Një zgjidhje e zgjuar
Një zgjidhje e zgjuar
TRE të rinj në Afrikën Qendrore donin të ndiqnin kongresin krahinor në zonën e tyre. Si të shkonin atje? Duhet të bënin rreth 90 km në rrugët e këqija e tërë pluhur dhe s’kishin mjete transporti. Vendosën të merrnin hua tri biçikleta, por nuk gjetën dot biçikleta të përshtatshme.
Një plak në kongregacion e mori vesh problemin që kishin dhe u dha biçikletën e vet, e cila ishte e vjetër, por ecte mirë. U tregoi se si ia kishin bërë ai dhe disa të tjerë në të kaluarën për të shkuar në një kongres. Plaku u sugjeroi të përdornin që të tre një biçikletë. Ishte një zgjidhje e thjeshtë, por që kërkonte një organizim të mirë. Si do t’ia dilnin?
Që të shmangnin zhegun e ditës, vëllezërit u takuan herët në mëngjes dhe plaçkat i ngarkuan në biçikletë. Njëri i jepte biçikletës, kurse dy të tjerët e ndiqnin me hapa të shpejtë. Pas nja 500 metrash, ai që ngiste biçikletën ndalonte dhe e mbështeste në një pemë. Sigurisht, e linte në një vend ku dy të tjerët arrinin ta shihnin, në mënyrë që të mos e «merrte hua» ndonjëri. Pastaj ai e vazhdonte rrugën në këmbë.
Kur dy të tjerët arrinin te biçikleta, njëri e merrte, kurse tjetri bënte edhe 500 metra të tjerë, derisa t’i vinte radha. Pra, me organizim të mirë dhe këmbëngulje, që të tre e shkurtuan rrugën që do të bënin në këmbë, nga 90 km në 60 km. Por e gjithë kjo ia vlejti. Në kongres u takuan me vëllezërit e motrat e krishtere dhe shijuan banketin frymor. (Ligj. 31:12) Po ti, a do të bësh gjithçka mundesh për të ndjekur këtë vit kongresin krahinor në zonën tënde?