon dikujt një të vërtetë biblike dhe kupton se ajo i ka prekur zemrën.»

«Nise bukën tënde»

15. Çfarë i jep vërtet kuptim jetës?

15 Si përfundim, çfarë i jep vërtet kuptim jetës? Provojmë kënaqësi të vërtetë kur e përdorim kohën tonë të shkurtër në këtë sistem për të bërë vepra të mira dhe për t’i pëlqyer Jehovait. Mund të lidhemi ngushtë me Perëndinë, mund t’u mësojmë fëmijëve tanë parimet biblike, mund t’i ndihmojmë të tjerët të njohin Jehovain dhe mund të zhvillojmë miqësi të qëndrueshme me vëllezërit e motrat tona. (Gal. 6:10) Tërë këto përpjekje kanë vlerë të përhershme dhe u sjellin bekime atyre që i arrijnë. Solomoni përdori një krahasim shumë interesant për të përshkruar vlerën e veprave të mira. Ai tha: «Nise bukën tënde mbi sipërfaqen e ujërave, sepse pas shumë ditëve do ta gjesh përsëri.» (Ekl. 11:1) Jezui i nxiti dishepujt: «Bëjeni zakon të jepni, dhe do t’ju japin.» (Luka 6:38) Përveç kësaj, edhe Jehovai vetë premton se do t’i shpërblejë ata që u bëjnë mirë të tjerëve.​—Prov. 19:17; lexo Hebrenjve 6:10.

16. Kur është koha ideale për të planifikuar se ç’do të bëjmë me jetën tonë?

16 Bibla na nxit që, ndërsa jemi ende të rinj, të marrim vendime të mençura se si ta përdorim jetën. Kështu do të mund të shmangim zhgënjimet në vitet më pas. (Ekl. 12:1) Sa e trishtueshme do të ishte të çonim dëm vitet më të mira të jetës duke rendur pas gjërave të kësaj bote që duken tërheqëse, e më pas të zbulonim se ato janë po aq boshe sa era!

17. Ç’gjë do t’ju ndihmojë të zgjidhni mënyrën më të mirë të jetesës?

17 Ashtu si çdo atë i dashur, Jehovai do që ta gëzoni jetën, të bëni të mira dhe të shmangni dhembje të panevojshme. (Ekl. 11:9, 10) Ç’do t’ju ndihmojë për këtë? Vendosni synime frymore dhe më pas bëni çmos për t’i arritur. Rreth 20 vjet më parë, Havjeri duhej të zgjidhte midis një karriere fitimprurëse në mjekësi dhe shërbimit në kohë të plotë. Ai thotë: «Edhe pse puna si mjek më sjell kënaqësi, asgjë s’mund të krahasohet me gëzimin që kam ndier kur kam ndihmuar disa njerëz të njohin të vërtetën. Falë shërbimit në kohë të plotë mund ta gëzoj jetën plotësisht. Më vjen keq vetëm që nuk e fillova më parë këtë shërbim.»

18. Pse jeta e Jezuit në tokë kishte vërtet kuptim?

18 Atëherë, cila është gjëja më me vlerë që duhet të bëjmë çmos ta kemi? Libri i Eklisiastiut thotë: «Një emër është më i mirë se vaji i çmuar dhe dita e vdekjes është më e mirë se dita e lindjes.» (Ekl. 7:1) Asgjë nuk e ilustron më mirë këtë sesa jeta e Jezuit. Sigurisht ai bëri një emër jashtëzakonisht të mirë para Jehovait. Kur vdiq besnik, Jezui shfajësoi sovranitetin e Atit dhe siguroi flijimin shpërblyes që hapi udhën drejt shpëtimit tonë. (Mat. 20:28) Gjatë jetës së tij të shkurtër në tokë, Jezui la shembullin e përsosur të një jete që ka vërtet kuptim, një shembull që përpiqemi ta ndjekim.​—1 Kor. 11:1; 1 Pjet. 2:21.

19. Çfarë këshille të mençur dha Solomoni?

19 Edhe ne mund të bëjmë një emër të mirë para Perëndisë. Për ne ka shumë më tepër vlerë një emër i mirë në sytë e Jehovait, sesa pasuria. (Lexo Mateun 6:19-21.) Çdo ditë mund të gjejmë mënyra për të bërë vepra që janë të mira për Jehovain dhe që do të na e pasurojnë jetën. Për shembull, mund t’u japim të tjerëve lajmin e mirë, mund të forcojmë martesën dhe familjen, si edhe të përmirësojmë marrëdhënien tonë me Perëndinë nëpërmjet studimit personal e ndjekjes së mbledhjeve. (Ekl. 11:6; Hebr. 13:16) Atëherë, a doni të bëni një jetë që ka vërtet kuptim? Nëse po, vazhdoni të zbatoni këshillën e Solomonit: «Frikësoju Perëndisë së vërtetë dhe përmbushi urdhërimet e tij. Sepse ky është tërë detyrimi i njeriut.»​—Ekl. 12:13.

[Shënimet]

^ par. 10 Të ardhurat vjetore bazë të Solomonit ishin 666 talenta (më tepër se 22.000 kilogramë) ari.​—2 Kron. 9:13.

^ par. 12 Emrat janë ndryshuar.

Si do të përgjigjeshit?

• Ç’gjë duhet të na nxitë të mendojmë seriozisht për synimet tona në jetë?

• Si duhet ta konsiderojmë dhënien pas kënaqësive dhe gjërave materiale?

• Cila lloj vepre do të na sjellë kënaqësi të përhershme?

• Ç’gjë me vlerë duhet të bëjmë çmos të kemi?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 23]

Ç’vend duhet të zërë zbavitja në jetën tonë?

[Figura në faqen 24]

Çfarë e bën vërtet të kënaqshme veprën e predikimit?