Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të mbajmë «një litar tresh» në martesë

Të mbajmë «një litar tresh» në martesë

Të mbajmë «një litar tresh» në martesë

«Një litar tresh nuk mund të këputet shpejt më dysh.»—EKL. 4:12.

1. Kush e bashkoi çiftin e parë njerëzor në martesë?

PASI krijoi bimët dhe kafshët, Perëndia Jehova formoi njeriun e parë, Adamin. Më vonë, Perëndia e vuri Adamin në gjumë të thellë dhe nga një brinjë e tij krijoi një ndihmëse të përsosur. Sapo e pa, Adami tha: «Kjo është më në fund kockë e kockave të mia dhe mish i mishit tim.» (Zan. 1:27; 2:18, 21-23) I kënaqur me atë që krijoi, Jehovai e bashkoi çiftin e parë njerëzor në martesë dhe e bekoi.—Zan. 1:28; 2:24.

2. Si futi përçarje Satanai midis Adamit dhe Evës?

2 Mjerisht, shumë shpejt martesa e themeluar nga Perëndia u bë objekt sulmi. Në ç’mënyrë? Një frymë e ligë, që u quajt Satana, e mashtroi Evën që të hante nga e vetmja pemë që i ishte ndaluar çiftit. Pas kësaj, Adami u bashkua me gruan në atë që u shndërrua në një rebelim kundër sundimit të ligjshëm dhe udhëheqjes së mirë të Perëndisë. (Zan. 3:1-7) Kur Jehovai e pyeti çiftin se çfarë kishin bërë, u duk qartë se marrëdhënia e tyre tashmë ishte tendosur. Adami ia vuri fajin gruas duke thënë: «Gruaja që më dhe, ajo më dha nga fryti i pemës, dhe unë hëngra.»—Zan. 3:11-13.

3. Ç’pikëpamje të gabuar zhvilluan disa judenj?

3 Edhe shekuj më pas Satanai ka përdorur shumë metoda dinake për të nxitur përçarje midis bashkëshortëve. Për shembull, hera-herës ai ka përdorur udhëheqës fetarë për të përhapur një pikëpamje jobiblike për martesën. Disa udhëheqës judenj ua ulnin vlerën normave të Perëndisë duke i lejuar burrat të divorcoheshin nga gratë për gjëra të tilla të parëndësishme si teprimi i kripës në ushqim. Por Jezui theksoi: «Kushdo që divorcohet nga gruaja, përveç rastit kur ajo kryen kurvëri, dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje.»—Mat. 19:9.

4. Si po e sulmon Satanai martesën në ditët e sotme?

4 Satanai ende vazhdon të përpiqet të prishë lidhjen martesore. Martesat mes homoseksualëve, bashkëjetesat mes të pamartuarve dhe divorcet që bëhen kollaj, tregojnë se ai po korr shumë sukses në këtë drejtim. (Lexo Hebrenjve 13:4.) Si të krishterë, ç’mund të bëjmë që të mos ndikohemi nga pikëpamja e shtrembëruar që mbizotëron për martesën? Le të shqyrtojmë disa veçori të një martese të lumtur e të suksesshme.

Ta bëjmë Jehovain pjesë të martesës

5. Çfarë do të thotë shprehja «litar tresh» për sa i përket martesës?

5 Që një martesë të shkojë mbarë, është e nevojshme që në këtë lidhje të përfshihet Jehovai. Në Fjalën e tij thuhet: «Një litar tresh nuk mund të këputet shpejt më dysh.» (Ekl. 4:12) Shprehja «litar tresh» është e figurshme. Kur kjo shprehje zbatohet për martesën, ajo përfshin burrin e gruan, dy fijet e para, që ndërthuren me fillin qendror, Perëndinë Jehova. Kur një çift është i bashkuar me Perëndinë, merr forcë frymore për të përballuar problemet, dhe ky është çelësi për të arritur lumturinë më të madhe në martesë.

