Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai​—‘Ai që na sjell shpëtim’ sot

Jehovai​—‘Ai që na sjell shpëtim’ sot

Jehovai​—‘Ai që na sjell shpëtim’ sot

«Jehovai do t’i ndihmojë e do t’u sigurojë shpëtim.»—PSAL. 37:40.

1, 2. Ç’e vërtetë themelore për Jehovain është burim ngushëllimi dhe force për ne?

HIJET që krijohen nga dielli, lëvizin. Ndërsa Toka rrotullohet, hijet zhvendosen dhe ndryshojnë. Kurse, Krijuesi i Tokës dhe i Diellit nuk ndryshon. (Mal. 3:6) Bibla thotë se Ai «nuk ndryshon, siç ndryshon hija gjatë rrotullimit». (Jak. 1:17) Kjo e vërtetë themelore për Jehovain me siguri është burim ngushëllimi dhe force për ne, sidomos kur jemi përballë sprovave dhe vështirësive të ndryshme. Përse?

2 Siç e pamë në artikullin e mëparshëm, Jehovai tregoi se në kohët biblike ishte ‘Ai që sillte shpëtim’. (Psal. 70:5) Ai nuk ndryshon dhe e mban fjalën, ndaj adhuruesit e tij sot kanë çdo arsye për të besuar se «do t’i ndihmojë e do t’u sigurojë shpëtim». (Psal. 37:40) Si u ka siguruar shpëtim Jehovai shërbëtorëve të tij në ditët e sotme? Si mund ta bëjë këtë për secilin prej nesh?

Na çliron nga kundërshtarët

3. Pse mund të jemi të sigurt se kundërshtarët nuk do ta ndalojnë popullin e Jehovait të predikojë lajmin e mirë?

3 Asnjë kundërshtim satanik, sado i madh, nuk do t’i pengojë kurrë Dëshmitarët e Jehovait që të adhurojnë vetëm Jehovain, ashtu siç e meriton. Fjala e Perëndisë na siguron: «Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses dhe çdo gjuhë që ngrihet kundër teje për të të gjykuar, ti do ta dënosh.» (Isa. 54:17) Kundërshtarët janë përpjekur ta pengojnë popullin e Perëndisë në përmbushjen e detyrës së tyre për të predikuar, por nuk ia kanë arritur qëllimit. Le të shohim dy shembuj.

4, 5. Çfarë kundërshtimi hasi populli i Perëndisë në vitin 1918 dhe me ç’rezultat?

4 Në vitin 1918, populli i Jehovait hasi një valë përndjekjesh të nxitur nga kleri me qëllimin për të ndaluar veprën e predikimit. Më 7 maj, u lëshuan urdhra arresti për Xh. F. Radhërfordin, që në atë kohë mbikëqyrte veprën e predikimit, dhe për disa të tjerë në selinë botërore. Brenda dy muajsh, vëlla Radhërfordi dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë u shpallën pa të drejtë fajtorë për konspiracion dhe u dënuan me shumë vjet burg. Mos vallë kundërshtarët arritën me anë të gjykatave të paralizonin njëherë e mirë veprën e predikimit? Sigurisht që jo!

5 Ju kujtohet premtimi i Jehovait: «Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses.» Pas një kthese të papritur të ngjarjeve, më 26 mars 1919—nëntë muaj pas dënimit të vëlla Radhërfordit dhe bashkëpunëtorëve të tij—vëllezërit e burgosur u liruan kundrejt një garancie në para. Vitin pasues, më 5 maj 1920, akuzat kundër tyre ranë. Vëllezërit e përdorën lirinë për të vazhduar me vendosmëri veprën e Mbretërisë. Cili ishte rezultati? Ç’rritje fantastike ka pasur që atëherë! Gjithë merita për këtë i takon ‘Atij që sjell shpëtim’.—1 Kor. 3:7.

6, 7. (a) Çfarë fushate kundër Dëshmitarëve të Jehovait u ndërmor në Gjermaninë naziste dhe me ç’rezultat? (b) Për çfarë dëshmon historia e sotme e popullit të Jehovait?

