Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të qëndrojmë besnikë duke pasur zemrën të bashkuar

Të qëndrojmë besnikë duke pasur zemrën të bashkuar

Të qëndrojmë besnikë duke pasur zemrën të bashkuar

«Unë do të eci në të vërtetën tënde. Bashkoje zemrën time, që t’i frikësohet emrit tënd.»—PSAL. 86:11.

1, 2. (a) Sipas Psalmit 86:2, 11, çfarë do të na ndihmojë të qëndrojmë besnikë ndaj Jehovait përballë sprovave ose tundimeve? (b) Kur duhet ta zhvillojmë besnikërinë?

PSE disa të krishterë që kanë qëndruar besnikë prej vitesh përballë burgosjeve dhe përndjekjeve, më vonë janë dorëzuar para materializmit? Përgjigjja lidhet me zemrën tonë të figurshme, pra, me atë çfarë jemi vërtet brenda. Psalmi 86 e lidh besnikërinë me zemrën e bashkuar, domethënë, me një zemër të plotë e cila nuk është e ndarë. Psalmisti David u lut: «Ruaje shpirtin tim, se jam besnik. Ti je Perëndia im, ndaj shpëtoje shërbëtorin tënd që ka besim te ti.» Gjithashtu, Davidi u lut: «Mësomë, o Jehova, udhën tënde. Unë do të eci në të vërtetën tënde. Bashkoje zemrën time, që t’i frikësohet emrit tënd.»—Psal. 86:2, 11.

2 Nëse nuk kemi besim te Jehovai me gjithë zemër, gjëra të tjera për të cilat shqetësohemi ose që i kemi shumë për zemër, mund ta minojnë besnikërinë tonë ndaj Perëndisë së vërtetë. Dëshirat egoiste janë si minat e fshehura në rrugën ku po ecim. Edhe pse mund të kemi qëndruar besnikë ndaj Jehovait në rrethana të vështira, mund të biem pre e grackave satanike. Sa jetësore është të zhvillojmë besnikëri me gjithë zemër ndaj Jehovait që tani, para se të na vijnë sprovat ose tundimet! Bibla thotë: «Më shumë se gjithçka tjetër që duhet ruajtur, ruaj zemrën.» (Prov. 4:23) Mund të nxjerrim mësime të vlefshme në këtë aspekt prej përvojës së një profeti nga Juda që Jehovai e dërgoi te Jeroboami, mbreti i Izraelit.

«Lërmë të të jap një dhuratë»

3. Si reagoi Jeroboami ndaj mesazhit të gjykimit që dha profeti i Perëndisë?

3 Përfytyroni skenën. Njeriu i Perëndisë sapo i ka dhënë një mesazh therës mbretit Jeroboam që ka themeluar adhurimin e viçit në mbretërinë veriore dhjetëfisëshe të Izraelit. Mbreti xhindoset. Ai i urdhëron njerëzit ta kapin lajmëtarin. Por Jehovai është me shërbëtorin e tij. Menjëherë dora që ka zgjatur mbreti i zemëruar thahet dhe altari që përdoret për adhurimin e rremë çahet. Në çast Jeroboami ndryshon qëndrim. Ai i lutet njeriut të Perëndisë: «Të lutem, zbute zemërimin e Jehovait, Perëndisë tënd, dhe lutu për mua, që të më kthehet dora si më parë.» Profeti lutet dhe mbretit i shërohet dora.—1 Mbret. 13:1-6.

4. (a) Pse oferta e mbretit ishte vërtet një sprovë për besnikërinë e profetit? (b) Si u përgjigj profeti?

4 Pastaj Jeroboami i thotë njeriut të Perëndisë së vërtetë: «Eja me mua në shtëpi të hash diçka dhe lërmë të të jap një dhuratë.» (1 Mbret. 13:7) Çfarë duhet të bëjë tani profeti? A duhet ta refuzojë mikpritjen e mbretit, meqë sapo i ka dhënë një mesazh gjykimi? (Psal. 119:113) Apo duhet ta pranojë ftesën e mbretit, meqë duket i penduar? Sigurisht, Jeroboami i ka mundësitë që t’u japë pa kursim dhurata të shtrenjta miqve të vet. Nëse profeti i Perëndisë ka fshehur në zemër ndonjë dëshirë për gjërat materiale, ka mundësi që oferta e mbretit të jetë për të një tundim shumë i madh. Por, Jehovai e ka urdhëruar profetin: «Mos ha bukë e mos pi ujë dhe mos u kthe nga udha që shkove.» Prandaj, profeti përgjigjet me vendosmëri: «Edhe sikur të më jepje gjysmën e shtëpisë sate, nuk do të vija me ty dhe as do të haja bukë e as do të pija ujë në këtë vend.» Kështu profeti u largua nga Betheli nga një udhë tjetër. (1 Mbret. 13:8-10) Çfarë na mëson vendimi i profetit për besnikërinë me gjithë zemër?—Rom. 15:4.

