Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nuk e dini se ku do të ketë sukses

Nuk e dini se ku do të ketë sukses

Nuk e dini se ku do të ketë sukses

«Në mëngjes mbille farën dhe gjer në mbrëmje mos e lër dorën tënde të pushojë; sepse nuk e di se ku do të ketë sukses.—EKL. 11:6.

1. Pse mahnitemi dhe ndihemi të përulur kur shohim procesin e rritjes së një bime?

NJË bujk duhet të jetë i durueshëm. (Jak. 5:7) Pasi mbjell farën, duhet të presë që të mbijë e të rritet. Dalëngadalë, kur kushtet janë të favorshme, fillojnë e dalin filizat, të cilët depërtojnë sipërfaqen e tokës. Më pas zhvillohen e bëhen bimë që prodhojnë fryt. Në fund, bujku ka një arë gati për t’u korrur. Sa mahnitëse është të shohësh mrekullinë e rritjes së një bime! Por, edhe sa të përulur ndihemi kur kuptojmë se kush është Ai që e shkakton këtë rritje. Ne mund ta ushqejmë farën. Mund ta ndihmojmë duke e ujitur. Por vetëm Perëndia mund ta rritë.—Krahaso 1 Korintasve 3:6.

2. Çfarë pikash mësoi Jezui për procesin e rritjes në ilustrimet që shqyrtuam në artikullin e mëparshëm?

2 Siç e përmendëm në artikullin e mëparshëm, Jezui e krahasoi veprën e predikimit për Mbretërinë me mbjelljen e një fare. Në ilustrimin e llojeve të ndryshme të tokës, Jezui theksoi se, edhe pse bujku mbjell farë të mirë, gjendja e zemrës së një individi e përcakton nëse fara do të bëhet një bimë që jep apo jo fryt. (Mar. 4:3-9) Në ilustrimin e mbjellësit që fle, Jezui theksoi se bujku nuk e kupton plotësisht procesin e rritjes. E kjo sepse rritja ndodh falë fuqisë së Perëndisë, e jo falë përpjekjeve njerëzore. (Mar. 4:26-29) Le të shqyrtojmë tani edhe tri ilustrime të tjera të Jezuit: për kokrrën e sinapit, për majanë dhe për rrjetën tratë. *

Ilustrimi për kokrrën e sinapit

3, 4. Cilat aspekte të mesazhit për Mbretërinë thekson ilustrimi për kokrrën e sinapit?

3 Ilustrimi i kokrrës së sinapit, që është dokumentuar po ashtu në kapitullin e 4-t të Markut, thekson dy gjëra: së pari, rritjen mahnitëse të numrit të njerëzve që i kushtojnë vëmendje mesazhit të Mbretërisë dhe, së dyti, mbrojtjen që u jepet atyre që e pranojnë mesazhin. Jezui tha: «Me se ta krahasojmë mbretërinë e Perëndisë apo me çfarë ilustrimi ta paraqesim? Është si një kokërr sinapi, që kur mbillet në tokë është më e vogla e të gjitha farave mbi dhé—. Por pasi mbillet, mbin dhe bëhet më e madhe se të gjitha barishtet e tjera, dhe lëshon degë të mëdha, aq sa zogjtë e qiellit mund të gjejnë strehë nën hijen e saj.»—Mar. 4:30-32.

4 Këtu përshkruhet rritja e ‘mbretërisë së Perëndisë’, siç vërtetohet nga përhapja e mesazhit për Mbretërinë dhe nga rritja e kongregacionit të krishterë që prej festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. e më tej. Një kokërr sinapi është një farë e vockël që mund të përfaqësojë diçka shumë të vogël. (Krahaso Lukën 17:6.) Por, në fund, bima e sinapit mund të arrijë një lartësi 3-5 metra e të ketë degë të forta, duke u bërë pothuajse si një pemë.—Mat. 13:31, 32.

5. Çfarë rritjeje përjetoi kongregacioni i krishterë në shekullin e parë?