6 Tani le të shohim një shembull të dytë. Në vitin 1934, Hitleri u betua t’i shfaroste Dëshmitarët e Jehovait në Gjermani. Dhe ky nuk ishte vetëm kërcënim. Ai u pasua nga arrestime dhe burgime në masë. Mijëra Dëshmitarë u përndoqën; me qindra u vranë në kampet e përqendrimit. A pati sukses Hitleri në këtë fushatë për shfarosjen e Dëshmitarëve? A e ndaloi plotësisht predikimin e lajmit të mirë në Gjermani? Në asnjë mënyrë! Gjatë përndjekjes, vëllezërit tanë e vazhduan veprën e predikimit në fshehtësi. Pas rënies së regjimit nazist, ata e përdorën lirinë e tyre për të vazhduar predikimin. Sot, në Gjermani, ka më shumë se 165.000 lajmëtarë të Mbretërisë. Edhe njëherë, ‘Ai që sjell shpëtim’ ka vepruar pikërisht siç kishte premtuar: «Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses.»

7 Historia e sotme e Dëshmitarëve të Jehovait jep prova se Jehovai nuk do ta lejojë kurrë shfarosjen e popullit të tij si grup. (Psal. 116:15) Po si individë, a do të na mbrojë Jehovai? Në ç’mënyrë i siguron shpëtim Jehovai secilit prej nesh?

A na siguron mbrojtje fizike?

8, 9. (a) Si e dimë se tani nuk na garantohet mbrojtje fizike? (b) Çfarë duhet të pranojmë me realizëm?

8 Secili prej nesh e di se tani nuk na garantohet mbrojtje fizike. Prapëseprapë, mbajmë të njëjtin qëndrim që shprehën edhe tre hebrenjtë besnikë që nuk pranuan të përkuleshin para shëmbëlltyrës prej ari të mbretit Nabukodonosor. Ata të rinj që i frikësoheshin Perëndisë, nuk prisnin që Jehovai të bënte mrekulli duke u siguruar mbrojtje fizike. (Lexo Danielin 3:17, 18.) Megjithatë, siç rrodhën ngjarjet, Jehovai i shpëtoi vërtet nga furra e zjarrtë. (Dan. 3:21-27) Por, edhe në kohët biblike, çlirimi në mënyrë të mrekullueshme ishte diçka që ndodhte rrallë. Shumë shërbëtorë besnikë të Jehovait janë vrarë nga kundërshtarët.​—Hebr. 11:35-37.

9 Po sot? Duke qenë ‘Ai që sjell shpëtim’, Jehovai sigurisht që mund t’i çlirojë individët nga situata të rrezikshme. A mund të themi prerë nëse Jehovai ka ndërhyrë apo jo në raste të veçanta? Jo. E megjithatë, dikush që ka shpëtuar nga një situatë e rrezikshme mund të mendojë që Jehovai ka ndërhyrë. Nuk u takon të tjerëve të vënë në dyshim mendimin e tij. Në të njëjtën kohë, duhet të pranojmë me realizëm që shumë të krishterë besnikë kanë vdekur nga përndjekja, siç ndodhi në kohën e nazizmit. Kurse të tjerë kanë vdekur në rrethana tragjike. (Ekl. 9:11) Mund të pyesim: «Vallë nuk arriti dot Jehovai të ishte ‘Ai që sjell shpëtim’ për këta besnikë të cilët humbën jetën?» Nuk është aspak e vërtetë.

10, 11. Pse njeriu është i pafuqishëm përballë vdekjes, por ç’mund të bëjë Jehovai në këtë drejtim?

10 Le të mendojmë pak: njeriu është i pafuqishëm përballë vdekjes, pasi askush nuk ‘mund ta shpëtojë shpirtin e vet nga dora e Sheolit’ ose Hadesit, pra varrit të përbashkët të njerëzimit. (Psal. 89:48) Po Jehovai? Një motër që mbijetoi nga tmerri i nazizmit sjell ndër mend çfarë i tha njëherë e ëma Dëshmitare që ta ngushëllonte për humbjen e të afërmve në kampet e përqendrimit: «Nëse vdekja do ta mbante përjetësisht njerëzimin nën darën e saj, i bie të jetë më e fortë se Perëndia, apo jo?» Sigurisht, vdekja as që mund të krahasohet me Burimin e plotfuqishëm të jetës! (Psal. 36:9) Të gjithë ata që gjenden në Sheol, ose Hades, janë në kujtesën e Jehovait dhe ai do t’i sigurojë shpëtimin secilit prej tyre një më një.—Luka 20:37, 38; Zbul. 20:11-14.

11 Ndërkohë, Jehovai kujdeset vërtet për adhuruesit e tij besnikë në ditët e sotme. Le të shohim tri mënyra që tregojnë se Jehovai është pa dyshim ‘Ai që na sjell shpëtim’.

Na mbron nga ana frymore

12, 13. Pse është diçka parësore mbrojtja frymore dhe si na e siguron Jehovai këtë mbrojtje?

