Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mbaj «dashurinë e fillimit»

Mbaj «dashurinë e fillimit»

Mbaj «dashurinë e fillimit»

«Vazhdo të mbash fort atë që ke.»—ZBUL. 3:11.

1, 2. Çfarë ke ndier kur u binde se ajo që po mësoje për Jehovain ishte e vërteta?

A TË kujtohet kur mësove për herë të parë për të ardhmen e mrekullueshme që Jehovai u premton njerëzve të bindur? Nëse më parë ishe pjesëtar i ndonjë feje tjetër, si u ndjeve kur të shpjeguan sipas Shkrimeve qëllimet e Perëndisë dhe kur t’u qartësuan ato mësime që dikur ishin të vështira për t’u kuptuar? Mbase e kuptove se nuk të kishin mësuar të vërtetën për Perëndinë. Sa i gëzuar je tani që njeh të vërtetën! Nëse je rritur nga prindër të krishterë, a të kujtohet si u ndjeve kur u binde se ajo që të kishin mësuar për Jehovain ishte e vërteta dhe vendose të jetoje në përputhje me këtë të vërtetë?—Rom. 12:2.

2 Shumë nga vëllezërit në kongregacion mund të të tregojnë se u ndien shumë të gëzuar, të afërt me Jehovain dhe mirënjohës që i kishte tërhequr në kongregacion. (Gjoni 6:44) Lumturia që ndienin, i nxiti të merrnin pjesë në aktivitetet e krishtere. Ishin kaq të mbushur me gëzim, sa atë që ndienin donin ta ndanin me të gjithë. A e ke përjetuar edhe ti diçka të ngjashme?

3. Çfarë situate ekzistonte në kongregacionin e Efesit kur Jezui u dërgoi një mesazh?

3 Kur iu drejtua të krishterëve të shekullit të parë në kongregacionin e Efesit, Jezui foli për «dashurinë e fillimit». Efesianët kishin shumë cilësi të mira, megjithatë dashuria që kishin shfaqur dikur për Jehovain ishte venitur. Prandaj, Jezui u tha: «I njoh veprat e tua, mundin dhe qëndrueshmërinë tënde. E di se nuk i duron dot njerëzit e këqij, se i vure në provë ata që thonë se janë apostuj—por që s’janë—dhe i gjete gënjeshtarë. Gjithashtu, po tregon qëndrueshmëri, ke duruar për hir të emrit tim e nuk je lodhur. Megjithatë, kam diçka kundër teje: e ke lënë dashurinë e fillimit.»—Zbul. 2:2-4.

4. Përse mesazhi që Jezui u drejtoi efesianëve është i rëndësishëm edhe sot?

4 Këshilla që Jezui u dha efesianëve dhe kongregacioneve të tjera në librin e Zbulesës ishte me vend, duke parë kushtet që ekzistuan për njëfarë kohe që nga viti 1914 mes të krishterëve të mirosur. (Zbul. 1:10) Sidoqoftë, edhe tani ekziston mundësia që disa të krishterë ta humbasin «dashurinë e fillimit» për Jehovain dhe për të vërtetën e krishterë. Me këtë në mendje, le të shqyrtojmë se si mund ta mbash, ta rigjallërosh e ta rritësh dashurinë dhe zellin e fillimit për Perëndinë dhe për të vërtetën, duke kujtuar e medituar për përvojat e tua.

Çfarë të bindi që kjo ishte e vërteta?

5, 6. (a) Për çfarë duhet ta bindë veten çdo i krishterë? (b) Çfarë të bindi ty se Dëshmitarët e Jehovait mësojnë të vërtetën? (c) Çfarë mund ta ndihmojë një person që të rigjallërojë dashurinë e fillimit?

5 Kushdo që i kushton jetën Jehovait, së pari duhet ‘të vërtetojë’ se cili është «vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë». (Rom. 12:1, 2) Pjesërisht, kjo përfshin të mësosh të vërtetën e Biblës. Ajo që e bind një person se Dëshmitarët e Jehovait mësojnë të vërtetën mund të ndryshojë nga ajo që e bind dikë tjetër. Disa mbajnë mend se një pikë kthese për ta ishte kur lexuan emrin e Perëndisë në Bibël ose kur kuptuan se cila është gjendja e vërtetë e të vdekurve. (Psal. 83:18; Ekl. 9:5, 10) Të tjerëve u ka bërë përshtypje dashuria mes popullit të Perëndisë. (Gjoni 13:34, 35) Disa të tjerë kanë medituar se çfarë do të thotë të mos jesh pjesë e botës. Kështu kanë arritur në përfundimin se të krishterët e vërtetë s’duhet të përfshihen në mosmarrëveshjet politike ose në luftërat e kombeve.—Isa. 2:4; Gjoni 6:15; 17:14-16.

