Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të ndjekim «shenjtërinë në frikën e Perëndisë»

Të ndjekim «shenjtërinë në frikën e Perëndisë»

Të ndjekim «shenjtërinë në frikën e Perëndisë»

DUKE i atribuar Perëndisë Jehova shenjtërinë në shkallën më të lartë, Bibla thotë: «I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Jehovai!» (Isa. 6:3; Zbul. 4:8) Fjala hebraike dhe ajo greke për ‘shenjtëri’ përcjellin idenë e pastërtisë fetare, të qëndrimit larg ndotjes. Shenjtëria e Perëndisë i referohet pastërtisë absolute morale të tij.

A nuk pret Perëndia i shenjtë Jehova nga ata që e adhurojnë, të jenë të shenjtë, domethënë të pastër fizikisht, moralisht dhe frymësisht? Bibla tregon qartë se Jehovai do që populli i tij të jetë i shenjtë. Te 1 Pjetrit 1:16 lexojmë: «Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë!» Por, a mund ta imitojnë shenjtërinë e Jehovait njerëzit e papërsosur? Po, ndonëse jo në mënyrë të përsosur. Perëndia na konsideron të shenjtë nëse e adhurojmë me një qëndrim të pastër dhe nëse mbajmë një marrëdhënie të ngushtë me të.

Atëherë si mund të mbetemi të pastër në një botë të papastër moralisht? Cilave praktika duhet t’u rrimë larg? Ç’ndryshime mund të na duhet të bëjmë në sjellje dhe në të folur? Të shohim ç’mund të mësojmë nga kërkesat e Perëndisë për judenjtë që po ktheheshin nga Babilonia në vendlindje, në vitin 537 p.e.s.

‘Atje do të jetë Udha e Shenjtërisë’

Jehovai paratha se populli i tij që kishte mërguar në Babiloni, do të kthehej në vendlindje. Profecia e rivendosjes garantonte: «Atje do të ketë një rrugë të gjerë, po, një udhë, që do të quhet Udha e Shenjtërisë.» (Isa. 35:8a) Këto fjalë tregojnë se Jehovai jo vetëm që u hapi rrugën judenjve të ktheheshin në shtëpi, por edhe i siguroi se do t’i mbronte gjatë udhëtimit.

Sot, Jehovai u ka hapur ‘Udhën e Shenjtërisë’ shërbëtorëve të tij në tokë duke i nxjerrë nga Babilonia e Madhe, perandoria botërore e fesë së rreme. Në vitin 1919, ai i liroi të krishterët e mirosur nga robëria frymore e fesë së rreme dhe ata e pastruan gradualisht adhurimin nga të gjitha mësimet e rreme. Sot, si adhurues të Jehovait ne gëzojmë një mjedis të pastër e të qetë frymor, ku mund të adhurojmë Jehovain dhe të kemi një marrëdhënie paqësore me të e me të tjerët.

Anëtarët e ‘kopesë së vogël’ të të krishterëve të mirosur dhe ‘shumica e madhe’ e ‘deleve të tjera’ që është në rritje, kanë zgjedhur të ecin në një rrugë të shenjtë, dhe po ftojnë edhe të tjerë të bashkohen me ta. (Luka 12:32; Zbul. 7:9; Gjoni 10:16) «Udha e Shenjtërisë» është e hapur për të gjithë ata që janë gati ‘t’i paraqitin trupat si një flijim të gjallë, të shenjtë e të pranueshëm për Perëndinë’.—Rom. 12:1.

