Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vendosni t’i shërbeni Jehovait sa jeni ende të rinj

Vendosni t’i shërbeni Jehovait sa jeni ende të rinj

Vendosni t’i shërbeni Jehovait sa jeni ende të rinj

«Vazhdo në gjërat që mësove dhe u binde të besoje.»—2 TIM. 3:14.

1. Si e sheh Jehovai shërbimin që i kryejnë të rinjtë Dëshmitarë?

SHËRBIMI i shenjtë që i bëjnë të rinjtë është aq i rëndësishëm për Jehovain, saqë ai frymëzoi që të shkruhej një profeci për ta. Psalmisti këndoi: «Populli yt do të paraqitet vullnetarisht ditën kur t’u prish në luftë forcave të tua ushtarake. Të stolisur me shenjtëri, nga gjiri i agimit, të rinjtë e tu do të vijnë si bulëza vese.» (Psal. 110:3) Po, Jehovai i çmon shumë të rinjtë që janë të gatshëm t’i shërbejnë.

2. Ç’ndikime nga bota hasin të rinjtë lidhur me të ardhmen?

2 Ju të rinj në kongregacion, a i jeni kushtuar Jehovait? Shumë të rinj mund ta kenë të vështirë të vendosin nëse do t’i shërbejnë apo jo Perëndisë së vërtetë. Biznesmenët e mëdhenj, mësuesit e disa herë edhe familjarët e miqtë, i nxitin të rinjtë të ndjekin synime materialiste. Kur të rinjtë ndjekin synime frymore, shpesh bota i përçmon. Por faktikisht, shërbimi ndaj Perëndisë së vërtetë është udha më e mirë që mund të ndiqni në jetë. (Psal. 27:4) Në lidhje me këtë, shqyrtoni këto tri pyetje: Pse duhet t’i shërbeni Perëndisë? Si mund të arrini të bëni një jetë të përkushtuar ndaj Perëndisë, pavarësisht se çfarë mund të thonë ose bëjnë të tjerët? Çfarë mundësish të mrekullueshme në shërbimin e shenjtë mund të hapen para jush?

Shërbimi ndaj Jehovait është gjëja e duhur

3. Si duhet të ndikojë te ne krijimi i Jehovait?

3 Pse duhet t’i shërbeni Perëndisë së vërtetë e të gjallë? Zbulesa 4:11 jep arsyen kryesore: «Ti je i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti krijove gjithçka dhe falë vullnetit tënd ato ekzistuan dhe u krijuan.» Jehovai është Krijuesi i mrekullueshëm i gjithçkaje që ekziston. Sa e bukur është toka! Jehovai ka bërë gjithçka: pemët, lulet, kafshët, oqeanet, malet dhe ujëvarat. ‘Toka është plot me ato që ka bërë Perëndia’,—thotë Psalmi 104:24. Sa mirënjohës jemi që, me dashuri, Jehovai na ka dhënë një trup dhe një mendje falë të cilëve mund ta shijojmë tokën dhe gjërat e mira në të! A nuk duhet të na nxitë çmueshmëria për krijimin e mrekullueshëm që t’i shërbejmë Perëndisë?

4, 5. Cilat vepra hyjnore e afruan Josiun me Jehovain?

4 Një arsye tjetër për t’i shërbyer Jehovait gjendet në fjalët e Josiut, udhëheqësit izraelit. Nga fundi i jetës, Josiu i tha popullit të Perëndisë: «Ju e dini mirë me gjithë zemër e me gjithë shpirt se nuk mbeti pa u plotësuar as edhe një fjalë nga të gjitha të mirat që ju tha Jehovai, Perëndia juaj. Të gjitha dolën të vërteta.» Pse tha kështu Josiu?—Jos. 23:14.

