Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përparoni frymësisht duke ndjekur shembullin e Pavlit

Përparoni frymësisht duke ndjekur shembullin e Pavlit

Përparoni frymësisht duke ndjekur shembullin e Pavlit

«Luftën e shkëlqyer e bëra, vrapimin e përfundova, besimin e ruajta.»—2 TIM. 4:7.

1, 2. Çfarë ndryshimesh bëri në jetën e tij Sauli nga Tarsi dhe në cilën vepër të rëndësishme nisi të merrte pjesë?

ISHTE inteligjent dhe i vendosur. Megjithatë, ‘sillej në harmoni me dëshirat e trupit të vet’. (Efes. 2:3) Më vonë, e quajti veten ‘blasfemues, përndjekës dhe të pacipë’. (1 Tim. 1:13) Ky ishte Sauli nga Tarsi.

2 Me kalimin e kohës Sauli bëri ndryshime rrënjësore në jetë. Ai e la sjelljen e mëparshme dhe u përpoq shumë ‘të mos kërkonte përfitimin e tij, por atë të të shumtëve’. (1 Kor. 10:33) Sauli u bë i ëmbël dhe u tregonte përzemërsi të butë atyre që dikur kishin qenë viktima të vrerit të tij. (Lexo 1 Selanikasve 2:7, 8.) Ai shkroi: «Unë u bëra një shërbëtor.» Pastaj shtoi: «Mua, më të voglit nga të gjithë të shenjtët, m’u dha kjo dashamirësi e pamerituar, që t’u shpall kombeve lajmin e mirë lidhur me pasurinë e papërshkrueshme të Krishtit.»—Efes. 3:7, 8.

3. Si mund të na ndihmojë studimi i letrave të Pavlit dhe i historisë së shërbimit të tij?

3 Sauli, i njohur edhe si Pavli, bëri përparim frymor të jashtëzakonshëm. (Vep. 13:9) Një mënyrë e sigurt për të shpejtuar përparimin tonë personal në të vërtetën është duke studiuar letrat e Pavlit dhe historinë e shërbimit të tij, e më pas duke imituar shembullin e tij të besimit. (Lexo 1 Korintasve 11:1; Hebrenjve 13:7.) Le të shohim se si, duke vepruar kështu, do të nxitemi për të pasur një program të mirë studimi personal, për të zhvilluar dashuri të sinqertë për të tjerët dhe për të pasur pikëpamjen e duhur për veten.

Programi i studimit i Pavlit

4, 5. Si përfitoi Pavli nga studimi personal?

4 Si farise i arsimuar ‘në këmbët e Gamalielit dhe që e kishin mësuar të ndiqte rreptësisht Ligjin e të parëve’, Pavli tashmë kishte ca njohuri për Shkrimet. (Vep. 22:1-3; Filip. 3:4-6) Menjëherë pas pagëzimit ai ‘iku në Arabi’—ose në shkretëtirën e Sirisë, ose në ndonjë vend në Gadishullin Arabik që ishte i qetë dhe i përshtatshëm për meditim. (Gal. 1:17) Me sa duket, Pavli donte të mendonte rreth shkrimeve që vërtetonin se Jezui ishte Mesia. Për më tepër, ai donte të përgatitej për veprën që e priste. (Lexo Veprat 9:15, 16, 20, 22.) Pavli i kushtoi kohë meditimit rreth gjërave frymore.

