Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga letra drejtuar Romakëve

Pika kryesore nga letra drejtuar Romakëve

Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga letra drejtuar Romakëve

GJATË udhëtimit të tij të tretë misionar, në vitin 56 të e.s., apostulli Pavël shkon në qytetin e Korintit. Ai ka marrë vesh për mospërputhjet në mendime mes të krishterëve të Romës që ishin judenj dhe atyre që nuk ishin. Nga dëshira që të jenë në unitet të plotë me Krishtin, Pavli u shkruan një letër.

Në Letrën drejtuar Romakëve Pavli shpjegon si shpallen të drejtë njerëzit dhe si duhet të jetojnë ata që shpallen të tillë. Kjo letër na rrit njohurinë për Perëndinë dhe Fjalën e tij, nxjerr në pah dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë dhe lartëson rolin e Krishtit në shpëtimin tonë.—Hebr. 4:12.

SI SHPALLEMI TË DREJTË?

(Rom. 1:1–11:36)

«Të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë,—shkruan Pavli.—Fakti që ata po shpallen të drejtë falë dashamirësisë së tij [Perëndisë] të pamerituar, me anë të çlirimit nëpërmjet shpërblesës që pagoi Krishti Jezu, është një dhuratë falas.» Gjithashtu, ai thotë: «Njeriu shpallet i drejtë me anë të besimit, pavarësisht nga veprat e ligjit.» (Rom. 3:23, 24, 28) Duke treguar besim në një «akt të vetëm shfajësimi», të krishterët e mirosur dhe anëtarët e ‘shumicës së madhe’ të ‘deleve të tjera’ mund të «shpallen të drejtë»: të krishterët e mirosur për jetën në qiell si bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, kurse shumica e madhe si miq të Perëndisë me perspektivën për t’i mbijetuar ‘shtrëngimit të madh’.—Rom. 5:18; Zbul. 7:9, 14; Gjoni 10:16; Jak. 2:21-24; Mat. 25:46.

«Të kryejmë mëkat, ngaqë s’jemi nën ligj, por nën dashamirësinë e pamerituar?—pyet Pavli.—Kurrë mos qoftë!—përgjigjet ai.» ‘Jeni skllav . . . qoftë i mëkatit për vdekje, qoftë i bindjes për drejtësi’,—shpjegon Pavli. (Rom. 6:15, 16) «Nëse me anë të frymës, bëni të vdesin veprat e trupit, do të jetoni»,—thotë ai.—Rom. 8:13.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

1:24-32—Kujt i referohet shthurja morale e përmendur në këto vargje, atyre që ishin judenj apo atyre që nuk ishin? Megjithëse përshkrimi mund të ishte i përshtatshëm për secilin nga grupet, Pavli po u referohej në mënyrë të veçantë izraelitëve apostatë që nga lashtësia. Edhe pse e njihnin dekretin e drejtë të Perëndisë, «nuk pranuan të kishin njohuri të saktë për Perëndinë». Prandaj ishin fajtorë.

3:24, 25—Si mund të mbulonte ‘shpërblesa që pagoi Krishti Jezu mëkatet që ndodhën në të shkuarën’, para se ajo të paguhej? Profecia e parë mesianike, e dokumentuar te Zanafilla 3:15, u përmbush në vitin 33 të e.s., kur Jezuin e vranë në një shtyllë torture. (Gal. 3:13, 16) Megjithatë, kur Jehovai tha atë profeci, për të ishte sikur çmimi i shpërblesës të ishte paguar tashmë, pasi asgjë s’mund ta pengojë Perëndinë të përmbushë qëllimin e tij. Prandaj, në bazë të flijimit të ardhshëm të Jezu Krishtit, Jehovai mund të falte mëkatet e pasardhësve të Adamit që besuan në atë premtim. Gjithashtu, shpërblesa bën të mundur ringjalljen e besnikëve të kohëve para krishterimit.—Vep. 24:15.