6, 7. (a) Ç’mund të bëjnë të krishterët për t’u siguruar që Perëndia të jetë pjesë e martesës së tyre? (b) Çfarë vlerëson një motër te burri i saj?

6 Por, çfarë mund të bëjë një çift i martuar për t’u siguruar që martesa të jetë si një litar i tillë tresh? Psalmisti David këndoi: «O Perëndia im, unë kënaqem kur bëj vullnetin tënd, dhe ligji yt është thellë brenda meje.» (Psal. 40:8) Në mënyrë të ngjashme, dashuria jonë për Perëndinë na nxit t’i shërbejmë me një zemër të plotë. Kështu, të dy bashkëshortët duhet të kultivojnë një marrëdhënie të ngushtë personale me Jehovain dhe të gjejnë kënaqësi duke bërë vullnetin e tij. Gjithashtu, bashkëshortët duhet të bëjnë çmos të forcojnë edhe dashurinë e njëri-tjetrit për Perëndinë.—Prov. 27:17.

7 Nëse ligji i Perëndisë është vërtet thellë brenda nesh, do të shfaqim cilësi të tilla si besimi, shpresa e dashuria, dhe këto do të na ndihmojnë të forcojmë lidhjen martesore. (1 Kor. 13:13) Sandra, një e krishterë e martuar prej 50 vjetësh, thotë: «Ato që vlerësoj më shumë te burri im, janë drejtimi dhe këshillat e tij frymore, si edhe dashuria e tij për Jehovain e cila është më e fortë se dashuria e tij për mua.» Burra, a mund të thuhen të njëjtat fjalë edhe për ju?

8. Çfarë duhet për të marrë «një shpërblim të mirë» në martesë?

8 Po për ju si çift, a janë marrëdhënia me Jehovain dhe aktivitetet frymore gjërat më të rëndësishme në jetën tuaj? Për më tepër, a e shihni njëri-tjetrin si bashkëpunëtorë në shërbim të Jehovait? (Zan. 2:24) Mbreti i mençur Solomon shkroi: «Dy janë më mirë se një, sepse kanë një shpërblim të mirë për mundin e tyre.» (Ekl. 4:9) Vërtet, burri dhe gruaja duhet të bëjnë çmos që të marrin «një shpërblim të mirë», domethënë një lidhje martesore të gjatë e të dashur që ka bekimin e Perëndisë.

9. (a) Çfarë përgjegjësish kanë burrat? (b) Si duhet ta trajtojë burri gruan sipas Kolosianëve 3:19?

9 Diçka që tregon nëse Perëndia është pjesë e një martese ose jo, është përpjekja që burri dhe gruaja bëjnë për të plotësuar kërkesat e Tij. Burrat kanë përgjegjësinë kryesore të plotësojnë nevojat materiale dhe frymore të familjes. (1 Tim. 5:8) Ata inkurajohen të jenë edhe të vëmendshëm ndaj nevojave emocionale të gruas. Te Kolosianëve 3:19 lexojmë: «Ju, burra, vazhdoni t’i doni gratë tuaja e mos jini të zemëruar hidhtas me to.» Një studiues biblik shpjegonte se shprehja «të zemëruar hidhtas» do të thotë «t’u flasësh ose t’i godasësh me fjalë të hidhura, të mos u tregosh përzemërsi e kujdes, dhe të mos u sigurosh nevojat e domosdoshme, mbrojtje dhe ndihmë». Qartë, një sjellje e tillë do të ishte e papërshtatshme në një familje të krishterë. Një burrë që e ushtron kryesinë me dashuri, e nxit gruan të jetë më e gatshme për t’u nënshtruar.

10. Çfarë qëndrimi duhet të shfaqin gratë e krishtere?