5 Rritja e kongregacionit të krishterë i pati fillimet e saj të vogla në vitin 33 të e.s., kur rreth 120 dishepuj u mirosën me frymë të shenjtë. Brenda një periudhe kohe relativisht të shkurtër, në këtë kongregacion të vockël dishepujsh u përfshinë mijëra besimtarë. (Lexo Veprat 2:41; 4:4; 5:28; 6:7; 12:24; 19:20.) Numri i punëtorëve në korrjen frymore ishte rritur kaq shumë brenda tri dekadave, sa apostulli Pavël i tha kongregacionit në Kolose se lajmi i mirë tashmë u ishte ‘predikuar të gjitha krijesave nën qiell’. (Kolos. 1:23) Çfarë rritjeje e jashtëzakonshme!

6, 7. (a) Çfarë rritjeje ka ndodhur që prej vitit 1914? (b) Çfarë rritjeje e mëtejshme do të ndodhë?

6 Që kur u vendos Mbretëria e Perëndisë në qiell në vitin 1914, degët e ‘pemës’ së sinapit janë shtrirë përtej asaj që pritej. Populli i Perëndisë ka parë përmbushjen e mirëfilltë të profecisë së dokumentuar nga Isaia: «I pakti do të bëhet një mijë dhe i vogli një komb i fuqishëm.» (Isa. 60:22) Grupi i vogël i të mirosurve që merrte pjesë në veprën e predikimit për Mbretërinë në fillim të shekullit të 20-të as që e imagjinonte se në vitin 2008, në këtë vepër do të merrnin pjesë rreth shtatë milionë Dëshmitarë në më shumë se 230 vende. Vërtet një rritje mahnitëse, si ajo në ilustrimin e Jezuit për kokrrën e sinapit!

7 Por, a ndalet rritja me kaq? Jo. Në fund, çdo njeri në tokë do të jetë nënshtetas i Mbretërisë së Perëndisë. Të gjithë kundërshtarët do të jenë zhdukur. Kjo nuk do të arrihet falë përpjekjeve njerëzore, por falë ndërhyrjes së Zotërisë Sovran Jehova në çështjet e tokës. (Lexo Danielin 2:34, 35.) Atëherë do të shohim përmbushjen përfundimtare të një profecie tjetër të dokumentuar nga Isaia: «Toka do të mbushet me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbushin detin.»—Isa. 11:9.

8. (a) Cilët përfaqësojnë zogjtë në ilustrimin e Jezuit? (b) Nga çfarë jemi të mbrojtur që tani?

8 Jezui thotë se zogjtë e qiellit mund të gjejnë strehë nën hijen e kësaj Mbretërie. Këta zogj nuk përfaqësojnë armiqtë e Mbretërisë që përpiqen të hanë farat e mira, siç ishte në rastin e zogjve në ilustrimin e njeriut që e hodhi farën në lloje të ndryshme toke. (Mar. 4:4) Përkundrazi, në këtë ilustrim zogjtë përfaqësojnë njerëzit me zemër të drejtë që kërkojnë mbrojtje brenda kongregacionit të krishterë. Madje edhe tani, këta janë të mbrojtur nga zakonet ndotëse dhe praktikat e ndyra frymësisht të kësaj bote të ligë. (Krahaso Isainë 32:1, 2.) Edhe Jehovai e krahasoi Mbretërinë mesianike me një pemë dhe tha në mënyrë profetike: «Do ta mbëltoj në malin e lartë të Izraelit, dhe ajo do të lëshojë degë, do të japë fryt e do të bëhet një cedër madhështor. Nën të do të pushojnë zogj me lloj-lloj krahësh. Po, do të pushojnë nën hijen e degëve të tij.»—Ezek. 17:23.

Ilustrimi për majanë

9, 10. (a) Çfarë pike theksoi Jezui në ilustrimin për majanë? (b) Çfarë përfaqëson shpesh në Bibël majaja dhe cilën pyetje do të shqyrtojmë në lidhje me arsyen pse e përmendi Jezui majanë?

