Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Misionarët krahasohen me karkalecat

Misionarët krahasohen me karkalecat

Diplomimi i klasës së 124-t të Galaadit

Misionarët krahasohen me karkalecat

ÇDO gjashtë muaj, Shkolla Biblike Watchtower e Galaadit mban një program diplomimi në të cilin ftohet e tërë familja Bethel e Shteteve të Bashkuara. Më 8 mars 2008, me rastin e diplomimit të klasës së 124-t të Shkollës së Galaadit, përveç familjes Bethel morën pjesë edhe mysafirë nga më shumë se 30 vende. Të 6.411 të pranishmit u gëzuan me studentët në ditën e tyre të veçantë.

Drejtuesi i programit, Stivën Leti, anëtar i Trupit Udhëheqës, e hapi programin me fjalimin me titull «Ecni përpara me karkalecat e figurshëm të Jehovait». Te Zbulesa 9:1-4 grupi i vogël i të krishterëve të mirosur, që u riaktivizua në shërbim të Jehovait në vitin 1919, krahasohet me një mori karkalecash që vërshojnë. Studentëve iu kujtua se, si pjesëtarë të ‘deleve të tjera’, janë bashkuar me këtë mori karkalecash të figurshëm.—Gjoni 10:16.

Më pas, Lon Shillingu, pjesëtar i Komitetit të Degës të Shteteve të Bashkuara, mbajti fjalimin «Jini një plotësim për njëri-tjetrin». Fjalimi bazohej në shembullin biblik të Akuilës dhe Prishilës (ose Priskës), një çift i martuar të krishterësh në shekullin e parë. (Rom. 16:3, 4) Klasa e Galaadit përbëhej nga 28 çifte. Atyre iu kujtua se, për të qenë misionarë të suksesshëm, do t’u duhej ta mbanin të fortë lidhjen martesore. Bibla nuk e përmend kurrë Akuilën vetëm, pa gruan e tij, Prishilën. Kështu, apostulli Pavël dhe kongregacioni i shihnin ata si të pandarë. Po kështu, edhe sot çiftet misionare duhet të punojnë bashkë, të adhurojnë bashkë dhe të përballojnë bashkë sfidat e pazakonta të një caktimi në vend të huaj, duke qenë një plotësim për njëri-tjetrin.—Zan. 2:18.

Fjalimin vijues me titull «Përgjigjjuni mirësisë së Jehovait», e mbajti Gai Piërsi, anëtar i Trupit Udhëheqës. Vëlla Piërsi shpjegoi se të jesh i mirë nuk do të thotë thjesht të mos bësh keq. Një njeri i mirë u bën të mira të tjerëve. Perëndia Jehova është i mirë në shkallën më të lartë. (Zak. 9:16, 17) Mirësia dhe dashuria e Perëndisë mund të na motivojë t’u bëjmë mirë të tjerëve. Duke i lavdëruar studentët, vëlla Piërsi përfundoi me fjalët: «Ju keni bërë të mira. Jemi të sigurt se do të vazhdoni t’i përgjigjeni mirësisë së Perëndisë duke bërë të mira në cilatdo caktime të ardhshme që do t’ju japë Perëndia Jehova.»

Më pas, Majkëll Bërneti, një ish-misionar që kohët e fundit është caktuar si instruktor në Shkollën e Galaadit, paraqiti fjalimin me titull «Mbajeni si një shirit koke në ballë». Sikur të mbanin «një shirit koke» në ballë, izraelitët duhej të kujtonin se si Jehovai i çliroi nga Egjipti me anë të mrekullive. (Dal. 13:16) Studentëve iu dha këshilla që t’i kujtonin udhëzimet e shumta që morën në Shkollën e Galaadit, siç do të mbanin një shirit koke në ballë. Vëlla Bërneti theksoi se misionarët duhet të jenë të përulur e modestë dhe të zbatojnë parimet biblike kur të zgjidhin ndonjë keqkuptim me misionarët e tjerë.—Mat. 5:23, 24.

