Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A jeni të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit?

A jeni të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit?

A jeni të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit?

«Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit.»​—ROM. 12:10.

1. Çfarë gjëje nuk është më e zakonshme në shumë vende të botës?

NË DISA vende të botës, është zakon që fëmijët të nderojnë të rriturit duke u ulur në gjunjë në shenjë respekti kur janë në prezencë të tyre. Në këtë mënyrë, nuk duken më të gjatë se ata që janë më të rritur. Në këto vende, konsiderohet si mungesë respekti kur një fëmijë i kthen kurrizin një të rrituri. Megjithëse respekti në shumë kultura tregohet në mënyra të ndryshme, këto zakone na kujtojnë Ligjin e Moisiut. Aty përfshihej edhe urdhri: «Duhet të ngrihesh në këmbë para flokëzbardhurit [në shenjë respekti]. Trego nderim për të moshuarin.» (Lev. 19:32) Mjerisht, në shumë vende nderimi i të tjerëve nuk është më i zakonshëm. Në të vërtetë, gjithandej sheh mungesë respekti.

2. Cilët duhet të nderojmë sipas asaj që na urdhëron Fjala e Perëndisë?

2 Fjala e Perëndisë i jep shumë rëndësi faktit që duhet të nderojmë të tjerët. Ajo na thotë të nderojmë Jehovain dhe Jezuin. (Gjoni 5:23) Gjithashtu na urdhëron të nderojmë pjesëtarët e familjes, bashkëbesimtarët, si edhe disa jashtë kongregacionit. (Rom. 12:10; Efes. 6:1, 2; 1 Pjet. 2:17) Cilat janë disa mënyra me anë të të cilave tregojmë se nderojmë Jehovain? Si tregojmë nderim, ose respekt të thellë, ndaj motrave dhe vëllezërve të krishterë? Le të shqyrtojmë këto pyetje dhe të tjera që lidhen me to.

Të nderojmë Jehovain dhe emrin e tij

3. Cila është një mënyrë e rëndësishme për të nderuar Jehovain?

3 Një mënyrë e rëndësishme për të nderuar Jehovain është duke treguar respektin e duhur për emrin e tij. Në fund të fundit, ne jemi «një popull për emrin e tij». (Vep. 15:14) Është vërtet një nder të mbash emrin e Jehovait, Perëndisë së plotfuqishëm. Profeti Mikea tha «Të gjithë popujt do të ecin secili në emër të perëndisë së vet, kurse ne do të ecim në emër të Jehovait, Perëndisë tonë, në jetë të jetëve, po, përgjithmonë.» (Mik. 4:5) Ne «ecim në emër të Jehovait» duke u përpjekur të jetojmë çdo ditë në një mënyrë që pasqyron si duhet emrin që mbajmë. Siç u kujtoi Pavli të krishterëve në Romë, nëse nuk jetojmë në përputhje me lajmin e mirë që predikojmë, emri i Perëndisë «blasfemohet», domethënë humbet reputacionin e mirë.​—Rom. 2:21-24.

4. Si e konsideroni privilegjin e dhënies së dëshmisë për Jehovain?

4 Gjithashtu, nderojmë Jehovain me anë të veprës së predikimit. Në të kaluarën, Jehovai i ftoi pjesëtarët e kombit të Izraelit të ishin dëshmitarët e tij, por ata nuk arritën ta përmbushnin këtë rol. (Isa. 43:1-12) Shpesh i kthyen shpinën Jehovait dhe «i shkaktuan dhembje të Shenjtit të Izraelit». (Psal. 78:40, 41) Në fund, kombi e humbi fare miratimin e Jehovait. Kurse ne sot jemi mirënjohës që kemi privilegjin të japim dëshmi për Jehovain dhe të bëjmë të njohur emrin e tij. Dhe këtë e bëjmë ngaqë e duam dhe dëshirojmë fort që emri i tij të shenjtërohet. Si mund të rrimë pa predikuar kur dimë të vërtetën për Atin tonë qiellor dhe qëllimet e tij? Ndihemi si apostulli Pavël që tha: «Është një nevojë që më është ngarkuar. Në të vërtetë, mjerë unë, po të mos e shpall lajmin e mirë!»​—1 Kor. 9:16.

