Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pranoni autoritetin e Jehovait

Pranoni autoritetin e Jehovait

Pranoni autoritetin e Jehovait

«Kjo është dashuria për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij, e megjithatë, urdhërimet e tij nuk janë të rënda.»—1 GJON. 5:3.

1, 2. (a) Përse shumë njerëzve sot ideja për t’iu nënshtruar autoritetit u duket e pakëndshme? (b) A janë vërtet të pavarur ata që thonë se janë kokë më vete? Shpjego.

FJALA «autoritet» nuk është shumë e pëlqyeshme sot. Shumë njerëzve ideja për t’iu nënshtruar vullnetit të dikujt tjetër do t’u dukej e pakëndshme. Shprehja «s’pyes njeri», tregon qëndrimin e atyre që thonë se janë kokë më vete. Mirëpo, a janë vërtet të pavarur këta njerëz? Vështirë! Shumica e tyre thjesht ndjekin normat e të tjerëve që janë ‘brumosur sipas kësaj bote’. (Rom. 12:2) Jo vetëm që s’janë të pavarur, por janë «skllevër të prishjes», për ta thënë me fjalët e apostullit të krishterë Pjetër. (2 Pjet. 2:19) Ata ecin sipas ‘sistemit të kësaj bote, duke vepruar në përputhje me sundimtarin e autoritetit të ajrit’, Satana Djallit.—Efes. 2:2.

2 Një autor tha me mburrje: «Unë nuk lë as prindërit, as priftin . . . dhe as Biblën të vendosë se ç’është e drejtë për mua.» Është e vërtetë se disa mund të abuzojnë me autoritetin dhe kështu mund të mos e meritojnë bindjen tonë. Por, a është zgjidhja të mos pranojmë fare se kemi nevojë për drejtim? Mjafton t’u hedhim një sy titujve të gazetave për të kuptuar përgjigjen e hidhur. Është tragjike të vërejmë se në këtë kohë që njerëzit kanë shumë nevojë për drejtim, pjesa më e madhe janë gjithnjë e më pak të prirur për ta pranuar atë.

Pikëpamja jonë për autoritetin

3. Si treguan të krishterët e shekullit të parë se nuk iu nënshtruan verbërisht autoriteteve njerëzore?

3 Si të krishterë, ne kemi një qëndrim të ndryshëm nga ai i botës. Sigurisht që nuk bëjmë verbërisht gjithçka që na thonë. Përkundrazi, disa herë na duhet të mos i nënshtrohemi vullnetit të të tjerëve, edhe sikur këta të kenë pozita autoriteti. Edhe të krishterët e shekullit të parë bënin kështu. Për shembull, kur apostujt i urdhëruan të mos predikonin më, ata nuk iu nënshtruan të trembur kryepriftit dhe njerëzve të tjerë me autoritet që ishin pjesë e Sinedrit. Nuk hoqën dorë nga ajo që ishte e drejtë për t’iu bindur autoriteteve njerëzore.—Lexo Veprat 5:27-29.

4. Cilët shembuj nga Shkrimet Hebraike tregojnë se shumë shërbëtorë të Perëndisë nuk ndoqën rrugën e shumicës?

4 Në kohën para krishterimit, shumë shërbëtorë të Perëndisë vepruan me një vendosmëri të ngjashme. Për shembull, Moisiu «nuk pranoi të quhej biri i bijës së faraonit dhe zgjodhi të keqtrajtohej me popullin e Perëndisë», ndonëse kjo ngjalli ‘zemërimin e mbretit’. (Hebr. 11:24, 25, 27) Jozefi u rezistoi propozimeve të gruas së Potifarit, e cila kishte pushtet të hakmerrej e t’i bënte keq. (Zan. 39:7-9) Danieli «ishte i vendosur në zemër të mos ndotej me ushqimet e zgjedhura të mbretit», edhe pse kreu i zyrtarëve të lartë të oborrit babilonas nuk e pati të lehtë ta pranonte qëndrimin e tij. (Dan. 1:8-14) Këta shembuj tregojnë se, historikisht, shërbëtorët e Perëndisë kanë pasur një qëndrim të vendosur për të përkrahur atë që është e drejtë, pavarësisht nga pasojat. Ata nuk u janë bindur njerëzve vetëm sa për të pasur miratimin e tyre. Edhe ne duhet të bëjmë po njësoj.