5 Gjatë fëmijërisë në Egjipt, Josiu duhet ta ketë ditur premtimin e Jehovait për t’u dhënë izraelitëve një vend të tyrin. (Zan. 12:7; 50:24, 25; Dal. 3:8) Më pas, Josiu pa se si Jehovai nisi ta përmbushte atë premtim duke sjellë Dhjetë Plagët kundër Egjiptit dhe duke e detyruar faraonin kokëfortë që t’i linte bijtë e Izraelit të iknin. Josiu ishte ndër ata që u çliruan përmes Detit të Kuq, dhe më pas pa se si ai det përpiu faraonin dhe ushtrinë e tij. Kur bënë udhëtimin e gjatë nëpër ‘shkretëtirën e madhe e të frikshme’ të Sinait, Josiu pa se si Jehovai u siguroi izraelitëve gjithçka u nevojitej. As edhe një i vetëm nuk vdiq nga etja ose uria. (Ligj. 8:3-5, 14-16; Jos. 24:5-7) Kur erdhi koha që izraelitët të mundnin kombet e fuqishme kananite dhe të shtinin në dorë Tokën e Premtuar, Josiu pa si i mbështeti në këtë rast Perëndia që ai dhe izraelitët e tjerë adhuronin.—Jos. 10:14, 42.

6. Çfarë do t’ju ndihmojë të zhvilloni dëshirën për t’i shërbyer Perëndisë?

6 Josiu e dinte se Jehovai i kishte mbajtur premtimet. Prandaj Josiu deklaroi: «Sa për mua dhe për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Jehovait.» (Jos. 24:15) Po ju? Kur mendoni për premtimet që Perëndia i vërtetë tashmë ka përmbushur, si edhe për ato që ka akoma për të përmbushur, a dëshironi t’i shërbeni atij, siç bëri edhe Josiu?

7. Pse pagëzimi në ujë është një hap jetësor që duhet bërë?

7 Meditimi për krijimin e Jehovait dhe për premtimet e tij të mrekullueshme dhe plotësisht të besueshme, duhet t’ju nxitë që jo vetëm t’i kushtoheni Atij, por edhe ta simbolizoni kushtimin tuaj me anë të pagëzimit në ujë. Pagëzimi është një hap jetësor që duhet ta bëjnë ata që duan t’i shërbejnë Perëndisë. Kjo është bërë e qartë nga Shembulli ynë, Jezui. Pak kohë para se të niste veprën si Mesia, ai u paraqit te Gjon Pagëzori që të pagëzohej. Pse e bëri Jezui këtë hap? Ai tha më vonë: «Nuk zbrita nga qielli për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi.» (Gjoni 6:38) Për të treguar në mënyrë simbolike se po paraqitej për të bërë vullnetin e Atit, Jezui u pagëzua.—Mat. 3:13-17.

8. Pse Timoteu vendosi të adhuronte Perëndinë e çfarë mund të duhet të bëni edhe ju?

8 Shqyrtoni gjithashtu rastin e Timoteut, një i ri i krishterë, të cilit më vonë Jehovai i besoi shumë punë dhe privilegje shërbimi. Pse vendosi Timoteu të adhuronte Perëndinë e vërtetë? Bibla thotë se ai i ‘kishte mësuar gjërat dhe ishte bindur të besonte’. (2 Tim. 3:14) Nëse keni studiuar Fjalën e Perëndisë dhe jeni bindur të besoni se mësimet e saj janë të vërteta, jeni në një situatë të ngjashme me Timoteun. Tani duhet të merrni një vendim. Pse të mos flitni me prindërit për atë që dëshironi të bëni? Bashkë me pleqtë e kongregacionit, ata mund t’ju ndihmojnë të kuptoni kërkesat biblike për t’u pagëzuar.—Lexo Veprat 8:12.