5. Si lidhet besimi te Jehovai me respektin ndaj tij?

5 Psalmisti David pohoi: «Ata që e njohin emrin tënd, do të kenë besim te ti, sepse ti, o Jehova, nuk do t’i braktisësh ata që të kërkojnë.» (Psal. 9:10) Nëse e njohim vërtet Jehovain dhe tregojmë respekt për të, do të kemi besim tek ai pikërisht si shërbëtorët e tij besnikë në të kaluarën. Ky besim te Jehovai është një mënyrë tjetër se si i tregojmë nderim. Vini re se si e lidh Fjala e Perëndisë besimin te Jehovai me respektin ndaj tij. Kur populli i lashtë i Izraelit humbi besimin te Jehovai, Ai e pyeti Moisiun se deri kur do ta përbuznin, domethënë nuk do ta respektonin, dhe ‘deri kur nuk do të kishin besim tek Ai pas gjithë atyre shenjave që kreu mes tyre’. (Num. 14:11) Edhe e kundërta është e vërtetë. Duke besuar te Jehovai për mbrojtje dhe ndihmë, edhe gjatë sprovave, tregojmë se e respektojmë.

6. Çfarë na shtyn të tregojmë respekt të thellë për Jehovain?

6 Jezui tregoi se respekti për Jehovain duhet të vijë nga zemra. Duke folur për ata që adhuronin në mënyrë jo të sinqertë, Jezui citoi fjalët e Jehovait: «Ky popull më nderon me buzë, e megjithatë zemra e tyre është larguar shumë nga unë.» (Mat. 15:8) Respekti i sinqertë për Jehovain buron nga dashuria e vërtetë për të. (1 Gjoni 5:3) Gjithashtu kemi parasysh premtimin e Jehovait: «Unë do të nderoj ata që më nderojnë.»​—1 Sam. 2:30.

Ata që marrin drejtimin i respektojnë të tjerët

7. (a) Pse vëllezërit me përgjegjësi duhet t’i nderojnë ata që kanë në mbikëqyrje? (b) Si tregoi respekt Pavli për të bashkëkrishterët?

7 Apostulli Pavël i këshilloi të bashkëkrishterët: «Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit.» (Rom. 12:10) Vëllezërit me përgjegjësi në kongregacion duhet të lënë shembullin e mirë​—‘të jenë të parët’​—për t’u treguar nderim atyre që kanë në mbikëqyrje. Në këtë drejtim, ata që kanë përgjegjësi serioze bëjnë mirë të ndjekin shembullin e Pavlit. (Lexo 1 Selanikasve 2:7, 8.) Vëllezërit në kongregacionet që vizitoi Pavli, e dinin se ai nuk do t’u kërkonte kurrë të bënin gjëra që ai vetë nuk ishte i gatshëm t’i bënte. Pavli tregoi respekt për bashkëbesimtarët dhe kështu fitoi respektin e tyre. Kur Pavli tha «ju përgjërohem, pra, bëhuni imituesit e mi», mund të jemi të sigurt se shumë u bindën me gatishmëri për shkak të shembullit të tij të shkëlqyer.​—1 Kor. 4:16.

8. (a) Cila ishte një mënyrë e rëndësishme se si Jezui tregoi respekt për dishepujt? (b) Si mund ta ndjekin shembullin e Jezuit mbikëqyrësit e sotëm?

8 Një mënyrë tjetër se si një vëlla me përgjegjësi nderon ata që ka në mbikëqyrje, është duke u dhënë arsye për atë që kërkon ose për drejtimin që jep. Duke vepruar kështu, ai imiton Jezuin. Për shembull, kur po u thoshte dishepujve të luteshin që të dërgoheshin më shumë punëtorë në veprën e korrjes, Jezui u tregoi arsyen. Ai tha: «Të korrat janë të mëdha, por punëtorët janë pak. Prandaj lutjuni Zotërisë të të korrave, që të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.» (Mat. 9:37, 38) Po kështu, kur u tha dishepujve ‘të qëndronin vigjilentë’, u dha një arsye. Ai tha: «Sepse nuk e dini në ç’ditë vjen Zotëria juaj.» (Mat. 24:42) Herë pas here, Jezui u thoshte dishepujve jo vetëm çfarë duhej të bënin, por edhe pse duhej ta bënin. Në këtë mënyrë, ai u tregoi respekt dhe u dha dinjitet. Çfarë shembulli i shkëlqyer për mbikëqyrësit e krishterë!

Të respektojmë kongregacionin e Jehovait dhe drejtimin e tij

9. Kë nderojmë tjetër kur tregojmë respekt për kongregacionin e krishterë mbarëbotëror dhe përfaqësuesit e tij? Shpjegoni.