Mark Numari, prej kohësh instruktor në Shkollën e Galaadit, mbajti fjalimin: «Ç’këngë do të këndojnë për ju?» Në kohët e lashta e kishin zakon t’i festonin fitoret e betejave me këngë. Në një nga këto këngë zbulohet se fiset e Rubenit, Danit dhe Asherit e kursenin veten, kurse fisi i Zabulonit lavdërohet për frymën vetëmohuese. (Gjyk. 5:16-18) Ashtu si vargjet e një kënge bëhen të njohura, edhe veprimet e çdo të krishteri së fundi bëhen të dukshme për të tjerët. Zelli i dikujt për veprën e Perëndisë dhe besnikëria e vazhdueshme ndaj drejtimit që vjen nga organizata e Tij do të kujtohen nga Jehovai dhe shërbejnë si një shembull i mirë për vëllezërit. Teksa të tjerët në kongregacion dëgjojnë këngën e figurshme të shkruar me anë të veprave tona, ata nxiten të imitojnë këtë shembull të mirë.

Si pjesë e stërvitjes në Galaad, e gjithë klasa e 124-t kaloi rreth 3.000 orë në veprën e predikimit. Sam Robersoni, i Repartit të Shkollave Teokratike, mbajti pjesën me temë «Ndiqni drejtimin e frymës së shenjtë», gjatë së cilës studentët treguan disa përvoja shërbimi e disa prej tyre edhe i demonstruan. Pas këtyre përvojave inkurajuese, pati disa intervista me të diplomuar të Galaadit që tani shërbejnë në vende të ndryshme. Intervistat i drejtoi Patrik La Franka, pjesëtar i Komitetit të Degës të Shteteve të Bashkuara. Studentët i çmuan këshillat praktike që morën nga këta vëllezër.

Entoni Morisi, anëtar i Trupit Udhëheqës, mbajti fjalimin e fundit: «Mos harroni, gjërat që shihen janë të përkohshme.» Në vend që të përqendrohemi te ndonjë shtrëngim i përkohshëm që mund të përjetojmë tani, Shkrimet na këshillojnë që të përqendrohemi te bekimet e ardhshme që do të sjellë Jehovai. (2 Kor. 4:16-18) Varfëria e skajshme, padrejtësitë, shtypja, sëmundjet dhe vdekja, janë gjëra reale që i shohim që të gjithë sot. Misionarët mund të hasin disa nga këto rrethana tragjike. Por, nëse kujtojmë se këto gjëra janë të përkohshme, kjo do të na ndihmojë të ruajmë ekuilibrin frymor dhe të mos i humbim shpresat.

Programi përfundoi me komentet mbyllëse të vëlla Letit, ndërkohë që të gjithë të diplomuarit ishin në skenë. Ai i inkurajoi të mos dorëzoheshin dhe tha: «Nëse kemi pranë Jehovain, mund ta ruajmë të pacenuar integritetin.» Vëlla Leti i nxiti misionarët e rinj që të ishin si karkalecat, duke vazhduar t’i shërbejnë Jehovait me vendosmëri dhe duke qëndruar gjithmonë të zellshëm, besnikë dhe të bindur.

[Kutia në faqen 30]

STATISTIKAT E KLASËS

Numri i vendeve të përfaqësuara: 7

Numri i vendeve ku u caktuan: 16

Numri i studentëve: 56

Mosha mesatare: 33,8

Mesatarja e viteve në të vërtetën: 18,2

Mesatarja e viteve në shërbimin e plotkohor: 13,8

[Figura në faqen 31]

Diplomimi i klasës së 124-t të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit

Në listën e mëposhtme, rreshtat janë numëruar nga para pas dhe emrat janë renditur nga e majta në të djathtë për çdo rresht.

(1) Nicholson, T.; Main, H.; Senge, Y.; Snape, L.; Vanegas, C.; Pou, L. (2) Santana, S.; Oh, K.; Lemaitre, C.; Williams, N.; Alexander, L. (3) Woods, B.; Stainton, L.; Huntley, E.; Alvarez, G.; Cruz, J.; Bennett, J. (4) Williamson, A.; González, N.; Zuroski, J.; Degandt, I.; May, J.; Diemmi, C.; Tavener, L. (5) Lemaitre, W.; Harris, A.; Wells, C.; Rodgers, S.; Durrant, M.; Senge, J. (6) Huntley, T.; Vanegas, A.; Pou, A.; Santana, M.; Bennett, V.; Tavener, D.; Oh, M. (7) Zuroski, M.; Rodgers, G.; Diemmi, D.; Nicholson, L.; Alvarez, C.; Snape, J. (8) Harris, M.; González, P.; Main, S.; Woods, S.; Stainton, B.; Williamson, D.; Durrant, J. (9) Cruz, P.; Degandt, B.; Williams, D.; Wells, S.; Alexander, D.; May, M.

[Figura në faqen 32]

Shkolla e Galaadit ndodhet në Qendrën e Arsimimit Watchtower