6 Për shumë veta, këto arsyetime dhe të tjera ishin shkëndija që ndezi në fillim dashurinë e tyre për Perëndinë. Gjej kohën të kujtosh se çfarë të bindi ty për të vërtetën. Ti je një individ me rrethana dhe karakteristika të veçanta, ndaj ka shumë të ngjarë që arsyet kryesore se përse e do Jehovain dhe beson në premtimet e tij, të ndryshojnë nga ato të të tjerëve. Ka shumë mundësi që këto arsye të jenë sot po kaq të vlefshme, sa edhe në fillim kur mësove për to. E vërteta nuk ka ndryshuar. Ja përse, duke i sjellë sërish në mendje ato mendime dhe ndjenja, mund të përtërish e të rigjallërosh dashurinë e fillimit për të vërtetën.—Lexo Psalmin 119:151, 152; 143:5.

Ndërto mbi këtë themel

7. Përse duhet të ndërtojmë mbi themelin e dashurisë së fillimit për të vërtetën dhe si mund ta bëjmë këtë?

7 Ndoshta në jetën tënde kanë ndryshuar shumë gjëra që nga koha kur iu kushtove Jehovait. Dashuria e fillimit për të vërtetën ishte e rëndësishme, megjithatë, me kalimin e kohës, kishe nevojë për një dashuri më të thellë që t’u bëje ballë sfidave të reja që vinin në provë besimin tënd. Gjithsesi, Jehovai të mbështeti. (1 Kor. 10:13) Kështu, edhe përvojat që ke përjetuar gjatë viteve janë të çmuara për ty. Ato të kanë ndihmuar të ndërtosh mbi themelin e dashurisë së fillimit dhe janë një mënyrë tjetër që të vërtetosh se cili është vullneti i mirë dhe i pranueshëm i Perëndisë.—Jos. 23:14; Psal. 34:8.

8. Si e identifikoi veten Jehovai dhe në ç’mënyrë e njohën izraelitët më nga afër Perëndinë?

8 Për ta ilustruar, shqyrto situatën në të cilën u gjendën izraelitët kur Jehovai shpalli qëllimin e tij për t’i çliruar nga skllavëria e Egjiptit. Perëndia i tha Moisiut se ishte Ai që ‘do të bëhej çdo gjë që donte të bëhej’. (Dal. 3:7, 8, 13, 14) Me fjalë të tjera, Jehovai po thoshte se do të bëhej çdo gjë që të ishte e nevojshme për të çliruar popullin e vet. Në ngjarjet që pasuan dhe në rrethanat që u krijuan, izraelitët panë që Jehovai zbuloi aspekte të ndryshme të personalitetit të tij—si i Plotfuqishmi, Gjykatës, Udhëheqës, Çlirimtar, Luftëtar dhe Plotësues i nevojave të tyre.—Dal. 12:12; 13:21; 14:24-31; 16:4; Neh. 9:9-15.

9, 10. Cila situatë mund ta ndihmojë dikë që të njohë Perëndinë dhe përse është mirë t’i kujtojmë këto përvoja?

9 Situata jote ndryshon nga ajo e izraelitëve të lashtë. Sidoqoftë, edhe ti duhet të kesh pasur përvoja që të kanë bindur se Perëndia interesohet personalisht për ty, dhe kjo të ka forcuar besimin. Në ndonjë mënyrë, mbase Jehovai është bërë Plotësues i nevojave të tua, Ngushëllues ose Mësues. (Lexo Isainë 30:20b, 21.) Mund të kesh përjetuar një përgjigje të qartë të ndonjë lutjeje që ke bërë. Ndoshta je përballur me ndonjë sfidë dhe një i krishterë mund të të ketë ndihmuar. Ose gjatë studimit personal ke gjetur shkrimet e duhura për situatën në të cilën ndodheshe.

10 Sikur t’ia tregoje të tjerëve këto përvoja, disave mund të mos u bënin ndonjë përshtypje të veçantë. Në fund të fundit, ato ngjarje nuk ishin mrekulli. Ama për ty kanë pasur shumë kuptim. Po, Jehovai është bërë çfarë ishte e nevojshme për ty. Mendo për vitet që ke kaluar në të vërtetën. A të kujtohet se në sa raste Jehovai është kujdesur personalisht për ty? Nëse po, duke i kujtuar ato ngjarje dhe se si je ndier në ato raste, në zemrën tënde mund të ngjallen po ato ndjenja dashurie për Jehovain që ke përjetuar atëherë. Ruaji në zemër ato përvoja. Medito për to. Janë dëshmi se Jehovai interesohet për ty si individ dhe askush nuk mund të ta çrrënjosë këtë bindje.

