Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga libri i Gjonit

Pika kryesore nga libri i Gjonit

Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga libri i Gjonit

GJONI, «dishepulli që Jezui e donte», është i fundit që shkroi një tregim të frymëzuar për jetën dhe shërbimin e Krishtit. (Gjoni 21:20) I shkruar rreth vitit 98 të e.s., Ungjilli i Gjonit përsërit fare pak nga çka thuhet në tre ungjijtë e tjerë.

Apostulli Gjon e shkroi Ungjillin e tij duke pasur në mendje një synim të qartë. Për gjërat që shkroi, ai tha: «Këto janë shkruar që të besoni se Jezui është Krishti, Biri i Perëndisë dhe, falë besimit, të keni jetën me anë të emrit të tij.» (Gjoni 20:31) Mesazhi i tij ka mjaft vlerë për ne.​—Hebr. 4:12.

«SHIHNI, QENGJI I PERËNDISË»

(Gjoni 1:1–11:54)

Kur sheh Jezuin, Gjon Pagëzori thotë me bindje: «Shihni, Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës!» (Gjoni 1:29) Teksa Jezui udhëton nëpër Samari, Galile, Jude dhe në vende të tjera në lindje të Jordanit—duke predikuar, mësuar dhe kryer vepra të fuqishme—‘shumë njerëz shkojnë tek ai dhe tregojnë besim tek ai’​—Gjoni 10:41, 42.

Një nga mrekullitë më të jashtëzakonshme që kryen Jezui, është ringjallja e Lazarit. Shumë veta tregojnë besim te Jezui kur shohin të kthehet në jetë një njeri që ka katër ditë i vdekur. Megjithatë, krerët e priftërinjve dhe farisenjtë këshillohen për ta vrarë Jezuin. Prandaj, Jezui ikën prej andej dhe shkon «në një vend afër shkretëtirës, në një qytet të quajtur Efraim».​—Gjoni 11:53, 54.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

1:35, 40—Përveç Andreas, cili dishepull po qëndronte me Gjon Pagëzorin? Rrëfimtari gjithmonë e quan Gjon Pagëzorin «Gjoni» dhe kurrë nuk e përmend emrin e vet në Ungjillin e tij. Prandaj dishepulli pa emër, me sa duket, është shkrimtari i Ungjillit, Gjoni.

2:20—Cili tempull «u ndërtua për dyzet e gjashtë vjet»? Këtu judenjtë e kishin fjalën për rindërtimin e tempullit të Zorobabelit nga mbreti Herod i Judesë. Sipas historianit Jozef, puna filloi në vitin e 18-të të mbretërimit të Herodit, pra në periudhën e viteve 18-17 p.e.s. Shenjtërorja e tempullit dhe strukturat e tjera kryesore u ndërtuan për tetë vjet. Gjithsesi, puna për tërë strukturën e tempullit vazhdoi deri pas pashkës së vitit 30 të e.s., kur judenjtë thanë se u deshën 46 vjet për ta ndërtuar.

5:14—A vjen sëmundja si pasojë e ndonjë mëkati? Jo medoemos. Burri që shëroi Jezui, kishte 38 vjet i sëmurë për shkak të papërsosmërisë së trashëguar. (Gjoni 5:1-9) Ajo që donte të thoshte Jezui ishte se, tani që i ishte treguar mëshirë, ai burrë duhej të ndiqte udhën e shpëtimit dhe të mos mëkatonte më me dashje, që të mos i ndodhte ndonjë gjë më e keqe se sëmundja. Po të kryente një mëkat të pafalshëm, do të meritonte vdekjen dhe s’do të kishte asnjë shpresë për ringjallje.​—Mat. 12:31, 32; Luka 12:10; Hebr. 10:26, 27.

5:24, 25—Cilët janë ata që ‘kalojnë nga vdekja në jetë’? Jezui po flet për ata që dikur ishin të vdekur frymësisht, por, kur dëgjojnë fjalët e tij, tregojnë besim tek ai dhe heqin dorë nga rruga mëkatare. Ata ‘kalojnë nga vdekja në jetë’, në kuptimin që u hiqet dënimi me vdekje dhe marrin shpresën e jetës së përhershme falë besimit të tyre te Perëndia.​—1 Pjet. 4:3-6.