9 Rritja nuk është gjithmonë e dukshme për sytë njerëzorë. Këtë pikë Jezui e thekson në ilustrimin vijues. Ai thotë: «Mbretëria e qiejve është si majaja, të cilën një grua e mori dhe e përzieu me tri masa të mëdha mielli, derisa erdhi i gjithë brumi.» (Mat. 13:33) Çfarë përfaqëson kjo maja dhe si lidhet me rritjen e Mbretërisë?

10 Në Bibël majaja përdoret shpesh për të përfaqësuar mëkatin. Apostulli Pavël e përmendi në këtë mënyrë majanë kur po fliste për ndikimin korruptues të mëkatarëve në kongregacionin e Korintit të lashtë. (1 Kor. 5:6-8) A po e përdorte në këtë rast Jezui majanë që të përfaqësonte rritjen e diçkaje negative?

11. Si përdorej majaja në kohën e Izraelit të lashtë?

11 Përpara se t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, duhet të kemi parasysh tri gjëra kryesore. Së pari, edhe pse Jehovai nuk e lejonte majanë gjatë festës së Pashkës, në raste të tjera ai i pranonte blatimet që përmbanin maja. Majaja përdorej në lidhje me flijimet në bashkësi që paraqiteshin për të falënderuar. Në këto raste një individ e paraqiste flijimin vullnetarisht për t’i shprehur mirënjohjen Jehovait për bekimet e Tij të shumta. Ky rast u sillte gëzim pjesëmarrësve.—Lev. 7:11-15.

12. Çfarë mund të mësojmë nga mënyra se si përdoren simbolet në Bibël?

12 Së dyti, megjithëse një element në një rast mund të ketë ngjyrim negativ në Shkrime, në një rast tjetër, i njëjti element mund të përdoret për të paraqitur diçka pozitive. Për shembull, te 1 Pjetrit 5:8, Satanai krahasohet me një luan, duke përshkruar kështu natyrën e tij të rrezikshme e të egër. Por, te Zbulesa 5:5, Jezui krahasohet me një luan: «Luani që është nga fisi i Judës.» Në këtë rast luani përdoret si simbol i drejtësisë së guximshme.

13. Çfarë tregon ilustrimi i Jezuit për majanë në lidhje me rritjen frymore?

13 Së treti, në ilustrimin e tij, Jezui nuk tha se majaja e prishi tërë masën e miellit duke e bërë të papërdorshme. Ai thjesht përmendi procesin normal të bërjes së bukës. Gruaja e shtoi me dashje majanë, dhe rezultatet ishin pozitive. Majaja ishte fshehur në masën e miellit. Pra, gruaja nuk mund ta shihte se si vinte buka. Kjo na sjell ndër mend njeriun që mbjell farë dhe fle natën. Jezui tha se «fara mbin e rritet, por se si [njeriu] nuk e di». (Mar. 4:27) Ç’mënyrë e thjeshtë për të ilustruar procesin e padukshëm të rritjes frymore të një personi që bëhet dishepull! Në fillim mund të mos e shohim rritjen, por në fund rezultatet e saj bëhen të dukshme.

14. Cili aspekt i veprës së predikimit ilustrohet nga fakti që majaja bën të vijë i gjithë brumi?

14 Kjo rritje, jo vetëm që nuk shihet nga sytë njerëzorë, por edhe ndodh në të gjithë tokën. Ky është një aspekt tjetër që theksohet në ilustrimin për majanë. Majaja bën të vijë i gjithë brumi, të ‘tria masat e mëdha të miellit’. (Luka 13:21) Ashtu si majaja, vepra e predikimit për Mbretërinë që e ka shkaktuar këtë rritje është përhapur deri në atë pikë saqë tani Mbretëria po predikohet «deri në skajin më të largët të tokës». (Vep. 1:8; Mat. 24:14) Ç’privilegj i mrekullueshëm është të kontribuosh në këtë përhapje mahnitëse të veprës për Mbretërinë!