«Të kënaqemi»

5. Pse materializmi është një çështje besnikërie?

5 Edhe pse materializmi mund të mos duket një çështje besnikërie, në të vërtetë është. A kemi besim te premtimi i Jehovait se do të na sigurojë gjërat që na nevojiten vërtet? (Mat. 6:33; Hebr. 13:5) A mund të jetojmë pa disa gjëra «më të mira», që tani për tani nuk mund t’i arrijmë, në vend që të përpiqemi t’i kemi me çdo kusht? (Lexo Filipianëve 4:11-13.) A tundohemi t’i lëmë pas dore privilegjet teokratike, që të arrijmë atë që duam tani? A zë shërbimi me besnikëri ndaj Jehovait vendin e parë në jetën tonë? Përgjigjet tona do të varen shumë nga fakti nëse i shërbejmë ose jo Perëndisë me gjithë zemër. Apostulli Pavël shkroi: «Përkushtimi hyjnor bashkë me kënaqjen me atë që kemi, është një mjet për fitim të madh. Sepse asgjë nuk kemi sjellë në botë, e asgjë nuk mund të marrim prej saj. Prandaj, nëse kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën, le të kënaqemi me kaq.»—1 Tim. 6:6-8.

6. Çfarë ‘dhuratash’ mund të na ofrohen dhe çfarë do të na ndihmojë për të vendosur nëse do t’i pranojmë ose jo?

6 Për shembull, punëdhënësi mund të na ofrojë ngritje në përgjegjësi me pagë më të mirë dhe përfitime të tjera. Ose ndoshta kuptojmë se mund të kemi mundësi më të mira financiare nëse shkojmë në një shtet tjetër për të gjetur punë. Në fillim këto mundësi mund të duken si bekime nga Jehovai. Por, para se të vendosim rreth këtyre mundësive, a nuk duhet të shqyrtojmë motivet tona? Shqetësimi ynë kryesor duhet të jetë ky: «Si do të ndikojë vendimi im në marrëdhënien me Jehovain?»

7. Pse është e rëndësishme të çrrënjosim dëshirat materialiste?

7 Sistemi i Satanait nxit pareshtur materializmin. (Lexo 1 Gjonit 2:15, 16.) Synimi i Djallit është që të na korruptojë zemrën. Prandaj, duhet të jemi vigjilentë për të identifikuar e çrrënjosur dëshirat materialiste nga zemra. (Zbul. 3:15-17) Jezui nuk e pati të vështirë të hidhte poshtë ofertën që i bëri Satanai për të pasur gjithë mbretëritë e botës. (Mat. 4:8-10) Jezui paralajmëroi: «Rrini syhapur dhe ruhuni nga çdo lloj lakmie, sepse edhe kur dikush ka me bollëk, jeta e tij nuk varet nga gjërat që zotëron.» (Luka 12:15) Besnikëria do të na ndihmojë të mos mbështetemi te vetja, por te Jehovai.

Një profet i moshuar «e mashtroi»

8. Si u sprovua besnikëria e profetit të Perëndisë?

8 Gjërat do të kishin shkuar mirë për profetin e Perëndisë, nëse do të kishte vazhduar udhën e kthimit për në shtëpi. Por, pothuajse menjëherë ai hasi një sprovë tjetër. «Në Bethel banonte një profet i moshuar», thuhet në Bibël, dhe «bijtë e tij shkuan dhe i treguan» gjithçka që kishte ndodhur atë ditë. Me ta dëgjuar, profeti i moshuar u kërkon t’i bëjnë gati gomarin që të arrijë profetin e Perëndisë. Jo shumë kohë më pas ai e gjen profetin duke pushuar nën një pemë të madhe dhe i thotë: «Eja në shtëpinë time të hash pak bukë.» Kur njeriu i Perëndisë së vërtetë nuk e pranon ftesën, profeti i moshuar ia kthen: «Edhe unë jam profet si ti, dhe një engjëll më tha me urdhër të Jehovait: ‘Ktheje në shtëpinë tënde dhe jepi të hajë bukë e të pijë ujë.’» Por Shkrimet thonë se ai «e mashtroi».—1 Mbret. 13:11-18.