5. Si ndryshon pikëpamja jonë për autoritetin nga ajo e botës?

5 Qëndrimi ynë i guximshëm s’duhet marrë për kokëfortësi. Gjithashtu, ne nuk jemi si disa që rebelohen thjesht sepse nuk janë dakord për arsye politike. Përkundrazi, jemi të vendosur të pranojmë se autoriteti i Jehovait është më i lartë se autoriteti i çdo njeriu. Kur ligjet e njerëzve bien ndesh me ligjin e Perëndisë, nuk e kemi të vështirë të vendosim se ç’do të bëjmë. Ashtu si apostujt në shekullin e parë, ne i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve.

6. Përse është gjithmonë më mirë t’u bindemi urdhërimeve të Perëndisë?

6 Çfarë na ka ndihmuar të pranojmë autoritetin e Perëndisë? Jemi në një mendje me fjalët e Proverbave 3:5, 6: «Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua.» Jemi të bindur se çdo gjë që Perëndia kërkon prej nesh, në fundit të fundit, do të dalë për të mirën tonë. (Lexo Ligjin e përtërirë 10:12, 13.) Në fakt, Jehovai e përshkroi veten si «Ai që të mëson se si të nxjerrësh dobi për vete, Ai që të vë të ecësh nëpër udhën nga duhet të shkosh». Pastaj shtoi: «Ah, sikur t’u kushtoje vëmendje urdhërimeve të mia! Paqja jote do të ishte si lumë dhe drejtësia jote si valët e detit.» (Isa. 48:17, 18) Ne kemi besim te këto fjalë. Jemi të sigurt se bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë është gjithnjë për të mirën tonë.

7. Ç’duhet të bëjmë edhe kur nuk e kuptojmë plotësisht ndonjë urdhërim të Fjalës së Perëndisë?

7 E pranojmë autoritetin e Jehovait dhe i bindemi atij edhe atëherë kur nuk e kuptojmë plotësisht arsyen e disa kërkesave që gjenden në Fjalën e tij. Ky nuk është naivitet, por siguri. Është pasqyrim i bindjes me gjithë zemër se Jehovai e di çfarë është e mirë për ne. Bindja jonë është edhe një shprehje e dashurisë, sepse apostulli Gjon shkroi: «Kjo është dashuria për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij.» (1 Gjon. 5:3) Mirëpo, ka edhe një aspekt tjetër të bindjes që nuk duhet ta shpërfillim.

Të stërvitim aftësitë tona perceptuese

8. Ç’lidhje ka stërvitja e ‘aftësive perceptuese’ me pranimin e autoritetit të Jehovait?

8 Bibla na thotë se duhet t’i kemi «aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën». (Hebr. 5:14) Pra, duhet të kemi si synim të mos u bindemi ligjeve të Perëndisë në mënyrë mekanike. Përkundrazi, duam të jemi në gjendje ‘të shquajmë si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën’ duke u bazuar te normat e Jehovait. Dëshirojmë të kuptojmë mençurinë e udhëve të Jehovait, që të themi ashtu si psalmisti: «Ligji yt është thellë brenda meje.»—Psal. 40:8.

9. Si mund ta vëmë ndërgjegjen në përputhje me normat e Jehovait, dhe përse është e rëndësishme kjo?

9 Për të kuptuar vlerën e ligjeve të Perëndisë ashtu si psalmisti, duhet të meditojmë për atë që lexojmë në Bibël. Për shembull, kur mësojmë për ndonjë kërkesë të Jehovait, mund të pyesim veten: «Përse është i mençur ky urdhërim ose parim? Përse është për të mirën time të bindem? Ç’pasoja të këqija kanë korrur ata që i kanë shpërfillur këshillat e Perëndisë në këtë çështje?» Kështu, kur ndërgjegjja jonë vihet në përputhje me udhët e Jehovait, ka më shumë të ngjarë të marrim vendime që janë në harmoni me vullnetin e tij. Jemi në gjendje ‘të vazhdojmë të dallojmë se cili është vullneti i Jehovait’, e më pas të ndjekim udhën e bindjes. (Efes. 5:17) Por, kjo nuk është gjithnjë e lehtë.

Satanai përpiqet të minojë autoritetin e Perëndisë

10. Cila është një nga fushat ku Satanai është përpjekur të minojë autoritetin e Jehovait?

10 Satanai ka kohë që përpiqet të minojë autoritetin e Perëndisë. Fryma e tij e pavarur është e dukshme në mënyra të ndryshme. Të marrim, për shembull, mungesën e respektit për institucionin hyjnor të martesës. Disa çifte zgjedhin të bashkëjetojnë, kurse disa të tjera thurin plane se si të ndahen nga bashkëshorti ose bashkëshortja. Këta njerëz mund të jenë dakord me fjalët e një aktoreje të famshme: «Monogamia është e pamundur për të dyja sekset.» Ajo shtoi: «Nuk njoh ndonjë që të jetë besnik apo që të dojë të jetë i tillë.» Në mënyrë të ngjashme, duke reflektuar për marrëdhëniet e veta të dështuara, një aktor i njohur tha: «Nuk jam i sigurt nëse është në natyrën tonë të qëndrojmë vetëm me një person për gjithë jetën.» Bëjmë mirë të pyesim veten: «A e pranoj autoritetin e Jehovait në çështjen e martesës apo qëndrimi tolerues i botës po ndikon në mendimet e mia?»