5 Njohuria për Shkrimet dhe gjykimi i thellë që fitoi nga studimi personal, e ndihmuan Pavlin t’ua mësonte të vërtetën të tjerëve me efektshmëri. Për shembull, në sinagogën e Antiokisë së Pisidisë, Pavli citoi drejtpërdrejt të paktën pesë fragmente nga Shkrimet Hebraike për të treguar se Jezui ishte Mesia. Gjithashtu, disa herë Pavli iu referua shkrimeve të shenjta edhe në mënyrë të tërthortë. Argumentet e tij biblike ishin kaq bindëse, saqë «shumë judenj dhe prozelitë që adhuronin Perëndinë, ndoqën Pavlin dhe Barnabën» që të mësonin më shumë prej tyre. (Vep. 13:14-44) Vite më vonë, kur disa judenj nga Roma erdhën te vendi ku ai banonte, Pavli ua shpjegoi çështjet «duke u dhënë dëshmi të plotë për mbretërinë e Perëndisë dhe duke përdorur argumentime bindëse për Jezuin, si nga ligji i Moisiut, edhe nga Profetët».—Vep. 28:17, 22, 23.

6. Çfarë e ndihmoi Pavlin të qëndronte i fortë frymësisht kur haste sprova?

6 Kur haste sprova, Pavli vazhdonte të shqyrtonte Shkrimet dhe merrte forcë nga mesazhi i tyre i frymëzuar. (Hebr. 4:12) Kur ishte i burgosur në Romë, para ekzekutimit, Pavli i kërkoi Timoteut t’i sillte «rrotullat» dhe «pergamenat». (2 Tim. 4:13) Ka të ngjarë që ato dokumente ishin pjesë e Shkrimeve Hebraike që Pavli i përdorte gjatë studimit të thellë. Marrja e njohurisë për Shkrimet nëpërmjet një programi të rregullt të studimit të Biblës, ishte jetësore për Pavlin që të qëndronte i palëkundur.

7. Përmendni dobitë që mund të nxirrni nga studimi i rregullt i Biblës?

7 Studimi i rregullt i Biblës dhe meditimi me një qëllim të caktuar, do të na ndihmojnë të përparojmë frymësisht. (Hebr. 5:12-14) Në lidhje me vlerën e Fjalës së Perëndisë, psalmisti këndoi: «Ligji i gojës sate është për të mirën time, po, është më i mirë se mijëra monedha ari dhe argjendi. Urdhërimet e tua më bëjnë më të mençur se armiqtë e mi, sepse janë gjithnjë me mua. Nuk i kam vënë këmbët në asnjë rrugë të keqe, që të zbatoj fjalën tënde.» (Psal. 119:72, 98, 101) A keni një program të rregullt për studimin e Biblës? A po përgatiteni për caktime të ardhshme në shërbim të Perëndisë duke lexuar Biblën çdo ditë dhe duke medituar rreth asaj që lexoni?

Sauli mësoi t’i donte njerëzit

8. Si i trajtonte Pavli ata që nuk bënin pjesë në judaizëm?

8 Para se të bëhej i krishterë, Sauli kishte qenë i zellshëm për fenë e vet, por s’donte t’ia dinte për njerëzit që nuk bënin pjesë në judaizëm. (Vep. 26:4, 5) Ai vështroi me miratim kur disa judenj vranë me gurë Stefanin. Nga kjo që pa, Sauli mori shkas për t’i përndjekur të krishterët, ndoshta duke e konsideruar ekzekutimin e Stefanit si ndëshkim të merituar. (Vep. 6:8-14; 7:54–8:1) Tregimi i frymëzuar thotë: «Sauli nisi ta trajtonte mizorisht kongregacionin. Hynte me forcë nga njëra shtëpi në tjetrën, nxirrte zvarrë jashtë burra e gra dhe i dorëzonte në burg.» (Vep. 8:3) Ai ‘shkoi deri aty sa i përndoqi edhe në qytetet e tjera’.—Vep. 26:11.

9. Çfarë e bëri Saulin të mendonte mirë për mënyrën si i trajtonte të tjerët?