«Asnjë i papastër nuk do të kalojë nëpër të»

Në vitin 537 p.e.s., judenjtë që po ktheheshin në Jerusalem duhej të plotësonin një kërkesë të rëndësishme. Ja çfarë thotë Isaia 35:8b për ata që kualifikoheshin të ecnin në ‘Udhën e Shenjtërisë’: «Asnjë i papastër nuk do të kalojë nëpër të. Ajo u përket atyre që e ndjekin atë, dhe asnjë i marrë nuk do të endet nëpër të.» Përderisa qëllimi i kthimit në vendlindje ishte të rivendosnin adhurimin e pastër, s’do të kishte vend për judenjtë që kishin motive egoiste, nuk respektonin gjërat e shenjta ose ishin të papastër frymësisht. Ata që do të ktheheshin, duhej të mbanin normat e larta morale të Jehovait. Sot, ai që dëshiron të ketë pëlqimin e Perëndisë, duhet të plotësojë të njëjtën kërkesë. Duhet të ndjekë «shenjtërinë në frikën e Perëndisë». (2 Kor. 7:1) Atëherë, cilave praktika të papastra duhet t’u rrimë larg?

«Veprat e mishit duken qartë, dhe ato janë: kurvëria, ndyrësia, sjellja e shthurur»,—shkroi apostulli Pavël. (Gal. 5:19) Kurvëria ka të bëjë me çdo veprim seksual jashtë lidhjes martesore, që përfshin përdorimin e organeve gjinore. Sjellja e shthurur përfshin «shfrenimin moral, të qenët cipëplasur, sjelljen e paturpshme, sjelljen e fëlliqur». Si kurvëria, edhe sjellja e shthurur bien në kundërshtim të hapur me shenjtërinë e Jehovait. Pra, kush vazhdon të praktikojë gjëra të tilla, nuk lejohet të bëhet pjesë e kongregacionit të krishterë ose përjashtohet prej tij. E njëjta gjë vlen edhe për ata që praktikojnë ndyrësinë e rëndë, domethënë bëjnë «me lakmi ndyrësi të çdo lloji».—Efes. 4:19.

‘Ndyrësia’ është një term që përfshin një gamë të gjerë mëkatesh. Fjala greke për «ndyrësi» i referohet papastërtisë ose fëlliqësisë së çdo lloji në sjellje, në të folur dhe në shoqërimin me jobesimtarët për qëllime fetare. Ajo përfshin praktika deri diku të papastra që mund të mos kërkojnë një veprim gjyqësor. * Por, a po ndjekin shenjtërinë ata që praktikojnë një ndyrësi të tillë?

Ta zëmë se një i krishterë fillon të shikojë fshehurazi pornografi. Pak nga pak, atij i lindin dëshira të papastra dhe ndërkohë i dobësohet vendosmëria për të qëndruar i pastër para Jehovait. Sjellja e tij mund të mos ketë arritur deri në ndyrësi të rëndë, por nuk po vazhdon të mendojë vetëm ‘për çdo gjë të dëlirë, për çdo gjë për të cilën flitet mirë, për çfarëdo virtyti dhe çfarëdo gjëje të denjë për t’u lëvduar’. (Filip. 4:8) Pornografia është e ndyrë dhe sigurisht që dëmton marrëdhënien tonë me Perëndinë. Ndyrësia e çdo lloji as që duhet të përmendet mes nesh.—Efes. 5:3.

Le të marrim një shembull tjetër. Ta zëmë se një i krishterë praktikon masturbimin, domethënë stimulon qëllimisht veten për t’u eksituar seksualisht, pavarësisht nëse sheh pornografi ose jo. Megjithëse termi «masturbim» nuk gjendet në Bibël, s’ka pikë dyshimi se është një praktikë që ndot mendërisht dhe emocionalisht. Nëse vazhdojmë të ndotemi në këtë mënyrë, a s’do ta dëmtojmë rëndë marrëdhënien me Jehovain dhe a s’do të bëhemi të papastër në sytë e tij? Bëjmë mirë ta marrim seriozisht këshillën e Pavlit që «të pastrohemi nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës» dhe ‘të bëjmë të vdesin gjymtyrët e trupit tonë në tokë në lidhje me kurvërinë, ndyrësinë, urinë seksuale, dëshirat e dëmshme dhe lakminë’.—2 Kor. 7:1; Kolos. 3:5.

Kjo botë e sunduar nga Satanai jo vetëm që mbyll një sy para sjelljes së papastër, por edhe e inkurajon. Mund të jetë shumë e vështirë t’i rezistosh tundimit për t’u përfshirë në sjellje të papastër. Por të krishterët e vërtetë nuk duhet ‘të vazhdojnë më të ecin ashtu siç ecin kombet, në kotësinë e mendjeve të tyre’. (Efes. 4:17) Jehovai do të na lejojë të vazhdojmë në ‘Udhën e Shenjtërisë’, vetëm nëse shmangim sjelljen e papastër, qoftë hapur, qoftë në fshehtësi.

«Atje s’do të ketë asnjë luan»

Disave mund t’u duhet të bëjnë ndryshime rrënjësore në sjellje dhe në të folur, që të gëzojnë miratimin e Perëndisë së shenjtë, Jehovait. Isaia 35:9 thotë: «Atje [domethënë në Udhën e Shenjtërisë] s’do të ketë asnjë luan dhe nuk do të hyjë asnjë lloj kafshe grabitqare.» Njerëzit e dhunshëm dhe agresivë në fjalë e veprime krahasohen me kafshët e egra. Ata s’do të kenë vend kurrsesi në botën e re të Perëndisë ku do të mbretërojë drejtësia. (Isa. 11:6; 65:25) Prandaj, është e domosdoshme që kush dëshiron të ketë miratimin e Perëndisë, të heqë nga personaliteti tiparet shtazarake dhe të ndjekë udhën e shenjtërisë.

«Hiqni çdo vrer shpirtlig, zemërim, furi, të bërtitur dhe sharje, bashkë me çdo të keqe»,—na këshillojnë Shkrimet. (Efes. 4:31) Te Kolosianëve 3:8 lexojmë: «Flakini larg jush të gjitha këto: furinë, zemërimin, të keqen, sharjen dhe në gojën tuaj të mos ketë të folur të ndyrë.» Termi «sharje» që përdoret në këto dy vargje, në thelb u referohet fjalëve lënduese, poshtëruese ose blasfemuese.

Sot, fjalët vulgare e plagosëse janë bërë shumë të zakonshme, madje edhe në familje. Çiftet e martuara i drejtohen njëri-tjetrit dhe fëmijëve me fjalë therëse, mizore ose poshtëruese. Në familjet e krishtere s’duhet të ekzistojë ky lloj sulmi gojor.—1 Kor. 5:11.

Të ndjekim «shenjtërinë në frikën e Perëndisë» është një bekim

Ç’privilegj është t’i shërbejmë Jehovait, Perëndisë së shenjtë! (Jos. 24:19) Parajsa frymore që gëzojmë falë Jehovait, është një gjë shumë e vyer. Duke mbajtur një sjellje të shenjtë në sytë e tij, pa dyshim po ecim në udhën më të mirë të jetës.

Shumë shpejt Perëndia do të sjellë parajsën tokësore që ka premtuar. (Isa. 35:1, 2, 5-7) Në të do të ketë një vend për këdo që e dëshiron me zjarr dhe që vazhdon të ndjekë udhën hyjnore. Vërtet një bekim! (Isa. 65:17, 21) Prandaj, le të bëjmë çmos të vazhdojmë ta adhurojmë Perëndinë me një qëndrim të pastër dhe të mbajmë një marrëdhënie të ngushtë me të.

[Shënimi]

^ par. 12 Për të shqyrtuar se si dallon ‘ndyrësia me lakmi’ nga ‘ndyrësia’ shih Kullën e Rojës, 15 korrik 2006, faqet 29-31.

[Figura në faqen 26]

Çfarë u kërkohej judenjve që të ecnin në ‘Udhën e Shenjtërisë’?

[Figura në faqen 27]

Pornografia dëmton marrëdhënien me Jehovain

[Figura në faqen 28]

«Hiqni çdo . . . të bërtitur dhe sharje»