Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Apostulli Pavël tha se ‘gjithë Izraeli do të shpëtonte’. (Rom. 11:26) Mos vallë donte të thoshte se në një të ardhme të gjithë judenjtë do të përqafonin krishterimin?

Jo, Pavli nuk kishte ndër mend këtë. Si komb, pasardhësit e linjës familjare të Abrahamit e hodhën poshtë Jezuin si Mesia. Gjatë viteve që pasuan vdekjen e Jezuit, u duk qartë se judenjtë nuk do ta përqafonin krishterimin të gjithë pa dallim. Megjithatë, deklarata e Pavlit se ‘gjithë Izraeli do të shpëtonte’ ishte e vërtetë. Në ç’kuptim?

Jezui u tha krerëve fetarë të ditëve të tij: «Mbretëria e Perëndisë do t’ju merret dhe do t’i jepet një kombi që prodhon frytet e saj.» (Mateu 21:43) Përderisa mbarë kombi i Izraelit e hodhi poshtë Jezuin, Jehovai do ta drejtonte vëmendjen nga një komb i ri, i mirosur me frymën e Tij të shenjtë. Pavli e quajti ‘Izraeli i Perëndisë’.—Gal. 6:16.

Fragmente të tjera nga Shkrimet e Krishtere Greke provojnë se ‘Izraeli i Perëndisë’ formohet nga 144.000 të krishterë të mirosur. (Rom. 8:15-17; Zbul. 7:4) Në këtë grup do të kishte edhe jojudenj, dhe kjo konfirmohet nga Zbulesa 5:9, 10, që tregon se të krishterët e mirosur vijnë «nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb». Anëtarët e Izraelit frymor u zgjodhën veçanërisht që të jenë «një mbretëri dhe priftërinj . . . dhe ata do të mbretërojnë mbi tokën». Megjithëse Jehovai nuk e kishte më Izraelin kombin e tij të zgjedhur, disa individë mund të kishin një marrëdhënie të mirë me të. Kështu ndodhi me apostujt dhe me shumë të krishterë të tjerë të hershëm. Natyrisht, ata judenj, ashtu si gjithë të tjerët, duheshin blerë me gjakun e Jezu Krishtit.—1 Tim. 2:5, 6; Hebr. 2:9; 1 Pjet. 1:17-19.

Edhe pse shumica e judenjve në shekullin e parë humbi mundësinë për të sunduar bashkë me Jezuin, kjo nuk e pengoi qëllimin e Perëndisë. S’mund të ndodhte kurrë, pasi Jehovai tha nëpërmjet profetit të tij: «Po ashtu edhe fjala që del nga goja ime, nuk do të kthehet prapë tek unë pa dhënë fryt. Përkundrazi, do ta bëjë atë që më pëlqen dhe do ta kryejë patjetër atë për të cilën e dërgova.»—Isa. 55:11.

Kjo është e vërtetë edhe për qëllimin e Perëndisë për të caktuar 144.000 bashkësundimtarë krah Birit të tij në qiell. Bibla tregon qartë se Perëndia do të miroste plot 144.000 njerëz. S’do të mungonte as edhe një.—Zbul. 14:1-5.

Pra, kur Pavli shkroi se ‘gjithë Izraeli do të shpëtonte’, nuk po parathoshte se të gjithë judenjtë do të bëheshin të krishterë. Përkundrazi, ai donte të thoshte se qëllimi i Perëndisë që 144.000 izraelitë frymorë të sundonin në qiell bashkë me Birin e tij, Jezu Krishtin, do të përmbushej. Në kohën e caktuar nga Perëndia, numri i plotë, domethënë «gjithë Izraeli», do të shpëtonte, e më në fund, ata do të ishin mbretër dhe priftërinj në Mbretërinë mesianike.—Efes. 2:8.

[Figurat në faqen 28]

Të mirosurit vijnë «nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb»