Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si duhet t’i trajtojmë të tjerët?

Si duhet t’i trajtojmë të tjerët?

Si duhet t’i trajtojmë të tjerët?

«Ashtu si dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, njësoj bëni edhe ju për ta.»—LUKA 6:31.

1, 2. (a) Çfarë është Predikimi në Mal? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull dhe në atë vijues?

JEZU KRISHTI ishte vërtet Mësuesi më i Madh. Kur armiqtë e tij fetarë dërguan roja për ta arrestuar, këta u kthyen duarbosh dhe thanë: «Asnjeri tjetër nuk ka folur kurrë kështu.» (Gjoni 7:32, 45, 46) Një nga fjalimet mjeshtërore të Jezuit ishte Predikimi në Mal. Ai është dokumentuar te kapituj 5 deri 7 të Ungjillit të Mateut, dhe një informacion i ngjashëm paraqitet edhe te Luka 6:20-49. *

2 Ndoshta pohimi më i njohur i këtij fjalimi është ai që shpesh quhet Rregulla e Artë. Ajo ka të bëjë me mënyrën si i trajtojmë të tjerët. Jezui tha: «Ashtu si dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, njësoj bëni edhe ju për ta.» (Luka 6:31) Dhe vërtet, sa shumë të mira u bëri njerëzve Jezui! Ai shëroi të sëmurë, e madje ringjalli edhe të vdekur. Por njerëzit u bekuan sidomos kur pranuan lajmin e mirë që u dha ai. (Lexo Lukën 7:20-22.) Si Dëshmitarë të Jehovait, kënaqemi shumë kur marrim pjesë në një vepër të ngjashme, në predikimin e lajmit për Mbretërinë. (Mat. 24:14; 28:19, 20) Në këtë artikull dhe në atë vijues do të shqyrtojmë çfarë tha Jezui për këtë vepër, si edhe pika të tjera nga Predikimi në Mal që tregojnë se si duhet t’i trajtojmë të tjerët.

Jini me natyrë të butë

3. Si do ta përkufizonit shprehjen «me natyrë të butë»?

3 Jezui tha: «Lum ata që janë me natyrë të butë, sepse do të trashëgojnë tokën!» (Mat. 5:5) Sipas Shkrimeve, të jesh me natyrë të butë s’do të thotë aspak të jesh i dobët, por është butësi që e tregojmë sipas asaj që kërkon Perëndia. Ky qëndrim pasqyrohet në mënyrën si sillemi me të tjerët. Për shembull, ‘nuk ia kthejmë askujt të keqen me të keqe’.—Rom. 12:17-19.

4. Pse janë të lumtur njerëzit me natyrë të butë?

4 Njerëzit me natyrë të butë janë të lumtur sepse «do të trashëgojnë tokën». Jezui, i cili ishte «me natyrë të butë e i përulur në zemër», është emëruar ‘trashëgimtar i të gjitha gjërave’ dhe prandaj është Trashëgimtari kryesor i tokës si Sundimtar i saj. (Mat. 11:29; Hebr. 1:2; Psal. 2:8) Ishte parathënë se ‘biri [mesianik] i njeriut’ do të sundonte bashkë me të tjerë në Mbretërinë qiellore. (Dan. 7:13, 14, 21, 22, 27) Si «bashkëtrashëgimtarë me Krishtin», edhe 144.000 të mirosurit me natyrë të butë do të trashëgonin tokën bashkë me Jezuin. (Rom. 8:16, 17; Zbul. 14:1) Edhe njerëz të tjerë me natyrë të butë do të bekohen me jetën e përhershme në tokë nën sundimin e Mbretërisë.—Psal. 37:11.

5. Ç’dobi nxjerrim kur jemi me natyrë të butë si Krishti?

5 Po të jemi të ashpër, të tjerëve mund t’u soset durimi e të largohen nga ne. Por, nëse jemi me natyrë të butë si Krishti, do të jemi të këndshëm e do të ndikojmë për mirë te të tjerët në kongregacion. Butësia është pjesë e frytit që jep te ne forca vepruese e Perëndisë nëse ‘jetojmë dhe ecim sipas frymës’. (Lexo Galatasve 5:22-25.) Sigurisht, ne duam të jemi ndër ata individë me natyrë të butë që drejtohen nga fryma e shenjtë e Jehovait.

Lum të mëshirshmit!