9. Si mund të ndikojë te të tjerët pagëzimi juaj?

9 Pagëzimi është një hap i shkëlqyer për t’i shërbyer Perëndisë së vërtetë. Duke bërë këtë hap, po hyni në një garë të gjatë në të cilën shpërblimet janë jeta e përhershme dhe gëzimi që ndieni tani kur bëni vullnetin e Perëndisë. (Hebr. 12:2, 3) Gjithashtu, do të gëzoni familjarët tuaj që tashmë janë në këtë garë, dhe miqtë në kongregacionin e krishterë. Dhe, ajo që është më e rëndësishme, do t’ia gëzoni zemrën Jehovait. (Lexo Proverbat 23:15.) Vërtet, të tjerët mund të mos kuptojnë përse keni zgjedhur të adhuroni Jehovain, e mund të mos jenë dakord. Ata madje mund t’ju kundërshtojnë. Por ju mund t’i kapërceni me sukses këto vështirësi.

Kur ju bëjnë pyetje ose ju kundërshtojnë

10, 11. (a) Çfarë pyetjesh mund t’ju bëjnë të tjerët për vendimin tuaj që t’i shërbeni Perëndisë? (b) Çfarë mund të mësoni nga mënyra se si Jezui u përgjigjej pyetjeve për adhurimin e vërtetë?

10 Vendimi juaj për t’i shërbyer Jehovait mund t’i lërë në mëdyshje shokët e shkollës, fqinjët dhe të afërmit. Ata ndoshta do t’ju pyesin se përse keni zgjedhur të ndiqni këtë rrugë dhe mund t’ju bëjnë pyetje për bindjet tuaja. Si duhet të përgjigjeni? Natyrisht, duhet të analizoni mendimet dhe ndjenjat tuaja që të jeni në gjendje të shpjegoni arsyet e vendimit tuaj. Dhe Jezui është shembulli më i mirë që mund të ndiqni kur t’u përgjigjeni pyetjeve rreth bindjeve tuaja.

11 Kur udhëheqësit fetarë judenj e pyetën Jezuin për ringjalljen, ai ua drejtoi vëmendjen te një shkrim që ata nuk e kishin marrë parasysh. (Dal. 3:6; Mat. 22:23, 31-33) Kur një skrib e pyeti atë se cili ishte urdhërimi më i madh, Jezui i citoi vargje të përshtatshme biblike. Ai burrë i ishte mirënjohës Jezuit për përgjigjet që mori. (Lev. 19:18; Ligj. 6:5; Mar. 12:28-34) «Turma u përça për shkak të tij» ngaqë përdorte Shkrimet e nga mënyra se si fliste, dhe kundërshtarët nuk mundën t’i bënin ndonjë të keqe. (Gjoni 7:32-46) Kur u përgjigjeni pyetjeve rreth besimit tuaj, përdorni Biblën dhe përgjigjuni «me frymë butësie dhe me respekt të thellë». (1 Pjet. 3:15) Nëse nuk e dini përgjigjen e një pyetjeje, pranojeni këtë dhe thoni se do të bëni kërkime. Më vonë, kërkoni për këtë temë duke përdorur Treguesin e Botimeve Watchtower ose Bibliotekën Watchtower në CD-ROM, nëse janë në gjuhën tuaj. Duke u përgatitur mirë, do «të dini se si t’i përgjigjeni gjithsecilit».—Kolos. 4:6.

12. Pse nuk duhet të lejoni të shkurajoheni nga përndjekja?

12 Ndoshta njerëzit nuk do të mjaftohen vetëm duke ju bërë pyetje për vendimin dhe bindjet tuaja. Në fund të fundit, armiku i Perëndisë, Satana Djalli, e ka botën në dorë. (Lexo 1 Gjonit 5:19.) Nuk do të ishte realiste të pritnit lavdërimin dhe miratimin e të gjithëve, e ndoshta edhe do t’ju kundërshtojnë. Disa mund «t’ju shajnë» dhe mund ta bëjnë këtë për një kohë të gjatë. (1 Pjet. 4:4) Por, mos harroni, nuk jeni vetëm. Edhe Krishtin e përndoqën. Po kështu edhe apostullin Pjetër, i cili shkroi: «Të dashur, të mos ju vijë çudi për zjarrin [vuajtjen] që djeg mes jush si sprovë, thua se po ju ngjet një gjë e çuditshme. Përkundrazi, vazhdoni të gëzoni meqë jeni pjesëmarrës në vuajtjet e Krishtit.»—1 Pjet. 4:12, 13.