10 Edhe gratë e krishtere që përpiqen ta bëjnë Jehovain pjesë të martesës, duhet të plotësojnë kërkesat e Perëndisë. Apostulli Pavël shkroi: «Gratë le të jenë të nënshtruara ndaj burrave të tyre, si ndaj Zotërisë, sepse burri është kreu i gruas së tij, ashtu si edhe Krishti është kreu i kongregacionit.» (Efes. 5:22, 23) Satanai e mashtroi Evën, duke sajuar gënjeshtrën se pavarësia nga Perëndia do të sillte lumturi të përhershme. Siç e dimë, kjo frymë pavarësie tani shihet në shumë martesa. Por për gratë që i frikësohen Perëndisë, t’u nënshtrohen kreut të tyre të dashur nuk është fyese. Ato nuk harrojnë se Jehovai e caktoi Evën si «plotësim» për burrin e saj, një rol që Perëndia e konsideronte të nderuar. (Zan. 2:18) Një grua e krishterë që e pranon vullnetarisht këtë rol, është vërtet «kurorë» për burrin e saj.—Prov. 12:4.

11. Në ç’përfundim arriti një vëlla në lidhje me martesën e tij?

11 Diçka tjetër që e ndihmon një çift ta bëjë Perëndinë pjesë të martesës, është studimi i Biblës së bashku. Xheraldi, që prej 55 vjetësh ka pasur një martesë të lumtur, thotë: «Përbërësi më i rëndësishëm i një martese të suksesshme, është leximi dhe studimi i Biblës së bashku.» Ai shton: «Kur bëjnë gjëra së bashku, sidomos gjëra frymore, bashkëshortët afrohen më shumë me njëri-tjetrin dhe me Jehovain.» Studimi i Biblës së bashku e ndihmon familjen t’i mbajë mirë parasysh normat e Jehovait, të forcojë marrëdhënien me të dhe të përparojë vazhdimisht nga ana frymore.

12, 13. (a) Pse është kaq e rëndësishme që bashkëshortët të luten së bashku? (b) Çfarë aktivitetesh të tjera frymore e forcojnë martesën?

12 Gjithashtu, çiftet që kanë një martesë të lumtur, luten së bashku. Kur një burrë ‘ia zbraz zemrën’ Perëndisë duke i bërë kërkesa specifike për situatën e tyre, kjo veçse forcon lidhjen e tyre martesore. (Psal. 62:8) Për shembull, do ta keni më të lehtë të kapërceni çdo mosmarrëveshje me bashkëshortin pasi i jeni lutur së bashku të Plotfuqishmit për drejtim. (Mat. 6:14, 15) Në përputhje me lutjen, sa mirë do të ishte që bashkëshortët të jenë të vendosur të ndihmojnë njëri-tjetrin e ‘të vazhdojnë të durojnë dhe të falin bujarisht njëri-tjetrin’. (Kolos. 3:13) Kini parasysh që lutja tregon se mbështeteni te Perëndia. Mbreti David tha: «Nga ti shohin me shpresë të gjithë.» (Psal. 145:15) Kur ‘shohim me shpresë’ nga Perëndia duke u lutur, jemi më pak në ankth pasi e dimë se ‘ai interesohet për ne’.—1 Pjet. 5:7.

13 Një mënyrë tjetër e rëndësishme për ta bërë Jehovain pjesë të martesës, është duke ndjekur mbledhjet e kongregacionit dhe duke dalë bashkë në shërbim. Në mbledhje, çiftet mësojnë si të luftojnë kundër «intrigave» që Satanai përdor për të përçarë familjet. (Efes. 6:11) Dhe, kur burri e gruaja dalin bashkë rregullisht në shërbim, mësojnë ‘të bëhen të palëkundur e të patundur’.—1 Kor. 15:58.