9 Kur iu shfaq Zotëria Jezu, Sauli ishte rrugës për në Damask që të përndiqte dishepujt e Krishtit. Shkëlqimi i mbinatyrshëm i Birit të Perëndisë bëri që Pavli të verbohej e të mbetej në varësinë e të tjerëve. Në kohën kur Jehovai përdori Ananinë që t’i rikthente shikimin, qëndrimi i Saulit ndaj njerëzve kishte ndryshuar njëherë e mirë. (Vep. 9:1-30) Pasi u bë dishepull i Krishtit, ai bëri çmos t’i trajtonte të gjithë njerëzit siç i trajtoi Jezui. Kjo do të thoshte të hiqte dorë nga dhuna dhe të ishte ‘paqësor me të gjithë’.—Lexo Romakëve 12:17-21.

10, 11. Si tregoi Pavli dashuri të sinqertë për njerëzit?

10 Pavli nuk u mjaftua vetëm duke qenë në paqe me të tjerët. Ai donte t’u tregonte dashuri të sinqertë, dhe shërbimi i krishterë ia dha këtë mundësi. Në udhëtimin e tij të parë misionar, ai predikoi lajmin e mirë në Azinë e Vogël. Me gjithë përndjekjen e ashpër, Pavli dhe bashkëpunëtorët e tij iu vunë punës që të ndihmonin njerëzit zemërbutë të bëheshin të krishterë. Ata vizituan përsëri Listrën dhe Ikoninë, ndonëse kundërshtarët në këto qytete ishin orvatur ta vritnin Pavlin.—Vep. 13:1-3; 14:1-7, 19-23.

11 Më vonë, Pavli dhe njerëzit që ishin me të shkuan në qytetin maqedonas të Filipisë për të kërkuar ata që donin të adhuronin Perëndinë. Një prozelite judeje me emrin Lidia e dëgjoi lajmin e mirë dhe u bë e krishterë. Autoritetet civile e rrahën me thupër Pavlin e Silën dhe i futën në burg. Megjithatë, Pavli i predikoi rojës së burgut dhe si rezultat ai dhe familja e tij u pagëzuan si adhurues të Jehovait.—Vep. 16:11-34.

12. Çfarë e shtyu Saulin e pacipë të bëhej një apostull i dashur i Jezu Krishtit?

12 Pse Sauli, dikur përndjekës, përqafoi besimin e atyre që përndiqte? Çfarë e shtyu këtë njeri të pacipë të bëhej një apostull i përzemërt dhe i dashur që ishte i gatshëm të rrezikonte jetën vetëm e vetëm që të tjerët të mësonin të vërtetën për Perëndinë dhe Krishtin? Vetë Pavli shpjegon: «Perëndia, që . . . më thirri nëpërmjet dashamirësisë së tij të pamerituar, e gjykoi si diçka të mirë të zbulonte Birin e tij nëpërmjet meje.» (Gal. 1:15, 16) Pavli i shkroi Timoteut: «Arsyeja përse m’u tregua mëshirë ishte që nëpërmjet meje, si rasti më i njohur, Krishti Jezu të tregonte gjithë shpirtgjerësinë e vet, si një model për ata që do ta mbështetin tek ai besimin e tyre për jetën e përhershme.» (1 Tim. 1:16) Jehovai e fali Pavlin, e kjo dashamirësi e pamerituar dhe mëshirë që iu tregua, e nxiti Pavlin t’u tregonte dashuri të tjerëve duke u predikuar lajmin e mirë.

13. Ç’gjë duhet të na nxitë t’u tregojmë dashuri të tjerëve dhe si mund ta bëjmë këtë?

13 Kështu i fal edhe mëkatet e gabimet tona Jehovai. (Psal. 103:8-14) Psalmisti pyeti: «Po t’i mbaje sytë te fajet, o Jah, o Jehova, kush do të mbetej në këmbë?» (Psal. 130:3) Pa mëshirën e Perëndisë, askush nga ne nuk do të gëzonte mundësinë për të kryer shërbim të shenjtë dhe as nuk do të kishte shpresën e jetës së përhershme. Dashamirësia e pamerituar e Perëndisë ndaj nesh ka qenë e madhe. Prandaj, ashtu si Pavli, edhe ne duhet t’u tregojmë të tjerëve dashuri duke u predikuar e duke u mësuar të vërtetën, si edhe duke forcuar bashkëbesimtarët tanë.—Lexo Veprat 14:21-23.