9. Ç’thonë Shkrimet për njerëzit mashtrues dhe cilët dëmtojnë ata?

9 Cilido të ketë qenë motivi i profetit të moshuar, ai gënjeu. Ndoshta dikur kishte qenë profet besnik i Jehovait. Por tani po vepronte me mashtrim. Në Shkrime kjo lloj sjelljeje dënohet fuqimisht. (Lexo Proverbat 3:32.) Njerëzit mashtrues nuk dëmtojnë vetëm veten frymësisht, por shpesh edhe të tjerët.

«Ai u kthye bashkë me» profetin e moshuar

10. Si iu përgjigj profeti i Perëndisë ftesës së profetit të moshuar dhe cili ishte rezultati?

10 Profeti nga Juda duhej ta kishte kuptuar mashtrimin e profetit të moshuar. Ai mund ta kishte pyetur veten: «Pse Jehovai do të kishte dërguar një engjëll te dikush tjetër që t’i jepte udhëzime të tjera për mua?» Profeti mund të kishte pyetur Jehovain që t’ia sqaronte udhëzimet, por në Shkrime nuk thuhet se ai e bëri këtë. Përkundrazi, «ai u kthye bashkë me [profetin e moshuar], që të hante bukë në shtëpinë e tij dhe të pinte ujë». Kjo nuk i pëlqeu Jehovait. Kur së fundi profeti i mashtruar u nis për t’u kthyer në Judë, i doli para një luan dhe e vrau. Ç’fund tragjik për shërbimin e tij si profet!—1 Mbret. 13:19-25. *

11. Çfarë shembulli të shkëlqyer la Akijahu?

11 Nga ana tjetër, profeti Akijah, i cili u dërgua të miroste Jeroboamin si mbret, qëndroi besnik edhe në moshë të thyer. Kur Akijahu ishte i moshuar dhe i verbër, Jeroboami dërgoi gruan tek ai që ta pyeste për birin e tyre të sëmurë. Me guxim Akijahu paratha se biri i Jeroboamit do të vdiste. (1 Mbret. 14:1-18) Një ndër privilegjet e shumta që iu dhanë Akijahut ishte privilegji që të jepte ndihmesën e tij për Fjalën e frymëzuar të Perëndisë. Si? Prifti Ezdra i përdori më vonë shkrimet e tij si burim informacioni.—2 Kron. 9:29.

12-14. (a) Çfarë mësimesh nxjerrim nga ajo që i ndodhi profetit të ri? (b) Ilustroni nevojën për t’u kushtuar vëmendjen e duhur dhe nën drejtimin e lutjes këshillave që japin pleqtë.

12 Në Bibël nuk thuhet pse profeti më i ri nuk u këshillua me Jehovain para se të shkonte për të ngrënë e për të pirë me profetin e moshuar. Mos vallë profeti i moshuar i tha atij atë çfarë donte të dëgjonte? Çfarë mësimi nxjerrim ne? Duhet të jemi plotësisht të bindur se kërkesat e Jehovait janë të drejta. Gjithashtu duhet të jemi të vendosur për t’i zbatuar ato, sido që të vijë puna.

13 Kur bëhet fjalë për këshillat, disa dëgjojnë atë çfarë duan të dëgjojnë. Për shembull, një lajmëtari i ofrohet një punë që mund t’ia pakësojë kohën që mund të kalojë me familjen dhe në aktivitetet teokratike. Ndoshta ai i kërkon këshilla një plaku. Si fillim plaku mund të thotë se nuk i takon atij t’i tregojë vëllait se si ta mbajë familjen. Pastaj plaku mund të shqyrtojë me vëllanë rreziqet që përfshihen nga ana frymore po të pranojë punën që i është ofruar. A do të kujtojë vëllai vetëm fjalët që i tha plaku në fillim apo do t’ia vërë veshin vazhdimit të bisedës? Sigurisht vëllai duhet të përcaktojë se ç’është më e mira për të nga ana frymore.

14 Shqyrtoni edhe një rrethanë tjetër të mundshme. Një motër mund t’i kërkojë një plaku nëse duhet të ndahet nga burri jobesimtar. Pa dyshim, plaku do t’i shpjegojë se ky vendim i takon asaj. Më pas, ai mund të shqyrtojë këshillat biblike për këtë çështje. (1 Kor. 7:10-16) A do t’u kushtojë vëmendjen e duhur motra fjalëve të plakut? Apo tashmë ajo e ka ndarë mendjen për ta lënë të shoqin? Do të ishte gjë e mençur që, kur merr vendimin, ajo të shqyrtojë nën drejtimin e lutjes këshillat e bazuara në Bibël.