Kur lindin vështirësi

14. Cilët faktorë mund të krijojnë stres në martesë?

14 Sigurisht, sugjerimet e mësipërme mund të tingëllojnë të dëgjuara, por pse të mos diskutoni hapur për to me bashkëshortin tuaj? Shihni nëse keni nevojë t’i zbatoni në mënyrë më të plotë në martesën tuaj. Megjithatë, Bibla tregon se edhe ata që e kanë bërë Perëndinë pjesë të martesës, «do të kenë shtrëngim në mish». (1 Kor. 7:28) Për shkak të papërsosmërive njerëzore, ndikimit të keq të kësaj bote rebele dhe grackave të Djallit, edhe në martesat e shërbëtorëve besnikë të Perëndisë mund të ketë stres të madh. (2 Kor. 2:11) Por Jehovai mund të na ndihmojë ta përballojmë këtë stres. Po, nuk është e pamundur. Njeriu besnik Job humbi bagëtinë, shërbëtorët dhe fëmijët. Prapëseprapë Bibla thotë për të: «Në të gjitha këto, Jobi nuk mëkatoi dhe nuk fajësoi në asnjë mënyrë Perëndinë.»—Jobi 1:13-22.

15. Si mund të reagojnë njerëzit nga stresi dhe cila është zgjidhja më e mirë në këto raste?

15 Kurse e shoqja i tha Jobit: «Akoma e mban të patundur integritetin?! Mallko Perëndinë dhe vdis!» (Jobi 2:9) Vërtet, në rast tragjedie ose kur lindin situata të vështira, dikush mund të veprojë në mënyrë të paarsyeshme nga gjendja emocionale e trazuar. «Shtypja mund ta bëjë të mençurin të veprojë çmendurisht»,—thotë një njeri i mençur. (Ekl. 7:7) Nëse bashkëshorti ju fshikullon me fjalë lënduese për shkak të vështirësive ose ‘shtypjes’, përpiquni të ruani qetësinë. Një përgjigje në të njëjtën mënyrë mund ta shtyjë njërin prej jush ose të dy bashkë të thoni diçka që mund ta përkeqësojë situatën. (Lexo Psalmin 37:8.) Kështu që mos ia vini veshin çdo ‘fjale të rrëmbyer’ që ndoshta vjen nga zemërimi ose shkurajimi.—Jobi 6:3.

16. (a) Si lidhen me martesën fjalët e Jezuit te Mateu 7:1-5? (b) Pse është shumë e rëndësishme të jesh i ekuilibruar në martesë?

16 Bashkëshortët nuk duhet të presin nga njëri-tjetri më shumë seç duhet. Njëri prej tyre mund të vërejë disa huqe te tjetri dhe të mendojë: «Unë mund ta ndryshoj.» Me dashuri dhe durim mund të jeni në gjendje ta ndihmoni bashkëshortin të ndryshojë dalëngadalë. Po mos harroni se Jezui e krahasoi atë që kapet pas të metave të vogla të dikujt, me njeriun që sheh «lëmishten» në syrin e vëllait, por nuk vëren «traun» në syrin e vet. Jezui na nxiti: «Mos i gjykoni më të tjerët, që të mos gjykoheni.» (Lexo Mateun 7:1-5.) Kjo nuk do të thotë që të metat serioze duhen shpërfillur. Roberti, i martuar prej rreth 40 vjetësh, tha: «Mund të kërkohen ndryshime në qëndrimin e bashkëshortëve, që të arrijnë të jenë të sinqertë me njëri-tjetrin dhe gati për të pranuar vërejtjet me vend.» Kështu që jini të ekuilibruar. Në vend që ta vritni mendjen për cilësitë që do të dëshironit te bashkëshorti, mësoni të vlerësoni dhe të kënaqeni me cilësitë e mira që ai tashmë ka.—Ekl. 9:9.

17, 18. Ku mund të drejtoheni për ndihmë kur problemet shtohen?