9 Që të nderojmë Jehovain, duhet gjithashtu të nderojmë kongregacionin e krishterë mbarëbotëror, bashkë me përfaqësuesit e tij. Kur u vëmë veshin këshillave biblike që marrim nëpërmjet klasës së skllavit të besueshëm, tregojmë respekt për organizatën dhe për drejtimin e Jehovait. Në kongregacionin e krishterë të shekullit të parë, apostulli Gjon e pa të nevojshme të shprehte mospëlqimin e tij ndaj atyre që tregonin mungesë respekti kundrejt të emëruarve. (Lexo 3 Gjonit 9-11.) Fjalët e Gjonit tregojnë se ata nuk kishin respekt jo vetëm për mbikëqyrësit vetë, por edhe për mësimdhënien dhe drejtimin e tyre. Sa mirë që shumica e të krishterëve nuk ishin si këta. Kur apostujt ishin gjallë, me sa duket vëllezërit e krishterë në tërësi tregonin respekt të thellë për ata që merrnin drejtimin.​—Filip. 2:12.

10, 11. Shpjegoni nga Shkrimet pse është me vend që disave në kongregacionin e krishterë t’u jepet autoritet.

10 Disa mendojnë se, përderisa Jezui u tha dishepujve «ju të gjithë jeni vëllezër», nuk duhet të ketë asnjë autoritet në kongregacionin e krishterë. (Mat. 23:8) Megjithatë, si në Shkrimet Hebraike, ashtu edhe në ato Greke, gjenden shumë shembuj të burrave që Perëndia u kishte dhënë autoritet. Historia e patriarkëve, gjykatësve dhe mbretërve ndër hebrenjtë e lashtë, siguron prova të mjaftueshme se Jehovai jep drejtimin e tij nëpërmjet përfaqësuesve njerëzorë. Kur populli nuk i nderonte si duhej të emëruarit, disiplinohej nga Jehovai.​—2 Mbret. 1:2-17; 2:19, 23, 24.

11 Në mënyrë të ngjashme, të krishterët e shekullit të parë pranonin autoritetin e apostujve. (Vep. 2:42) Pavli, për shembull, drejtonte vëllezërit. (1 Kor. 16:1; 1 Sel. 4:2) Pavarësisht nga kjo, edhe ai u nënshtrohej atyre që kishin autoritet mbi të. (Vep. 15:22; Gal. 2:9, 10) Vërtet, Pavli kishte pikëpamjen e duhur për autoritetin në kongregacionin e krishterë.

12. Ç’mësim të dyfishtë nxjerrim nga shembujt biblikë në lidhje me autoritetin?

12 Mësimi që nxjerrim është i dyfishtë. Së pari, ka një bazë biblike pse «skllavi i besueshëm dhe i matur» emëron nëpërmjet Trupit Udhëheqës burra në pozita me përgjegjësi dhe disa prej tyre emërohen për të ushtruar autoritet mbi të emëruar të tjerë. (Mat. 24:45-47; 1 Pjet. 5:1-3) Së dyti, të gjithë ne, përfshirë edhe të emëruarit, duhet të nderojmë ata që kanë autoritet mbi ne. Po atëherë, cilat janë disa mënyra praktike me anë të të cilave mund të nderojmë ata që janë në pozita mbikëqyrjeje në kongregacionin e krishterë mbarëbotëror?

Të tregojmë respekt për mbikëqyrësit udhëtues

13. Si mund të tregojmë respekt për përfaqësuesit e kongregacionit të krishterë në ditët e sotme?

13 Pavli tha: «Ju lutemi, o vëllezër, të keni vlerësim për ata që po punojnë pa u lodhur mes jush, që ju drejtojnë në veprën e Zotërisë dhe ju këshillojnë. Vlerësojini së tepërmi me dashuri, për shkak të punës së tyre. Jini paqësorë me njëri-tjetrin.» (1 Sel. 5:12, 13) Mbikëqyrësit udhëtues sigurisht që janë ndër «ata që po punojnë pa u lodhur». Prandaj le ‘t’i vlerësojmë së tepërmi’. Një mënyrë për ta bërë këtë është duke e pranuar me gjithë zemër këshillën dhe nxitjen e tyre. Kur një mbikëqyrës i tillë na përçon drejtimin nga klasa e skllavit të besueshëm, «mençuria nga lart» do të na nxitë të jemi ‘të gatshëm të bindemi’.​—Jak. 3:17.