5:26; 6:53—Ç’do të thotë të kesh «jetë në vetvete»? Për Jezu Krishtin kjo do të thotë se Perëndia i jep dy aftësi: aftësinë për t’i ndihmuar njerëzit të kenë një qëndrim të mirë para Jehovait dhe fuqinë për t’u dhënë jetë të vdekurve, duke i ringjallur. Për dishepujt e Jezuit, ‘të kenë jetë në vetvete’, do të thotë të kenë jetë në kuptim të plotë. Të krishterët e mirosur e fitojnë këtë jetë kur ringjallen në jetën qiellore. Besnikët me shpresë tokësore do ta kenë jetën në kuptimin e plotë vetëm kur të kalojnë provën përfundimtare menjëherë pas Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit.​—1 Kor. 15:52, 53; Zbul. 20:5, 7-10.

6:64—A e dinte Jezui që kur e zgjodhi Judë Iskariotin se ai do ta tradhtonte? Me sa duket, jo. Megjithatë, një herë në vitin 32 të e.s., Jezui u tha apostujve: «Njëri nga ju është shpifës.» Ka mundësi që Jezui vuri re atëherë te Judë Iskarioti ‘fillimin’ e udhës së keqe.​—Gjoni 6:66-71.

Mësime për ne:

2:4. Jezui po i thoshte Marisë se, tani që ishte pagëzuar dhe ishte Biri i mirosur i Perëndisë, udhëzimet duhet t’i merrte nga Ati i tij qiellor. Ndonëse sapo e kishte filluar shërbimin, ai e dinte fare mirë orën ose kohën kur duhej të kryente veprën që i ishte caktuar, përfshirë edhe vdekjen e tij flijuese. As edhe një familjar i afërt, siç ishte Maria, nuk lejohej të ndërhynte në kryerjen e vullnetit të Perëndisë. Duhet t’i shërbejmë Perëndisë Jehova me po të njëjtën vendosmëri.

3:1-9. Nga shembulli i Nikodemit, një nga krerët e judenjve, nxjerrim dy mësime. Së pari, Nikodemi tregoi përulësi, gjykim të thellë dhe se ishte i vetëdijshëm që kishte nevojë të mësonte për Perëndinë, duke e pranuar birin e një zdrukthëtari të thjeshtë si mësues të dërguar nga Perëndia. Sot kërkohet që të krishterët e vërtetë të kenë përulësi. Së dyti, Nikodemi ngurroi të bëhej dishepull kur Jezui ishte në tokë. Ndoshta kjo vinte për shkak të frikës nga njeriu, merakut që të mbante pozitën në Sinedër ose dashurisë për pasuri. Ky është një mësim i vlefshëm për ne: nuk duhet të lejojmë që prirje të tilla të na pengojnë ‘të marrim shtyllën tonë të torturës dhe ta ndjekim vazhdimisht Jezuin’.​—Luka 9:23.

4:23, 24. Që Perëndia ta pranojë adhurimin tonë, duhet që ky adhurim të përputhet me të vërtetën e zbuluar në faqet e Biblës e duhet të drejtohet nga fryma e shenjtë.

6:27. Të punojmë për ‘ushqimin që qëndron dhe të çon në jetë të përhershme’, do të thotë të bëjmë çmos që të plotësojmë nevojën për të mësuar për Perëndinë. Jemi të lumtur kur bëjmë kështu.​—Mat. 5:3.

6:44. Jehovai interesohet personalisht për ne. Ai na tërheq drejt Birit të tij duke ftuar secilin nga ne me anë të veprës së predikimit dhe duke na ndihmuar me anë të frymës së Tij të shenjtë, që të kuptojmë e të zbatojmë të vërtetat biblike.

11:33-36. Nuk është shenjë dobësie të shprehim ndjenjat tona.

‘VAZHDONI TA NDIQNI’

(Gjoni 11:55–21:25)

Teksa afrohet pashka e vitit 33 të e.s., Jezui kthehet në Betani. Më 9 nisan ai shkon në Jerusalem hipur në një kërriç. Më 10 nisan Jezui shkon prapë në tempull. Në përgjigje të lutjes së tij që emrit të Atit t’i jepet lavdi, një zë nga qielli thotë: «I dhashë lavdi dhe do t’i jap lavdi përsëri.»​—Gjoni 12:28.