17 Mund të lindin sprova kur rrethanat ndryshojnë. Çifti mund të hasë vështirësi kur bëhet me fëmijë. Një nga bashkëshortët ose një fëmijë mund të sëmuret rëndë. Prindërit e moshuar mund të kenë nevojë për kujdes të veçantë. Kur rriten, fëmijët mund të shkojnë për të jetuar larg shtëpisë. Ose mund të ndodhin ndryshime si rrjedhojë e privilegjeve dhe përgjegjësive teokratike. Të gjitha këto ndryshime mund të krijojnë stres dhe ankth në martesë.

18 Po nëse, nga stresi në martesë, ndiheni sikur keni arritur aty ku s’mbani më, çfarë mund të bëni? (Prov. 24:10) Mos u dorëzoni! Satanai s’dëshiron gjë tjetër veçse që një shërbëtor i Perëndisë të largohet nga adhurimi i pastër. E kënaqet edhe më shumë nëse largohet një çift. Prandaj, bëni çmos për t’u siguruar që martesa juaj të mbetet një litar tresh. Bibla përmban mjaft tregime të atyre që qëndruan besnikë pavarësisht nga sprovat e vështira. Për shembull, njëherë, duke i hapur zemrën Jehovait, Davidi tha: «Jepmë hir, o Perëndi, se vdekatari . . . më shtyp vazhdimisht.» (Psal. 56:1) A jeni ndier ndonjëherë të shtypur nga njeriu ‘vdekatar’? Pavarësisht nëse stresi vjen nga larg ose nga dikush që e keni afër, mos harroni: Davidi e gjeti forcën për të mos u dorëzuar, e po kështu mund ta gjeni edhe ju. Ai tha: «E kërkova Jehovain, dhe ai m’u përgjigj e më çliroi nga çdo frikë.»—Psal. 34:4.

Bekime të tjera

19. Në ç’mënyrë mund të mbrohemi nga sulmet e Satanait?

19 Në këto kohë të fundit, është e nevojshme që bashkëshortët ‘të vazhdojnë të ngushëllojnë njëri-tjetrin dhe të ndërtojnë njëri-tjetrin’. (1 Sel. 5:11) Mos harroni, Satanai pohon se i qëndrojmë besnikë Jehovait nga egoizmi. Ai do të përdorë çdo gjë të mundshme, madje edhe prishjen e martesës, për të thyer integritetin tonë ndaj Perëndisë. Për t’u mbrojtur nga sulmet e Satanait, duhet të kemi besim të plotë te Jehovai. (Prov. 3:5, 6) Pavli shkroi: «Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.»—Filip. 4:13.

20. Çfarë bekimesh vijnë kur Perëndia është pjesë e një martese?

20 Bekimet që vijnë kur Perëndia është pjesë e një martese, janë të shumta. Këtë sigurisht e vërteton martesa 51-vjeçare e Joelit dhe gruas së tij. Ai thotë: «E falënderoj Jehovain vazhdimisht për gruan time dhe shoqërinë e gëzuar që kemi me njëri-tjetrin. Ajo ka qenë një bashkëshorte ideale.» Cili është sekreti i tyre? «Jemi përpjekur gjithmonë të tregojmë dashamirësi, durim dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit.» Askush prej nesh nuk do të arrijë t’i shfaqë në mënyrë të përsosur këto cilësi në këtë sistem. Megjithatë, le të përpiqemi fort të zbatojmë parimet biblike dhe të vazhdojmë ta bëjmë Jehovain pjesë të martesës. Nëse veprojmë kështu, atëherë martesa jonë do të jetë si «një litar tresh [që] nuk mund të këputet shpejt më dysh».—Ekl. 4:12.

A ju kujtohet?

• Çfarë do të thotë ta bëjmë Jehovain pjesë të martesës?

• Çfarë duhet të bëjnë bashkëshortët kur lindin vështirësi?

• Si kuptohet nëse Perëndia është pjesë e një martese?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 18]

Nëse çiftet luten së bashku, kjo i ndihmon të përballojnë situatat e vështira