Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga letrat drejtuar Titit, Filemonit dhe Hebrenjve

Pika kryesore nga letrat drejtuar Titit, Filemonit dhe Hebrenjve

Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga letrat drejtuar Titit, Filemonit dhe Hebrenjve

PAK pasi lirohet nga burgu për herë të parë në Romë në vitin 61 të e.s., apostulli Pavël viziton ishullin e Kretës. Duke parë gjendjen frymore të kongregacioneve atje, ai u lë Titin që t’i forcojë. Më vonë, ndoshta nga Maqedonia, Pavli i shkruan Titit një letër që ta udhëzojë për detyrat e të tregojë se vepra e tij ka mbështetjen e apostullit.

Më parë, pak para lirimit nga burgu në vitin 61 të e.s., Pavli i shkroi një letër Filemonit, një vëllai të krishterë që jetonte në Kolose. Në këtë letër ai i përgjërohet një miku.

Aty rreth vitit 61 të e.s., Pavli u shkroi edhe besimtarëve hebrenj në Jude një letër, ku tregohet epërsia e krishterimit mbi sistemin judaik. Të tria letrat përmbajnë këshilla të vlefshme për ne.​—Hebr. 4:12.

VAZHDONI TË JENI TË SHËNDOSHË NË BESIM

(Titit 1:1–3:15)

Pasi jep udhëzime për ‘emërimin e pleqve qytet më qytet’, Pavli e këshillon Titin ‘të vazhdojë t’i qortojë [të pashtruarit] me rreptësi, që të jenë të shëndoshë në besim’. Ai i këshillon të gjithë nëpër kongregacionet e Kretës ‘ta hedhin poshtë paperëndishmërinë e të jetojnë me mendje të shëndoshë’.​—Titit 1:5, 10-13; 2:12.

Pavli jep këshilla të mëtejshme për t’i ndihmuar vëllezërit në Kretë të mbeten të shëndoshë në besim. E udhëzon Titin ‘të shmangë diskutimet e marra dhe zëniet rreth Ligjit’.​—Titit 3:9.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

1:15—Si mund të jetë «gjithçka» «e pastër për ata që janë të pastër», por e papastër «për ata që janë të ndotur dhe pa besim»? Për të marrë përgjigjen, duhet të kuptojmë ç’donte të thoshte Pavli me «gjithçka». Ai nuk po fliste për gjëra që dënohen drejtpërdrejt në Fjalën e shkruar të Perëndisë, po për çështje për të cilat çdo besimtar mund të vendoste vetë, në bazë të ndërgjegjes. Për një njeri mendimet e të cilit janë në përputhje me normat e Perëndisë, këto gjëra janë të pastra. E kundërta ndodh me dikë që ka mendime të shtrembra dhe ndërgjegje të ndotur. *

3:5—Si ‘shpëtojnë nëpërmjet larjes’ të krishterët e mirosur dhe si ‘rinohen me anë të frymës së shenjtë’? ‘Shpëtojnë nëpërmjet larjes’ në kuptimin që Perëndia i ka larë ose pastruar me gjakun e Jezuit, falë flijimit shpërblyes. ‘Rinohen me anë të frymës së shenjtë’ sepse janë bërë «një krijesë e re» si bij të Perëndisë të lindur nga fryma.​—2 Kor. 5:17.

Mësime për ne:

1:10-13; 2:15. Mbikëqyrësit e krishterë duhet të tregohen të guximshëm për të ndrequr gjërat me të meta në kongregacion.

2:3-5. Ashtu si në shekullin e parë, edhe sot motrat e pjekura të krishtere duhet «të kenë një sjellje që u ka hije të shenjtëve, të mos jenë shpifëse, as skllave të verës së shumtë, por mësuese të së mirës». Kështu mund të kenë sukses ndërsa mësojnë individualisht «të rejat» në kongregacion.

3:8, 14. Është ‘e shkëlqyer dhe e dobishme’ ‘ta mbajmë mendjen te kryerja e veprave të shkëlqyera’, sepse na ndihmon të jemi të frytshëm në shërbim të Perëndisë dhe na mban të ndarë nga bota e ligë.

THIRRJE «NË BAZË TË DASHURISË»

(Fil. 1-25)

Pavli e lavdëron Filemonin, sepse është shembull në ‘dashuri e besim’. Ai është burim freskimi për të krishterët e tjerë, dhe kjo i ka sjellë Pavlit «shumë gëzim e ngushëllim».​—Fil. 4, 5, 7.