12 Jehovai na siguron mbrojtje frymore, që është diçka parësore. Si të krishterë të vërtetë, e kuptojmë se ka diçka më me vlerë sesa jeta e tanishme. Gjëja më e çmuar për ne është marrëdhënia me Jehovain. (Psal. 25:14; 63:3) Pa këtë marrëdhënie jeta jonë sot nuk do të kishte kuptim dhe e ardhmja jonë do të ishte e pashpresë.

13 Jemi të lumtur që Jehovai na jep gjithë ndihmën e duhur për të mbajtur një marrëdhënie të ngushtë me të. Kemi Fjalën e tij, frymën e shenjtë dhe kongregacionin mbarëbotëror. Si mund të përfitojmë sa më shumë nga kjo ndihmë? Duke e studiuar rregullisht dhe me zell Fjalën e tij, do të forcojmë besimin dhe shpresën për të ardhmen. (Rom. 15:4) Duke u lutur me gjithë shpirt për frymën e tij, do të marrim ndihmën e duhur që t’i rezistojmë tundimit për t’u përfshirë në sjellje të diskutueshme. (Luka 11:13) Duke ndjekur drejtimin që na jep klasa e skllavit nëpërmjet botimeve të bazuara në Bibël, mbledhjeve, asambleve dhe kongreseve, do të marrim «ushqim [frymor] në kohën e duhur». (Mat. 24:45) Këto masa na mbrojnë nga ana frymore dhe na ndihmojnë të qëndrojmë afër me Perëndinë.—Jak. 4:8.

14. Tregoni një përvojë që nxjerr në pah si na mbron Jehovai nga ana frymore.

14 Për të kuptuar si na mbron Jehovai frymësisht, të mendojmë pak për prindërit që përmendëm në fillim të artikullit të mëparshëm. Pak ditë pasi u njoftua zhdukja e vajzës së tyre, Terezës, ata morën një lajm tronditës: e kishin vrarë. * I ati kujton: «I isha lutur Jehovait që ta mbronte. Kur ajo u gjend e vrarë, duhet ta pranoj se në fillim pyetja veten pse lutjet e mia nuk kishin gjetur përgjigje. Natyrisht, e di që Jehovai nuk siguron mbrojtje në mënyrë të mrekullueshme për çdo individ të popullit të tij. Vazhdova të lutesha për kuptueshmëri. U ngushëllova në njohurinë që Jehovai mbron popullin e tij frymësisht, domethënë, ai siguron atë që na nevojitet për ta ruajtur marrëdhënien tonë me të. Kjo lloj mbrojtjeje është më e rëndësishmja, sepse mund të ndikojë në të ardhmen tonë të përhershme. Në atë kuptim, Jehovai patjetër që e mbrojti Terezën; ajo po i shërbente Jehovait besnikërisht në kohën e vdekjes së saj. Kam gjetur paqe duke ditur se mundësia që ajo të jetojë përsëri është në duart e tij të dashura.»

Na mbështet kur jemi sëmurë

15. Në ç’mënyra mund të na ndihmojë Jehovai kur vuajmë nga një sëmundje e rëndë?

15 Jehovai mund të na mbështetë «në shtratin e lëngatës», ashtu siç bëri edhe me Davidin. (Psal. 41:3) Megjithëse në ditët tona Jehovai nuk na shpëton duke na shëruar si me mrekulli, në të vërtetë ai na ndihmon. Si? Parimet që gjejmë në Fjalën e tij mund të na ndihmojnë të marrim vendime të mençura për sa i përket trajtimit mjekësor ose çështjeve të tjera. (Prov. 2:6) Mund të mbledhim informacione të dobishme dhe sugjerime praktike nga artikujt e botuar në revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! që trajtojnë atë problem shëndetësor që kemi. Me anë të frymës së tij, Jehovai mund të na japë ‘fuqi përtej asaj që është normale’ që të përballojmë problemin dhe të ruajmë integritetin, pavarësisht nga ajo që mund të ndodhë. (2 Kor. 4:7) Kjo mund të na ndihmojë të mos i kushtojmë më tepër vëmendje sëmundjes sesa marrëdhënies me Jehovain.