14. Si mund ta zgjeroni shërbimin?

14 Pavli donte të bënte përparim si shërbëtor i lajmit të mirë dhe shembulli i Jezuit i preku zemrën. Një nga mënyrat se si Biri i Perëndisë tregoi dashuri të pakrahasueshme ndaj njerëzve, ishte shërbimi. Jezui tha: «Të korrat janë të mëdha, por punëtorët janë pak. Prandaj lutjuni Zotërisë të të korrave, që të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.» (Mat. 9:35-38) Pavli veproi në përputhje me çdo lutje që mund të kishte bërë për më shumë punëtorë. Ai u bë ungjillëzues i zellshëm. Po ju? A mund ta përmirësoni cilësinë e shërbimit? Ose, a mund ta shtoni kohën që kaloni në veprën e predikimit për Mbretërinë, ndoshta duke i rregulluar gjërat në atë mënyrë që të shërbeni si pionierë? Le të tregojmë dashuri të sinqertë ndaj të tjerëve duke i ndihmuar që ‘të mbahen fort pas fjalës së jetës’.—Filip. 2:16.

Pikëpamja e Pavlit për veten

15. Si e konsideronte veten Pavli në lidhje me të krishterët e tjerë?

15 Si shërbëtor i krishterë, Pavli la një shembull të jashtëzakonshëm për ne edhe në një mënyrë tjetër. Ndonëse mori shumë privilegje në kongregacionin e krishterë, Pavli ishte më se i vetëdijshëm që nuk i fitoi dhe nuk i takonin privilegjet falë aftësive që kishte. Ai e kuptoi se bekimet që mori, ishin shprehje të dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë. Pavli e pranonte se kishte edhe të krishterë të tjerë që ishin shërbëtorë të efektshëm të lajmit të mirë. Pavarësisht nga përgjegjësitë që kishte në popullin e Perëndisë, ai mbeti i përulur.—Lexo 1 Korintasve 15:9-11.

16. Si tregoi Pavli përulësi dhe modesti në lidhje me çështjen e rrethprerjes?

16 Shqyrtoni se si e zgjidhi Pavli një problem që lindi në qytetin sirian të Antiokisë. Kongregacioni i krishterë në atë vend ishte i ndarë për sa i përket çështjes së rrethprerjes. (Vep. 14:26–15:2) Meqë Pavli ishte caktuar të merrte drejtimin në predikimin që u bëhej jojudenjve të parrethprerë, ai mund ta kishte konsideruar veten si ekspert në marrëdhëniet me jojudenjtë dhe si rrjedhojë më se të kualifikuar për të zgjidhur problemin. (Lexo Galatasve 2:8, 9.) Por, kur përpjekjet e tij nuk e zgjidhën këtë çështje, me përulësi dhe modesti ai ndoqi procedurën dhe foli me trupin udhëheqës në Jerusalem për ta diskutuar çështjen. Pavli bashkëpunoi plotësisht kur pjesëtarët e trupit udhëheqës e dëgjuan çështjen, arritën në një përfundim dhe më pas e caktuan si një prej atyre që do t’ua njoftonin vendimin kongregacioneve. (Vep. 15:22-31) Kështu Pavli ‘ishte i pari që u tregoi nderim’ bashkëshërbëtorëve të tij.—Rom. 12:10b.

17, 18. (a) Çfarë ndjenjash zhvilloi Pavli për ata në kongregacione? (b) Çfarë na mëson për Pavlin reagimi i pleqve të Efesit në çastin kur ai do të largohej?