Duke lënë shembullin për të gjithë mbikëqyrësit, Pavli e trajton çështjen delikate të Onesimit duke bërë thirrje «në bazë të dashurisë», jo duke dhënë një urdhër. Ai i thotë Filemonit: «Me besimin se do të më dëgjosh, po të shkruaj, duke e ditur se do të bësh edhe më shumë nga ç’të kam kërkuar.»​—Fil. 8, 9, 21.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

10, 11, 18—Si u bë «i dobishëm» Onesimi që më parë kishte qenë «i padobishëm»? Onesimi s’donte të ishte skllav, kështu që u arratis nga shtëpia e Filemonit në Kolose dhe iku në Romë. Ndoshta ai i vodhi edhe para pronarit, që të mbulonte shpenzimet e udhëtimit prej 1.400 kilometrash. Pra, ishte i padobishëm për Filemonin. Por në Romë, Pavli e ndihmoi Onesimin të bëhej i krishterë. Tashmë një vëlla në besim, ky skllav dikur «i padobishëm», u bë «i dobishëm».

15, 16—Pse Pavli nuk i kërkoi Filemonit t’i jepte lirinë Onesimit? Pavli donte t’i qëndronte besnik detyrës së tij ‘për të predikuar mbretërinë e Perëndisë e për të mësuar gjërat për Zotërinë Jezu Krisht’. Prandaj vendosi të mos përfshihej fare në çështjet shoqërore, si ato që lidheshin me skllavërinë.​—Vep. 28:31.

Mësime për ne:

2. Filemoni e hapi shtëpinë e tij për mbledhjet e krishtere. Është privilegj të kesh në shtëpi një mbledhje për shërbim.​—Rom. 16:5; Kolos. 4:15.

4-7. Duhet të marrim iniciativën t’i lavdërojmë bashkëbesimtarët që janë shembullorë në besim e dashuri.

15, 16. Nuk duhet t’i lejojmë rrethanat e pafavorshme të jetës të na shkaktojnë ankth të tepërt. Gjërat mund të dalin për mirë, si në rastin e Onesimit.

21. Pavli priste që Filemoni ta falte Onesimin. Edhe nga ne pritet t’i falim vëllezërit që mund të na kenë fyer.​—Mat. 6:14.

«TË SULEMI DREJT PJEKURISË»

(Hebr. 1:1–13:25)

Për të treguar se besimi në flijimin e Jezuit është më i lartë se veprat e Ligjit, Pavli thekson lavdinë e Themeluesit të krishterimit, priftërinë e tij, flijimin e tij dhe besëlidhjen e re. (Hebr. 3:1-3; 7:1-3, 22; 8:6; 9:11-14, 25, 26) Me siguri kjo njohuri duhet t’i ketë ndihmuar të krishterët hebrenj që të përballonin përndjekjen e judenjve. Pavli i nxit bashkëbesimtarët hebrenj ‘të sulen drejt pjekurisë’.​—Hebr. 6:1.

Sa i rëndësishëm është besimi për një të krishterë? «Pa besim është e pamundur t’i pëlqesh [Perëndisë]»,​—shkruan Pavli. Ai i nxit hebrenjtë që me besim ‘të vrapojnë me qëndrueshmëri në garën që u është vënë përpara’.​—Hebr. 11:6; 12:1.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

2:14, 15—Fakti që Satanai «ka mjetet për të shkaktuar vdekjen», a tregon se mund të shkaktojë vdekjen e parakohshme të çdokujt që do? Jo. Megjithatë, që nga fillimi i rrugës së ligë të Satanait në Eden, gënjeshtrat e tij kanë shkaktuar vdekje, sepse Adami mëkatoi dhe ia kaloi familjes njerëzore mëkatin e vdekjen. (Rom. 5:12) Për më tepër, pasuesit e Satanait në tokë i kanë përndjekur shërbëtorët e Perëndisë deri në vdekje, siç bënë me Jezuin. Por kjo nuk do të thotë se Satanai ka fuqi absolute të vrasë kë të dojë. Po të ishte kështu, pa dyshim ai do t’i kishte zhdukur nga faqja e dheut adhuruesit e Jehovait kohë më parë. Jehovai e mbron popullin e vet si grup dhe nuk e lejon Satanain t’i shfarosë. Edhe sikur Perëndia të lejojë që disa nga ne të vdesin për shkak të sulmeve të Satanait, mund të jemi të sigurt se do të zhbëjë çdo dëm që na bëhet.