Të jemi modestë

15. Çfarë mësojmë nga gabimi i profetit të Perëndisë?

15 Ç’gjë tjetër mund të mësojmë prej gabimit të profetit nga Juda? Te Proverbat 3:5 thuhet: «Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde.» Në vend që të vazhdonte të mbështetej te Jehovai, si në të kaluarën, në këtë rast profeti nga Juda i besoi gjykimit të vet. Ky gabim i kushtoi jetën dhe emrin e mirë që kishte para Perëndisë. Kjo përvojë thekson fuqishëm rëndësinë që të jemi modestë dhe besnikë në shërbimin ndaj Jehovait.

16, 17. Çfarë do të na ndihmojë t’i qëndrojmë besnikë Jehovait?

16 Zemra jonë ka prirjen egoiste për të na keqdrejtuar. «Zemra është më e pabesë se çdo gjë tjetër. Ajo është e rrezikshme.» (Jer. 17:9) Që t’i qëndrojmë besnikë Jehovait duhet të vazhdojmë të përpiqemi shumë për të zhveshur personalitetin e vjetër me prirjen e tij për të pasur besim të tepruar te vetja jonë dhe për t’u mbështetur vetëm në forcat tona. Gjithashtu duhet të veshim personalitetin e ri, «i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë».—Lexo Efesianëve 4:22-24.

17 «Mençuria është me modestët»,—thuhet te Proverbat 11:2. Kur mbështetemi me modesti te Jehovai, kjo na ndihmon të shmangim gabime të rënda. Për shembull, shkurajimi mund të na e shtrembërojë lehtë gjykimin. (Prov. 24:10) Mund të lodhemi me disa aspekte të shërbimit të shenjtë dhe të fillojmë të mendojmë se kemi bërë mjaftueshëm gjatë viteve, e ndoshta është koha që ta mbajnë të tjerë ngarkesën. Ose mbase dëshirojmë të bëjmë një jetë më «normale». Por do ta ruajmë zemrën, nëse ‘përpiqemi fuqimisht’ dhe ‘kemi gjithnjë shumë për të bërë në veprën e Zotërisë’.—Luka 13:24; 1 Kor. 15:58.

18. Çfarë mund të bëjmë nëse nuk dimë se ç’vendim të marrim?

18 Herë pas here mund të na duhet të marrim vendime të vështira dhe mund të mos jetë menjëherë e dukshme udha e drejtë që duhet të ndjekim. A do të tundohemi për t’i bërë gjërat sipas mënyrës sonë? Kurdoherë që të gjendemi në rrethana të tilla, do të jemi të mençur nëse i kërkojmë Jehovait të na ndihmojë. Te Jakovi 1:5 thuhet: «Nëse ndonjëri nga ju nuk ka mjaft mençuri, le të vazhdojë t’ia kërkojë Perëndisë, sepse ai u jep të gjithëve bujarisht.» Ati ynë qiellor do të na japë frymën e shenjtë që na nevojitet për të marrë vendime të drejta.—Lexo Lukën 11:9, 13.

Të jemi të vendosur për të qëndruar besnikë

19, 20. Për çfarë duhet të jemi të vendosur?

19 Vitet e turbullta pasi Solomoni u largua nga adhurimi i vërtetë e sprovuan rëndë besnikërinë e shërbëtorëve të Perëndisë. Vërtet që, në një mënyrë a në një tjetër, shumë veta bënë kompromis. Megjithatë, disa i qëndruan besnikë Jehovait.

20 Çdo ditë përballemi me zgjedhje dhe vendime që sprovojnë besnikërinë tonë. Edhe ne mund të tregohemi besnikë. Le t’i qëndrojmë gjithnjë besnikë Jehovait me zemrën të bashkuar, plotësisht të sigurt se ai do të vazhdojë t’i bekojë besnikët e vet!—2 Sam. 22:26.

[Shënimi]

^ par. 10 Bibla nuk thotë nëse Jehovai shkaktoi vdekjen e profetit të moshuar.

Si do të përgjigjeshit?

• Pse duhet të përpiqemi të çrrënjosim nga zemra dëshirat materialiste?

• Çfarë do të na ndihmojë t’i qëndrojmë besnikë Jehovait?

• Si mund të na ndihmojë modestia t’i qëndrojmë besnikë Perëndisë?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 9]

A e keni të vështirë t’u rezistoni tundimeve?

[Figurat në faqen 10]

A do të shqyrtoni nën drejtimin e lutjes këshillat e bazuara në Bibël?