Analizo veten

11, 12. Çfarë mund ta ketë shkaktuar venitjen e dashurisë për të vërtetën te një i krishterë dhe çfarë këshille dha Jezui?

11 Nëse e ndien se nuk ke më dashurinë e fillimit për Perëndinë dhe të vërtetën, kjo s’do të thotë se ka ndryshuar gjë nga ana e Perëndisë. Jehovai nuk ndryshon kurrë. (Mal. 3:6; Jak. 1:17) Ai interesohej më parë për ty dhe vazhdon të interesohet edhe sot e kësaj dite. Pra, ç’mund të ketë ndodhur nëse ka ndryshuar diçka në marrëdhënien tënde me Jehovain? Mos ndoshta je më shumë nën presion dhe më shumë i merakosur nga ankthet e jetës? Mbase në të kaluarën luteshe më me zjarr ose studioje më me ngulm dhe meditoje më shpesh. Mos ishe më i zellshëm në shërbim dhe më i rregullt në mbledhje nga sa je tani?—2 Kor. 13:5.

12 Ndoshta nuk vë re te vetja ndonjë nga këto prirje, por ta zëmë se po, çfarë e ka shkaktuar këtë gjendje? Mos vallë shqetësime të tilla me vend, si plotësimi i nevojave të familjes, kujdesi për shëndetin e të tjera si këto, ta kanë zbehur ndjenjën e urgjencës se dita e Jehovait është afër? Jezui u tha apostujve të tij: «Kushtojini vëmendje vetes, që të mos ju rëndohen zemrat nga të ngrënët e tepërt, nga pirja e tepërt dhe nga ankthet e jetës, që ajo ditë të mos bjerë befas mbi ju si një lak. Sepse ajo do të vijë mbi të gjithë ata që banojnë në mbarë sipërfaqen e tokës. Rrini zgjuar dhe bëni përgjërime gjithë kohën, që t’ia dilni mbanë të shpëtoni nga të gjitha këto gjëra që do të ndodhin.»—Luka 21:34-36.

13. Me çfarë e krahasoi Jakovi Fjalën e Perëndisë?

13 Shkrimtari i frymëzuar i Biblës, Jakovi, i nxiti bashkëbesimtarët të analizonin me ndershmëri veten me anë të Fjalës së Perëndisë. Jakovi shkroi: «Bëhuni zbatues të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë veten me arsyetime të rreme. Sepse, nëse dikush është dëgjues i fjalës dhe jo zbatues, ai është si një njeri që shikon fytyrën e vet në pasqyrë, dhe, pasi shihet, ikën dhe harron menjëherë se ç’lloj njeriu ishte. Por ai që ndalet e shikon në ligjin e përsosur që sjell liri dhe ngulmon në të, është i lumtur ngaqë bëhet zbatues i fjalës dhe jo dëgjues harraq.»—Jak. 1:22-25.

14, 15. (a) Si mund të të ndihmojë Bibla që të përmirësosh marrëdhënien me Jehovain? (b) Cilat pyetje mund të bluash në mendje?

14 Një njeri mund ta përdorë pasqyrën që të sigurohet se është i paraqitshëm. Për shembull, nëse një burrë sheh se i ka shkuar shtrembër kravata, e rregullon. Nëse një grua sheh se i janë prishur flokët, i rregullon. Po kështu, Shkrimet na ndihmojnë të shqyrtojmë se ç’lloj personash jemi. Kur e krahasojmë veten me atë që Bibla thotë se duhet të jemi, po e përdorim si një pasqyrë. Por, ç’kuptim do të kishte të shiheshim në pasqyrë e pastaj të mos bënim asgjë për të ndrequr ndonjë të metë që vumë re? Nëse jemi të mençur, do të veprojmë në përputhje me atë që pamë në «ligjin e përsosur», duke u bërë «zbatues» të tij. Prandaj, kushdo që e kupton se dashuria e fillimit për Jehovain dhe të vërtetën është zbehur, do të bënte mirë të mendonte për këto pyetje: «Ç’presione po has në jetë dhe si po reagoj ndaj tyre? Si reagoja në të shkuarën? A ka ndryshuar ndonjë gjë?» Sikur nga ky vetëshqyrtim të zbuloje ndonjë mangësi, mos e shpërfill. Nëse ke nevojë për disa ndryshime, bëji patjetër dhe pa vonesë.—Hebr. 12:12, 13.