11, 12. (a) Përse për të rinjtë mund të jetë e vështirë të pranojnë autoritetin e Jehovait? (b) Thuaj një përvojë që tregon se ç’marrëzi është të shpërfillësh ligjet dhe parimet e Jehovait.

11 A je një nga të rinjtë në organizatën e Jehovait? Nëse po, mund të jesh një shënjestër e veçantë e përpjekjeve të Satanait për të minuar autoritetin e Jehovait. «Dëshirat karakteristike rinore» të shoqëruara me presionet e bashkëmoshatarëve mund të të bëjnë të mendosh se ligjet e Perëndisë janë një barrë. (2 Tim. 2:22) Mos lejo që kjo të ndodhë. Përpiqu të kuptosh mençurinë e normave të Perëndisë. Për shembull, Bibla të thotë ‘të ikësh nga kurvëria’. (1 Kor. 6:18) Përsëri pyet veten: «Pse është i mençur ky urdhër? Si do të më sjellë dobi po t’i bindem?» Ndoshta njeh disa që e kanë shpërfillur këtë këshillë të Perëndisë dhe e kanë paguar shtrenjtë këtë gabim. A janë vërtet të lumtur tani? A kanë tani një jetë më të mirë se ajo që bënin kur shoqëroheshin me organizatën e Jehovait? A kanë gjetur vërtet ndonjë sekret për lumturinë që pjesa tjetër e shërbëtorëve të Perëndisë nuk e ka kuptuar?—Lexo Isainë 65:14.

12 Vër re komentet që bëri disa kohë më parë një e krishterë me emrin Sharon: «Ngaqë shpërfilla ligjin e Jehovait, mora sëmundjen vdekjeprurëse të SIDA-s. Shpesh kujtoj gjithë ato vite të lumtura që kam kaluar në shërbim të Jehovait.» Ajo e pranoi se është marrëzi të thyesh ligjet e Jehovait dhe se duhej t’i kishte konsideruar ato me respektin më të madh. Ligjet e Jehovait shërbejnë për të na mbrojtur. Sharoni vdiq shtatë javë pasi shkroi fjalët e mësipërme. Sikurse tregon përvoja e saj tragjike, Satanai s’ka asgjë të mirë për t’u dhënë atyre që bëhen pjesë e këtij sistemi të lig. Si «ati i gënjeshtrës», ai bën shumë premtime, por nuk mban asnjë, ashtu siç nuk mbajti premtimin që i bëri Evës. (Gjoni 8:44) Vërtet, gjithmonë është më mirë të pranojmë autoritetin e Jehovait.

Kujdes nga fryma e pavarësisë

13. Në cilën fushë duhet të kemi kujdes nga fryma e pavarësisë?

13 Që të pranojmë autoritetin e Jehovait, duhet të kemi kujdes nga fryma e pavarësisë. Qëndrimi fodull mund të na shtyjë të mendojmë se s’kemi nevojë për drejtimin e askujt. Për shembull, mund të mos i pranojmë këshillat që na japin ata që marrin drejtimin në popullin e Perëndisë. Perëndia ka marrë masat që klasa e skllavit të besueshëm dhe të matur të sigurojë ushqim frymor në kohën e duhur. (Mat. 24:45-47) Duhet ta pranojmë me përulësi që kjo është mënyra se si Jehovai kujdeset sot për popullin e tij. Le të jemi si apostujt besnikë. Kur disa dishepuj u fyen dhe nuk shkuan më pas Jezuit, ai i pyeti apostujt: «Mos doni të shkoni edhe ju?» Pjetri iu përgjigj: «Zotëri, te kush të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përhershme.»—Gjoni 6:66-68.

14, 15. Pse duhet t’u nënshtrohemi me përulësi këshillave të Biblës?