17 Pavli i përulur nuk ishte i ftohtë me vëllezërit dhe motrat në kongregacione. Përkundrazi, u lidh ngushtë me ta. Në fund të letrës së tij drejtuar romakëve, ai përshëndeti me emër më shumë se 20 veta. Shumica e tyre nuk përmenden në ndonjë rast tjetër në Shkrime dhe pak prej tyre kishin privilegje të veçanta. Por ata ishin shërbëtorë besnikë të Jehovait, dhe Pavli i donte shumë.—Rom. 16:1-16.

18 Sjellja e përulur dhe miqësore e Pavlit i forconte kongregacionet. Kur u takua për herë të fundit me pleqtë e Efesit, ata «iu hodhën Pavlit në qafë dhe e puthën me butësi, sepse ndien dhembje, sidomos ngaqë tha se nuk do ta shihnin më fytyrën e tij». Largimi i një njeriu krenar e të ftohtë nuk do të kishte shkaktuar një reagim të tillë.—Vep. 20:37, 38.

19. Si mund të tregojmë «përulësi mendjeje» në mënyrën si i trajtojmë të bashkëkrishterët?

19 Të gjithë ata që duan të përparojnë frymësisht duhet të shfaqin një frymë të përulur si Pavli. Ai i nxiti të bashkëkrishterët që të «mos [bënin] asgjë nga fryma e grindjes ose nga uni, por me përulësi mendjeje, duke i parë të tjerët si më të lartë se veten». (Filip. 2:3) Si mund ta ndiqni këtë këshillë? Një mënyrë është duke bashkëpunuar me pleqtë e kongregacionit, duke ndjekur drejtimin e tyre dhe duke përkrahur vendimet e tyre gjyqësore. (Lexo Hebrenjve 13:17.) Një mënyrë tjetër është duke i çmuar shumë të gjithë vëllezërit dhe motrat në besim. Kongregacionet e popullit të Jehovait shpesh përbëhen nga njerëz të kombeve, kulturave, racave dhe etnive të ndryshme. Por, a nuk duhet të mësojmë t’i trajtojmë të gjithë pa paragjykime dhe me përzemërsi, siç bëri Pavli? (Vep. 17:26; Rom. 12:10a) Le ‘të mikpresim njëri-tjetrin, ashtu si na mikpriti edhe Krishti, për lavdi të Perëndisë’!—Rom. 15:7.

«Të vrapojmë me qëndrueshmëri» në garën për jetën e përhershme

20, 21. Çfarë do të na ndihmojë të vrapojmë me sukses në garën për jetën e përhershme?

20 Jeta e një të krishteri mund të krahasohet me një garë të gjatë. Pavli shkroi: «Luftën e shkëlqyer e bëra, vrapimin e përfundova, besimin e ruajta. Që tani e tutje, për mua ruhet kurora e drejtësisë, të cilën Zotëria, gjykatësi i drejtë, do të ma japë si shpërblim atë ditë, madje jo vetëm mua, por edhe të gjithë atyre që e kanë dashur shfaqjen e tij.»—2 Tim. 4:7, 8.

21 Ndjekja e shembullit të Pavlit do të na ndihmojë të vrapojmë me sukses në garën për jetën e përhershme. (Hebr. 12:1) Prandaj, le të vazhdojmë të përparojmë frymësisht duke zhvilluar një program të mirë studimi personal dhe dashuri të thellë për të tjerët, si edhe duke mbajtur një qëndrim të përulur.

Si do të përgjigjeshit?

• Si përfitoi Pavli nga studimi i rregullt i Shkrimeve?

• Pse dashuria e thellë për njerëzit është e rëndësishme për të krishterët e vërtetë?

• Çfarë cilësish do t’ju ndihmojnë t’i trajtoni pa paragjykime të tjerët?

• Si mund t’ju ndihmojë shembulli i Pavlit që të bashkëpunoni me pleqtë në kongregacion?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 23]

Merrni forcë nga Shkrimet, ashtu si Pavli

[Figura në faqen 24]

Tregoni dashuri duke u dhënë të tjerëve lajmin e mirë

[Figura në faqen 25]

A e dini pse Pavli u hyri në zemër vëllezërve?