6. Për çfarë cilësish dallohen «të mëshirshmit»?

6 Në Predikimin në Mal, Jezui tha gjithashtu: «Lum të mëshirshmit, sepse do t’u tregohet mëshirë!» (Mat. 5:7) «Të mëshirshmit» kanë dhembshuri të butë dhe merakosen për ata që vuajnë, e madje ndiejnë keqardhje për ta. Me anë të mrekullive, Jezui ua lehtësonte vuajtjet njerëzve, sepse ‘ndiente keqardhje’ ose ‘shtyhej nga keqardhja’. (Mat. 14:14; 20:34) Prandaj, keqardhja dhe meraku për të tjerët duhet të na nxitin të jemi të mëshirshëm.—Jak. 2:13.

7. Për çfarë e shtyu keqardhja Jezuin?

7 Njëherë, një turmë e takoi Jezuin ndërsa shkonte për të pushuar. «I shtyrë nga keqardhja për ta, sepse ishin si dele pa bari, [Jezui] nisi t’u mësonte shumë gjëra.» (Mar. 6:34) Çfarë gëzimi provojmë kur edhe ne u japim mesazhin për Mbretërinë të tjerëve dhe u flasim për mëshirën e madhe të Perëndisë!

8. Pse janë të lumtur të mëshirshmit?

8 Të mëshirshmit janë të lumtur, sepse «u tregohet mëshirë». Kur i trajtojmë të tjerët me mëshirë, zakonisht ata reagojnë në të njëjtën mënyrë. (Luka 6:38) Për më tepër Jezui tha: «Po t’ua falni njerëzve shkeljet, edhe Ati juaj qiellor do t’ju falë ju.» (Mat. 6:14) Vetëm të mëshirshmit e njohin lumturinë që vjen nga falja e mëkateve dhe marrja e miratimit të Perëndisë.

Pse janë të lumtur «paqebërësit»?

9. Si do të sillemi nëse jemi paqebërës?

9 Duke përmendur një arsye tjetër për lumturinë, Jezui tha: «Lum paqebërësit, sepse do të quhen ‘bij të Perëndisë’!» (Mat. 5:9) Nëse jemi paqebërës, as do të tolerojmë dhe as do të përfshihemi në ndonjë gjë që mund ‘të ndajë shokët e ngushtë’, si për shembull shpifja. (Prov. 16:28) Me fjalë e me vepra, do të ndjekim ose do të kërkojmë paqen me njerëzit brenda e jashtë kongregacionit të krishterë. (Hebr. 12:14) Në veçanti, do të bëjmë çmos të jemi në paqe me Perëndinë Jehova.—Lexo 1 Pjetrit 3:10-12.

10. Pse janë të lumtur «paqebërësit»?

10 Jezui tha se «paqebërësit» janë të lumtur, «sepse do të quhen ‘bij të Perëndisë’». Ngaqë tregojnë besim te Jezui si Mesia, të krishterët e mirosur marrin ‘autoritet të bëhen fëmijë të Perëndisë’. (Gjoni 1:12; 1 Pjet. 2:24) Ç’të themi për ‘delet e tjera’ paqebërëse të Jezuit? Ai do të jetë për ta «Atë i Përjetshëm» gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar me bashkëtrashëgimtarët e tij qiellorë. (Gjoni 10:14, 16; Isa. 9:6; Zbul. 20:6) Në fund të Mbretërimit të tij Mijëvjeçar, këta paqebërës do të bëhen në kuptimin e plotë fëmijë të Perëndisë në tokë.—1 Kor. 15:27, 28.

11. Si do t’i trajtojmë të tjerët nëse udhëhiqemi prej ‘mençurisë nga lart’?

11 Që të kemi një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain, ‘Perëndinë e paqes’, duhet të imitojmë cilësitë e tij, përfshirë edhe të jemi paqebërës. (Filip. 4:9) Po të udhëhiqemi prej ‘mençurisë nga lart’, do t’i trajtojmë të tjerët në mënyrë paqësore. (Jak. 3:17) Po, do të jemi paqebërës të lumtur.

«Le të ndriçojë drita juaj»

12. (a) Çfarë tha Jezui për dritën frymore? (b) Si mund ta lëmë dritën tonë të ndriçojë?

12 I trajtojmë njerëzit në mënyrën më të mirë kur i ndihmojnë të marrin dritën e së vërtetës që vjen nga Perëndia. (Psal. 43:3) Jezui u tha dishepujve se ishin «drita e botës» dhe i nxiti që ta linin dritën e tyre të ndriçonte, që njerëzit të mund të shihnin ‘veprat e tyre të shkëlqyera’ ose të mirat që u bënin të tjerëve. Si rrjedhim, drita frymore do të ndriçonte «para njerëzve», domethënë në dobi të të gjithë njerëzimit. (Lexo Mateun 5:14-16.) Sot e lëmë dritën tonë të ndriçojë duke u bërë mirë të tjerëve dhe duke marrë pjesë në veprën e predikimit të lajmit të mirë «në mbarë botën», domethënë «në të gjitha kombet». (Mat. 26:13; Mar. 13:10) Ç’privilegj që kemi!