Ndërkohë që po hanë darkën e pashkës, Jezui u jep dishepujve këshillat e fundit dhe lutet për ta. Pas arrestimit, gjyqit dhe vënies në shtyllë, Jezui ringjallet.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

14:2—Si do ‘t’u përgatiste një vend’ në qiell Jezui dishepujve besnikë? Kjo do të përfshinte që Jezui do ta bënte të vlefshme besëlidhjen e re duke dalë para Perëndisë e duke i paraqitur vlerën e gjakut të tij. Përgatitja do të përfshinte edhe faktin që Krishti do të merrte pushtetin mbretëror dhe, pas kësaj, do të fillonte ringjallja qiellore e dishepujve të tij të mirosur.​—1 Sel. 4:14-17; Hebr. 9:12, 24-28; 1 Pjet. 1:19; Zbul. 11:15.

19:11—A e kishte fjalën Jezui për Judë Iskariotin kur i përmendi Pilatit njeriun që e dorëzoi? Jezui nuk e kishte fjalën për Judën ose për ndonjë individ konkret, por, me sa duket, kishte ndër mend të gjithë ata që ishin fajtorë për mëkatin e vrasjes së tij. Këtu përfshihej Juda, «krerët e priftërinjve dhe gjithë Sinedri», madje edhe ‘turma’ së cilës ia kishin mbushur mendjen të kërkonte lirimin e Barabës.—Mat. 26:59-65; 27:1, 2, 20-22.

20:17—Pse i tha Jezui Maria-Magdalenës të mos e shtrëngonte më? Me sa duket Maria e shtrëngonte Jezuin ngaqë mendonte se ai ishte gati të ngjitej në qiell dhe nuk do ta shihte më kurrë. Për ta siguruar se nuk po largohej, Jezui i tha të mos e shtrëngonte më, por të shkonte te dishepujt dhe t’u çonte lajmin për ringjalljen.

Mësime për ne:

12:36. Që të bëhemi «bij të dritës» ose mbajtës të dritës, duhet të marrim njohuri të saktë nga Fjala e Perëndisë, Bibla. Pastaj, duhet ta përdorim këtë njohuri për t’i nxjerrë të tjerët nga errësira frymore e për t’i sjellë te drita e Perëndisë.

14:6. S’ka rrugë tjetër për të pasur miratimin e Perëndisë, përveçse nëpërmjet Jezu Krishtit. Vetëm duke treguar besim te Jezui dhe duke ndjekur shembullin e tij, mund t’i afrohemi Jehovait.​—1 Pjet. 2:21

14:15, 21, 23, 24; 15:10. Bindja ndaj vullnetit hyjnor do të na ndihmojë të qëndrojmë në dashurinë e Perëndisë dhe në dashurinë e Birit të tij.​—1 Gjon. 5:3.

14:26; 16:13. Fryma e shenjtë e Jehovait na mëson dhe na sjell ndër mend gjërat që kemi mësuar. Gjithashtu shërben për të zbuluar të vërtetat. Prandaj, mund të na ndihmojë të shtojmë njohurinë, mençurinë, gjykimin e thellë, urtësinë dhe aftësinë për të menduar. Ndaj, duhet të ngulmojmë duke bërë lutje enkas për frymën e shenjtë.​—Luka 11:5-13.

21:15, 19. Jezui e pyeti Pjetrin nëse donte atë më shumë se «këta», pra më shumë se peshqit që kishin përpara. Në këtë mënyrë Jezui theksoi nevojën që Pjetri të zgjidhte ta ndiqte atë gjithë kohës, në vend që të jepej pas punës së peshkimit. Shqyrtimi i tregimeve të ungjijve le të na bëjë më të vendosur për ta dashur Jezuin më shumë se çdo gjë tjetër që mund të na tërheqë! Po, le të vazhdojmë ta ndjekim Jezuin me gjithë zemër!

[Figura në faqen 31]

Ç’mund të mësojmë nga shembulli i Nikodemit?