14 Të pranosh autoritetin e Jehovait, do të thotë edhe të veprosh në përputhje me këshillat e bazuara në Fjalën e tij. Për shembull, klasa e skllavit të besueshëm na ka këshilluar «të rrimë zgjuar dhe të ruajmë gjykimin». (1 Sel. 5:6) Kjo këshillë është shumë me vend në këto ditë të fundit, në të cilat shumë veta janë «të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave». (2 Tim. 3:1, 2) A mund të ndikojnë tek ne qëndrime të tilla mbizotëruese? Po. Rendja pas synimeve të botës mund të na përgjumë frymësisht ose të na bëjë të përvetësojmë një qëndrim materialist. (Luka 12:16-21) Sa e mençur është, pra, të pranojmë këshillën e Biblës e të shmangim një mënyrë jetese egoiste që është kaq e zakontë në botën e Satanait!—1 Gjon. 2:16.

15 Pleqtë e emëruar në kongregacione na përcjellin informacionet që vijnë nga klasa e skllavit të besueshëm dhe të matur. Bibla na këshillon: «Jini të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin mes jush, dhe jini të nënshtruar, sepse rrinë zgjuar për shpirtrat tuaj si ata që do të japin llogari, që ta bëjnë këtë me gëzim e jo me psherëtima, sepse kjo do të ishte në dëmin tuaj.» (Hebr. 13:17) A do të thotë kjo se pleqtë e kongregacionit janë të pagabueshëm? Sigurisht që jo! Perëndia i sheh papërsosmëritë e tyre më qartë se çdo njeri. Prapëseprapë, ai pret nga ne që të jemi të nënshtruar. Bashkëpunimi me pleqtë, ndonëse janë të papërsosur, është dëshmi se e pranojmë autoritetin e Jehovait.

Rëndësia e përulësisë

16. Si mund të tregojmë respekt për Jezuin si Kreun e kongregacionit të krishterë?

16 Duhet të mos harrojmë asnjëherë që Jezui është Kreu i vërtetë i kongregacionit. (Kolos. 1:18) Kjo është një arsye se përse i nënshtrohemi me përulësi drejtimit të pleqve të emëruar, ‘duke i vlerësuar së tepërmi’. (1 Sel. 5:12, 13) Natyrisht, edhe pleqtë e kongregacionit mund të tregojnë se janë të nënshtruar, duke treguar kujdes që t’i përcjellin kongregacionit mesazhin e Perëndisë, dhe jo mendimet e tyre. Ata nuk ‘shkojnë përtej gjërave të shkruara’ që të nxitin ide personale.—1 Kor. 4:6.

17. Përse është e rrezikshme fryma e ambicies?

17 Të gjithë në kongregacion duhet të kenë kujdes që të mos kërkojnë lavdi për vete. (Prov. 25:27) Me sa duket, ky ishte një lak në të cilin ra një dishepull që takoi apostulli Gjon. Apostulli shkroi: «Diotrefi, të cilit i pëlqen të jetë i pari mes tyre, nuk pret asgjë nga ne me respekt. Prandaj, nëse vij, do të kujtoj veprat që ai vazhdon të bëjë, duke llomotitur fjalë të liga për ne.» (3 Gjon. 9, 10) Ky është mësim edhe për ne sot. Kemi arsye të vlefshme të çrrënjosim çdo gjurmë ambicieje që mund të shohim tek vetja. Bibla na thotë: «Krenaria vjen para rrëzimit dhe fryma e fodullëkut para pengimit.» Ata që pranojnë autoritetin e Perëndisë duhet t’i rezistojnë grackës së arrogancës, pasi e kundërta do të na çonte në çnderim.—Prov. 11:2; 16:18.

18. Ç’do të na ndihmojë të pranojmë autoritetin e Jehovait?

18 Po, le të kemi si synim t’i bëjmë ballë frymës së pavarësisë së botës dhe të pranojmë autoritetin e Jehovait. Herë pas here, të meditojmë me mirënjohje për privilegjin e madh që kemi për t’i shërbyer Jehovait. Fakti që jemi mes popullit të Perëndisë është provë se ai na ka tërhequr me anë të frymës së tij të shenjtë. (Gjoni 6:44) Të mos e konsiderojmë kurrë si diçka të zakonshme marrëdhënien tonë me Perëndinë. Në çdo aspekt të jetës, të përpiqemi që të tregojmë se e hedhim poshtë frymën e pavarësisë dhe se e pranojmë autoritetin e Jehovait.

A ju kujtohet?

• Çfarë përfshin të pranosh autoritetin e Jehovait?

• Ç’lidhje ka stërvitja e aftësive perceptuese me pranimin e autoritetit të Jehovait?

• Në cilat fusha Satanai përpiqet të minojë autoritetin e Perëndisë?

• Pse përulësia është e rëndësishme për të pranuar autoritetin e Jehovait?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 18]

«Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve»

[Figura në faqen 20]

Gjithmonë është e mençur të ndjekim normat e Perëndisë