13. Për çfarë dallohemi?

13 «Një qytet nuk mund të fshihet, nëse ndodhet në mal»,—tha Jezui. Çdo qytet mbi një mal do të shihej kollaj. Po kështu, ne dallohemi për veprat tona të shkëlqyera si lajmëtarë të Mbretërisë dhe për cilësi të tilla, si përkorja dhe dëlirësia.—Titit 2:1-14.

14. (a) Si ishin llambat e shekullit të parë? (b) Ç’do të thotë të mos fshehim dritën frymore nën «shinik»?

14 Jezui tha se një llambë nuk ndizet për t’u vendosur nën shinik, por në mbajtësen e vet që t’u bëjë dritë gjithë atyre që janë në shtëpi. Në shekullin e parë, llamba ishte një enë prej balte me një fitil që thithte lëngun (zakonisht vaj ulliri) dhe ushqente flakën. Shpesh, kur vendosej në një mbajtëse prej druri ose metali, llamba ‘u bënte dritë gjithë atyre që ishin në shtëpi’. Njerëzit nuk e ndiznin llambën e më pas ta vinin nën «shinik», që ishte një enë e madhe matëse për drithërat. Jezui nuk donte që dishepujt ta fshihnin dritën e tyre frymore nën një shinik të figurshëm. Prandaj duhet ta lëmë dritën tonë të ndriçojë dhe të mos lejojmë kurrë që për shkak të kundërshtimit ose përndjekjes, të fshehim të vërtetën biblike ose ta mbajmë për vete.

15. Si ndikojnë te disa ‘veprat tona të shkëlqyera’?

15 Pikërisht pasi përmendi llambën, Jezui u tha dishepujve: «Po ashtu le të ndriçojë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të shkëlqyera dhe t’i japin lavdi Atit tuaj që është në qiej.» Falë ‘veprave tona të shkëlqyera’ disa «i japin lavdi» Perëndisë duke u bërë shërbëtorë të tij. Sa na nxit kjo që të vazhdojmë ‘të shkëlqejmë si ndriçues në botë’!—Filip. 2:15.

16. Çfarë kërkohet nga ne që të jemi «drita e botës»?

16 Të jemi «drita e botës» kërkon që të marrim pjesë në veprën e predikimit të lajmit për Mbretërinë dhe të bërjes së dishepujve. Por kërkohet edhe diçka tjetër. Apostulli Pavël shkroi: «Vazhdoni të ecni si fëmijë të dritës, sepse frytet e dritës përbëhen nga çdo lloj mirësie, drejtësie dhe të vërtete.» (Efes. 5:8, 9) Duhet të jemi shembuj të shkëlqyer të një sjelljeje që përputhet me normat e Perëndisë. Po, duhet t’i vëmë veshin këshillës së apostullit Pjetër: «Mbajeni të shkëlqyer sjelljen tuaj mes njerëzve nga bota, me qëllim që për gjërat që thonë kundër jush, si të ishit keqbërës, t’i japin lavdi Perëndisë ditën e hetimit prej tij, si rrjedhim i veprave tuaja të shkëlqyera, për të cilat janë dëshmitarë okularë.» (1 Pjet. 2:12) Por, çfarë duhet të bërë nëse lindin probleme midis bashkëbesimtarëve?

‘Bëj paqe me vëllanë tënd’

17-19. (a) Sa i rëndësishëm është pajtimi me një vëlla? (b) Si e tregoi Jezui këtë?

17 Në Predikimin në Mal, Jezui i paralajmëroi dishepujt që të mos mbanin mëri ose të mos e përçmonin një vëlla. Përkundrazi, ata duhej të ishin të shpejtë për të vendosur paqen me një vëlla të fyer. (Lexo Mateun 5:21-25.) Shikojeni mirë këshillën e Jezuit. Po të sillje flinë tënde në altar dhe atje të kujtoheshe se vëllai yt kishte diçka kundër teje, ç’duhej të bëje? Duhej të lije flinë para altarit e të shkoje të bëje paqe me vëllanë. Më pas mund të ktheheshe e të paraqitje flinë.