Rrjeta tratë

15, 16. (a) Jepni një përmbledhje të ilustrimit për rrjetën tratë. (b) Çfarë përfaqëson rrjeta tratë dhe për cilin aspekt të rritjes së Mbretërisë bën fjalë ky ilustrim?

15 Më e rëndësishme se numri i atyre që pohojnë se janë dishepuj të Jezu Krishtit është cilësia e këtyre dishepujve. Jezui e përmend këtë aspekt të rritjes së Mbretërisë kur jep një ilustrim tjetër, atë për rrjetën tratë. Ai tha: «Mbretëria e qiejve është si një rrjetë tratë, e hedhur në det, që kishte mbledhur peshq të çdo lloji.»—Mat. 13:47.

16 Rrjeta tratë, e cila përfaqëson veprën e predikimit për Mbretërinë, mbledh peshq të çdo lloji. Jezui vazhdon të thotë: «Kur [rrjeta tratë] u mbush, peshkatarët e tërhoqën në breg, u ulën dhe peshqit e mirë i futën nëpër enë, kurse të papërshtatshmit i hodhën. Kështu do të jetë në përfundim të sistemit: engjëjt do të dalin e do të ndajnë të ligjtë nga të drejtët, dhe do t’i hedhin në furrën e zjarrtë. Atje do të qajnë dhe do të kërcëllijnë dhëmbët.»—Mat. 13:48-50.

17. Cilës periudhë kohore i referohet ndarja e përmendur në ilustrimin për rrjetën tratë?

17 A i referohet kjo ndarje gjykimit përfundimtar të deleve dhe të cjepve që Jezui tha se do të ndodhte kur të vinte në lavdinë e tij? (Mat. 25:31-33) Jo. Ky gjykim përfundimtar do të ndodhë me ardhjen e Jezuit gjatë shtrëngimit të madh. Ndryshe nga kjo, ndarja që përmendet në ilustrimin e rrjetës tratë ndodh gjatë ‘përfundimit të sistemit’. * Kjo është koha në të cilën po jetojmë tani, kohë që e arrin kulmin në shtrëngimin e madh. Atëherë, si po ndodh kjo vepër ndarjeje?

18, 19. (a) Si po ndodh tani një vepër ndarjeje? (b) Çfarë hapi duhet të marrin njerëzit e sinqertë? (Shih edhe shënimin në faqen 21.)

18 Në kuptimin e mirëfilltë, miliona peshq simbolikë nga deti i njerëzimit janë tërhequr në kongregacionin e Jehovait në kohët e sotme. Disa ndjekin Përkujtimin, të tjerë vijnë në mbledhjet tona dhe gjithashtu të tjerë janë të lumtur të studiojnë Biblën. Por, a bëhen të gjithë këta të krishterë të vërtetë? Ata mund të ‘tërhiqen në breg’, por Jezui thotë se vetëm «peshqit e mirë» futen nëpër enët që përfaqësojnë kongregacionet e krishtere. Të papërshtatshmit hidhen, e përfundimisht do të hidhen në furrën e zjarrtë simbolike e cila nënkupton shkatërrimin e ardhshëm.

19 Për sa u përket peshqve të papërshtatshëm, shumë që dikur studionin Biblën me popullin e Jehovait, e kanë ndërprerë studimin. Disa që kanë lindur në një familje me prindër të krishterë, në të vërtetë nuk kanë dashur të ndjekin gjurmët e Jezuit. Ata nuk kanë dashur të marrin vendimin për t’i shërbyer Jehovait ose pasi i kanë shërbyer për pak kohë, nuk kanë vazhduar më. * (Ezek. 33:32, 33) Por, është e domosdoshme që të gjithë njerëzit e sinqertë të pranojnë të futen nëpër enët ose kongregacionet para ditës së fundit të gjykimit dhe të qëndrojnë kështu në vend të sigurt.

20, 21. (a) Çfarë kemi mësuar nga shqyrtimi i ilustrimeve të Jezuit për rritjen? (b) Çfarë jeni të vendosur të bëni?