6:3-5—Ç’do të thotë pagëzimi në Krishtin Jezu dhe pagëzimi në vdekjen e tij? Kur Jehovai miros me frymën e shenjtë ithtarët e Krishtit, ata janë në unitet me Jezuin dhe bëhen pjesëtarë të kongregacionit të të krishterëve të mirosur, që është trupi i Krishtit dhe ai vetë është Kreu. (1 Kor. 12:12, 13, 27; Kolos. 1:18) Ky është pagëzimi i tyre në Krishtin Jezu. Gjithashtu, të krishterët e mirosur ‘pagëzohen në vdekjen e Krishtit’, në kuptimin që bëjnë një jetë me sakrifica dhe heqin dorë nga çdo shpresë për të jetuar përgjithmonë në tokë. Pra, vdekja e tyre është flijuese, njësoj si ajo e Jezuit, por nuk ka vlerë shpërblyese. Ky pagëzim në vdekjen e Krishtit bëhet i plotë pasi ata vdesin dhe ringjallen në jetën qiellore.

7:8-11—Si ‘mori shkas mëkati nga urdhërimi’? Ligji i ndihmonte njerëzit të kuptonin çfarë përfshinte mëkati dhe i bënte më të vetëdijshëm se ishin mëkatarë. Kjo bëri që ata të identifikonin më shumë veprime si mëkate. Veç kësaj, më tepër njerëz u bënë më të ndërgjegjshëm se më parë se ishin mëkatarë. Në këtë kuptim mund të thuhet se mëkati mori shkas nga Ligji.

Mësime për ne:

1:14, 15. Kemi plot arsye për ta shpallur lajmin e mirë me zell. Njëra prej tyre është se u jemi borxhlinj njerëzve të blerë me gjakun e Jezuit dhe kemi detyrimin t’i ndihmojmë të njohin Perëndinë dhe qëllimin e tij.

1:18-20. Njerëzit e paperëndishëm dhe të padrejtë «nuk kanë asnjë justifikim», pasi cilësitë e padukshme të Perëndisë duken qartë te krijimi.

2:28; 3:1, 2; 7:6, 7. Pas deklaratave që judenjve mund t’u jenë dukur fyese, Pavli foli në një mënyrë që zbuti atë që kishte thënë më parë. Ky është një shembull që na mëson si t’i trajtojmë me takt dhe mjeshtëri tema delikate.

3:4. Kur fjala e njeriut bie ndesh me atë që thotë Perëndia në Fjalën e tij, ne lëmë që «të dalë Perëndia i vërtetë», duke u mbështetur te mesazhi i Biblës dhe duke vepruar në harmoni me vullnetin e Perëndisë. Kur tregojmë zell në veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve, mund t’i ndihmojmë të tjerët të kuptojnë se Perëndia është i vërtetë.

4:9-12. Besimi iu llogarit Abrahamit si drejtësi kohë para se të rrethpritej, në moshën 99-vjeçare. (Zan. 12:4; 15:6; 16:3; 17:1, 9, 10) Me këtë Perëndia tregoi në mënyrë të fuqishme si mund të arrijë një njeri të ketë një qëndrim të drejtë para tij.

4:18. Shpresa është pjesë thelbësore e besimit, pasi besimi ynë bazohet te shpresa.—Hebr. 11:1.

5:18, 19. Duke treguar në mënyrë logjike se si Jezui përngjasonte me Adamin, Pavli shpjegon qartë e me pak fjalë se si një njeri mund «të japë shpirtin e vet si shpërblesë për shumë njerëz». (Mat. 20:28) Mësimdhënia në mënyrë logjike dhe pa u zgjatur është shembulli që duhet të imitojmë.—1 Kor. 4:17.

7:23. Gjymtyrët e trupit, si duart, këmbët dhe gjuha mund ‘të na bëjnë rob të ligjit të mëkatit’, prandaj duhet të kemi kujdes të mos i keqpërdorim.

8:26, 27. Kur gjendemi përballë situatave aq pështjelluese sa nuk dimë për çfarë të lutemi, «vetë fryma përgjërohet për ne». Në atë moment, Jehovai, ‘Dëgjuesi i lutjes’, pranon lutjet e shkruara në Fjalën e tij që janë të përshtatshme për ato raste, si të ishin bërë nga ne.—Psal. 65:2.

8:38, 39. Gjëmat, krijesat e liga frymore dhe qeveritë njerëzore s’mund ta pengojnë Jehovain të na dojë. As ne s’duhet të na pengojnë të duam Jehovain.

9:22-28; 11:1, 5, 17-26. Shumë profeci për rivendosjen e Izraelit janë përmbushur nga kongregacioni i të krishterëve të mirosur, anëtarët e të cilit janë thirrur «jo vetëm nga judenjtë, por edhe nga kombet».

10:10, 13, 14. Besimi i fortë te Jehovai dhe te premtimet e tij bashkë me dashurinë për Perëndinë dhe për të tjerët, mund të na nxitin të marrim pjesë me zell në shërbimin e krishterë.

11:16-24, 33. Sa bukur janë ekuilibruar ‘mirëdashja dhe rreptësia e Perëndisë’! Po, ai është «Shkëmbi, e përsosur është vepra e tij, sepse të gjitha udhët e tij janë drejtësi».—Ligj. 32:4.

TË JETOJMË SIÇ U KA HIJE ATYRE QË JANË SHPALLUR TË DREJTË

(Rom. 12:1–16:27)

«Prandaj, o vëllezër, ju përgjërohem nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, t’i paraqitni trupat tuaj si një flijim të gjallë, të shenjtë e të pranueshëm për Perëndinë»,—thotë Pavli. (Rom. 12:1) «Prandaj» ose ngaqë të krishterët janë shpallur të drejtë falë besimit, fjalët që tha Pavli në vazhdim, duhet të ndikojnë në qëndrimin që kanë për veten, për të tjerët dhe për autoritetet qeveritare.

«I them gjithsecilit mes jush të mos mendojë për veten më shumë nga sa duhet të mendojë»,—shkruan Pavli. «Dashuria juaj të jetë pa hipokrizi»,—këshillon ai. (Rom. 12:3, 9) «Çdo shpirt të jetë i nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta.» (Rom. 13:1) Për çështjet që lidhen me ndërgjegjen, ai i inkurajon të krishterët ‘të mos e gjykojnë njëri-tjetrin’.—Rom. 14:13.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

12:20—Si ‘grumbullojmë thëngjij të ndezur’ mbi kokën e armikut? Në kohët biblike, minerali futej në një furrë të nxehtë dhe poshtë e sipër tij shtrohej një shtresë qymyri. Shtresa e sipërme e tejnxehur ndihmonte në shkrirjen e metalit dhe ndante veç papastërtitë. Në mënyrë të ngjashme, ne vëmë thëngjij të ndezur mbi kokën e armikut, duke bërë vepra mirësie ndaj tij, që ashpërsia e tij të shkrihet dhe të dalin në pah cilësitë e mira.

12:21—Si ‘vazhdojmë ta mundim të keqen me të mirën’? Një mënyrë është duke ngulmuar pa frikë në veprën e predikimit të lajmit të mirë për Mbretërinë derisa Jehovai të thotë mjaft.—Mar. 13:10.

13:1—Në ç’kuptim autoritetet më të larta «qëndrojnë në pozitat e tyre relative nga Perëndia»? Autoritetet qeveritare «qëndrojnë në pozitat e tyre relative nga Perëndia» në kuptimin që sundojnë ngaqë Perëndia i lejon dhe në disa raste sundimi i tyre ishte parathënë nga Ai. Kjo duket qartë nga parashikimi që bën Bibla për disa sundimtarë.

Mësime për ne:

12:17, 19. Të hakmerresh për ndonjë të keqe, do të thotë të bësh atë që vetëm Jehovai ka të drejtë ta bëjë. Sa arrogantë do të tregoheshim po ta kthenim «të keqen me të keqe»!

14:14, 15. Nuk duhet ta hidhërojmë vëllanë ose ta pengojmë me ushqimin a pijen që i ofrojmë.

14:17. Marrëdhënia e mirë me Perëndinë nuk varet medoemos nga ajo që një njeri ha ose pi apo nga ajo që nuk ha ose nuk pi. Përkundrazi, ajo lidhet me drejtësinë, paqen dhe gëzimin.

15:7. Të gjithë ata që kërkojnë të vërtetën me sinqeritet, duhet t’i mirëpresim në kongregacion pa i paragjykuar, dhe duhet t’ua shpallim mesazhin e Mbretërisë të gjithë atyre që takojmë.

[Figurat në faqen 31]

A vlen shpërblesa për mëkatet e kryera para se ajo të paguhej?