13. Pse të krishterët mund të gëzohen kur përndiqen?

13 Të durosh përndjekjen ose kundërshtimin ngaqë je i krishterë, është arsye për t’u gëzuar. Pse? Sepse po të kishit miratimin e botës, kjo do të tregonte se po jetoni sipas normave të Satanait, e jo të Perëndisë. Jezui paralajmëroi: «Mjerë ju, kur të gjithë njerëzit të flasin mirë për ju, sepse kështu bënë me profetët e rremë paraardhësit e tyre!» (Luka 6:26) Përndjekja tregon se Satanai dhe bota e tij janë të zemëruar me ju ngaqë i shërbeni Jehovait. (Lexo Mateun 5:11, 12.) Dhe, nëse «ju poshtërojnë për emrin e Krishtit», kjo është arsye për t’u gëzuar.—1 Pjet. 4:14.

14. Ç’të mira ka kur dikush i qëndron besnik Jehovait pavarësisht nga përndjekja?

14 Kur i qëndroni besnikë Jehovait pavarësisht nga përndjekja, ka të paktën katër gjëra të mira. Jepni dëshmi për Perëndinë dhe Birin e tij. Qëndrueshmëria juaj me besnikëri u jep zemër motrave dhe vëllezërve të krishterë. Disa që ju vëzhgojnë, por që nuk e njohin Jehovain, mund të nxiten ta kërkojnë Atë. (Lexo Filipianëve 1:12-14.) Dhe, teksa provoni se si Jehovai ju forcon që të qëndroni në sprova, dashuria juaj për të rritet.

Ju është hapur «një derë e gjerë»

15. Cila «derë e gjerë» iu hap apostullit Pavël?

15 Apostulli Pavël shkroi për shërbimin e tij në Efes: «Më është hapur një derë e gjerë që çon në aktivitet.» (1 Kor. 16:8, 9) Ajo ishte dera që çonte në aktivitetet e mëdha të predikimit të lajmit të mirë e të bërjes së dishepujve në atë qytet. Duke hyrë në këtë derë, Pavli ndihmoi shumë veta që të mësonin për Jehovain dhe ta adhuronin Atë.

16. Si hyri mbetja e mirosur në ‘derën që u hap’ para tyre në vitin 1919?

16 Në vitin 1919, Jezu Krishti i lartësuar ‘hapi një derë’ para mbetjes së mirosur. (Zbul. 3:8) Ata hynë në atë derë dhe nisën të predikonin lajmin e mirë duke u mësuar të tjerëve të vërtetën biblike me më shumë zell se kurrë. Cili ka qenë rezultati i shërbimit të tyre? Lajmi i mirë ka arritur deri në skajet e tokës dhe rreth shtatë milionë veta kanë shpresën e jetës së përhershme në botën e re të Perëndisë.

17. Si mund të hyni në ‘derën e gjerë që çon në aktivitet’?

17 ‘Dera e gjerë që çon në aktivitet’ është ende plotësisht e hapur për të gjithë shërbëtorët e Jehovait. Ata që hyjnë në të, provojnë gëzim e kënaqësi ndërsa marrin pjesë edhe më shumë në predikimin e lajmit të mirë. Po ju shërbëtorë të rinj të Jehovait, sa e vlerësoni privilegjin e pashoq për t’i ndihmuar të tjerët ‘të kenë besim te lajmi i mirë’? (Mar. 1:14, 15) A keni menduar të shërbeni si pionierë të rregullt ose ndihmës? Mundësi të tjera që mund të kenë shumë prej jush janë shërbimi për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë, shërbimi në Bethel, si pionierë specialë dhe si misionarë. Meqë botës së ligë të Satanait po i mbaron koha, çdo ditë bëhet gjithnjë e më urgjente të përfshiheni edhe ju në një nga këto forma shërbimi ndaj Mbretërisë. A do të hyni në ‘derën e gjerë’ sa jeni ende në kohë?