16. Si ka arritur një vëlla të përballojë sëmundjen?

16 Le të shohim rastin e vëllait në moshë të re që përmendëm në fillim të artikullit të mëparshëm. Në vitin 1998, ai u diagnostikua me sklerozë amiotrofike laterale, ose ALS, që e la tërësisht të paralizuar. * Si ka arritur ta përballojë këtë sëmundje? Ai shpjegon: «Ka pasur momente dhembjesh dhe dëshpërimi kur mendoja se vetëm po të vdisja do të shpëtoja. Sa herë më pushton dëshpërimi, i lutem Jehovait të më japë tri gjëra: një zemër të qetë, durim dhe qëndrueshmëri. Ndjej se Jehovai u është përgjigjur këtyre lutjeve. Zemra e qetë më ndihmon ta mbaj mendjen te gjërat që më ngushëllojnë, për shembull imagjinoj botën e re kur do të mund të eci, të shijoj një drekë të mirë dhe të flas me familjen time përsëri. Durimi më ndihmon të përballoj mundimet dhe vështirësitë e paralizës, kurse qëndrueshmëria që të qëndroj besnik dhe të mos humbas ekuilibrin frymor. Ndihem njëlloj si psalmisti David, pasi e di se Jehovai më ka mbështetur në shtratin e lëngatës.»—Isa. 35:5, 6.

Na plotëson nevojat

17. Çfarë ka premtuar Jehovai të bëjë për ne dhe çfarë do të thotë ky premtim?

17 Jehovai premton të kujdeset për ne nga ana materiale. (Lexo Mateun 6:33, 34 dhe Hebrenjve 13:5, 6.) Kjo nuk do të thotë që sigurimin e nevojave tona materiale t’ia lëmë rastësisë ose që të mos punojmë. (2 Sel. 3:10) Por kjo do të thotë që mund të kemi besim se Jehovai do të na ndihmojë të sigurojmë gjërat e domosdoshme, nëse kërkojmë në radhë të parë Mbretërinë e Perëndisë dhe jemi gati të punojmë për të siguruar jetesën. (1 Sel. 4:11, 12; 1 Tim. 5:8) Ai mund të na i sigurojë në mënyra që nuk na i merr mendja, për shembull nëpërmjet një të bashkëkrishteri që na vjen në ndihmë ose na gjen punë.

18. Tregoni një përvojë që nxjerr në pah se Jehovai mund të na ndihmojë në kohë nevoje.

18 Mendoni pak për nënën e vetme për të cilën folëm në fillim të artikullit të mëparshëm. Kur bashkë me vajzën u transferuan në një zonë tjetër, e kishte të vështirë të gjente punë. Ajo shpjegon: «Paradite dilja në shërbim, kurse pasditen e kaloja duke kërkuar punë. Më kujtohet një ditë kur hyra në një ushqimore për të blerë qumësht. Rrija e shihja perimet, por s’më dilnin paratë. S’isha ndjerë kurrë aq keq. Kur u ktheva nga dyqani, në verandën pas shtëpisë gjeta qese të mbushura me lloj-lloj perimesh. Me to mund të shkonim muaj të tërë. Qava dhe falënderova Jehovain.» Shpejt, kjo motër mori vesh se ato perime ia kishte sjellë një vëlla i kongregacionit që i rriste në bahçen e tij. Më vonë ajo i shkroi në një letër: «Përveç teje, atë ditë falënderova shumë edhe Jehovain që përdori dashamirësinë tënde për të më kujtuar se më do fort.»—Prov. 19:17.

19. Çfarë besimi do të kenë shërbëtorët e Jehovait gjatë shtrëngimit të madh dhe për çfarë duhet të jemi të vendosur tani?

19 Qartë, ajo që Jehovai ka bërë në kohët biblike dhe në kohët tona na jep arsye për të pasur besim se është Ndihma jonë. Së shpejti, kur të vijë shtrëngimi i madh mbi botën e Satanait, do të kemi nevojë për ndihmën e Jehovait më shumë se kurrë. Edhe në atë kohë, shërbëtorët e Jehovait do të shpresojnë tek ai me besim të plotë. Ata do të mund të ngrenë kokat lart dhe të gëzojnë, duke ditur se çlirimi është afër. (Luka 21:28) Ndërkohë, pavarësisht nga sprovat që mund të hasim, le të jemi të vendosur për të besuar te Jehovai, me siguri të plotë se Perëndia ynë i pandryshueshëm është vërtet ‘Ai që sjell shpëtim’.

[Shënimet]

A ju kujtohet?

• Si mund t’i shpëtojë Jehovai ata që kanë humbur jetën?

• Pse mbrojtja frymore është diçka parësore?

• Çfarë do të thotë premtimi i Jehovai se do të kujdeset për ne nga ana materiale?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 8]

Të arrestuar në vitin 1918, vëlla Radhërfordi dhe bashkëpunëtorët e tij u liruan më vonë dhe akuzat kundër tyre ranë

[Figura në faqen 10]

Jehovai mund të na mbështetë «në shtratin e lëngatës»