14. Si tregon kongregacioni se i respekton vërtet mbikëqyrësit udhëtues dhe cili është rezultati?

14 Po nëse marrim drejtim t’i bëjmë gjërat ndryshe nga mënyra me të cilën jemi mësuar? Të tregojmë respekt ndonjëherë mund të kërkojë të luftojmë prirjen për të kundërshtuar me fjalët: «Nuk i bëjmë kështu gjërat këtu.» Ose mund të themi: «Kjo mund të funksionojë në vende të tjera, por jo në kongregacionin tonë.» Përkundrazi, ne përpiqemi të ndjekim drejtimin që na jepet. Që ta arrijmë këtë, duhet të mbajmë mirë parasysh se kongregacioni i përket Jehovait dhe se Jezui është Kreu i tij. Kur kongregacioni e pret me gëzim dhe e zbaton drejtimin nga mbikëqyrësi udhëtues, kjo tregon se e respekton vërtet. Apostulli Pavël i përgëzoi vëllezërit në Korint për bindjen me respekt që treguan kundrejt drejtimit që iu dha nëpërmjet Titit, plakut që i kishte vizituar. (2 Kor. 7:13-16) Edhe ne sot mund të jemi të sigurt se gatishmëria me të cilën zbatojmë drejtimin e marrë nga mbikëqyrësit udhëtues, ndikon mjaft në gëzimin që provojmë në veprën e predikimit.​—Lexo 2 Korintasve 13:11.

«Nderoni njerëzit e çdo lloji»

15. Cilat janë disa mënyra se si tregojmë respekt për të bashkëkrishterët?

15 Pavli shkroi: «Mos e kritiko ashpër një më të moshuar. Përkundrazi, përgjëroje si një atë, kurse më të rinjtë si vëllezër, më të moshuarat si nëna, më të rejat si motra, me plot dëlirësi. Nderoji vejushat që janë vërtet të tilla.» (1 Tim. 5:1-3) Po, Fjala e Perëndisë na këshillon t’i nderojmë të gjithë në kongregacionin e krishterë. Po nëse lind një mosmarrëveshje me një vëlla ose motër në kongregacion? A do t’ju pengojë kjo të përmbushni detyrimin për të respektuar motrën ose vëllanë tënd të krishterë? Ose, a mund të ndreqni qëndrimin tuaj duke vlerësuar cilësitë e krishtere të asaj ose atij shërbëtori të Perëndisë? Në mënyrë të veçantë, ata me autoritet duhet të mbajnë një pikëpamje plot respekt për vëllezërit e tyre​—duke mos u sjellë kurrë ‘si zotër me kopenë’. (1 Pjet. 5:3) Në të vërtetë, në kongregacionin e krishterë, që karakterizohet nga dashuria e përzemërt midis pjesëtarëve të tij, kemi mundësi të shumta për të nderuar njëri-tjetrin.​—Lexo Gjonin 13:34, 35.

16, 17. (a) Pse është e rëndësishme të kemi respekt jo vetëm për ata të cilëve u predikojmë, por edhe për kundërshtarët? (b) Si ‘i nderojmë njerëzit e çdo lloji’?

16 Sigurisht, respekti ynë nuk kufizohet vetëm ndaj atyre që bëjnë pjesë në kongregacionin e krishterë. Pavli u shkroi të krishterëve të asaj kohe: «Derisa të kemi kohë të volitshme, le të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve.» (Gal. 6:10) Kuptohet, të zbatojmë këtë parim kur një shok pune ose shkolle na trajton keq, mund të jetë e vështirë. Në raste të tilla, duhet të kujtojmë fjalët: «Mos u nxeh për shkak të keqbërësve.» (Psal. 37:1) Kjo këshillë do të na ndihmojë të reagojmë me respekt edhe ndaj kundërshtarëve. Po kështu, kur jemi në shërbim, një pikëpamje e përulur për veten mund të na ndihmojë t’u përgjigjemi të gjithëve me «frymë butësie dhe me respekt të thellë». (1 Pjet. 3:15) Edhe me anë të paraqitjes e veshjes sonë mund të tregojmë se i respektojmë ata të cilëve u predikojmë.

17 Kështu pra, pavarësisht nëse kemi të bëjmë me të bashkëkrishterët ose me ata jashtë kongregacionit, duhet të bëjmë çmos të zbatojmë këtë këshillë: «Nderoni njerëzit e çdo lloji, kini dashuri për gjithë vëllazërinë, kini frikë Perëndinë, kini nderim për mbretin.»​—1 Pjet. 2:17.

Si do të përgjigjeshit?

Si mund të tregoni respektin e duhur për:

• Jehovain?

• pleqtë e kongregacionit dhe mbikëqyrësit udhëtues?

• çdo pjesëtar të kongregacionit?

• ata të cilëve u predikoni?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 23]

Të krishterët e shekullit të parë e respektonin mbikëqyrjen e trupit udhëheqës

[Figura në faqen 24]

Pleqtë në çdo vend i nderojnë mbikëqyrësit udhëtues, të cilët janë emëruar nga Trupi Udhëheqës