4:9-11—Si ‘hyjmë në pushimin e Perëndisë’? Në fund të gjashtë ditëve të krijimit, Perëndia pushoi nga veprat e tij krijuese, i sigurt se qëllimi i tij për tokën e për njerëzimin do të përmbushej. (Zan. 1:28; 2:2, 3) Ne «hyjmë në atë pushim» duke hequr dorë nga veprat egoiste dhe duke pranuar masën që ka marrë Perëndia për të na shpëtuar. Kur tregojmë besim te Jehovai dhe ndjekim me bindje Birin e tij, në vend të interesave tona egoiste, çdo ditë kemi bekime që na freskojnë e na përtërijnë.​—Mat. 11:28-30.

9:16—Kush është «njeriu që bën besëlidhjen» e re? Jehovai është Themeluesi i besëlidhjes së re, kurse Jezui është «njeriu që bën besëlidhjen». Jezui është Ndërmjetësi i kësaj besëlidhjeje dhe me vdekjen e tij siguroi flijimin që duhej për ta bërë të vlefshme atë.​—Luka 22:20; Hebr. 9:15.

11:10, 13-16—Cilin «qytet» priste Abrahami? Një qytet simbolik, jo të mirëfilltë. Abrahami priste ‘Jerusalemin qiellor’, të përbërë nga Krishti Jezu dhe 144.000 bashkësundimtarët e tij. Këta bashkësundimtarë në lavdinë e tyre qiellore quhen ndryshe edhe ‘qyteti i shenjtë, Jerusalemi i Ri’. (Hebr. 12:22; Zbul. 14:1; 21:2) Abrahami priste me padurim të jetonte nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë.

12:2—Çfarë ‘gëzimi iu vu përpara’ Jezuit, për të cilin «duroi një shtyllë torture»? Ishte gëzimi që të shihte rezultatet e shërbimit të tij: shenjtërimin e emrit të Jehovait, shfajësimin e sovranitetit të Tij dhe shpengimin e familjes njerëzore nga vdekja me anë të shpërblesës. Gjithashtu, Jezui priste me padurim shpërblimin që të shërbente si Mbret e Kryeprift për dobinë e njerëzimit.

13:20—Pse thuhet se besëlidhja e re është ‘e përhershme’? Për tri arsye: (1) nuk do të zëvendësohet kurrë, (2) rezultatet që do të sjellë, do të jenë të përhershme dhe (3) ‘delet e tjera’ do të vazhdojnë të nxjerrin dobi nga besëlidhja e re edhe pas Harmagedonit.​—Gjoni 10:16.

Mësime për ne:

5:14. Duhet ta studiojmë me zell Fjalën e Perëndisë, Biblën, e ta zbatojmë atë që mësojmë nga ajo. S’ka mënyrë tjetër ‘për t’i stërvitur aftësitë perceptuese që të shquajmë si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën’.​—1 Kor. 2:10.

6:17-19. Nëse bazohet fortësisht në premtimin dhe benë e Perëndisë, shpresa do të na ndihmojë të mos shmangemi nga udha e së vërtetës.

12:3, 4. Në vend që ‘të na lodhet e të na ligështohet shpirti’ nga sprovat e vogla ose kundërshtimi që mund të hasim, duhet të përparojmë drejt pjekurisë e të bëhemi më të aftë të qëndrojmë në sprova. Duhet të jemi të vendosur të rezistojmë «deri në gjak», domethënë deri në vdekje.​—Hebr. 10:36-39.

12:13-15. Nuk duhet të lejojmë asnjë «rrënjë helmuese» ose asnjë në kongregacion që kritikon mënyrën si bëhen gjërat, të na pengojë që ‘të bëjmë shtigje të drejta për këmbët tona’.

12:26-28. ‘Gjërat e bëra me dorë’, por jo nga Perëndia, domethënë i gjithë sistemi i tanishëm, duke përfshirë edhe ‘qiellin’ e lig, do të tronditen e do të hiqen. Kur të ndodhë kjo, do të mbeten vetëm «gjërat që nuk tronditen», domethënë Mbretëria dhe përkrahësit e saj. Sa jetësore është ta shpallim me zell Mbretërinë e të jetojmë sipas parimeve të saj!

13:7, 17. Nëse ngulitim në mendje këshillën që të jemi të bindur e të nënshtruar ndaj mbikëqyrësve në kongregacion, do të shfaqim një frymë bashkëpunimi.

[Shënimi]

^ par. 11 Shih Kullën e Rojës, 15 tetor 2007, faqet 26-27.