18 ‘Flia’ ishte një dhuratë që dikush mund ta paraqiste në tempullin e Jehovait. Flijimet në kafshë ishin shumë të rëndësishme, sepse ishin urdhëruar nga Perëndia si pjesë e adhurimit që bënte Izraeli nën Ligjin e Moisiut. Por, nëse kujtoheshe se vëllai yt kishte diçka kundër teje, zgjidhja e problemit mes jush do të ishte më urgjente se paraqitja e flisë. Jezui tha: «Lëre flinë atje, para altarit, dhe ik. Bëj më parë paqe me vëllanë tënd, dhe pastaj, kur të jesh kthyer, paraqit flinë tënde.» Pajtimi me vëllanë ishte më i rëndësishëm se përmbushja e një detyrimi të Ligjit.

19 Jezui nuk po fliste vetëm për disa flijime të veçanta dhe shkelje specifike. Prandaj, nëse dikush kujtohej se vëllai kishte diçka kundër tij, çfarëdo lloj flijimi që do të bënte, duhej ta linte për më vonë. Kafsha duhej lënë «para altarit» të blatimeve të djegura që ndodhej në tempull në oborrin e priftërinjve. Pasi të zgjidhej problemi, ai që kishte fyer vëllanë, mund të kthehej e të paraqiste flinë.

20. Pse duhet t’i rregullojmë shpejt punët nëse jemi zemëruar me një vëlla?

20 Për Perëndinë, marrëdhënia jonë me vëllezërit është pjesë e rëndësishme e adhurimit të vërtetë. Flijimet në kafshë ishin të pakuptimta për Jehovain nëse ata që i paraqitnin nuk i trajtonin të tjerët siç duhej. (Mik. 6:6-8) Prandaj, Jezui i nxiti dishepujt ‘t’i rregullonin shpejt punët’. (Mat. 5:25) Pavli shkroi diçka të ngjashme: «Zemërohuni, por mos mëkatoni. Perëndimi i diellit të mos ju gjejë të acaruar, as mos i lini vend Djallit.» (Efes. 4:26, 27) Në qoftë se me të drejtë zemërohemi, duhet t’i rregullojmë shpejt punët që të mos mbetemi të acaruar e kështu ta lëmë Djallin të përfitojë nga ne.—Luka 17:3, 4.

Trajtojini të tjerët gjithmonë me respekt

21, 22. (a) Si mund t’i zbatojmë këshillat e Jezuit që sapo kemi trajtuar? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

21 Ky shqyrtim i disa pohimeve të Jezuit në Predikimin në Mal duhet të na ndihmojë t’i trajtojmë të tjerët me dashamirësi e respekt. Ndonëse të gjithë jemi të papërsosur, mund t’i zbatojmë këshillat e Jezuit, sepse as ai, as Ati ynë qiellor nuk presin nga ne më shumë se ç’mund të bëjmë. Me anë të lutjeve, të përpjekjeve të sinqerta dhe me bekimin e Perëndisë Jehova, mund të jemi me natyrë të butë, të mëshirshëm dhe paqebërës. Mund të pasqyrojmë dritën frymore që shkëlqen në lavdi të Jehovait. Për më tepër, mund të bëjmë paqe me vëllezërit, kur është e nevojshme.

22 Që adhurimi ynë të pranohet nga Jehovai, duhet t’i trajtojmë të tjerët në mënyrën e duhur. (Mar. 12:31) Në artikullin vijues, do të shqyrtojmë pohime të tjera nga Predikimi në Mal që do të na ndihmojnë të vazhdojmë t’u bëjmë mirë të tjerëve. Por, pasi të meditojmë rreth pikave të mësipërme të nxjerra nga fjalimi i pashoq i Jezuit, mund të pyesim veten: ‘A i trajtoj të tjerët siç duhet?’

[Shënimi]

^ par. 1 Gjatë studimit personal, mund të jetë e dobishme t’i lexoni këto vargje para se të shqyrtoni këtë artikull dhe atë vijues.

Si do të përgjigjeshit?

• Ç’do të thotë të jesh me natyrë të butë?

• Pse janë të lumtur «të mëshirshmit»?

• Si mund ta lëmë dritën tonë të ndriçojë?

• Pse duhet ‘të bëjmë paqe me vëllanë’ pa humbur kohë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 4]

Shpallja e mesazhit për Mbretërinë është jetësore për ta lënë dritën tonë të ndriçojë

[Figura në faqen 5]

Të krishterët duhet të jenë shembuj të një sjelljeje që përputhet me normat e Perëndisë

[Figura në faqen 6]

Bëj çmos të bësh paqe me vëllanë tënd