15 Një meditim i tillë mund të të ndihmojë edhe të vësh synime të arsyeshme që të përparosh si i krishterë. Apostulli Pavël i dha një këshillë të frymëzuar bashkëpunëtorit të tij, Timoteut, që të përmirësonte shërbimin. Pavli e nxiti Timoteun e ri: «Bluaji në mendje këto gjëra, zhytu në to, që përparimi yt të duket qartë për të gjithë.» Edhe ne do të bënim mirë që, nën dritën e Fjalës së Perëndisë, të bluanim në mendje se ç’përparim mund të bëjmë.—1 Tim. 4:15.

16. Nga cilat rreziqe duhet të jesh vigjilent kur shqyrton veten nën dritën e Shkrimeve?

16 Çdo vetëshqyrtim i ndershëm ka për të nxjerrë në pah disa dobësi. Kjo mund të të shkurajojë, por mos lejo që kjo të të ndodhë. Në fund të fundit, qëllimi i vetëshqyrtimit është të identifikojë se ku duhen bërë përmirësime. Natyrisht, Satanai do të donte që një i krishterë të ndihej i padobishëm për shkak të papërsosmërive. Në fakt, është thënë se Perëndia i përçmon të gjitha përpjekjet për t’i shërbyer atij. (Jobi 15:15, 16; 22:3) Kjo është një gënjeshtër që Jezui e hodhi poshtë me forcë. (Lexo Mateun 10:29-31.) Vetëdija për këto papërsosmëri, duhet të të bëjë të vendosur që, me përulësi, të përpiqesh të përmirësohesh me ndihmën e Jehovait. (2 Kor. 12:7-10) Nëse sëmundjet apo mosha e shkuar janë faktorë që të kufizojnë, atëherë vër synime të arsyeshme, por mos u dorëzo dhe mos lejo që dashuria të të venitet.

Ke shumë arsye për të qenë mirënjohës

17, 18. Ç’dobi nxjerr po të ndërtosh mbi themelin e dashurisë së fillimit?

17 Do të kesh shumë bekime po të vazhdosh të ndërtosh mbi themelin e dashurisë së fillimit. Mund të thellosh njohurinë për Perëndinë dhe çmueshmërinë për drejtimin e tij të dashur. (Lexo Proverbat 2:1-9; 3:5, 6.) «Kur i zbaton [vendimet gjyqësore të Jehovait], merr shpërblim të madh»,—tha psalmisti. «Përkujtuesit e Jehovait janë të denjë për besim dhe e bëjnë të mençur njeriun e papërvojë.» Për më tepër, të lumtur janë «ata që janë të patëmetë në udhën e tyre dhe që ecin sipas ligjit të Jehovait».—Psal. 19:7, 11; 119:1.

18 Sigurisht që e pranon se ke shumë arsye për të qenë mirënjohës. I kupton përsetë e atyre që po ndodhin në botë. Nxjerr dobi nga kujdesi frymor dhe vëmendja që Perëndia po i kushton popullit të tij. Pa dyshim që je mirënjohës edhe se Jehovai të ka bërë pjesë të kongregacionit të tij mbarëbotëror dhe të ka dhënë privilegjin të jesh një nga Dëshmitarët e tij. Llogariti mirë gjithë bekimet që ke. Sikur të duash të bësh një listë, ka të ngjarë që të jetë e gjatë. Duke e bërë këtë gjë herë pas here, me siguri do të të ndihmojë të zbatosh nxitjen: «Vazhdo të mbash fort atë që ke.»—Zbul. 3:11.

19. Përveç meditimit, çfarë është e rëndësishme për të mbajtur një marrëdhënie të mirë me Perëndinë?

19 Të meditosh se sa është rritur besimi yt gjatë viteve, është vetëm një hap që do të të ndihmojë të mbash fort atë që ke. Kjo revistë ka theksuar edhe gjëra të tjera të rëndësishme që mund të të ndihmojnë për të mbajtur një marrëdhënie të mirë me Perëndinë. Mes tyre është lutja, ndjekja e mbledhjeve të krishtere dhe pjesëmarrja në to, si dhe zelli në veprën e predikimit. Këto gjëra mund të të ndihmojnë që të vazhdosh ta rigjallërosh dashurinë e fillimit e të ndërtosh mbi themelin e saj.—Efes. 5:10; 1 Pjet. 3:15; Juda 20, 21.

Si do të përgjigjeshe?

• Si mund të të inkurajojnë edhe tani, arsyet për të cilat nise ta duash në fillim Jehovain?

• Për çfarë mund të bindesh, nëse mediton për përvojat që ke përjetuar gjatë viteve?

• Pse duhet ta analizosh dashurinë tënde për Perëndinë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 23]

Ç’aspekt i së vërtetës të tërhoqi e të bindi?

[Figura në faqen 25]

A sheh te vetja diçka që ka nevojë të rregullohet?