20 Atëherë, çfarë kemi mësuar nga ky shqyrtim i shkurtër i ilustrimeve të Jezuit për rritjen? Së pari, ashtu si me rritjen e kokrrës së sinapit, ka pasur një rritje të jashtëzakonshme të numrit të njerëzve që i kanë vënë veshin mesazhit të Mbretërisë. Asgjë nuk mund ta ndalë përhapjen e veprës së Jehovait! (Isa. 54:17) Gjithashtu, atyre që kanë kërkuar «strehë nën hijen e [pemës]», u është siguruar mbrojtje frymore. Së dyti, është Perëndia që e shkakton rritjen. Ashtu si majaja e fshehur përhapet në gjithë brumin, kjo rritje jo gjithnjë është vërejtur ose kuptuar menjëherë, por ajo ndodh. Së treti, jo të gjithë ata që kanë reaguar ndaj mesazhit për Mbretërinë, kanë qenë të përshtatshëm. Disa kanë qenë si peshqit e papërshtatshëm në ilustrimin e Jezuit.

21 Por, sa inkurajuese është të shohim kaq shumë individë të përshtatshëm që po i tërheq Jehovai! (Gjoni 6:44) Kjo ka sjellë rritje të jashtëzakonshme nga njëri vend në tjetrin. E gjithë lavdia për këtë rritje i shkon Perëndisë Jehova. Secili prej nesh që e vëren këtë, duhet të jetë i nxitur t’i bindet këshillës së shkruar shekuj më parë: «Në mëngjes mbille farën . . . ; sepse nuk e di se ku do të ketë sukses, këtu ose atje, apo që të dyja do të jenë njësoj të mira.»—Ekl. 11:6.

[Shënimet]

^ par. 2 Shpjegimet vijuese janë rregullime të shpjegimeve të mëparshme në Kullën e Rojës, 1 tetor 1992, faqet 20-25 dhe, në anglisht, 1 tetor 1975, faqet 589-608.

^ par. 17 Megjithëse Mateu 13:39-43 i referohet një aspekti të ndryshëm të veprës së predikimit për Mbretërinë, koha e përmbushjes së tij përkon me kohën e përmbushjes së ilustrimit për rrjetën tratë, domethënë, është gjatë ‘përfundimit të sistemit’. Ndarja e peshqve simbolikë është një proces i vazhdueshëm, ashtu si mbjellja dhe korrja vazhdon gjatë gjithë kësaj periudhe kohe.​—Kulla e Rojës 15 tetor 2000, faqet 25, 26; Të adhurojmë të vetmin Perëndi të vërtetë, faqet 178-181, paragrafët 8-11.

^ par. 19 A do të thotë kjo se kushdo që nuk studion më ose nuk shoqërohet më me popullin e Jehovait, është hedhur tej nga engjëjt si i papërshtatshëm? Jo! Nëse dikush dëshiron sinqerisht të rikthehet te Jehovai, e ka rrugën të hapur.—Mal. 3:7.

Si do të përgjigjeshit?

• Çfarë na mëson ilustrimi i Jezuit për kokrrën e sinapit në lidhje me rritjen e Mbretërisë dhe mbrojtjen frymore?

• Çfarë përfaqëson majaja në ilustrimin e Jezuit dhe çfarë të vërtete për rritjen e Mbretërisë thekson Jezui?

• Cili aspekt i rritjes së Mbretërisë theksohet në ilustrimin për rrjetën tratë?

• Si mund të sigurohemi që të vazhdojmë të jemi midis atyre që janë ‘futur nëpër enë’?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 18]

Çfarë na mëson për rritjen e Mbretërisë ilustrimi për kokrrën e sinapit?

[Figura në faqen 19]

Çfarë mësojmë nga ilustrimi për majanë?

[Figura në faqen 21]

Çfarë përshkruhet me ndarjen e peshqve të mirë nga peshqit e papërshtatshëm?