«Provoni dhe shijoni se sa i mirë është Jehovai!»

18, 19. (a) Çfarë e ndihmoi Davidin të kishte një dëshirë të fortë për t’i shërbyer Jehovait? (b) Ç’gjë tregon se Davidi kurrë nuk ndjeu keqardhje që i shërbeu Perëndisë?

18 Psalmisti David i ftoi të tjerët që ‘të provonin dhe të shijonin se sa i mirë është Jehovai’. (Psal. 34:8) Kur mbreti i lashtë i Izraelit, Davidi, ishte bari i ri në moshë, Jehovai e shpëtoi nga kafshët e egra. Perëndia e mbështeti në betejën me Goliadin dhe e shpëtoi nga shumë situata të tjera të vështira. (1 Sam. 17:32-51; Psal. 18, mbishkrimi) Nga dashamirësia e madhe e Perëndisë, Davidi shkroi: «Ti ke bërë shumë gjëra. O Jehova, Perëndia im, ti ke bërë gjithë ato vepra të mrekullueshme dhe ke menduar shumë për ne. Asnjë s’krahasohet me ty.»—Psal. 40:5.

19 Davidit iu rrit shumë dashuria për Jehovain dhe donte ta lëvdonte me gjithë zemrën dhe mendjen e tij. (Lexo Psalmin 40:8-10.) Ndërsa vitet kalonin, Davidi kurrë nuk ndjeu keqardhje që kishte jetuar duke adhuruar Perëndinë e vërtetë. Të jetonte me përkushtim ndaj Perëndisë, për të ishte thesari më i çmuar, burim i pakrahasueshëm lumturie. Kur ishte në moshë të thyer, Davidi tha: «Ti je shpresa ime, o Zotëri Sovran Jehova, siguria ime që nga rinia. Deri në pleqëri, kur të jem flokëzbardhur, o Perëndi, mos më lër.» (Psal. 71:5, 18) Besimi i Davidit te Jehovai dhe miqësia me Të u forcuan edhe më shumë, megjithëse fuqitë e tij ishin venitur.

20. Pse mënyra më e mirë për të jetuar është duke i shërbyer Perëndisë?

20 Jeta e Josiut, Davidit dhe Timoteut janë prova të mëtejshme se mënyra më e mirë për të jetuar është duke i shërbyer Jehovait. Përfitimet materiale afatshkurtra kur ndiqni synimet e kësaj bote as që mund të krahasohen me dobitë afatgjata kur ‘i shërbeni Jehovait me gjithë zemër e me gjithë shpirt’. (Jos. 22:5) Nëse nuk i jeni kushtuar Jehovait në lutje, pyetni veten: ‘Çfarë më pengon të bëhem Dëshmitar i Jehovait?’ Nëse tashmë jeni adhurues të Jehovait dhe jeni pagëzuar, a dëshironi të gjeni edhe më shumë gëzim në jetë? Atëherë, zgjerojeni shërbimin dhe vazhdoni të përparoni nga ana frymore. Artikulli vijues do të tregojë se si mund të rriteni frymësisht duke ndjekur shembullin e apostullit Pavël.

Si do të përgjigjeshit?

• Jepni dy arsye pse duhet t’i shërbejmë Perëndisë.

• Çfarë e ndihmoi Timoteun të merrte vendimin për t’i shërbyer Perëndisë?

• Pse duhet të qëndroni të patundur pavarësisht nga përndjekja?

• Çfarë mundësish shërbimi mund të hapen para jush?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 18]

Mënyra më e mirë për të jetuar është duke i shërbyer Jehovait

[Figura në faqen 19]

A mund t’u përgjigjeni pyetjeve rreth besimit tuaj?